Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Monedhat e periudhës së artë të historisë romake të gjetura në Kosovë

Monedha Romake

Periudha e sundimit të perandorëve Nerva, Trajan, Hadrian, Antonin Piu dhe Mark Aureli në historinë romake njihet si “Periudha e artë”. Pos gjurmëve të tjera, nga kjo periudhë në territorin e Kosovës së sotme janë gjetur një sasi monedhash që janë dokumente relevante lidhur me këtë periudhë të rëndësishme historike

Periudha më e lumtur e më e suksesshme në historinë e qytetërimit romak, njihet si periudha e sundimit të perandorëve të njohur si “Pesë Perandorët e Mirë”. Ata ishin perandorë legjitimë romakë të cilët sunduan gjatë periudhës midis viteve 96 dhe 180 të erës sonë, sundimi i të cilëve ka shënuar epokën më të qëndrueshme dhe më të begatë të perandorisë, e cila shpesh quhet “Epoka e Artë”. I shpikur nga filozofi dhe historiani italian, Niccolò Machiavelli, dhe i popullarizuar nga historiani britanik, Edward Gibbon, ky nocion shënon një periudhë gjatë së cilës perandorët i zgjidhnin pasardhësit e vet në bazë të meritave e aftësive të tyre dhe i birësonin ata, në vend që t’i caktonin bijtë ose njerëzit e gjakut si trashëgimtarë.

Gjatë historisë të Perandorisë Romake, në mjaft raste shtetin e kanë sunduar njerëzit ndonjëherë shumë të këqij, nga të cilët disa ishin të çmendur, egoistë, mizorë, paranojakë, psikopatë e të korruptuar, por kishte edhe perandorë të mirë që shfaqeshin herë pas here me kalimin e kohës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në histori të Perandorisë Romake veçohet një periudhë e lumtur prej tetëdhjetë e katër vjetësh, nga viti 96 deri në vitin 180 të erës sonë, kur pesë perandorë të shkëlqyer sunduan njeri pas tjetrit, gjatë një periudhe goxha të gjatë qeverisjeje të mirë në historinë e lashtë.

Sundimi i tyre shënon një periudhe të artë stabiliteti, prosperiteti dhe kulmin e shtrirjes territoriale të Perandorisë Romake, që paraqet zenitin e Paqes Romake (Pax Romana). Këta perandorë ishin Nerva, Trajani, Hadriani, Antonin Piu dhe Mark Aureli.

Nerva

Marcus Cocceius Nerva, Imp. Nerva Caesar Augustus (96-98), ishte i zgjedhur nga shtresa senatoriale për të rivendosur paqen pas vrasjes së perandorit tiran Domician. Perandori Nerva i pari e kishte birësuar një trashëgimtar të aftë, jo të gjakut të vet (Trajanit) për të siguruar një tranzicion të qetë.

Perandori që sundoi menjëherë para Nervës ishte Domiciani (Imp Domitianus Caesar Augustus (81-96). Historia e njeh këtë perandor si njeri të bezdisshëm, paranojak, arbitrar, të pamëshirshëm dhe mizor. Në fund, një numër senatorësh, së bashku me disa anëtarë të familjes së perandorit Domician dhe vetë gruan e Domicianit, organizuan dhe e realizuan vrasjen e tij. Para se publiku ta kuptonte se çfarë kishte ndodhur, Senati kishte zgjedhur një njeri nga radhët e veta si pasardhës të tij. Ai ishte një senator i moshuar, i sjellshëm, i pëlqyer dhe me përvojë i quajtur Marcus Cocceius Nerva. Perandori Nerva ishte një “lojtar ekipi” klasik, një tip i vetëpërmbajtur, një burrë i pjekur, i mirë, të cilit senatorët e tjerë i besonin plotësisht.

