Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Millo­she­viqi njeh vetëm gjuhën e forcës”

Në tetor të vitit 1998 në politikën euroatlan­tike u shfaq një nismë e re për ndërhyrje ushtar­a­ke, nisma e NATO-s. Të 19 vendet anëtare të Aleancës arritën në përfundim kolegjial se “Millo­she­viqi njeh vetëm gjuhën e forcës”. Duke vlerësuar se rreziku i përhapjes së luftës jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë ishte shndërruar tashmë gati në një kërcënim, ko­ma­nda politike e NATO-s vendosi t’ia drejtojë Beogradit një ultimatum, afati i të cilit skadonte pas dy javësh

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Britania e Madhe dhe ato shtete që kanë qenë të interesuara për ta nxjerrë Kosovën pa kaluar nëpër eksperiencën e Bosnjës, janë munduar vazh­di­misht të krijojnë parakushte për këtë. Ja­në munduar që problemin e Kosovës ta zgjidhin shkallë-shkallë, duke i amortizuar pengesat e shteteve, si: Rusia, Kina e të tjera.

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, është e kuptueshme edhe prania e kontingjentit të forcave të huaja në Maqe­doni, qysh në vitin 1992. Fi­llimisht të njohur me emrin “Forcat e UNPROFOR-it”. Në të njëj­tën kohë edhe Qeveria shqiptare, zyrtarisht kërkonte asistencë ush­ta­rake të huaj, së pari të NATO-s në kuadër të formulës “partne­r­iteti për paqe”.

Ekspertët e NATO-s fillimisht propozuan një ndarje jopropo­rcio­na­le të këtyre forcave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. U vendo­sën 18 mijë forca në Maqedoni dhe 2 mijë në Shqipëri. Ndërsa rreziku i luftës po bëhej gjithnjë e më i madh, prania ushtarake ndërkombëtare u shtua pa shumë zhurmë e deklarata.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dy herë mori në shqyrtim gjendjen në Kosovë dhe diskutoi edhe mundë­sinë e nevojës së ndërhyrjes. U miratua rezoluta që e dënonte regjimin e Beogradit, por nuk u vendos në favor të ndërhyrjes. Në tetor të vitit 1998 në politikën euroatlan­tike u shfaq një nismë e re për ndërhyrje ushtar­a­ke, nisma e NATO-s. Të 19 vendet anëtare të Aleancës arritën në përfundim kolegjial se “Millo­she­viqi njeh vetëm gjuhën e forcës”.

Dështimi i ultimatumit

Duke vlerësuar se rreziku i përhapjes së luftës jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë ishte shndërruar tashmë gati në një kërcënim, ko­ma­nda politike e NATO-s vendosi t’ia drejtojë Beogradit një ultimatum, afati i të cilit skadonte pas dy javësh. Në përfundim të këtij afati do të hynte në fuqi “urdhri i veprimit” (action order). U bë e ditur se urdhrin për veprim do ta jepte J. Solana, nëse Beogradi nuk i tërheq forcat ush­ta­rake nga Kosova dhe nuk e ndal dhunën në Kosovë. Kjo nënkuptonte se në mbarim të afatit të parashikuar në ultimatum, nuk do të ishte e nevojshme thirrja e një mbledhjeje tjetër e anëtarëve të Aleancës. Por ultimatumi i parë i NATO-s “action order” dështoi. Përkundër kësaj, pas dy javësh, Perëndimi manifestoi pajtim të plotë për ndërhyrje. Po ashtu, të gjitha vendet anëtare të NATO-s deklaronin se sa forca dhe mje­te ishin gati t’i vinin në dispozicion të komandës së operacionit. Mi­rë­po, natën e përfundimit të afatit, në Beograd gjendej për “bisedi­me të fundit” ndër­mjetësi amerikan Richard Holbrooke dhe pikërisht natën e mbari­mit të ultimatumit në Itali ndodhi një krizë qeveritare, e cila paralizoi veprimin e Romës dhe e bëri të paqartë mundë­sinë e shfrytëzimit të ba­za­ve të saj. Mirëpo, Qeveria itali­ane u rikrijua me të njëjtën strukturë pa kaluar një ditë e plotë.

