Epitetet për të janë të shumta, rrëfimet po ashtu. Por është një pikë ku bashkohen edhe me misionin e tij: Branko Cvejiq jetonte për teatrin, e ngriti atë edhe nga asgjëja, thyente barriera sepse mbi të gjitha te vetja dhe te të tjerët kërkonte njeriun. Monografia për të titullohet thjesht “Sa Cvejom” (Me Cvejen). E përuruar të shtunën në “Polip” është cilësuar si një përmendore për njeriun e teatrit, kundër artit të harresës
“Me Cvejen” është përtej monografisë. E gjithë jeta e aktorit serb Branko Cvejiq përmblidhet në një botim. Është një jetë kushtuar teatrit dhe përtej. Është dokument për artistin, gjurmët e së cilit sot bëjnë jehonë në fushën e kulturës e të artit. Aty faktohet edhe bashkëpunimi me teatrin “Oda” në kryeqytet, e cila e ka organizuar promovimin e monografisë në kuadër të festivalit “Polip”, të shtunën. Përurimi ka qenë njëra prej ngjarjeve kryesore të ditës së dytë të festivalit i cili sivjet, në edicionin e 14 vjen i formatuar si “Polip – Prishtina Internacional Creative Hub”.
Libri përbëhet nga një varg tekstesh të autorëve të ndryshëm, bashkëpunëtorë e miq të aktorit e ish-drejtuesit të atij që asokohe ishte teatër jugosllav i dramës. Kujtimet e tyre çojnë në kohën kur Cvejiq do të hynte në botën e artit, nëpërmjet shfaqjeve në teatrin e tij e në serialin e njohur “Grlom u jagode” dhe deri në rolet e fundit.
Por aty ka edhe tekste të vetë aktorit Cvejiq. Janë fjalime nga hapjet e festivaleve, në shënim të përvjetorëve të teatrit dhe ato në ngjarje të tjera në institucione të ndryshme.
Në promovimin e monografisë “Me Cvejen” (Sa Cvejom) të shtunën pasdite është thënë se aktori e vizitonte shpesh Prishtinën. Vinte me punë, për teatrin. Në kryeqytetin e Kosovës do të luante te të “Të mbrapshtit” nën regji të Andrej Nosovit. Kishte luajtur në shfaqje bashkë me aktorin Alban Ukaj.
Sipas Jeton Nezirajt, dramaturgut e drejtorit të qendrës “Multimedia”, që e organizon “Polipin”, shfaqja ishte dhënë rreth dhjetë vjet më parë dhe ishte prej të parave shfaqje në gjuhën serbe.
“Ka qenë hera e parë që e kam parë në skenë, mandej jemi takuar e shoqëruar edhe në disa shfaqje të tjera. Gjithsesi ka qenë e mjaftueshme për ta parë se pos për një aktor të jashtëzakonshëm bëhet fjalë edhe për një njeri që ka qenë shtyllë e këtij bashkëpunimi teatror rajonal, pasi ka punuar edhe me regjisorë të tjerë në rajon”, ka treguar Neziraj.
Derisa monografinë e ka konsideruar mrekulli më vete, ka kujtuar takimin e fundit me aktorin Branko Cvejiq. Sebep ishte shfaqja “The Handke Project” në “Bitef teatar” në Beograd. Neziraj ka thënë se me pjesëmarrjen e tij, Cvejiq shpaloste një tjetër anë të tij: atë të mbështetësit e luftëtarit.
“Herën e fundit jemi takuar në Beograd para dy vjetësh, ndoshta një muaj para se të vdiste. Po përgatiteshim për një shfaqje goxha problematike, ‘The Handke Project’ në teatrin ‘Bitef’ ku prezenca e publikut ishte gati si një mbështetje për prezencën tonë atje. Nuk ishte më veç si një prezencë publike për një akt teatror, vetëm për ta parë, por si mbështetje politike pasi natyra e shfaqjes ishte problematike. Vërtet ajo prezencë në një kohë kur ishte në gjendje jo fort të mirë fizikisht, më bëri jashtëzakonisht përshtypje dhe mendoj se ai episod e shpjegon më së miri natyrën e tij”, ka thënë dramaturgu Neziraj, duke treguar rastin kur “The Handke Project” çoi pluhur në qarqet nacionaliste serbe.
Beka Vuço, redaktore e bashkëbotuese e monografisë “Sa Cvejom”, e ka nisur fjalën e saj për librin me një biografi të shkurtër që aktori i ndjerë e kishte shkruar vetë. Ka thënë se ishte prezantimi i tij kur njerëzit e pyesnin për punën e tij.