Nerva kishte denoncuar publikisht pamëshirshmërinë dhe metodat tiranike të paraardhësit të tij dhe vetë ishte distancuar nga sjellje të tilla. Por, ushtria romake, e cila kishte mbështetur Domicianin, nuk kishte qenë e kënaqur me këtë zgjedhje sepse perandori Nerva kishte ardhur në pushtet pa pëlqimin e ushtrisë. Së shpejti u bë e qartë se ushtria ishte gati të merrte gjërat në duart e veta. Por Nerva me mençuri kishte adoptuar, për të qenë koleg dhe pasardhës i tij, një gjeneral të njohur romak me emrin Marcus Ulpius Trajanus. Pas këtij akti, perandori Nerva kishte gëzuar mbështetjen e trupave të Trajanit dhe u ishte përkushtuar reformave agrare dhe tatimore, një numri programesh sociale dhe punës kolegjiale me Senatin, duke qetësuar kështu shqetësimet në lidhje me çdo abuzim të pushtetit perandorak. Pas vetëm 16 muajsh si perandor, ai kishte vdekur për shkaqe natyrore. Trajani e kishte trashëguar atë pa probleme dhe pa incidente.

Vlen të përmendet që në Kosovë është gjetur një denar i argjendtë i kohës së sundimit të perandorit Nerva.

Denarius prej argjendi i kohës së sundimit të perandorit Nerva (96-98). Në avers është portreti i perandorit me kurorë dafine në kokë e rreth tij mbishkrimi: IMP NERVA CAES AVG PM TR COS III PP. Në revers është figura e hyjneshës Fortuna në këmbë, e kthyer në anën e majtë e cila në dorën e djathtë mban timonin e anijes e në dorën e majtë, bririn e bollëkut. Rreth hyjneshës është mbishkrimi: FORTVNA AVGVST SC

Trajani

Imperator Caesar Nerva Trajanus Divi Nervae Filius Augustus (98-117) është i njohur si një pushtues i madh ushtarak, meqë e zgjeroi Perandorinë Romake duke nënshtruar Dakinë dhe disa pjesë të Lindjes. Ai gjithashtu kishte financuar projekte të mëdha publike dhe programe të mirëqenies sociale si Alimenta (program i mirëqenies së përgjithshme).

Si ushtarak, Trajani tregohej i rreptë në raste kur ishte e nevojshme, por të dhënat historike e paraqesin atë si të butë, të thjeshtë, të drejtë dhe human. Ai ka sunduar me sukses për 19 vjet dhe gjatë kësaj kohe kishte ndërmarrë një sërë fushatash ushtarake për të zgjeruar kufijtë e Perandorisë Romake. Së pari ai e kishte pushtuar Dakinë (Rumania e sotme), dhe aty i kishte vendosur veteranët nga ushtria e tij. Më vonë gjatë sundimit të tij, Trajani i kishte zgjeruar kufijtë lindorë të Perandorisë Romake përmes Mesopotamisë (Iraku i sotëm) deri në Gjirin Persik. Ai gjithashtu ndërmori shumë programe ndërtimi në shkallë të gjerë, të cilat e kishin përmirësuar nivelin e infrastrukturës anembanë Perandorisë.

Janë ruajtur disa nga korrespondencat e Trajanit me një nga guvernatorët e tij provincialë të cilat dëshmojnë mençurinë, vendosmërinë dhe taktin e qetë të perandorit Trajan. Ai shpesh kishte theksuar nevojën për një proces të rregullt ligjor në çrrënjosjen e korrupsionit. Lidhur me krishterimin, i cili konsiderohej si një sfidë revolucionare ndaj shtetit, Trajani kishte pranuar ndëshkimin e të krishterëve nëse shpalleshin fajtorë, por megjithatë kishte këmbëngulur që ata nuk duhej të ndiqen pa arsye. Ai gjithashtu kishte këmbëngulur që mos t’u besohet akuzave anonime, meqë mund të keqpërdoreshin. Ai gjithashtu me dekret kishte urdhëruar që çdo i krishterë i cili do të dëshmonte patriotizmin e tij duke ofruar flijime për perënditë e lashta romake duhej të falej pavarësisht përkatësisë së tij në të kaluarën.

