Romancieri hungarez e ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi më 2025 për distopi politike që bartin gjurmët e pashlyeshme të së kaluarës komuniste të vendit të tij. Shpirti i trazuar i Krasznahorkait vazhdon akoma. Edhe zemërimi politik mbetet i pashuar. “Teksa po vazhdon një luftë që në thelb i përket shekullit XX, njerëzit flasin për shkuarjen në Mars. Uroj që Putini dhe simpatizantët e tij të jenë pasagjerët e parë”, ka thënë ai në fillim të këtij viti
Me marrjen e çmimit “Nobel” për letërsi, László Krasznahorkai ka futur në hartë rrënjët e letërsisë bashkëkohore hungareze. Romani i tij i parë “Sátántangó” është botuar në Hungari saktësisht 40 vjet më parë (dhe nuk është përkthyer në anglisht deri më 2012 nga George Szirtes). 71-vjeçari është krahasuar me Kafkën, Beckettin e Melvillen për paragrafët e gjatë dhe të ndërlikuar dhe me tematika distopike të trishtuara, ndonëse librat e tij vijnë nga jo më larg se vendlindja e tij.
“Sátántangón” e pason libri “The Melancholy of Resistance” i vitit 1989 dhe këto romane të tij të hershme bartin gjurmët e komunizmit të vonë në Evropën Lindore. Struktura e “Sátántangós” merr formën e tangos, gjashtë hapa përpara, gjashtë prapa. Personazhi kryesor është një mashtrues që hiqet si shpëtimtar, që shfaqet në një fshat të varfër hungarez dhe me kalimin e kohës mashtron banorët për t’u marrë para.
Në përkthimin e vonë të tij në anglisht, “New York Times” e ka përshkruar kështu: “Për një shkrimtar, personazhet e të cilit shpesh shfaqin një brendësi klaustrofobike, Krasznahorkai çuditërisht e tregon veten si të hapur dhe humoristik”. “Sátántangó” është bërë film artistik shtatë-orësh i vlerësuar pozitivisht, më 1994 nga Béla Tarr, bashkëpunëtori i kahershëm i Krasznahorkait. Tarr e ka shndërruar në film edhe romanin “The Melancholy of Resistance”. Ky film, me titull “Werckmeister Harmonies” i vitit 2000 paraqet një djalë dhe xhaxhain e tij në Hungarinë komuniste, të cilët kërcënohen kur e vizitojnë një cirk: një alegori politike me fund apokaliptik.

Në një intervistë me romancierin Hari Kunzru në shkurt, Krasznahorkai ka komentuar se “arti është përgjigjja e jashtëzakonshme e njerëzimit ndaj sensit të humbjes që është fati ynë”. Për Krasznahorkain, Hungaria me gjasë është pjesë e asaj “humbjeje”. Në të njëjtën intervistë, ai ka folur edhe për regjimin e ekstremit të djathtë të Viktor Orbánit, duke e quajtur “rast psikiatrik” për neutralitetin e shtetit mbi luftën në Ukrainë. Pasi Krasznahorkai e mori “Nobelin”, Orbán ka postuar urimet e tij në rrjete sociale, duke e quajtur atë “krenari të Hungarisë”.
Lindur në një familje të klasës së mesme më 1954 në Gyula, një qytezë e vogël afro 240 kilometra në juglindje të Budapestit, Krasznahorkai nuk ka qenë i vetëdijshëm deri në moshën 11-vjeçare se babai i tij avokat ishte hebre. Më 2018, ai ka thënë: “Në epokën socialiste ka qenë e ndaluar ta përmendësh. Epo, jam pjesërisht hebre, mirëpo nëse në Hungari gjërat vazhdojnë me këtë ritëm që është tani, së shpejti do të jem plotësisht hebre”.
Edhe
Nobelisti dhe realiteti i rrezikshëm i Evropës bashkëkohore
Ka studiuar drejtësi në universitet nga viti 1973, pastaj gjuhë dhe letërsi, dhe teza e tij e diplomës ishte për shkrimtarin Sándor Márai, një antifashist dhe antikomunist që ka ikur nga Hungaria më 1948. Sikurse shkrimtarët e tjerë të mëdhenj hungarezë të shekullit XX – si Magda Szabó; Antal Szerb, i cili është vrarë më 1945 në një kamp përqendrimi; si dhe fituesi i “Nobelit” më 2002, Imre Kertész – Márai ka filluar të botohet si përkthim vetëm pas viteve ’90.
“Sátántangó” e ka bërë menjëherë të njohur emrin e Krasznahorkait në vendlindjen e tij. Më 1987, ai ka bërë udhëtimin e tij të parë në perëndim me një bursë në Berlinin Perëndimor. Për shumë vjet, si për ta kompensuar kohën e humbur, ka udhëtuar shumë: një udhëtim në Mongoli dhe Kinë më 1990 e ka frymëzuar ta shkruajë romanin “Destruction and Sorrow Beneath the Heavens”, në të cilën narratori i tij viziton Kinën për ta zbuluar lidhjen mes kulturës së saj të lashtë dhe shoqërisë bashkëkohore.
Përkthyesi i asaj vepre në anglisht më 2016 ishte Ottilie Mulzet, i cili më ka treguar se ka qenë “e mrekullueshme” puna me Krasznahorkain: “Shpesh flasim me njëri-tjetrin për përkthime. Para se ta nisja përkthimin e librit “Baron Wenckheim’s Homecoming” (botuar i përkthyer më 2019), më ka thirrur që ta dëgjoja teksa ai lexonte pjesë nga teksti me ritmin e fjalive”.

Pasi ka jetuar dhe punuar si ligjërues për shumë vjet në Berlin, Krasznahorkai rikthehet në Hungari për të jetuar në një fshat të vogël. Reputacioni i tij vetëm është rritur për nga rëndësia. Mes shumë nderimeve janë: fituesi i Çmimit për Përkthimin më të Mirë më 2013 për “Sátántangó” dhe më 2014 për “Seiobo There Below”. Më 2015, fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Man Booker” për punën e tij, si dhe Çmimi Kombëtar i Librit për letërsinë e përkthyer të “Baron Wenckheim’s Homecoming” (përkthyer nga Mulzet, sikurse “Seiobo”).
Në punët e tij më të vona, Krasznahorkai është marrë me Bachun dhe neonazizmin gjerman, si dhe në një tregim të shkurtër edhe me tmerret e pushtimit rus në Ukrainë. Çmimi “Nobel” sjell me vete edhe pa fund përgjegjësi e vëmendje. Komiteti ka lartësuar “krijimtarinë e tij të fuqishme dhe vizionare, e cila në mes të tmerrit apokaliptik, dëshmon fuqinë e artit”.
Shpirti i trazuar dhe sebaldian i Krasznahorkait vazhdon akoma. Edhe zemërimi politik mbetet i pashuar.
“Teksa po vazhdon një luftë që në thelb i përket shekullit XX, njerëzit flasin për shkuarjen në Mars. Uroj që Putini dhe simpatizantët e tij të jenë pasagjerët e parë”, ka thënë ai në fillim të këtij viti.
Edhe
Nobelisti Krasznahorkai – riafirmuesi i artit në tmerrin apokaliptik
Catherine Taylor është autore e kritike, si dhe ish-zëvendësdrejtoreshë e “PEN”. Memoari i saj “The Stirrings” është botuar më 2023.)
Marrë nga “Observer”