Është konsideruar si “mbretëresha e figurave” qysh në antikitet dhe për shumë kohë është definuar vetëm si mekanizëm i imagjinatës poetike e letrare, mjet shprehës për efekt retorik e pjesë e gjuhës së pazakonshme, që përdoret për ta mbushur edhe pjesën e dekorimit stilistik, domethënë si kalim nga kuptimi i drejtpërdrejtë në kuptim të figurshëm për qëllime të organizimit të gjuhës sipas shijeve stilistike të autorit
Orientimi i përgjithshëm i studiuesve lidhur me metaforën deri në fund të shekullit XX ka qenë kryesisht nën definimin se ajo është një figurë letrare e njerëzve “kreativë” dhe jo gjithkush e ka zotësinë që ta përdorë. Por, konstruktet ndjek ëndrrën, u nxeh (u bë nervoz), e kap kuptimin, luftoj për dashuri, buzëqesh fati, më ra pika, u ngrit temperatura denotojnë veprime konkrete të lidhura metaforikisht me emra abstraktë, e megjithatë përdoren aktivisht edhe tek individët që s’lexojnë romane e s’kanë njohuri për letërsinë. Metaforat e tilla janë realizuar duke e krahasuar dukshmërinë e gjërave konkrete në ndërlidhje me koncepte të padukshme. Semantikisht duken të natyrshme dhe nuk shkakton aspak hamendje qartësia kuptimore. Ato kanë fituar një shpeshtësi përdorimi, e në njëfarë mënyre u ka humbur “shkëlqimi” poetik, sepse janë literalizuar, përdoren dhe merren vesh konvencionalisht nga të gjithë folësit e shqipes. Këtu vërehen potencialet semantike të metaforës. Kontribut të çmuar për ta kundruar metaforën si pjesë të përditshmërisë dhe të kognicionit kanë dhënë George Lakoff dhe Mark Johnson me librin “Metaphors we live by”.
Nëse do të përkrahej drejtimi pozitivist se përmes gjuhës realiteti është i përshkrueshëm drejtpërdrejt, qartë dhe pa ambiguitet, atëherë përdorimi i figurshëm e kreativ do të konsiderohej shkelje ose devijim parazit i gjuhës “normale e të drejtë”. Kjo do t’i kufizonte alternativat shprehëse dhe do ta shihte repertorin leksikor si proces të përfunduar, pa mundësi eksplorimi të mëtejmë. E një mjet shumëformësues kuptimor është metafora.
Metafora është konsideruar si “mbretëresha e figurave” qysh në antikitet dhe për shumë kohë është definuar vetëm si mekanizëm i imagjinatës poetike e letrare, mjet shprehës për efekt retorik e pjesë e gjuhës së pazakonshme, që përdoret për ta mbushur edhe pjesën e dekorimit stilistik, domethënë si kalim nga kuptimi i drejtpërdrejtë në kuptim të figurshëm për qëllime të organizimit të gjuhës sipas shijeve stilistike të autorit. Aristoteli pohonte se metafora e mirë implikon një perceptim intuitiv të ngjashmërive dhe aftësia për të bërë metafora të mira varet nga kapaciteti për të sjellë ndërmend ngjashmëritë mes koncepteve. Por, p.sh. shprehjet: heq dorë, fjalë të rënda, nuk e çaj kokën, m’u mbush zemra gëzim, ul çmimin, e kam në mendje, më merr gjumi, hyj në temë, luaj me ndjenja, jap përkrahje, harxhoj kohën, bëj qejf, më merr malli, i jap fund etj., përdoren në gjuhën e zakonshme nga të gjithë folësit e shqipes dhe nuk kërkojnë zotërim të ndonjë mekanizmi të veçantë mendor, por janë pjesë e vetëdijes së folësve, të cilët i përvetësojnë fillimisht konceptet konkrete dhe pastaj, meqë sistemi konceptual ka natyrë metaforike, i perceptojnë konceptet abstrakte në korrelacion me ato konkrete. Përgjithësisht, mund t’i fusim në këtë grup edhe idiomat, shprehjet frazeologjike, të cilat janë bashkime të qëndrueshme, të ngurtësuara, të formuara historikisht: t’ia presësh kokën (shumë e bukur), i dal zot, iu prish gjaku, u bë bishë, me buzë të varur, m’u bë zemra mal etj.
