Në librin “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” – Botimet KOHA, Prishtinë 2021 – James Pardew përpiqet të hedhë poshtë mitin e një aleance të fshehtë të SHBA-së me UÇK-në në Kosovë dhe në Maqedoni si dhe boshnjakët myslimanë në Bosnjë. Ai nënvizon se ndërhyrjet ushtarake e diplomatike të SHBA-së nuk kishin për qëllim mbrojtjen e një grupi etnik apo fetar, por adresimin e krizave humanitare urgjente. Për këtë arsye, ky libër është edhe një lloj manuali i rëndësishëm për elitat politike shqiptare, në veçanti, për ato të cilat duhet të kenë sytë nga e ardhmja dhe jo nga përfitimet e momentit
Diplomati amerikan James W. Pardew në librin “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” – Botimet KOHA, Prishtinë 2021 – evidenton edhe mungesën e entuziazmit të vendeve evropiane kur u bë e qartë se pavarësia ishte zgjidhja e vetme praktike, pasi ato favorizonin pavarësinë, por me mbikëqyrje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate ndërkombëtare. Sidoqoftë, pas gjashtëmbëdhjetë muajsh të takimeve me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë, të cilat nuk sollën një marrëveshje mes palëve, Ahtisaari e përmbylli detyrën e tij, duke ia dorëzuar propozimin për Kosovën Këshillit të Sigurimit, më 3 prill 2007.
Një bisedë me rusët dhe profecia
Me këtë rast, në libër është paraqitur një bisedë interesante midis Ambasadorit Pardew dhe kolegut të tij rus prej kohësh në Grupin e Kontaktit, Sasha Botsan-Kharchenko. Biseda ndodhi në fund të vitit 2007 në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Moskë dhe do të kthehej në një profeci që vetërealizohet në gusht të vitit 2008. Duke ditur që Federata Ruse nuk kishte as fuqinë dhe as instrumentet për të penguar SHBA-në në mbështetjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, bashkëbiseduesi rus qartësisht përpara ambasadorit Pardew deklaron në formë kërcënimi se çmimi për qëndrimin amerikan në mbështetje të pavarësisë së Kosovës do të paguhej në Gjeorgji. Sidoqoftë, Kosova, shteti më i ri evropian, shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe në gusht të po atij viti, gjatë Lojërave Olimpike në Pekin, ushtria ruse, e mbështetur nga forca vendore, ndërhyri në Gjeorgji dhe mori nën kontroll Osetinë e Jugut dhe Abkazinë. Pavarësisht përpjekjeve ruse për të krijuar paralele artificiale mes këtyre rajoneve gjeorgjiane me Kosovën, Pardew konstaton se pavarësia ishte akti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë, tetëmbëdhjetë vjet pasi nisi në Slloveni e Kroaci.
“Shqipëria e Madhe” si pretekst për shtypjen e shqiptarëve
Në pjesën e fundit të librit, ambasadori Pardew flet për Maqedoninë dhe luftën e Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare (UÇK), e cila falë ndërmjetësimit të vendosur amerikan dhe evropian u përmbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Në këtë luftë të cilën nuk kishte fuqi ta fitonte pala maqedonase, Pardew e konsideron Ljube Boshkonvskin, ministër i Brendshëm, si liderin maqedonas më të përkushtuar për një zgjidhje të dhunshme ndaj kryengritësve shqiptarë, të cilët drejtoheshin nga lideri politik Ali Ahmeti, i njohur edhe nga lufta e UÇK-së në Kosovë. Në këtë kontekst, autori thekson se që nga paraqitja e parë e UÇK-së, NATO-ja kishte vënë re se disa anëtarë të TMK-së mund të ishin përfshirë në luftën e UÇK-së në Maqedoni. Duke folur për luftën në Maqedoni, Pardew konstaton se njëjtë si në Kosovë, nuk kishte parë prirje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, një propagandë tashmë e njohur dhe e përdorur në Beograd dhe Shkup si pretekst për të shtypur çdo të drejtë kombëtare të shqiptarëve. Si pak autorë perëndimorë, Pardew e thotë qartë se shqiptarët kishin arsye të jenë të pakënaqur me statusin e tyre në Maqedoni, pasi ata diskriminoheshin rëndë nga qeveria maqedonase dhe se shqiptarët nuk përfaqësoheshin në mënyrë proporcionale në institucionet shtetërore, si ushtria, policia dhe burokracia. Megjithëse presidenti Trajkovci dhe qeveria maqedonase refuzonin çdo negociatë me UÇK-në, të cilën e konsideronin si “terroriste”, Pardew konsideron se Ali Ahmeti i mbante çelësat e një marrëveshje paqësore.
