Vëmendja diplomatike ruse ndaj Kosovës kishte filluar që nga shekulli XIX, sidomos me ngjarjet që ndodhën në Ballkan në kohën e Krizës Lindore (1875-1878), kur Rusia dërgoi përfaqësuesit e saj diplomatik në Vilajetin e Kosovës. Qasja e tanishme ruse ndaj Republikës së Kosovës lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një politikë mirë të orkestruar, e cila ka një projekt afatgjatë pothuajse dyshekullor, kundër çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti
Kohët e fundit është rindezur debati për Kosovën në qarqet diplomatike ruse dhe më gjerë. Kjo ndërlidhet me faktin e zhvillimeve të fundit në Ukrainë e cila po përballet me agresionin rus më shumë se 200 ditë. Kjo ka bërë që në qarqet e ndryshme ruse të trajtohet edhe çështja e Kosovës, e cila në prizmin rus shikohet si një mundësi e mirë për të bërë tërheqje të paraleles në mes të rajoneve të Ukrainës Lindore dhe çështjes së Kosovës, si pjesë e një politike ruse në Ballkan, e cila ka për qëllim ta destabilizojë situatën në Kosovë, sidomos në veriun e saj. Kjo qasje ruse ndaj Republikës së Kosovës na bën të kuptojmë se kemi të bëjmë me një politikë mirë të orkestruar e cila ka një projekt afatgjatë pothuajse dyshekullor, kundër çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.
Nëse u referohemi të dhënave historike, ato na shpënë në kohën kur është zgjeruar ndikimi rus në Ballkan. Vëmendja diplomatike ruse ndaj Kosovës kishte filluar që nga shekulli XIX, sidomos me ngjarjet që ndodhën në Ballkan në kohën e Krizës Lindore (1875-1878), kur Rusia dërgoi përfaqësuesit e saj diplomatikë në Vilajetin e Kosovës. Prania ruse rezulton edhe më e hershme në Evropën Juglindore e kjo dëshmohet për herë të parë në vitin 1710 në territoret e sotme të shtetit rumun. Ky zgjerim i Rusisë në këtë pjesë të botës po vinte për dy arsye së pari për çështje gjeopolitike, dhe së dyti për të mbështetur popullatën sllave (për kauzën pansllaviste) në përpjekjet për çlirim nga Perandoria Osmane.
Kështu ndodhi më 1870 kur në krye të konsullatës ruse në Prizren u vendos konsulli rus, Ivan Yastrebov. Kjo politikë e ndikimit rus do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonshme, kur kemi të bëjmë me vendosjen në krye të konsullatës ruse në Mitrovicë, Grigori Scherbin, por që u vra pak kohë pas emërimit të tij, nga kryengritësit shqiptarë për shkak të armiqësive dhe ndasive që bënte në mesin e luftëtarëve shqiptarë. Përpjekjet ruse kishin si qëllim që t'i ofronin mbështetjen e nevojshme shtetit serb, i cili kishte pretendime territoriale ndaj Kosovës, por edhe ndaj tokave të tjera në Ballkan.
Këto përpjekje ruse dolën në pah në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), ku u vendos që Shqipëria të njihej si shtet i tkurrur territorialisht, duke ia shkëputur nga trungu i saj Kosovën dhe viset e tjera shqiptare që njëkohësisht e dëmtonte rëndë tërësinë tokësore të trevave shqiptare. Por nga pikëpamja pansllaviste, ky ishte një rast i mirë për realizimin e planeve hegjemoniste të shtetit serb, për të pasur më të lehtë jetësimin e aspiratave të kamotshme të politikës ruse për fuqizimin e shteteve ortodokse të Ballkanit dhe për daljen e saj në ujërat e ngrohta. Kjo mbështetje erdhi nga ambasadori rus në Konferencë, Aleksandër Benkendorf, i cili nuk la gur pa lëvizur për të penguar krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit XX, dhe të njëjtat pikëpamje politike ndaj Kosovës ishin edhe një shekull më vonë, përkatësisht në fillim të shek. XXI, kur Federata Ruse synonte që ta bënte barazimin e forcave të saj me Fuqitë e Mëdha në Ballkan. Lidhur me këtë çështje deklarohet edhe historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, në librin e tij “Kosova - histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” ku shkruan se “kufiri i sotëm midis Shqipërisë dhe Kosovës është në thelb një rezultat i diplomacisë ruse”. Nëse diplomacia austro-hungareze (me mbështetjen e Italisë dhe të Gjermanisë) do të kishte qëndruar e vendosur në integrimin e Kosovës në territorin shqiptar, historia e ardhshme e Kosovës do të ishte definitivisht ndryshe”.