Kështu, çmimi nuk ulet fizikisht, por megjithatë përdoret në korrelacion me veprimin e perceptueshëm vizualisht: u ul në karrige. Kemi gërshetim të kuptimit konkret me atë abstrakt dhe folësi me t’i dëgjuar e kupton, për shkak se sistemi konceptual i çdo personi normal është metaforik. Marrëdhëniet e ngushta mes këtyre koncepteve, që janë bazë për kalimin në metaforë, bazohen në ngjashmërinë e tyre, qoftë në funksione, në pamje, në veti ose cilësi të caktuara që janë më tipike. Në ngjitjen e shkallëve të metaforizimit, figurshmëria zbehet, emërtimi përgjithësohet, pra bëhet kalimi nga një figurë letrare në një figurë gjuhësore drejt një kuptimi të ri leksikor.
George Lakoff dhe Mark Johnson më 1980/2003 (ribotim) me një studim më të thelluar të quajtur “Metaphors we live by”, e kanë sfiduar mendimin e ngulitur, mbizotërues për metaforat që është menduar se janë thjesht karakteristikë e gjuhës letrare, duke i parë ato, jo si fenomene letrare, por si varësi të koncepteve që përdoren nga të gjithë folësit, pa dallim, si pjesë e eksperiencave dhe aktiviteteve të përditshme, e që nuk kërkojnë ndonjë talent të veçantë dhe janë pjesë e gjuhës së zakonshme. Duke e kundërshtuar përkufizimin tradicional, linguistët kognitivë e shohin përdorimin e metaforave si lidhje mes koncepteve që kanë diçka të përbashkët dhe përdorimi i tyre e lehtëson të kuptuarit më “të hollë” të fjalëve. Gjithashtu, psikolinguistët kanë vërtetuar se në gjuhën figurative përfshihen të njëjtat operacione gjuhësore si në gjuhën e zakonshme.
Metafora është lëvizje interesante kuptimore në gjuhë, një lloj zhvendosjeje e motivueshme mes shenjuesit dhe të shenjuarit, si pasojë e zgjerimit të vëllimit kuptimor dhe nevojës për t’i shenjuar konceptet në bazë të ngjashmërive që janë më tipike.
Grindja e lojërat sportive perceptohen si “luftë”
Kur dy ose më shumë persona rrihen mes vete ose zhvillohet një debat mes kundërshtarëve politikë, apo një grindje mes shoqesh, bashkëshortësh, por edhe në komentimin e një loje basketbolli ose futbolli dëgjojmë fjalë, si: ndeshje, (kundërsulm) sulm, strategji, mundje, goditje, mbrojtje, gjuajtje. Do të thotë sa herë shihen dy ose më shumë palë kundërshtare, truri e percepton ngjarjen si një luftë dhe i aktivizon të njëjtat fjalë si në përshkrimin e një beteje të vërtetë mes ushtrive.
Lakoff dhe Johnson japin si shembull konkret komentimin e një konflikti verbal:
Kërkesat e tua nuk mund të mbrohen!
Kritikat e tij kanë goditur në shenjë!
Ajo shkatërroi çdo argument të saj!
Kurrë nuk kam fituar ndonjë argument me të!
Nëse nuk përdorni strategji të duhur, ai do t’ju fshijë nga faqja e dheut!
Ai më mundi me argumente!
Përdorimi i këtyre fjalëve: mbrohen, kanë goditur në shenjë, shkatërroi, kam fituar, strategji, më mundi, tregon se lufta, që kryhet fizikisht, ka analogji me “luftën” me fjalë që është koncept abstrakt. Lakoff dhe Johnson vërejnë se dashuria konceptohet si udhëtim, ku dashnorët janë udhëtarët p.sh. kur thuhet: lidhja jonë po has pengesa gjatë rrugës, po tejkalohen ca vështirësi në lidhje etj. Është e qartë se në këto raste nuk kemi të bëjmë me metafora poetike, por përmes një koncepti, si pasojë e analogjisë, shenjohet një koncept tjetër më abstrakt.