Perandori Nerva e kishte vazhduar praktikën e Trajanit, duke adoptuar si bir dhe pasardhës një person me karakter dhe aftësi të denja nga rrethi i tij i jashtëm e jo një anëtar të ngushtë të familjes. Ky person ishte Publius Aelius Hadrianus, një ushtarak i cili ishte guvernator i një province romake dhe bashkëshorti i mbesës së Trajanit Vibia Sabina. Ngritja e Hadrianit në fron kishte kaluar po aq mirë e qetë si edhe ajo e Trajanit.

Në territorin e Kosovës janë gjetur tre denarë të argjendtë, pesë monedha të ndryshme prej bronzi si dhe një monedhë “nummus metallorum” e llojit quadrans.

Denarius prej argjendi i kohës së sundimit Trajanus (98-117). Në avers është portreti i djathtë i Trajanit me kurorë dafine në kokë dhe rreth tij mbishkrimi cursus honorum të perandorit: IMP CAES NER TRAIAN OPTIM AVG GERM DAC – Imperator Ceasar Nerva Trajanus Optimus Augustus Germanicus, Dacicus (Perandori Ceasar Nerva Perandori më i Mirë, ngadhënjyes mbi germanët dhe dakët)

Hadriani

Publius Aelius Hadrianus, Imperator Caesar Trajanus Hadrianus Augustus (117-138), gjatë sundimit të tij kishte zhvendosur fokusin nga zgjerimi i Perandorisë në konsolidim dhe mbrojtje, që u manifestua para së gjithash përmes ndërtimit të Murit të Hadrianit (Mura Hadriana) në Britani. Ai e kishte kaluar pjesën më të madhe të sundimit të tij duke udhëtuar dhe duke inspektuar provincat.

Hadriani i kishte kushtuar shumë kohë përmirësimit të mbrojtjes së Perandorisë (pos të tjerash e kishte ndërtuar murin e gjatë në Britani për mbrojtje nga piktet). Ai gjithashtu e kishte kuptuar se ishte shumë e vështirë të realizohet siguria e pjesëve më të largëta të Perandorisë të cilat Trajani i kishte pushtuar në Mesopotami, kështu që me mençuri i kishte braktisur plotësisht ato.

Hadriani ishte gjithashtu një njeri i kultivuar, një ndërtues dhe një mbrojtës i arteve e mbështetës i artistëve dhe ishte administratori më i madh në historinë perëndimore. Në fillim të sundimit të tij, në një rast kur po udhëtonte nëpër një fshat, një grua e moshuar kishte ardhur tek ai për t’u ankuar, por Hadriani i kishte thënë asaj ta çonte çështjen te guvernatori lokal ose autoritetet komunale, sepse ai vetë si perandor thjesht nuk kishte kohë për t’u marrë me ankesa të tilla. Gruaja e moshuar pastaj i kishte thënë: “Epo, mos u bëj perandor atëherë!” Hadriani e kishte dëgjuar ankesën e saj dhe e kishte zgjidhur problemin e saj. Që atëherë e tutje, ai kishte vendosur të udhëtonte shpesh nëpër perandori, duke dëgjuar ankesat lokale kudo që shkonte. Autoritetet lokale nuk e dinin kurrë se kur mund të shfaqej perandori, kështu që nga frika ishin bërë shumë më të vëmendshëm ndaj problemeve lokale. Ka mendime që Perandoria Romake nuk është menaxhuar kurrë më mirë sesa gjatë sundimit njëzetvjeçar të Hadrianit. Edhe Hadriani kishte ndjekur shembullin e paraardhësve të tij dhe duke adoptuar si të birin dhe pasardhësin e tij një senator dhe këshilltar të shquar perandorak të quajtur Titus Aelius Hadrianus Antoninus, i njohur më vonë si Antoninus Pius. Falë menaxhimit të mençur të Perandorisë Romake nga Hadriani, ngritja e Antoninusit në fron pas vdekjes së Hadrianit ishte po aq e qetë sa edhe ajo e paraardhësit të tij.