Dikur ishin Fuqitë e Mëdha (Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia) kurse tani është një realitet krejt i ri ku janë të involvuara në rajon edhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, duke pasur në agjendën e tyre projektin afatgjatë të stabilizim-asociimit me BE-në dhe integrimin e rajonit në strukturat veriatlantike të NATO-s. Ndjekja e kësaj rruge nga vendet e Ballkanit, në këtë rast edhe nga Kosova, do ta zvogëlonte shumë ndikimin rus në rajon.
Ndikimi i diplomacisë ruse në vendet afrikane
Lidhur me agresivitetin dhe përpjekjet diplomatike të Rusisë, shkruan Enver Hoxhaj në librin e tij “Përplasja e Madhe” që tregon se angazhimi i gjithanshëm rus rezultoi edhe me procesin e ç’njohjeve për Republikën e Kosovës. Shtetet që e tërhoqën njohjen ishin: Surinami më 27 tetor 2017, kurse në dhjetor 2018, të njëjtën gjë e bëri edhe Madagaskari, vetëm një vit pas njohjes, e kjo vinte shkaku i ndikimit rus në zgjedhjet e viteve 2018-19 në ishullin më të madh të Afrikës. Rrugën e tërheqjes së njohjeve e vazhdoi Republika e Afrikës Qendrore, për shkak të ndikimit rus aty, për t’u pasuar nga Burundi i cili politikën e jashtme e orientoi drejt Moskës, andaj si shenjë besimi ndaj saj, e tërhoqi njohjen e Kosovës. Tanimë, si një sfidë e madhe për shtetin e ri ishte padyshim aderimi në institucionet evropiane dhe në agjencitë e OKB-së, siç ishte me rastin e anëtarësimit të Kosovës në disa organizata ndërkombëtare. Pikërisht kjo ka bërë që Rusia ta bllokojë në mënyra të ndryshme çdo iniciativë të Kosovës dhe të aleatëve të saj perëndimorë në krye me SHBA-në. Ato kryesisht ishin përmes përdorimit të vetos dhe betejave të tjera politike. Po ashtu, i ka kushtëzuar shumë shtete të tjera që të mos votonin hyrjen në UNESCO, e për ta penguar rrugën e Kosovës në organizatë u përkujdes vetë ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili në nëntor të vitit 2015 udhëtoi drejt Parisit, për të mbajtur një fjalim kundër Kosovës, në takimin ku SHBA-ja përfaqësohej nga sekretari aktual i Shtetit, Anthony Blinken. Kjo betejë ishte një ballafaqim i drejtpërdrejtë diplomatik ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj, dhe Rusisë e Serbisë në anën tjetër. Mospranimi i Kosovës në UNESCO ishte humbje edhe e vetë Perëndimit.
Kosova në arenën ndërkombëtare paraqitur nga Rusia
Duhet përmendur se si pjesë e kësaj fushate të gjerë agresive të Rusisë në arenën ndërkombëtare është edhe mënyra se si e paraqet ajo Kosovën në vendet e ndryshme si ato afrikane dhe aziatike, duke bërë që sipas kësaj pikëpamjeje, Kosova është të duket një shtet i prapambetur islamik dhe mesjetar në çdo dimension: atë ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Kjo ka bërë që të jetë një numër shumë i madh shtetesh, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si pasojë e ofensivës së bërë nga ana e Kremlinit, e në shumë vende dhe organizata në botë, të pengojë rrugën e njohjeve të reja.
Në qershor të vitit 1998, presidenti Jelcin ftoi për herë të parë presidentin jugosllav, Millosheviq, në Moskë, me të cilin arriti një marrëveshje që ndryshe njihet si “Marrëveshja Jelcin-Millosheviq”. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se kjo manovër politike u ndërmor nga Jelcini, nga njëra anë për të qetësuar qarqet pro-sllave, ortodokse dhe nacionaliste që vlonin në Rusi dhe, nga ana tjetër, për të mos lënë skenën gjeopolitike të Ballkanit vetëm në duar të Perëndimit.
Këndvështrimin rus ndaj Kosovës e tregon edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright: “Për Rusinë, rasti i Kosovës kishte një ngjashmëri me probleme të tjera ruse si Çeçeninë, të cilat me shumicë myslimane shiheshin nga prizmi rus në analogji me Kosovën”. Të paktën këtë ia kishte thënë ministri i Jashtëm Ivanov homologes së tij amerikane: “Madeleine, nuk e kupton ti, se ne kemi shumë Kosova në Rusi?”