“Jam lindur në pjesën e parë të shekullit të kaluar. Kam luajtur në qindra shfaqje, në produksione teatrosh të ndryshme, kam xhiruar po aq filma dhe seriale televizive. Kam qenë për 15 vjet ndihmës i udhëheqësit të mrekullueshëm të drejtorit të Teatrit të Jugosllavisë… dhe më pas edhe vetë e kam drejtuar atë. Tani në pjesën tjetër të jetës jam vetëm aktor”, ka cituar Vuço nga biografia. Cvejiq vdiq më 26 korrik të 2022-s në Beograd.
Vuço e ka vlerësuar gjeneratë të çmuar atë në të cilën bënte pjesë aktori Cvejiq. Ka thënë se ai deri në pensionim kishte mbrojtur vlerat e teatrit. Ka vlerësuar se e kishte mbrojtur si shtëpinë e tij duke ia hequr pluhurin kur ishte shkatërruar totalisht. E ka cituar të ketë thënë se kjo ishte “një nga detyrat më të mëdha që ka pasur në jetë”.
“Para së gjithash ai ka qenë ajo gjeneratë e re aktorësh që diku në vitet ’70 kanë hyrë nëpër derën e madhe të Teatrit Jugosllav të njohur si ‘Bebet e Bojanit’ në kohën e Bojan Stupicas, regjisor i njohur, skenograf, arkitekt. Ishte edhe drejtor i Teatrit Jugosllav dhe ai konsideronte që përveç një numri emrash të mëdhenj e të rëndësishëm të teatrit, duhej rinuar ansamblin. Kështu ka sjellë një klasë krejt të re, përveç kësaj edhe disa aktorë të akademisë”, ka thënë Vuço, drejtoreshë e fondacionit “My Balkans” që e ka botuar monografinë.

Në të përfshihen shkrime nga njerëz të teatrit dhe jo vetëm. Janë fjalët e miqve të shumtë të tij. Aty është edhe teksti i Jeton Nezirajt. Në fund është faktografia me të dhënat për të gjitha shfaqjet e tij që nga dita e parë kur kishte luajtur e deri në të fundit.
Libri është i ndarë në tetë pjesë. Sipas botueses, kjo përkon me tetëdekadëshin e jetës së aktorit Cvejiq. Janë edhe fjalimet me rastin e varrimit dhe ato në komemoracion. Përfshihen në pjesën “In memoriam”. Është bërë e ditur se monografia ilustrohet me 160 fotografi nga jeta private dhe ajo në teatër, film e televizion.
Cvejiq kishte luajtur në një numër të madh filmash, në mbi njëqind radiodrama që kryesisht janë xhiruar në Radio Beograd. Ka xhiruar edhe një numër të madh rolesh televizive, nga të cilat roli i Banet Bumbarit nga seriali “Grlom u jagode” është më i njohuri.
Bashkëpunëtori i aktorit të ndjerë, Svetozar Cvetkoviq, ka thënë se Cvejiq jetonte për teatrin përtej Teatrit Jugosllav të Dramës. S’e tejkalonte atë që i kundërvihej misionit të teatrit.
“Në momentin kur ai ishte drejtor, edhe unë u bëra drejtor i ‘Ateljes...’. Në Beograd ekzistonte një antagonizëm i madh midis këtyre dy teatrove dhe konkurrencë shumë e madhe. Unë dhe Cveja dinim për këtë lloj antagonizmi. Kishte aktorë që as që donin të luanin në ‘Atelje 212’ dhe anasjelltas. Pastaj bashkë bëmë një marrëveshje, një pakt bashkëpunimi. Mua m’u desh ta bëja një rol në Teatrin Jugosllav të Dramës dhe kësisoj u pajtuam, sikurse u pajtuan dy shtëpitë tona”, ka thënë aktori Svetozar Cvetkoviq, ish-drejtor i teatrit “Atelje 212” në kryeqytetin serb.
Ka thënë se njerëzit janë të prirë të harrojnë, sikurse janë harruar shumë aktorë të shquar. Por se, sipas tij, monografia është një lloj përmendoreje.
“Ne jemi të pritur të harrojmë dhe të ecim përpara, të punojmë e të luftojmë me gjak për të ardhmen. Është art i harresës, ndërsa Beka ka ndërtuar një përmendore të madhe jo vetëm për Branko Cvejiqin, por edhe për ata njerëz që i kemi harruar. Një borxh i madh ndaj zanatit tonë. Një njeri që ka ndërtuar teatrin nga asgjëja, nga themeli e deri në shfaqjet më të mira që kanë mundur të mendohen në Teatrin Jugosllav të Dramës”, ka thënë aktori Cvetkoviq në përurimin ku ishte paraparë të ishte prezente edhe aktorja Branka Petriq, e veja e aktorit të madh Bekim Fehimu, por e cila ka munguar për shkaqe shëndetësore.
Dita e dytë e “Polipit” ka vazhduar edhe me performancën “Urotnici” produksion i “Krokodilit” të Beogradit në bashkëpunim me “My Balkans” të Nju-Jorkut, me lexime poetike e me muzikë.