Në Kosovë janë gjetur një denarius prej argjendi dhe tri monedha prej bronzi.

Denarius prej argjendi i kohës së sundimit të perandorit Hadrianus (117-138). Në avers është portreti i djathtë i perandorit me kurorë dafine në kokë dhe rreth tij teksti: HADRIANVS AVG COS III PP. Në revers është paraqitur hyjnesha Juno Moneta me cornucopia (briri i bollëkut dhe rreth figurës teksti: MONETA AVG

Antonin Piu

Titus Aurelius Fulvius Bojonius Arrius Antoninus, Imperator Caesar Hadrianus Antoninus Augustus Pius (138-161) është perandor sundimi i të cilit konsiderohet që ishte më paqësori në historinë romake, meqë ishte i karakterizuar nga stabiliteti, reformat ligjore (si parimi “pala është e pafajshme derisa të provohet fajësia”) dhe efikasiteti administrativ.

Kur Antonini u bë perandor, Senati Romak ia kishte dhënë atij nofkën “Pius” (i devotshëm) në njohje të zellit të tij që Senati ta hyjnizojë paraardhësin dhe babanë e tij adoptiv, perandorin Hadrian. Historia e njeh Antonin Piun si një njeri të mençur, me përvojë, kompetent dhe me natyrë të qetë.

Sundimi i tij paqësor njëzetvjeçar kishte qenë shumë i qetë dhe i rehatshëm, gjë që është në vetvete një homazh për sundimin e tij të denjë. Megjithatë, gjatë sundimit të tij kishte ndodhur një kërcënim i jashtëm në Britaninë Veriore, por legjionet e tij e kishin zmbrapsur atë me sukses. Pas kësaj ai kishte ndërtuar edhe një mur tjetër – Murin Antoninus – në veri nga muri të cilin Hadriani e kishte ndërtuar më parë. Trupat e Antonin Piut kishin shtypur gjithashtu edhe disa kryengritje të vogla në provinca të tjera. Marrë në përgjithësi, ka pak informata rreth sundimit të Antonin Piut. Kur Hadriani e kishte emëruar Antonin Piun si birin dhe pasardhësin e tij, kjo ishte bërë me kusht që edhe vetë Antonin Piu t’i adoptonte si pasardhës të tij dy të rinj premtues: Marcus Aurelius dhe Lucius Verus. Pas vdekjes së Antonin Piut, trashëgimia e planifikuar ishte zhvilluar pa incidente.

Në territorin e Kosovës janë gjetur katër denarë të argjendtë dhe një as prej bronzi të kohës së Antonin Piut.

Denarius prej argjendi i perandorit Antoninus Pius (136 – 161), monedhë përkujtimore e prerë në kohën e perandorit Mark Aureli. Në avers portreti i djathtë i Antonin Piut dhe rreth tij mbishkrimi: DIVVS ANTONINVS, ndërsa në revers shqiponja mbi altar me kokë të kthyer të anën e majtë e rreth saj mbishkrimi: CONSECRATIO. Nocioni “consecratio” nënkupton hyjnizimin e një perandori ose perëndeshe pas vdekjes së tyre

Mark Aureli

Marcus Aurelius Antoninus Augustus, Imperator Caesar Marcus Aurelius Antoninus Augustus (161-180), ishte i njohur si “Perandori Filozof” i cili e kishte shkruar tekstin e famshëm stoik “Meditime”. Ai e kishte kaluar pjesën më të madhe të sundimit të tij duke mbrojtur kufijtë nga fiset germane dhe ishte angazhuar në luftë kundër epidemisë së murtajës, dhe mbahet në mend për mençurinë dhe përkushtimin ndaj detyrave e obligimeve.