Por gjithnjë duke ju referuar Albrightit, gjatë një takimi që kishte me Ivanovin pas shfaqjes “La Traviata” në teatrin Bolshoi në Moskë, ajo kishte qenë direkte me Ivanovin, duke ia bërë me dije se, nëse Millosheviqi nuk do të pranojë marrëveshje me NATO-n për ndaljen e vrasjeve ndaj kosovarëve, atëherë NATO-ja do të jetë e detyruar që pa autorizim të Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë kundër Jugosllavisë. E përgjigja e Ivanovit ishte se “Rusia asnjëherë nuk do të pajtohet me sulme ajrore kundër serbëve”.
Në atë periudhë kur Washingtoni donte që t’i koordinonte marrëdhëniet me Rusinë më 1999, në Kremlin, Primakovi do të largohej nga posti i kryeministrit të Rusisë, i cili përfaqësonte linjën e ashpër ruse ndaj SHBA-së. Kjo duhej parë si lehtësim dhe përafrim i qëndrimeve ruse me Perëndimin për arritjen e një zgjidhjeje për Kosovën.
Agresiviteti i politikës ruse i prirë nga Putini
Për ta mbajtur të tensionuar rajonin e Ballkanit, presidenti rus, Vladimir Putin, bëri disa ndryshime në politikën e jashtme duke e emëruar në krye të diplomacisë një nga aparatçikët e vjetër të politikës së jashtme ruse, i cili ishte një person i duhur sipas presidentit rus. Andaj, emërimi i Sergej Lavrovit ishte një nga ministrat e Jashtëm me një karrierë të gjatë diplomatike. Ai së bashku me presidentin rus do të bëhen një pengesë e madhe në realizimin e agjendës diplomatike të perëndimit të Ballkanit, përkatësisht në çështjen e Kosovës dhe në involvimin e diplomacisë së Grupit të Kontaktit.
Problemi real i Rusisë nuk ishte Kosova e as plani i Ahtisaarit. Problemi themelor ishte Perëndimi dhe ndryshimet gjeopolitike e gjeostrategjike që tashmë kishin marrë tatëpjetën. E disa prej tyre janë të domosdoshme të vihen nën llupë analitike, ku Kosova ishte efekt anësor. E para lidhet me ardhjen në pushtet të presidentit Putin. Gjatë viteve të para të qeverisjes së tij, ai ishte përpjekur për krijimin e raporteve të afërta me SHBA-në dhe BE-në dhe këto vite “janë vite të qëndrimeve konstruktive të presidentit Putin”. Të njëjtin mirëkuptim rus duhet parë edhe gjatë intervenimit amerikan në Afganistan (2001). E dyta, intervenimi amerikan dhe britanik në Irak (2003) nuk ishte parë me sy të njëjtë nga Moska dhe me të njëjtin mirëkuptim sikurse luftimi kundër terrorizmit të Al-Kaidës dhe talebanëve në Afganistan.
Në këtë drejtim, zgjerimi i NATO-s drejt kufijve rusë është parë dhe shihet si kërcënim për Rusinë. Kërcënim i tillë direkt dhe serioz ishte parë edhe vendosja e mbrojtjes raketore në Poloni dhe në Republikën Çeke, si dhe ndërtimi i bazave ushtarake amerikane në Bullgari dhe Rumani dhe më vonë në shtetet e Baltikut. Të gjitha këto u interpretuan nga Putini si poshtërim i Rusisë. E treta, intervenimi amerikan në Kosovë (1999) dhe në Irak (2003) pa vendim të Këshillit të Sigurimit dhe planet e mëtutjeshme amerikane për një rend botëror monopolar, sipas gjykimit të Moskës duhen ndalur. Kështu që Rusia priste momentin për vendosjen e “vijës së kuqe” ndaj Perëndimit. Putini ishte i drejtpërdrejtë, i ashpër dhe i pamëshirshëm, duke deklaruar se Rusia, nuk do të durojë një poshtërim të mëtutjeshëm. Ai në asnjë rast nuk e përmendi me emër ShBA-në, por mesazhi i tij e kishte atë si adresë të vetme. Kjo na bën të kuptojmë që kohërat, liderët vijnë e shkojnë por politika pansllaviste e prirë nga Kremlini nuk ndryshon karshi Kosovës e miqve të saj.