Shtojca për Kulturë

Mes nostalgjisë dhe revoltës

sal  dashi

Edhe kur duket qëllimisht lokal, piktori Sal Dashi nuk mendon si individ i thjeshtë, por si artist. Ai është në gjendje që një copë tokë nga vendlindja ta artikulojë si thirrje për njerëzimin. Pas daljes nga ekspozita e tij, secili do të bëjë pyetjet: nga vijmë? Ku po shkojmë?

Ekspozita “Mes nostalgjisë dhe revoltës” është një dëshmi që artisti, edhe kur fizikisht nuk është në vendlindje, shpirtërisht e mendërisht nuk shkëputet prej saj. Nëpërmjet pikturave të tij, Sal Dashi e solli Kosovën në Berlin

Profili

Sal Dashi (1980) është piktor shqiptar nga Kosova. Ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, ku ka fituar titullin Master në Pikturë. Në vitin 2015, vepra e tij është prezantuar në revistën kulturore “Symbol”. Duke qenë pjesë e disa ekspozitave kolektive, ai është vlerësuar nga kritikë të shquar për stilin unik dhe kërkimin e temave domethënëse. Nga viti 2016, ai jeton në Gjermani. Dallohet për stilin unik në pikturë, të cilën shpesh e fut në relacion tematik e teknik me piktorë të mëdhenj botërorë si: Van Gogh, Chagall e Bacon. Mes nostalgjisë dhe revoltës së tij ka shumë ankth, lirizëm dhe tragjizëm.

Piktura si poezi

Nja pesë shekuj para erës sonë, Simonidi i Keosit ka thënë: piktura është poezi e heshtur, kurse poezia një pikturë që flet. Shekuj më vonë, Horaci e artikuloi të famshmen ut pictura poesis, që u bë sentenca më e përfolur sa herë që flitet për poezinë, apo për pikturën. Piktura është poezi. Me poezinë e vërtetë mund të komunikojmë para se ta kuptojmë, sugjeronte T.S. Eliot. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pikturën. Veçmas për pikturën që synon ta perfeksionojë dhe ta promovojë piktori kosovar Sal Dashi, pikturat e të cilit kur i referohen të shkuarës janë subtile (nostalgjike dhe tragjike), kur trajtojnë të sotmen janë brutale, kur reflektojnë mbi të ardhmen, janë anksioze.

Për nga etimologjia, nostalgjia është dhimbja për t’u kthyer në vendlindje. Kjo dhimbje ka formën e mallit. Mall për vendin ku ke lindur, ku ke kaluar fëmijërinë, ku ke dëgjuar përrallat, legjendat, mitet dhe historitë e ndryshme. Pra, nostalgjia ka shumë ngjyra dhe të gjitha pastaj dominohen nga ngjyra e dëshpërimit, sepse edhe nëse kthehesh në atë vend, nuk mund të kthehesh në atë kohë. Në njëfarë mënyre, nostalgjia është jeta jote “në atdhe” nëpërmjet kujtesës dhe hamendjes. Por çfarë bën nostalgjia? Ajo të dëshpëron, por edhe të mobilizon. Falë saj, ti selekton çaste, gjëra, detaje; e konservon dhe e mbron të kaluarën nga harresa, sepse trashëgimia është identitet.

Kështu, Sal Dashi, sikur Kavafis te poezia “Qyteti”, nuk arrin të shkëputet nga vendlindja. Ajo e ndjek pas. Ai ka banuar në vendlindje gjatë fëmijërisë dhe rinisë dhe tash vendlindja banon brenda tij. Të banosh në një vend është e natyrshme, të banojë vendi brenda teje nuk është e lehtë, madje është e dhimbshme. Sipas Milan Kunderës, “Odiseja” është epopeja themeluese e nostalgjisë. Si fragmente nga ajo epope vijnë edhe imazhet e piktorit Sal Dashi.