Në fillim, Mark Aureli dhe Luc Veri kishin sunduar së bashku. Mark Aureli ishte më i vjetër dhe kishte fituar shumë përvojë në poste të ndryshme të rëndësishme qeveritare (ai ishte 40 vjeç në kohën e ngritjes në fron perandorak). Ai kishte mundësi ta merrte fronin perandorak ekskluzivisht për vete falë prestigjit dhe popullaritetit të tij personal, por ai këmbënguli që ta kishte Lucius Verin bashkësundimtar, siç i kishte premtuar Antonin Piut më parë. Por pasi që Veri kishte vdekur nga një sëmundje në vitin 161 të erës sonë, nga ajo kohë Mark Aureli kishte sunduar i vetëm. Pavarësisht humanitetit personal, kompetencës dhe ndërgjegjes së Mark Aurelit, Perandoria në kohën e tij kishte filluar të përballet me kërcënime të ndryshme për sigurinë e saj, të cilat ai arriti t’i përballonte ato me sukses. Forcat e tij ushtarake i kishin ndaluar persët në lindje dhe kishin shtypur një rebelim në Armeni. Ai gjithashtu kishte shtypur trazirat në kufirin german. Megjithatë, në përgjithësi, Perandoria Romake kishte gëzuar paqe e prosperitet gjatë sundimin të Mark Aurelit. Historia ka qenë veçanërisht e sjellshme me Mark Aurelin për shkak të reputacionit të tij si një filozof i thellë moral i Shkollës Stoike, e cila mbështeste pranimin e ndryshimeve të jetës, i urdhëronte njerëzit të lënë mënjanë pasionet personale dhe t’i shmangin si mendimin e padrejtë ashtu edhe vetëkënaqësinë në kryerjen e urdhrave morale. Gjatë viteve, Mark Aureli i kishte shënuar mendimet e tij mbi këto tema, të cilat janë ruajtur si “Meditimet e Mark Aurelit”. Ato citohen gjerësisht edhe sot e kësaj dite.

Por, Mark Aureli nuk e kishte adoptuar trashëgimtarin e vet nga njerëzit më kompetentë, meritorë dhe të pjekur nga rrethi i tij qeveritar ose familjar siç kishin bërë katër paraardhësit e tij. Në vend të kësaj, djali i tij biologjik, Komodi, e kishte trashëguar atë në fron. I përkëdhelur dhe i lazdruar si djali i perandorit, Komodi ishte rritur si përtac dhe një njeri i degjeneruar. I emëruar nga i ati gjatë jetës së tij si bashkëperandor, Komodi e kishte trashëguar lehtësisht Mark Aurelin si perandor i vetëm. Shpejt ai ua kishte shpërndarë detyrat e kompetencat e tij një numri miqsh dhe të preferuarish personalë dhe më pas ishte marrë me interesa dhe kënaqësi personale të kota. Ai adhuronte garat e gladiatorëve dhe madje e kishte turpëruar postin e perandorit duke marrë pjesë publikisht në duele si gladiator, dhe e kishte përdorur autoritetin e tij personal në mënyrë arbitrare sa herë që i pëlqente duke u shndërruar në megaloman meqë e kishte paramenduar veten si një rimishërim të perëndisë Herkul (Hercules), dhe kishte kërkuar nga publiku ta adhuronte si hyj. Për shkak të sjelljeve e qëndrimeve të veta ai më në fund u vra.

Vdekja e Mark Aurelit dhe ngritja në fron e Komodit, kishin shënuar edhe fundin e periudhës më të lumtur e Perandorisë Romake.

Në Kosovë është gjetur një monedhë prej bronzi i kohës së Komodit.