Psikologia Eleonor Rosch thotë se ne i klasifikojmë gjërat duke u mbështetur në prototipa. P.sh. një karrige për ne ka një mbështetëse, ulëse, katër këmbë. Por, ka karrige joprototipike (karrige të varura, të kthyeshme). Megjithatë, ne u themi karrige, sepse kanë funksionin e përbashkët, p.sh. në këtë rast, karrigia shërben për t’u ulur, e kanë funksionin që i bashkon. Ajo propozon dy parime të përgjithshme dhe themelore për formimin e kategorive të trurit tonë: i pari ka të bëjë me funksionin e sistemeve, i dyti me strukturën e informacionit.
Lëvizja kuptimore te metafora
Kuptimi i së njëjtës fjalë mund të begatohet, të lëvizë, apo mund të ndryshojë krejtësisht, siç ka ndodhur me shumë fjalë, zakonisht që janë më të përdorshme në përditshmëri. Ndryshimet nxiten si pasojë e nevojave për t’i zhvilluar aftësitë shprehëse dhe për t’i krijuar format më të përshtatshme, më të plota, për ta shprehur të shenjuarin në mënyrë sa më të qartësuar. Në rastin e metaforave kemi në shumicën e rasteve polisemi - zgjerim të fushës semantike të fjalës, pasurim të saj me kuptime të reja të figurshme, si dhe konteksti është vendimtar në mbartjen kuptimore përmes metaforës.
John Lyons e sheh metaforën si parim të shkuptimësimit, si mënyrë ose mjet për shtimin e kuptimeve. Sipas tij, metafora mbështetet në lidhjen midis referentit parësor dhe dytësor dhe ka një ngjashmëri formale ose funksionale midis referentëve. Linguisti Zoltan Kovecses e merr shembull filmin “Pocahontas”, ku në një skenë, Pocahontas dhe kapiteni John Smith bien në dashuri. Imazhet përmes të cilave kjo transmetohet, përfshijnë të dy duke rënë poshtë në ujëvarë. Ky është realizim konkret, fizik i metaforës “rashë në dashuri”.
Klasifikimi i metaforave
Sa i përket klasifikimit, studiues të ndryshëm kanë bërë disa klasifikime, varësisht nga këndvështrimi. Metaforat mund të ndahen në:
a) Metafora konceptuale - ku bëhet lidhja e një koncepti abstrakt me një koncept fizik ose të prekshëm. Ato janë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, p.sh Ai e fitoi një argument. E ndërpreva bisedën me të. Sipas Kovecsesit, metafora konceptuale është e përbërë nga dy fusha konceptuale (burimore dhe e synuar), ku njëra fushë mund të kuptohet vetëm sipas kushteve të tjetrës. Fushat konceptuale janë në koherencë të plotë me çdo gjë që ka lidhje me eksperiencën njerëzore. Kjo paraqitet kur flasim për jetën me koncepte të udhëtimit, të ideve me terma të ushqimit, pra kur një koncept A lidhet me një koncept B, kemi metafora konceptuale. Çdo gjë që u referohet gjërave jashtë kontekstit pra lidhjeve analogjike të koncepteve, automatikisht shihet si metaforë konceptuale.
b) Metafora stilistike – Këto metafora kanë funksion të qartë stilistik dhe nuk kanë natyrë të qëndrueshme. Ato kanë përdorim të gjerë sidomos në letërsi, sepse i japin fuqi emocionale gjuhës. P.sh. Martin Camaj në poezinë “Lule” thotë: Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri, përdor metaforë me funksion stilistik. Këto metafora mund të jenë të çuditshme, jo shumë të pranueshme nga vetëdija gjuhësore (edhe pse e përsosin, e bëjnë më unike shprehjen poetike), për dallim nga ato të ngurosurat ose konceptualet. Ato nxitin vrull të imagjinatës, e pasurojnë dhe e lëvrojnë gjuhën artistikisht, duke shfrytëzuar mundësitë artistike të gjuhës e duke i dhënë shkas krijimit të domethënieve dhe strukturave të reja.