Image
Refugjatë në Pagarushë, 1999 (Foto: Alban Bujari)

Terrori kundër shqiptarëve

Nga ana tjetër, dështimi i ultimatumit e kishte inkurajuar Beogradin të ndërmerrte veprime të reja terro­riste kundër shqiptarëve, duke errësuar fatin e tyre. Po ashtu, politikës së Perëndimit për të ndërhyrë ushtarakisht në favor të vënies së krizës nën kontroll, iu kundërvu politika zyrtare ruse. Qëndrimi i Moskës u shpreh në kërcënimet se “bota rrezikonte të kthehej në kohën e luftës së ftohtë”, se do të merrte fund marrëveshja e Rusisë me NATO-n dhe se do të rrezikoheshin seriozisht marrë­ve­shjet e çarmatimit të përgjithshëm bërthamor.

Me gjithë këto rrethana, Aleanca Euroatlantike ishte e vendosur për ndërhyrje ushtarake në ish-Jugosllavi, por i diskutueshëm mbetej vetëm karakteri i ndërhyrjes: nëse do të ishte ai paqësor apo luftarak.

Në muajin janar 1999 gjendja u rëndua edhe më shumë. Misioni i Holbrooket dështoi, ndërsa armëpushimi i premtuar mori fund. Regjimi i Beogradit filloi të vepronte në mënyrë kriminale kundër popullsisë civile shqiptare. Vëzhguesit e huaj zbuluan varre masive dhe të dhëna të tjera të masakrimit të shqiptarëve. Përfaqësuesi i posaçëm i OSBE-së për Kosovë, K. Volebek, paraqiti në mediat botërore pamje të tmerr­shme të dhunës serbe, duke përfshirë masakrën e Reçakut, e cila, për­fundimisht, hoqi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedi­me të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar disa vite me ra­dhë. U krijua bindja se dhuna serbe kundër Kosovës kishte marrë formën klasike të një gjenocidi të egër primitiv.

Në mbledhjen e 29 janarit 1999, që u mbajt në Lon­dër, Grupi i Ko­n­taktit vendosi thirrjen e bisedimeve politike ndërmjet dy delega­cioneve: të Kosovës dhe të Beogradit për të arritur një marrëveshje të re politike për paqen rajonale dhe për statusin e ardhshëm të Kosovës. Grupi i Kontaktit zgjodhi kështjellën e Rambujesë (Rambouillet), rezi­dencë qeveritare në afërsi të Parisit si vend të mbajtjes së takimit.

Shqiptarët e mirëpritën vendimin e fuqive evro-amerikane për zhvi­llimin e bisedimeve jashtë Jugosllavisë. Dokumenti i Rambouillet nji­het me emrin “Marrëveshje e ndërmjetme për paqen dhe vetëqe­ve­r­i­sjen në Kosovë”. Në rrethana mjaft komplekse të bisedimeve në Rambouillet arriti sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e cila bisedoi intensivisht me shqiptarët për t’i bindur që ta nënshkruajnë në mënyrë të një­an­sh­me projektin. Pikëpamjet amerikane në këtë periudhë kritike për fatin e marrëveshjes ishin:

1. Nëse të dy delegacionet do të nënshkruanin, një trupë ush­tarake do të vendosej posaçërisht në Kosovë;

2. Nëse marrëveshja do të nënshkruhej vetëm nga pala shqiptare, NATO-ja do ta ndëshkonte regjimin e Beo­gradit për mospranimin e paqes dhe

3. Nëse as delegacioni shqiptar s’do ta nënshkruante marrë­ve­shjen atëherë do të mbetej? të rishqyrtohej edhe një herë mundësia e ndërhyrjes së aviacionit të Aleancës Euro­atlantike në ish-Jugosllavi.

Vendimi për pranimin e marrëveshjes së Rambouillet u mor në delegacionin shqiptar, në kushtet e një presioni të fortë psikologjik e politik të jashtëm e të brendshëm. Mirëpo, nënshkrimi i dokumentit të Rambouillet për shqiptarët ishte një fitore politike dhe diplomatike. Prej këtij momenti shqip­tarët panë përfundimisht se janë të përkrahur dhe se interesat e tyre nuk janë në kundërshtim me interesat e bashkësisë ndërkombëtare.

Institucionet ndërkombëtare u njoftuan me këtë “gjysmë sukse­si”, kurse delegacioni shqiptar fitoi përkra­hje në opinionin ndërkom­bë­tar. Më 24 mars, disa ditë pas nënshkrimit të njëanshëm të marrëvesh­jes nga pala shqiptare në Paris dhe refuzimit të saj nga pala serbe avi­a­cioni i NATO-s goditi territorin e ish-Jugosllavisë.

