Më 1933, në reklamën që i bëri Mid’hat Frashëri librarisë së tij në gazetën “Besa” shkruan: “Në doni libra, në ju pëlqen këndimi, nē kini dëshirë për dijë, me një fjalë n’është se mëndja e juaj ka nevojë për ushqim DREJTOHUNI në librarinë LUMO SKENDO, ku do të gjeni një sasi të madhe veprash në çdo gjuhë: Letrature, diturije tekste shkollore… Porosit plotësohen me kujdes dhe shpejtësi të madhe. Jo po në qoftë se nuk kini nevojë për ushqim të mendjes atëherë shkoni në… Kafene!”
Ndërkohë që aktiviteti politik i Mid’hat Frashërit gjatë Luftës së Dytë Botërore është diskutuar mjaft, e njëjta nuk ndodhi edhe me aktivitetin letrar e kulturor të tij në periudhën mes dy luftërave. Për vite me radhë regjimi komunist i kohës u përkujdes të fshijë gjurmët e tij; edhe sot, Mid’hati i letrave vazhdon të gëzojë një njohje të tërthortë nga ana e lexuesit.
Pas dorëheqjes së tij nga posti i ambasadorit në Athinë, në prill të vitit 1926, Mid’hat Frashëri u kthye në Shqipëri. Dorëheqja erdhi si rezultat i qëndrimit të ndarë me Zogun mbi çështjen e Shën Naumit. Duke ndjekur me fanatizëm parimin “Asgjë të japim nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë!”, ai mendonte se dhënia e Shën Naumit Mbretërisë Jugosllave, mund të nxiste apetitin e fqinjëve grekë për jugun e Shqipërisë. Me pak fjalë, Mid’hati flijoi karrierën e vet diplomatike, duke u kthyer në Tiranë për të bërë një jetë tërësisht private.
Hapja e librarisë
Në vitin 1926 bashkë me Kristo Luarasin hap në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”, një nga libraritë më moderne në Shqipërinë e viteve ‘30. Librarinë që mbante emrin “Lumo Skendo”, pseudonim me të cilin njihej Mid’hat Frashëri në shkrimet e tij, ai e ktheu në institucion kulture, në shtëpi të librave, e në një qendër informative arsimore, duke mos qenë një dyqan i thjeshtë komercial, ashtu siç shkruhej në një nga njoftimet e librarisë në revistat e kohës.
Në maj të vitit 1926, në njoftimin hapës të librarisë, shkruhej: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se çelëm në Tiranë, në rrugën ‘28 Nantor’, Librarinë Shqiptare dhe Huej. Shesim çdo far librash shqip si dhe në gjuhë frëngjisht, ose të tjera vepra të huaja, letrare dhe shkencore. I japim vërejtjen mâ të madhe porosinavet për librat e huaja dhe pajtimevet të gazetavet ose rivistavet çdo farësh. Klientët tanë munt të jen sigur se në këtë librari do të gjejnë gjith librat shqip të shtypura gjer më sod, jasht Shqipëris, si edhe ato të botuara brënda në Shqipri. Mund të porositin çdo librë qi të duan.” Ashtu siç shkruhej në njoftimin hapës, krahas librave, “Lumo Skendo” shumë shpejt do të ofronte edhe produkte të tjera, siç ishin produktet për furnizim zyre, lëndë shkrimi dhe vizatimi, duke u shndërruar kështu në një nga libraritë dhe papetaritë më të famshme në Tiranën e viteve ‘30.


Më shumë se librari
Libraria “Lumo Skendo” shfaqi interesim të madh për antikuaret. “Dëshërojmë të blemë çdo librë të vjetrë që i përket Shqipërisë”, ishin fjalët që qëndronin në kryetitullin e një prej njoftimeve që libraria bënte në atë kohë. Në njoftim kërkoheshin libra të vjetër të shtypur në shtypshkronjën e Voskopojës, kërkohej Abetarja e Naum Veqilharxhit, veprat e Pashko Vasës të shtypura në Stamboll gjatë shekullit XIX, Abetarja e Stambollit (viti 1879), numra të revistës “Dituria” dhe “Drita” etj. “Mos hidhni asgjë poshtë nga vjetërsinat tueja. Bëna-ni oferta dhe do t’ju japim çmimet mâ të naltë”, porositej në njoftim. Interesimi u shpreh edhe nga organizimi i ekspozitave me libra të vjetër shqiptarë nga ana e Mid’hatit, të cilat me gjasë u mbajtën në hapësirat e librarisë “Lumo Skendo” në Tiranë. Të paktën një përshtypje e tillë krijohet nga leximi “Kujtimet e një librari”, shkrim të cilin vetë Mid’hat Frashëri e la në revistën shqiptare “Minerva” në vitin 1933. Në fakt, shkrimin Mid’hati ia kushton kolegut dhe mikut të tij Hasan Jellas, i cili ishte sekretari i përgjithshëm i librarisë “Lumo Skendo”. Në kujtimet e tij për Hasan Jellan, Mid’hati e vlerëson lart rolin moral dhe gjithë angazhimin e tij në organizimin e ekspozitave në librari, mes të cilave përfshihej ekspozita mbi librat e vjetër shqiptarë, mbi Lidhjen e Prizrenit dhe ajo për Skënderbeun.

