Mbijetesa pas luftës, censurimi artistik në periudhën e komunizmit, transicionet shtetërore, izolimi me rrëfime dashuriçkash, fati personal si ndërlidhje e kolektives ishin disa nga temat e 16 filmave të cilat u shfaqën në kuadër të Garës Kombëtare në edicionin e 20-të të festivalit të filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest”.
Gjashtë filmat e fundit u shfaqën natën e së premtes në ambientin e hapur të platesë së “Doku Kinos”, teksa ndezja e projektorit për të fundit herë bëri që pjesëmarrja e publikut të rritet edhe më shumë.
“Dur Mur Gur” ishte filmi i parë, i cili u shfaq në një format simetrik, me paraqitje artistike bardhezi. Regjisori Genc Jakupi fokusin kryesor të xhirimit e kishte te një fletore ku shënoheshin fjalët, të cilat kishin të njëjtën rrënjë shumicën e rasteve. “Truni, druni, gruni” ishin disa nga fjalët të cilat simbolikisht paraqisnin qenien e njeriut, me bosht “unin”.
“’Gur, mur, dur’” janë tri fjalë me të cilat nëse luajmë vertikalisht e shohim se me duar dhe gurë krijohet muri, nëse ua heq shkronjat e para mbetet ‘urë’”, ka thënë Jakupi para publikut për emërtimin e filmit.
Më pas ai theksoi se filmi është një kuriozitet i tij ndaj gjuhës shqipe dhe hulumtimit të kuptimit të fjalëve të ndryshme.
Edhe
Mbijetesa e ekzistenca në filmat vendorë në “Doku Fest”
“Filmi ka filluar si argumentim i një fjale specifike, ‘shkëputje’ që e kam hulumtuar në formën e lëvizjes”, ka thënë Jakupi.
Në formën e një “ekspedite” gjuhësore, filmi, sipas tij, është paraqitje e mënyrës se si lëvizin shkronjat.
“Ka lidhje edhe me çfarë ka ndodhur në jetën personale të 99-s, që nuk ka qenë diçka natyrale. Gjatë ‘rimësimit’ të fjalëve, i kam parë ato si diçka simbolike që kanë kuptime të ndryshme”, përfundoi regjisori i filmit “Dur, Mur, Gur”.
Izolimi i të rinjve të cilët kurrë nuk kanë parë ndonjë vend përtej Kosovës, mungesa e njohjes së kulturave të tjera dhe zhvillimit psikologjik që ta siguron udhëtimi ishte një temë tjetër e njërit prej filmave në garën vendore. “Kurrë nuk kam hypë në aeroplan” nga Redon Kika nëpërmjet personazheve të veta shpalosi kufizimin e lëvizjes në formë artistike.
“Ka qenë goxha personale për shkak që ideja ka lindur nga dy protagonistët e filmit, Atdheu dhe Jeta, përmes bisedave që i kemi pasur me njëri-tjetrin”, ka thënë Kika gjatë prezantimit.
Përvoja personale e regjisorit kishte kaluar përtej kufijve shqiptarë. Mirëpo, siç ka treguar ai, deshi që të jetësonte në film ndjenjat e një 21-vjeçari që nuk mund të udhëtojë.
“Kemi vendosur me qenë në ambientet e tyre më intime që ta përçojmë izolimin”, ka thënë regjisori, teksa xhirimet ishin realizuar në shtëpitë e secilit.
Për fund ai ka shtuar se pjesa e xhirimeve ka qenë e vështirë me disa prej personazheve derisa janë ambientuar me kamerën dhe audion.
E në natën e fundit nuk munguan as animacionet. Ishte Flaka Kokolli, animatorja e parë nga Kosova, e cila kryen studimet për këtë degë të filmit, teksa shfaqi filmin e saj “Mardhë”. E frymëzuar nga intervistat e platformës “Oral History Kosovo”, Kokolli nëpërmjet imazheve në lëvizje kishte vendosur t’i japë jetë luftës së Kosovës në një dimension ndryshe sesa që jemi mësuar ta shohim.
“E kemi pasur rrëfimin dhe e kemi përjetuar një përgjegjësi estetike. Animacioni është parë sikur s’është për tema serioze, por nëse je në botën e festivaleve dhe animacionit e sheh që s’është ashtu”, ka thënë Flaka Kokolli.
Më pas regjisorja ka treguar se pjesa që më së shumti i ka marrë kohë ka qenë portretimi i ambientit të luftës nëpërmjet animacionit.
“Ka qenë pak e vështirë për shkak që jemi gjeneratë e re dhe e kemi ‘përjetuar’ si foshnje luftën”, ka thënë ajo.