Image
Bombardimet e forcave të NATO-s, Prishtinë, 24 mars 1999 (Foto: Alban Bujari)

Moska – kundërshtari kryesor i veprimeve të NATO-s

Kundërshtari kryesor i veprimeve të NATO-s në ish Jugosllavi ishte Moska. Ajo u përpoq me çdo kusht t`i jepte krizës në ish-Jugosllavi karakterin e krizës së institu­cioneve ndërkombëtare, duke e vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për ta mbrojtur rendin botëror.

Megjithëkëtë, NATO në maj të vitit 1999 përmblo­dhi kushtet e saj për ndërprerjen e bombardimeve në pesë pika të palëkundshme. Një përpjekje për rishikimin e tyre u bë me propozimin italo-gjerman në mbledhjen e Grupit të vendeve të zhvilluara apo G - 7 plus Rusisë, që të arri­hej një projekt tjetër paqeje me «tetë pika». Ky projekt kishte pëlqimin edhe të Rusisë. Ai përmbante edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të OKB-së për t`u dhënë fuqi ligjore operacioneve të ndërhyrjes, me anë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit.

Përballë goditjeve shkatërrimtare ushtarake dhe ekonomike, Sllobodan Mi­llo­sheviqi u përpoq të jepte shenja zbu­tjeje: liroi tre ushtarë ame­rikanë të zënë rob në Maqedoni, u përpoq të mashtronte se po fillonte një tërheqje të trup­ave, si dhe lejonte të shkonte në Itali presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që ishte mbajtur peng deri atëherë në Prishtinë. Mirëpo, këto lojëra dëshpëruese të Millosheviqit nuk patën sukses. Më 27 maj 1999 Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e akuzoi S. Millosheviqin si kriminel lufte (bashkë me tre pushtetarë të tjerë të lar­të) për krime kundër njerëz­imit, të cilat ishin dokumentuar gjerësisht.

Më 3 qershor 1999, Parlamenti i Jugosllavisë së mbetur u detyrua të miratonte parimet e një marrëveshjeje, të paraqitur nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Bisedimet për zgjidhjen e çështjeve teknike për tërhe­qjen e trupave serbe nga Kosova nisën në Kumanovë (FYROM), por u ndërprenë pa sukses.

Atëherë, më 8 qershor, u miratua nga G-8 një projektrezolutë, për t’ia paraqitur Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Po atë ditë në Këln të Gjermanisë, me ndërmjet­ë­sinë e sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, u organizua takimi i udhëheqësve shqiptarë të Koso­vës: dr. Ibrahim Rugova, akademik Rexhep Qosja dhe Hashim Tha­çi, që ritheksuan se do t’i përmbaheshin Marrëveshjes së Rambujesë, duke kërkuar të drejtën për referendum në fund të protektoratit ndër­ko­m­bë­tar.

Më 10 qershor Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën për Kosovën, në bazë të së cilës më 12 qershor 1999 trupat e NATO-s fi­lluan të hyjnë në Kosovë krahas tërheqjes së të gjitha forcave ush­tarake serbe. Me këtë akt lufta në Kosovë u quajt e përfunduar. Kjo datë njëherësh shënon edhe çlirimin e Kosovës pas 87 vjetëve nga sundimi shovinist serb.

Meqenëse ky vështrim i shkurtër ishte i përqendruar tërë kohën dhe kryesisht në qëndrimin dhe rolin që kishte faktori ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës, atëherë këtë shkrim tonin po e përmby­llim me fjalët e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, paraqitja e të cilit çdoherë ngjallte shpresa te shqiptarët, si brenda në Kosovë ashtu edhe anekënd botës, ku ishin të shpërngulur më se një milion shqiptarë: “Dhe në fund, le të më lejohet të them”, shkruan Jamie Shea në shkrimin “Kriza e Kosovës dhe mediat”, “a e kemi bindur viktimën, shqiptarët e Kosovës, se po e mbrojmë çështjen e tyre? Po, e kemi bërë këtë. Kur unë isha në Prishtinë”, vazhdon Shea, “menjëherë pas fushatës, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, një zonjë m’u afrua dhe më tha: ‘Zoti Shea, ju ishit linja jonë jetësore kah optimizmi’. ‘Linjë jetësore kah optimizmi’”, përsërit Shea.

 

Artikuj të ngjashëm