Mbi fondin e librarisë
Libraria “Lumo Skendo” do të shndërrohej në një qendër të menaxhimit të librit të huaj. Në raftet e librarisë gjeje emra të njohur të letërsisë botërore dhe titujt më të lartë për kohën. Në mesin e emrave të njohur bënin pjesë: Victor Hygo, Balzaku, Molieri, Eugen Pittard, Lucien Febre, veprën e të cilëve mund ta blije apo huazoje në librarinë “Lumo Skendo”.
“Lumo Skendo”, vend frymëzimi për të rinjtë e Tiranës
Me kalimin e kohës, kërkesa për librin u rrit. Në Arkivin Qendror të shtetit ekzistojnë me dhjetëra dokumente që përfshijnë letërkëmbime, porosi dhe fatura mbi blerjen e librave që vinin nga institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Të tilla mbeten letrat e dërguara nga Nezir Leskoviku, i cili vinte nga kolonia shqiptare e Stambollit. Në letër ky i fundit, ndër të tjera, falënderonte librarinë për librat e dërguar.
Me rritjen e kërkesës u shtrua nevoja që libraria të zgjerohet. Aty nga mesi i viteve ‘30, libraria ndërroi vendndodhjen duke u vendosur në rrugën “Mbretnore”, që më vonë u quajt rruga e “Barrikadave”, kohë gjatë së cilës shënon kulmin e popullaritetit.


Mes kafeneve dhe librit
Mbetet mjaft interesante mënyra se si Mid’hat Frashëri i bënte reklamë librarisë. Nëse jo përmes rrjeteve sociale, ashtu siç bëhet sot promovimi, Mid’hati këtë e bënte përmes revistave të njohura të kohës. Reklama më interesante që i bëri librarisë ishte ajo në gazetën “Besa”, në vitin 1933. Në njoftim shkruhej: “Në doni libra, në ju pëlqen këndimi, nē kini dëshirë për dijë, me një fjalë n’është se mëndja e juaj ka nevojë për ushqim DREJTOHUNI në librarinë LUMO SKENDO, ku do te gjeni një sasi të madhe veprash në çdo gjuhë: Letrature, diturije tekste shkollore....
Porosit plotësohen me kujdes dhe shpejtësi të madhe. Jo po në qoftë se nuk kini nevojë për ushqim të mendjes atëhere shkoni në ….. Kafene!”
Vedat Kokona, një nga bashkëkohësit e Mid’hatit, duke kujtuar pasionin e këtij të fundit për librin rrëfen: “Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë “Bela Venecia” dhe “Kursal” të kryqytetit, siç shihje qeveritarë dhe intelektualët e asaj kohes. Lumo Skendon mund ta gjeje vetëm në librarinë “Lumo Skendo”. Osman Kazazi, një tjetër bashkëkohës, shprehet se “Lumo Skendo” ishte vendi ku rinia e Tiranës inspirohej: “Mid’hati më futi që atëherë dashurinë për librin, për diturinë”, kujton ai. Ai gjithashtu rrëfen se libraria ofronte huazim të librit për nxënësit dhe studentët, me kusht që këta t’i kthenin librat për të marrë libra të tjerë.
Java e librit dhe ofertat verore
Padyshim, “Lumo Skendo” përmbushte të gjitha konditat për të qenë një librari moderne për kohën. Ashtu sikur bëjnë libraritë e ditëve të sotme, edhe “Lumo Skendo” kishte oferta të zbritjes për lexuesit. Kështu në një njoftim të vitit 1935 shkruhej: “Librarija ka nderin të njoftojë klientët dhe miqt’ e saj se, për të lehtësuar blemjen e libravet ka vendosur të bëjë një zbitje 10% mbi çmimin e stokut të math që ka në depozit të saj. Kjo zbritje do të jetë vetëm për muajt e verës, që nga 10 korriku gjer më 1 tetor, dhe aplikohet në gjithë veprat që gjenden në libraritë tënë.” Në një njoftim tjetër, libraria paralajmëronte organizimin e javës së librit, ku lexuesit do mund të gjenin me zbritje librat dhe produktet e tjera që ofronte libraria “Lumo Skendo”.
Fati i librarisë “Lumo Skendo”
Në testamentin e nënshkruar në Tiranë, më 29 prill të vitit 1929, Mid’hat Frashëri shpreh dëshirën që libraria e tij të shitet ashtu siç ishte e tëra dhe të vazhdonte ta mbante emrin e njëjtë. Sipas testamentit, mjetet që do të mblidheshin nga shitja e librarisë dhe nga gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e tij, do të shkonin për krijimin e Institutit Albanologjik, një mision jetësor i Mid’hatit. “Lumo Skendo” u shit në vitin 1941 për 30.000 franga. Blerës ishte Mehmet Ali Ndroqi nga shoqëria “Skamba”. Kjo e fundit ishte një agjenci e përgjithshme e librave dhe kartolerive, me të cilën libraria “Lumo Skendo” bashkëpunonte prej kohësh. Sot në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë gjendet një fond i veçantë që mban vulën e Mid’hat Frashërit. Numri i përgjithshëm i librave të librarisë dhe bibliotekës personale të Mid’hatit në këtë fond arrin shifrën mbi 18.000 vëllime. Kujtojmë se biblioteka personale e tij përfshinte mbi 40.000 vëllime librash, duke përfaqësuar një nga fondet më të pasura të albanologjisë.