Shmangja e ndarjes territoriale të Maqedonisë
“Qëllimet e UÇK-së fillimisht shkonin prej shkëputjes e deri te përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve”, vë në dukej Pardew. Megjithëse UÇK-ja nuk ishte palë e drejtpërdrejtë e bisedimeve me NATO-n, diplomati holandez Piter Feith do të negocionte kushtet potenciale të amnistisë me UÇK-në, në rast të arritjes së një marrëveshjeje të paqes. Në kuadër të përpjekjeve për arritjen e paqes, autori përmend edhe rolin e ekspertes Laurel Miller, e cila ishte fytyra e pjesëmarrjes së SHBA-së në negociata dhe personi më me ndikim në kushtetutat në Ballkan. Sipas autorit ajo ishte e përfshirë më vonë edhe në dizajnimin e Kushtetutës së Kosovës dhe do të ndikonte edhe në kushtetutën maqedonase nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit. E nënshkruar më 13 gusht 2001 në Shkup, i dha fund përleshjeve etnike në Maqedoni dhe që atëherë ka qenë në thelb të sistemit politik demokratik që fokusohet në të drejtat e njeriut dhe respekton identitetin kulturor dhe diversitetin gjuhësor në Maqedoni. Në fakt, dokumenti përmban një referencë të drejtpërdrejtë për integritetin territorial të Maqedonisë duke theksuar se “nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike”. Shmangia e ndarjes territoriale të Maqedonisë, ndalimi i luftimeve ndërmjet maqedonasve sllavë dhe shqiptarëve të Maqedonisë, çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-së) dhe ofrimi i mundësisë për anëtarët e saj që të kthehen në jetën civile, së bashku me dhënien e të drejtës që çdo gjuhë e folur nga mbi 20 për qind e popullsisë të bëhet bashkëzyrtare me maqedonishten në nivel komunal, ishin rezultatet përfundimtare të Marrëveshjes së Paqes. Pra, qëllimi i Marrëveshjes së Ohrit ishte të krijonte një formulë për ndarjen e pushtetit ndërmjet dy grupeve kryesore etnike.
“SHBA-ja i krijoi UÇK-në dhe Kosovën”
Edhe pse ka pasur vështirësi në arritjen e kësaj marrëveshjeje, Pardew vlerëson rolin e presidentit Borios Trajkovski, i cili, sipas tij, ishte nën presionin e madh prej nacionalistëve maqedonas dhe nga stresi kishte një mllef antiamerikan dhe antishqiptar. “SHBA-ja i krijoi UÇK-në dhe Kosovën. Ju e krijuat Ali Ahmetin. SHBA-ja po e shkatërron shtetin tim,” kishte deklaruar Trajkovski në një takim me Leotardin dje ambasadorin Pardew. (fq. 271). Sulmet publike kundër ambasadorit Pardew, duke e akuzuar si agjent të liderit të UÇK-së, Ali Ahmeti, do të vinin edhe nga kryeministri Georgevski. Autori i librit, po ashtu, sjell edhe një detaj interesant nga lufta në Maqedoni, rolin e Ukrainës, e cila asokohe nuk kishte hezituar të ofronte armatim të rëndë për qeverinë maqedonase në mbështetje të operacionet ushtarake maqedonase kundër UÇK-së.
Veç kësaj, në librin e tij, Pardew përpiqet të hedhë poshtë mitin e një aleance të fshehtë të SHBA-së me UÇK-në në Kosovë dhe në Maqedoni si dhe boshnjakët myslimanë në Bosnjë. Ai nënvizon se ndërhyrjet ushtarake e diplomatike të SHBA-së nuk kishin për qëllim mbrojtjen e një grupi etnik apo fetar, por adresimin e krizave humanitare urgjente. Ai e përshkruan Islamin sekular në Ballkan si një shembull pozitiv të integrimit të vlerave perëndimore dhe qeverisjes demokratike – një model që mund të shërbejë si kundërpeshë ndaj ekstremizmit.