E pjesa e parë në të cilën kanë punuar kanë qenë pamjet e përgjithshme, për t’i dhënë më pas jetë edhe vizuelizimit të karaktereve.
Edhe
Temat sociale e të ekzistencës në filmat vendorë në “DokuFest”
“Gjithçka ka qenë e bazuar në hulumtim dhe imazhe reale, në mënyrë që të sigurojmë drejtësi, por edhe seriozitet”, përfundoi regjisorja e filmit “Mardhë”.
Distanca mes dy periudhave kohore mund të jetë e largët, mirëpo jo edhe sa ndryshimet që përjetojnë njerëzit përgjatë tyre. 200 nxënësit e shkollës prej najloni, e cila ka qenë e vendosur në Malet e Berishës në periudhën e luftës, tashmë bashkë me fëmijërinë e humbur të tyre, kanë arritur të jenë të zotë të vetes pavarësisht dhimbjes e traumës që kanë përjetuar.
“Mbijetesa dhe shkolla” e regjisorit Ilir Kabashi solli Kosovën në një dimension ndryshe, të gërshetuar me vuajtjet në të kaluarën, mirëpo jo me pasojat në të tashmen, por me sukseset e saj.
“Ky film është një shpresë se jeta vazhdon. Ne jemi fitues përmes këtyre çfarë kanë përjetuar këta fëmijë. E mira ka triumfuar mbi të keqen”, ka thënë Kabashi.
Regjisori ka thënë se është munduar që të mos jetë pjesë e rrëfimit, mirëpo t’i lërë të gjithë këta të rinj të flasin vetë.
“Zakonisht rrëfimet jemi mësuar t’i dëgjojmë me të thëna, ndërkaq e mira e këtij filmi sipas meje është se ne i kemi pasur pamjet nga gazetari dhe producenti i filmit Nuhi Bytyçi”, ka thënë ai, tek përmendi që nganjëherë ngjarjet e luftës pa dokumentim mund të mos tingëllojnë si reale.
Kabashi ka shtuar se është shpresëdhënës fakti se protagonistët janë rritur dhe janë zhvilluar intelektualisht.
“Në plan të parë filmi është për ata fëmijë e për atë shkollë. Por, në plan të dytë është për Kosovën”, ka thënë Kabashi.
Një periudhë tjetër jo të lehtë për shqiptarët e portretoi filmi “Çarçafët e bardhë” nën regji të regjisorit Pandeli Çeço. Censura krijuese e artistike e periudhës së komunizmit kishte shtypur vullnetin dhe jetët e shumë personaliteteve të njohura në Shqipëri. Njëri ndër ta kishte qenë edhe piktori, shkrimtari e arkitekti, Maks Velo, i cili është protagonisti i filmit dokumentar 5-minutësh.
“Shumë njerëz kanë vuajtur, janë dënuar e persekutuar, në mes të tyre edhe disa artistë. Ishte shumë e vështirë që të shprehte mendimin e lirë”, ka thënë regjisori Çeço.
Filmi ishte frymëzuar nga romani i shkruar i Velos, “The sheets were missing”, i cili vuajti dënimin prej 10 vjetësh në burgun e Spaçit, për shkak të “agjitacionit dhe propagandës” për çka u dënua më 1978.
“Ai ka vuajtur në burg vetëm sepse nuk mund të pikturonte ashtu siç donte regjimi, për gjëra që tashmë duken disi absurde”, ka thënë regjisori.
“Çarçafët e bardhë” nëpërmjet pamjeve bardh e zi nga burgu dhe çarçafët në të cilat shiheshin vepra arti, të cilat erdhën me improvizim nga regjisori, tregonin dënimin e lirisë krijuese përgjatë viteve ‘40 deri në përfundim të periudhës së diktaturës më 1991.
Edhe
Filmat me imazhet e luftës si perspektivë e konflikteve të sotme
Indiferenca e njeriut për fatin kolektiv të të tjerëve mund të jetë pasojë e ndonjë fatkeqësie në jetën personale. Këtë e dëshmoi filmi “Vozitësi” nën regji të Valter Lucajt, që shpalosi rënien në kurthin që vetë e kishte nisur një ngasës i kombit. Ai në vend të vajzave të huaja që i bartte deri në vendin ku trafikoheshin, kësaj radhe në veturë kishte vajzën e tij dhe këtë nuk mund ta dallonte.
“Fatoni ka tri momente kur mund të vërejë se është vajza e tij, mirëpo distancimi i tij që ‘unë jam vozitës, s’merrna me këtë punë’ e bën aty ku është”, përfundoi Lucaj, për personazhin kryesor.