c) Metafora të vdekura (të ngurtësuara) - Përkundër faktit se quhen të vdekura, ato janë mjaft të gjalla sa i përket shpeshtësisë së përdorimit p.sh. ulja e çmimeve, e kapa e kuptimin, ma mbushe zemrën gëzim, m’u hiq qafe, vitin që e lamë pas, kam humbur kohë, jam jashtë rrjedhës së gjërave, ta jap fjalën, më është ngjitur gripi, marr përgjigje etj. Këto metafora e kanë humbur efektin shprehës, dhe nuk vihen re lehtësisht që kemi të bëjmë me përdorim metaforik. Për shkak të dendurisë së përdorimit kanë fituar pavarësi dhe janë integruar si pjesë e gjuhës së përditshme.
Studiuesja Teresa Dobrzyńska thotë se metafora e vdekur është një mjet leksikor me një kuptim konvencional, ndryshe nga kuptimi i saj i drejtpërdrejtë (ose kuptimet e saj të mëparshme), kështu që, nuk ka nevojë gjithmonë të dihet kuptimi i saj origjinal që të kuptohet ajo. Megjithatë, njohja e kuptimit të parë është çelës për ta njohur kuptimin metaforik. Ka pasur diskutime nëse mund të quhet “e vdekur” kjo lloj metafore, sepse është në mospërputhje me dendurinë që ka në jetën e përditshme.
Lakoff dhe Johnson dallojnë edhe tri lloje metaforash: strukturore, orientuese dhe ontologjike.
a) Metaforat strukturore përbëjnë grupin më të madh dhe janë të ndërtuara në korrelacion me eksperiencën tonë. Ato janë metafora konvencionale, ku një sistem kompleks strukturohet me terma të tjetrit. P.sh. “Teoritë janë ndërtesa”: E ndërtoi një teori të re. Ia rrëzoi teorinë etj.
b) Metaforat orientuese kanë të bëjnë me strukturimin e koncepteve sipas orientimit hapësinor dhe ashtu si metaforat strukturore, edhe ato orientuese janë të bazuara në kulturën e një vendi. P.sh.
Lumturia është gjithmonë lart, trishtimi është poshtë.
Kam disponim të lartë. Kam disponim të ulët.
c) Metaforat ontologjike - Lakoff dhe Johnson, këto metafora i shohin të ngjashme me personifikimin. Sipas tyre, “metaforat më të dallueshme ontologjike janë ato kur objekti fizik më tutje specifikohet sikur të ishte person. Kjo na lejon të kuptojmë një varietet më të gjerë të eksperiencave, veti të sendeve me terma të krijesave njerëzore, p.sh. ky fakt argumenton kundër standardeve teorike”.
Nëse gjuha do të përdorej thjesht me kuptime të drejtpërdrejta, do të dilte shumë e ngurtë, pa mekanizma shprehës, nuk do të zgjonte ndonjë imagjinatë dhe do të ishte jofleksibile. Lidhjet semantike metaforike bëjnë që fjalët të ndryshojnë kuptimisht, të kenë përndarje më të madhe, u japin atyre aftësi më të madhe shprehëse. Këto ndryshime kuptimore janë të kushtëzuara nga një varg faktorësh socialë, por edhe psikologjikë. Përdorimi i figurshëm e zgjeron repertorin leksikor dhe shprehës të folësve të gjuhës duke iu përshtatur synimeve, qëndrimeve dhe bindjeve personale e që të përçohet sa më qartë dhe i përforcuar semantikisht mesazhi i synuar.
George Lakoff dhe Mark Johnson e definojnë të kuptuarit e një koncepti abstrakt përmes lidhjes me një koncept konkret, me ç’rast e refuzojnë të kufizohen në rrafsh letrar, duke hapur rrugë në kundrimin kognitiv të tyre. Sipas tyre, vlerat fundamentale kulturore duhet të jenë në koherencë me strukturimin e metaforave të koncepteve më rrënjësore të një kulture.