Kur trajton të kaluarën, Sal Dashi është nostalgjik, kur trajton të sotmen është i revoltuar dhe ironik. E parodizon të sotmen, e përqesh, ia qet gjuhën, e pështyn. Kur merret me të tashmen, jo vetëm temat, por edhe ngjyrat duken nervoze.

Para dhjetë vjetësh, në një prezantim në revistën “Symbol” ai qe treguar një kritikues i rreptë i aktualitetit kosovar. Cikli piktural i tij, i prezantuar aty me titullin “Republika e turpit”, ka qenë një shuplakë e fortë në fytyrën e aktualitetit të korruptuar. Duke i parë ato piktura, ishte e pamundur të mos e kujtoje atë thënien e njohur të princit Hamlet: diçka është kalbur në Danimarkë. E, dihet që kjo thënie tash përkufizon jo vendlindjen e princit danez, por atdheun e piktorit kosovar. E sotmja në pikturat e Sal Dashit është frikësuese, sepse s’po kujdeset për urat, as për të ardhmen.

E tashmja është një gjendje anksioze: kur jemi kaq të poshtër sot, ku në dreq do të shkojmë nesër? Kur shkatërrojmë gjithçka sot, ku do të jetojmë nesër? Këto pyetje ai i artikulon jo vetëm në pikturat ku shpreh revoltën intelektuale ndaj gjendjes politike, por edhe në pikturat ku shfaq anën sensuale përballë shkatërrimeve ambientale, sepse, siç ka thënë astrofizikani nobelist, Michael Mayor, “nëse në një moment Toka bëhet e pabanueshme, nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar. Ne jemi të lidhur me këtë planet. Nuk kemi plan B, duhet të kujdesemi për Tokën”.

Ne që kemi parë dhe lexuar fantashkencë, mund të themi se në një të ardhme njerëzit s’do t’ia kenë nevojën Tokës, mirëpo mendoj se këshilla e astrofizikanit zviceran duhet të merret parasysh, edhe nëse ardhmja e njerëzimit është në ndonjë planet tjetër, Nuk duhet ta shkatërrojmë shtëpinë e vjetër pa e pasë në dispozicion një banesë të re. Madje edhe po e patëm të gatshme të renë, duhet ta ruajmë të vjetrën, sepse është trashëgimi, dhe trashëgimia është pasuri. Pasi ta shikoni peizazhin post-apokaliptik të titulluar “Plagë”, që duket si një pyll i shkretë, do të mendoni më seriozisht për këtë çështje, për natyrën dhe për vetveten. 

 Sikur të kishte më shumë piktura në këtë ekspozitë, a do të ishim në gjendje t’i përballonim emocionalisht? Këto nuk janë piktura vetëm sa për t’ua hedhur një sy e për të vazhduar tutje

Arti i tij, ankthi ynë

Edhe kur duket qëllimisht lokal, piktori Sal Dashi nuk mendon si individ i thjeshtë, por si artist. Ai është në gjendje që një copë tokë nga vendlindja ta artikulojë si thirrje për njerëzimin. Pas daljes nga ekspozita e tij, secili do të bëjë pyetjet: nga vijmë? Ku po shkojmë?

Pas këtyre pyetjeve që do të bëjnë vizitorët, mund të thuhet se piktori e ka arritur qëllimin. Nëpërmjet artit, ankthi i tij bartet te ne, bëhet yni. Kapja e kumtit dhe vetëdijesimi mbi identifikimin mes artistit dhe publikut, është realizim i suksesshëm i komunikimit dhe funksioni kryesor i artit.

Piktori Sal Dashi, që është i trazuar si Van Goghu dhe, herë pas here, kalon në një subtilitet të Marc Chagallit, shfaq jo rrallë edhe brutalitetin e Francis Baconit. Këto shoqërime me piktorë përbëjnë stilin e tij që është intertekstual dhe unik. Sal Dashi ka gjendjen e vet, reagimin e vet, prandaj edhe stilin e vet.