As prej bronzi i kohës së sundimit të perandorit Marcus Aurelius (161 – 180). Në avers portreti i djathtë i perandorit dhe rreth tij mbishkrimi: AVRELIVUS CEASAR AVG PII FIL (Aurelius Ceasar Augusti Pii). Në revers është paraqitja e hyjneshës Minerva me përkrenare, e kthyer në anën e majtë e cila në dorën e djathtë mban hutin (bufin) e nën dorën e majtë heshtën

Natyrisht që numri i monedhave të periudhës së përmendur të gjetura në Kosovë duhet të jetë më i madh sesa janë evidentuar deri më tash, por dihet që ka shumë të tilla në koleksione private në të cilat nuk kemi pasur qasje, e po ashtu dita-ditës gjenden monedha të reja.

Vlen të përmendet që pos monedhave, gjurmët e kësaj periudhe në territorin e Kosovës së sotme pasqyrohen edhe përmes relikteve të ndërtimeve arkitektonike, monumenteve epigrafike dhe, që është shumë e rëndësishme, në këtë kohë e posaçërisht gjatë kohës së sundimit të perandorëve Trajan e Hadrian, në kuadër të reformave në Dardani respektivisht në territorin e Kosovës së sotme disa vendbanime ishin ngritur në rang të municipiumeve romakë si Municipium Ulpianum e Municipium Dardanorum dhe ishin bërë qendra të rëndësishme administrative, politike e ekonomike e po ashtu qendra për eksploatimin e përpunimin e plumbit, argjendit e metaleve të tjera.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe nga shekulli II të erës sonë veprimtaria minerare ishte intensifikuar dhe, meqë një pjesë e madhe e xeherorëve ishin patrimonium apo pasuri personale e perandorëve, emërtimi zyrtar për disa distrikte xeherore në kohën e perandorit Trajan ishte Metalli Ulpiani (pjesën jugore e të cilëve e përbënin Metalli Dardanici), kurse ky titull gjatë kohës së sundimit të perandorit Mark Aureli ishte shndërruar në Metalli Aureliani dhe më këto miniera udhëhiqnin procuratores metallarum që ishin zakonisht skllevër ose skllevër të liruar perandorakë.

Cilësitë e “pesë perandorëve të mirë romakë” dhe fundi i “Epokës së artë”

Mendohet që sukseset e perandorëve Nerva, Trajan, Hadrian, Antonin Piu e Mark Aureli ishin rezultat para së gjithash i sistemit të trashëgimisë së fronit që bëhej përmes caktimit të njerëzve të aftë të birësuar si trashëgues të fronit e jo të bijve ose familjarëve të paaftë, pastaj të qeverisjes së mençur të perandorëve dhe pa administratë të korruptuar, të ndërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës nëpër provinca, të arritjes së nivelit të lartë të mirëqenies së përgjithshme si dhe të lidhjeve të forta të perandorëve me Senatin Romak.

Duke zgjedhur trashëgimtarë bazuar në aftësi, merita dhe përvojë në vend të lidhjeve të gjakut, “pesë perandorët e mirë” kishin evituar paqëndrueshmërinë dhe paaftësinë, të cilat shpesh ishin prezente te dinastitë trashëgimore. Ata kultivonin po ashtu një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi me Senatin dhe ishin të përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës, në ngritjen e nivelit kulturor e artistik dhe në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve në Romë e nëpër provinca.

“Epoka e Artë” e sundimit të pesë perandorëve të përmendur përfundoi kur Mark Aureli e theu traditën duke emëruar djalin e tij biologjik, Komodin (Imperator Caesar Lucius Aelius Aurelius Commodus Augustus, 177-192), si pasardhës të tij. Ky ishte perandor i cili në histori zë vendin e një sundimtari nga më të këqijtë e Perandorisë Romake. Ky perandor dhe më vonë edhe disa nga pasardhësit e tij, me vendimet dhe sjelljet e veta i hapen rrugën krizave politike, shoqërore, ekonomike e ushtarake të cilat më vonë, gjatë shekullit III të erës sonë e kapluan Perandorinë Romake dhe shkaktuan rënien definitive të kësaj perandorie.