Ndërhyrja e SHBA-së në Ballkan – rigjallërim për NATO-n
Në të njëjtën kohë, ai konstaton se ndërhyrja në Ballkan reformoi dhe rigjallëroi NATO-n, duke e hapur për një gamë të gjerë misionesh sigurie dhe partnerësh ndërkombëtarë. Duke theksuar rëndësinë e diplomacisë shumëpalëshe, duke sjellë shembullin e Grupit të Kontaktit, të cilin e përshkruan si një mekanizëm thelbësor për bashkëpunimin ndërmjet Rusisë post-sovjetike dhe Perëndimit në raport me politikat ndërkombëtare për Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë. Sipas tij, pos që ndihmoi Grupin e Kontaktit që Perëndimi të kuptonte më mirë shqetësimet ruse, ishte përcaktues për adresimin e statusit të Kosovës mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe propozimit të Ahtisaarit.
Pardew suksesin e ndërhyrjes ndërkombëtare në Ballkan gjatë viteve 1995 deri më 2008 e sheh si meritë e angazhimit ushtarak dhe diplomatik të amerikanëve, si dhe të aleatëve dhe organizatave ndërkombëtare që kontribuuan në etablimin e paqes dhe demokracisë në shtetet e reja të Ballkanit. Në të njëjtën kohë, ishte ndërhyrja e SHBA-së në ish-Jugosllavi ajo që i detyroi evropianët të fillojnë të mendojnë për Ballkanin Perëndimor duke u ofruar vendeve të prekura perspektivën për t’u anëtarësuar një ditë në Bashkimin Evropian.
Dëshmi e dorës së parë për ndaljen e gjenocidit serb
Me librin e tij “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” Jamess Pardew paraqitet si përfaqësues i shkollës “wilsoniane” të politikës së jashtme amerikane – që mbështet përhapjen e demokracisë, vetëvendosjen e popujve dhe ndërhyrjen aktive të SHBA-së për të parandaluar kriza dhe luftëra. Libri i tij është një dëshmi personale dhe analitike e mënyrës sesi SHBA-ja ndaloi gjenocidin serb në rajon si dhe si hartoi e zbatoi politikat e saj në Ballkan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, duke përzier diplomacinë, historinë ushtarake dhe bisedat me vendimmarrësit. Për këtë arsye, ky libër është i vlefshëm tani më shumë se kurrë për politikëbërësit dhe diplomatët e rinj të Kosovës, si dhe studentët e historisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjithashtu edhe për ekspertët e politikës së jashtme të republikës për të kuptuar më saktë artin e të bërit diplomaci dhe negociata për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe parandalimin e luftërave. Libri, po ashtu, na bën të kuptojmë mënyrën e orientimet në labirintet e thella të diplomacisë ndërkombëtare si dhe të kuptojmë se siguria kombëtare e një vendi nuk bazohet në premtime, dhe as në mirëbesimin e negociatorëve dhe të diplomatëve ndërkombëtarë, por nga përmbajtja e marrëveshje prej të cilave varet stabiliteti dhe e ardhmja e një vendi. Për këtë arsye, ky libër është edhe një lloj manuali i rëndësishëm për elitat politike shqiptare, në veçanti, për ato të cilat duhet të kenë sytë nga e ardhmja dhe jo nga përfitimet e momentit. Librat e tillë, të shkruar nga dëshmitarë dhe protagonistë të rëndësishëm si Christopher R. Hill apo James Pardew, na ndihmojnë të kuptojmë më mirë – dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – jo vetëm kronikën e dhimbshme të një epoke të kaluar, por edhe prapaskenat politike dhe diplomatike të angazhimit amerikan për zgjidhjen e konflikteve ndëretnike dhe ndaljen e gjenocidit serb në Ballkan, përkatësisht në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni.
Në këtë libër, Pardew rrëfen në mënyrë autentike se ky angazhim i Shteteve të Bashkuara ishte i mundur mbi premisën dhe besimin se vetëm një diplomaci energjike, e kombinuar me kërcënimin real të forcës ushtarake, mund të sillte një kthesë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe mbrojtjen e boshnjakëve në Bosnjë. Ky vizion u formësua në kontekstin e rendit të ri ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë, një kohë që solli shpërbërjen e Jugosllavisë – një shtet i krijuar në kontekstin e diplomacisë evropiane të Konferencës së Versajës. Në fakt, libri është një kronikë mbi angazhimin diplomatik dhe ushtarak të lidershipit amerikan në korrektimin e padrejtësive evropiane ndaj popujve të Ballkanit në kuadrin e Koncertit Evropian dhe si i tillë ky libër paraqet marshin funebër të shpërbërjes së Jugosllavisë së Versajës.