Në këtë ekspozitë ai nuk ka sjellë shumë piktura. Gjithsej trembëdhjetë. Por, a do të mund të përballonim më shumë? Këtu kemi diptikun mbi krizën morale dhe psikologjike të njeriut modern, njeriun orwellian që edhe kur fle, mbulon fytyrën, sepse “Big Brother is watching you”; zogjtë dhe antenat që veç kob ndjellin e sjellin, portretin e nënës së ndjerë në dhomë pranë dritares ku duken fëmijët duke lozur, pra një gjendje e dyfishtë që prodhon një pikturë. Gjithashtu, kemi figurën e babait që në kokën e piktorit është fiksuar si dikush që kujdeset për tokën, dhe një fragment nga vendlindja, ku kanë rënë gjethet e verdha, gjethet e vdekura. Pastaj, kemi pikturën lirike që paraqet vashën që i ka shpëtuar përdhunimit nga një ushtar turk më 1910 (sipas motivit të një novele historike), pikturën tragjike “Përdhunimi”, si një homazh për njëzetmijë gra shqiptare që u përdhunuan në luftën e fundit në Kosovë, gjurmët e eksodit kosovar te “Eksodi”, ndarjen e dhimbshme të gjyshes me nipin sipas një historie tronditëse të luftës, dhe mbetjet pas një apokalipsi te piktura “Plagë”, dhe një autoportret shpirtëror ekspresionist që sintetizon gjithë ankthin e artit të tij.

Sikur të kishte më shumë piktura në këtë ekspozitë, a do të ishim në gjendje t’i përballonim emocionalisht? Këto nuk janë piktura vetëm sa për t’ua hedhur një sy e për të vazhduar tutje. Këto piktura janë poezi, janë elegji, janë ankth, alarm dhe histori. Kjo është një ekspozitë që trondit.

Nga fjala e hapjes së ekspozitës në Berlin, më 16 qershor 2025 

Folegjenda: Nëpërmjet artit, ankthi i tij bartet te ne, bëhet yni. Kapja e kumtit dhe vetëdijesimi mbi identifikimin mes artistit dhe publikut, është realizim i suksesshëm i komunikimit dhe funksioni kryesor i artit


Vlerësime për piktorin Sal Dashi

Filozofi gjerman Martin Heidegger thotë se nga përvoja njerëzore dhe historia e dimë se çdo gjë thelbësore dhe madhështore buron nga fakti se njerëzit kanë një atdhe dhe janë të rrënjosur në një traditë. Motivet në pikturën e Sal Dashit, artistit kosovar që jeton prej kohësh në Gjermani, janë refleksion i kësaj të vërtete. Ato, po ashtu, na ofrojnë një mundësi reflektimi për dramën të cilën e përjeton njeriu bashkëkohor, dramën e konfliktit midis dashurisë për rrënjët dhe nevojës për të lëvizur në horizontet e hapura të botës së lirë. Kështu pikturat e Sal Dashit e përmbushin maksimën estetike e cila na mëson se arti nuk bëhet për të kënaqur shqisat, por për të zgjuar mendimin mbi qenien tonë.

Blerim Latifi,

Profesor i Filozofisë

në Universitetin e Prishtinës

***

Sal Dashi pikturon realisht, me interpretimin e tij personal. Pikturat e tij janë emocionuese. Ngjyrat përforcojnë shumë idetë e pikturave. Edhe idetë e pikturave janë imagjinuar shumë fort. Do të doja t’i kisha disa prej këtyre pikturave në shtëpinë time. 

Jan Jansen,

përkthyes holandez dhe aktivist për të drejtat e njeriut

***

Artisti Sal Dashi u referohet koncepteve të ndryshme artistike, të cilat, si duket, janë reflektim i përjetimeve nga jeta e tij familjare, ambienti ku është rritur, krizat politike, ekonomike etj. Puna e tij pothuajse është një ditar i pikturuar në formë mozaiku me veçori krijuese, ku ndeshemi me dhimbjen tonë, ofshamën e heshtur, mallin dhe vuajtjen. Ndërsa pikturat me motive peizazhi flasin pak më ndryshe, përmes ngjyrave të kristalta intensive, të përmbushura me pozitivitet ku ai krijon simbolikë të dyanshme, përmes objekteve të drunjve me gjethe dhe pa gjethe duke ngritur kureshtjen tek audienca për deshifrimin e tyre. E gjithë krijimtaria e artistit bart një psikologji jo të rëndomtë krijuese, por ka një thellësi  domethënëse që në esencë nuk mund të depërtohet aq lehtë për ta zbardhur kuptimin.

Zake Prelvukaj,

piktore, akademike dhe profesoreshë në UP

***

Vendlindja është një element shumë i fortë në jetët tona. Ajo na jep mbiemrin, që përjetësisht do të bëhet emri ynë identitar. Kudo që jemi ne, aty është edhe një pjesë e saj. Ky element na paraqitet edhe në krijimtarinë e piktorit Sal Dashi. Vendlindja në pikturat e tij paraqitet herë si një vend i bukur, herë i trazuar, herë i hareshëm, e herë i zymtë. Aty ku banon dashuria, krijohen kujtimet, miqtë e fëmijërisë që nuk harrohen kurrë dhe ku e qeshura i ngjan erës së tokës pas shiut; kështu më paraqitet arti i piktorit Sal Dashi. Dhe e gjithë kjo shpeshherë mbështillet me një cipë nostalgjie dhe mërzie, që paraqet, jo vetëm gjendjen shpirtërore të tij, por edhe gjendjen shpirtërore të asaj pjese të njerëzimit që vazhdimisht është në arrati.

Dritan Dragusha,

kritik arti dhe gazetar 


Kjo ekspozitë është më shumë sesa një koleksion veprash arti

Të hënën në mbrëmje më 16 qershor zhvilluam aktivitetin e parë kulturor për këtë javë, por i parafundit në kalendarin e Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin –  një natë që la gjurmë dhe bashkoi artistë, dashamirës të artit dhe shumë anëtarë të diasporës sonë të mrekullueshme.

Hapja e ekspozitës së piktorit të njohur Sal Dashi solli në skenë një përvojë artistike unike, ku temat e nostalgjisë dhe revoltës u reflektuan në secilën pikturë të ekspozuar. Një moment shumë i veçantë i mbrëmjes ishte fjala e kuratorit të ekspozitës, Ag Apolloni. Ai na udhëhoqi me mjeshtëri në thellësitë e veprave të artistit Dashi, duke ndriçuar elementet frymëzuese që qëndrojnë pas secilit pikturë. Për publikun, Apolloni ndau një moment të veçantë reflektimi ku zbërtheu kuptimin e thellë të ekspozitës, duke krijuar një lidhje të fuqishme mes artit dhe çdo të pranishmi.

Pas hapjes, atmosfera u përforcua edhe më shumë me ushqime tradicionale dhe pije, duke i dhënë ngrohtësi dhe shije mbrëmjes dhe duke krijuar hapësirë për biseda dhe njohje të reja mes artistëve, artdashësve dhe pjesëtarëve të diasporës sonë.

Kjo ekspozitë përfaqëson më shumë se një koleksion veprash arti; ajo është një reflektim i thellë që prekë çdo etapë të identitetit tonë kulturor, duke reflektuar rrënjët, sfidat dhe aspiratat. Dhe siç e theksoj edhe vet shkrimtari Apolloni, këto vepra pasqyrojnë edhe revoltën e vet artistit karshi zhvillimeve shoqërore që ndeshen me vizionin e tij.

Faruk Ajeti, ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin