Shtojca për Kulturë

Libri i sfiduar nga Inteligjenca Artificiale

panairi

“Inteligjenca rrjedh nga libri” ka qenë motoja e edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë (Foto: Driton Paçarada)

Nëse libri do t’ia dalë ta tejkalojë a ta përdorë Inteligjencën Artificiale është temë debati e dilemash, por Panairi i Librit në Prishtinë së paku për pesë ditë, përpiqet që t’ia japë imazhin si triumfues edhe në këtë epokë me thirrjen e qartë se “Inteligjenca rrjedh nga libri”, në një vend ku ngjarjes më të madhe të librit i ngushtohet hapësira në edicionin e çerekshekullit. Mbi të gjitha edhe librit i duhet kreativiteti të cilin s’e ka Inteligjenca Artificiale. “Kreativiteti përtej algoritmit”, “Libri, jo makina”, “Fuqia e faqes së shkruar”, “Libri: burim i dijes”, “Dija s’njeh zëvendësim” e “Njeriu shkruan, jo makina” janë disa prej titujve që i ka gjeneruar IA-ja kur i është dhënë ky artikull

Panairi i Librit sivjet ka qenë më shumë se festë e librit e vendtakim i lexuesit me autorët e shtëpitë botuese. Ka qenë alarm i shumëfishtë. Imazh i rënies së interesimit të leximit po se po. Thirrje tronditëse për hapësira kulturore, gjithashtu. Motoja e sivjetme “Inteligjenca rrjedh nga libri” ngre edhe dilema se a mundet a jo Inteligjenca Artificiale të marrë në dorë edhe librin.

Midis ngjarjeve të shumta kulturore në vend, atmosfera e Panairit të Librit është përjetim unik. Që nga kontakti me shenjat e para të një prej organizimeve më të rëndësishme kulturore. Përgjatë pesë ditëve, vizitorët njoftohen me veçantitë e sivjetme derisa kanë ngjitur shkallët që çojnë në Platenë e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve. Ato janë një pjesë e dekoreve për ekspozitën më të madhe të librit.

Takimi me librin ndodh edhe para hyrjes në objekt. Po aq sa brenda, ngjan se po aq janë strehuar edhe në plate, në tendat e ngritura për ditët e Panairit. Estetika që sjellin librat në krejt hapësirën është e padiskutueshme. Edhe në vjetërsinë e zymtësinë e Sallës së Kuqe e në korridore, nëpër dërrasat ku secili hap shoqërohet me lëvizjen e dyshemesë.

Venitja, “traditë” që vazhdon

Tepihu i kuq është aty si përherë për estetikën sado minimale të hapësirave të Panairit. Mënyra e ekspozimit të librave nuk ka ndryshuar shumë. Vendosja e shtëpive botuese është kryesisht e njëjta. Botime ka me bollëk, aq sa edhe oferta në çmime, që janë tradicionale në organizim të Panairit. “Botimet KOHA” këtë vit, si çdo tjetër, është dalluar me zbritje deri në 80 për qind. 

Shtandi i “Botimeve KOHA” të shtunën ka qenë i stërngarkuar. “Është shtandi më i vizituar sepse kemi pasur ofertën deri 80 për qind. Mbi 50 tituj janë me këtë zbritje. KOHA ka dalë me nëntë tituj të rinj dhe enkas për këtë Panair janë katër tituj të rinj”, ka thënë Fidan Imeri menaxher i shitjes në KOHA.

Libra shkencorë të secilës fushë, krejt zhanret letrare për të gjitha moshat, enciklopedi e shumë më shumë. Kjo është mundësia ideale që lexuesi të vizitojë gjithë bibliotekat shqiptare të mbledhura në një. Oferta e botuesve në anën tjetër i ofrohet kërkesës së lexuesit. Promovime, shënime përvjetorësh, shkëmbime përvojash e rrëfimesh dhe shumë më shumë vijnë në korridorin e sipërm të objektit. Aty ku hyrja e Pallatit është veç pak metra larg dhe ku zërat e protagonistëve të organizimeve përkatëse i zbeh a edhe i shuan zhurma e dinamikës së Panairit.

Tradita ka vazhduar edhe sivjet. Është shënuar 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës e 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.

Qe viti 1999 kur Panairi nisi rrugëtimin. Në atë që sot, kushtet aty e kanë bërë të njihet si salla e djegur. Një vit më pas u mbajt në sallën “1 Tetori”. E prej vitit 2001 edhe në kushte minimale, ka zënë vend në hapësirat e Pallatit të Rinisë. Sivjet organizatorët nuk kanë arritur marrëveshje me Atelienë, e cila aktualisht është marrë me qira nga Filharmonia e Kosovës.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që e organizon Panairin, ka konsideruar se me këtë, u këput njëri krah i ngjarjes. Rënia e vizitorëve në Panair bëhet halli qendror në secilin edicion dhe sipas Zenelit, kjo vjen edhe si rrjedhojë e kushteve ku mbahet.

“Infrastruktura fizike është problemi i parë dhe kryesor. Hapja e librarive, shitjet online dhe gjithçka tjetër ka ndikuar për të gjetur forma alternative për të arritur deri te libri dhe Panairi e ka humbur rolin si libraria e madhe e Kosovës siç e ka pasur në fillimet e veta të organizimit. Ambienti i papërshtatshëm gjithashtu e ka efektin e vet”, ka thënë Zeneli.

Përderisa vitin e kaluar Panairi konstatonte se “Përgjigja është libri”, kësaj here vjen me bindjen se inteligjenca e vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri. Nëse libri do të jetë inteligjent për ta tejkaluar Inteligjencën Artificiale, i mbetet kohës (Foto: Driton Paçarada)

Kriza shpirtërore e botës shqiptare

Sa i përket çështjes së nivelit të leximit, poeti Primo Shllaku është shprehur se shqiptarët i ka prekur kriza shpirtërore para çdo lloj krize tjetër.

“Më fort se krizat ekonomike e politike, e ka prekur kriza shpirtërore botën e shqiptarëve, këndej e andej Drinit. Kriza shpirtërore është një zbehje e ndjenjës së përkatësisë sepse shqiptarët kanë pasur një pikë hemorragjike që nuk është mbyllur kurrë, një vrimë në damar. Kanë pasur gjithmonë idenë të kërkojnë atdhera të gatshëm, jo ta ndërtojnë vetë”, është shprehur Shllaku.

E shkrimtari Nazmi Rrahmani thotë se bibliotekat e vendit janë shumë të varfra.

“Ka nevojë për ndihmë të shpejtë”, përgjigjet ai derisa flet për nivelin e leximit dhe gjendjen e bibliotekave të Kosovës.

“Ka nevojë për krijimin e bibliotekave që libri t’u ofrohet lexuesve dhe jo lexuesit të kërkojnë librin. Këtë nuk po e bëjmë ne. Bibliotekat janë shumë të varfra, ato shkollore praktikisht nuk ekzistojnë, është një mani e fotokopjimit të librave, shkeljes të së drejtës së autorit e botuesit. Të gjitha këto kanë ndikuar që libri të lihet pak anash. Është krijuar gjithashtu bindja që botohet çdo gjë, pa kriter, pa vlerësim. Ka ndodhur njëfarë demoralizimi dhe dezorientimi i lexuesit”, është shprehur shkrimtari Rrahmani.

Edukimi në familje e më pas edhe ai në shkolla, ndikon në kulturën e leximit, është konstatimi që bën shkrimtari Milazim Krasniqi.

“Mendoj që më së shumti ndikon kriza e edukimit në familje. Nëse krijohet ideja që mësimi është baza e suksesit dhe prosperitetit, fëmijët motivohen për lexim. Pastaj faktori i dytë i rëndësishëm është shkolla dhe shkollat tona në këtë aspekt janë me shumë probleme sepse më shumë e nxisin të mësuarit përmendësh sesa të mësuarit kreativ. Në këtë aspekt edhe përzgjedhja e veprave si lektyra shkollore është katastrofale. Është joadekuate me moshën e tyre dhe, në vend që t’i bëjë të rinjtë ta dashurojnë letërsinë, i bën që ta urrejnë letërsinë dhe librin”, ka konsideruar Krasniqi.

Nëse njësi matëse merret e shtuna, Panairi ka imazh shkëlqyes sa i përket numrit të vizitorëve. Është gjallëruar dukshëm qysh paradite. Por në ditët paraprake, as sa gjysma e shitësve të librit nuk ka pasur vizitorë në hapësirat ku librat kanë qenë të ekspozuar.

“Sivjet nuk ka pasur kushedi se sa lexues siç presim të ketë zakonisht. Gjithmonë dëshpërohemi ditën e parë, por kjo është hera e parë që jemi dëshpëruar edhe ditët e tjera. Pos që gjysma e shtëpive botuese që marrin pjesë nuk janë për shkak të një mosmarrëveshjeje apo një marrëveshjeje që nuk është arritur. Është njëfarë gjysmë panairi. Nuk është vapë si herët e kaluara, nuk ka diçka tjetër më të veçantë ndërsa tituj të rinj ka gjithmonë”, është shprehur Eronita Kçiku nga shtëpia botuese “BardBooks”.

Njeriu pa monopolin e dijes

Panairi i sivjetmë ka qenë një lloj momenti për të kujtuar se “Inteligjenca rrjedh nga libri”. Me këtë moto është zhvilluar sivjet dhe vjen si preokupim i librit në raport me Inteligjencën Artificiale në këtë epokë.

Ndonëse shprehet se “dija e vërtetë vjen nga librat”, shkrimtari Ag Apolloni konsideron se njeriu nuk është më instrumenti i vetëm nga i cili merret dija.

“Edhe këto mjete e marrin dijen nga libri, por njeriu nuk është më ai personi, instrumenti prej të cilit mund të merret dija. Nuk e ka monopolin e dijes. Më parë gjithmonë është dashur të pyeten njerëzit dhe të konsultohemi me librat. Më nuk është ashtu. Raporti i Inteligjencës Artificiale me librat dhe njerëzit do të shkojë duke u thelluar epërsia e IA-së. Ne jemi ata që mund të bëjmë diçka kreative që ta tejkalojmë sepse deri tash ka rezultuar se vetëm kreativitetin nuk e ka”, ka thënë Apolloni.

Duke përmendur aspektin kreativ të kësaj vegle, ka thënë se “librat letrarë edhe për një kohë të gjatë do të jenë derisa të dalë diçka edhe më inteligjente se Inteligjenca Artificiale”.

Tepihu i kuq është aty si përherë për estetikën sado minimale të hapësirave të Panairit. Mënyra e ekspozimit të librave nuk ka ndryshuar shumë. Vendosja e shtëpive botuese është kryesisht e njëjta. Botime ka me bollëk, aq sa edhe oferta në çmime, që janë tradicionale në organizim të Panairit (Foto: Driton Paçarada)

Mendja e pazëvendësueshme

Organizatori i Panairit e botuesi Edon Zeneli, ka konsideruar se Inteligjenca Artificiale ka ndikuar në qasjen e krijuesve dhe për këtë ka një shembull konkret.

“Vitin e kaluar çmimi kryesor japonez për letërsi iu dha një shkrimtareje që kishte ndërlidhur Inteligjencën Artificiale në veprën e vet fiktive dhe e pranonte që një pjesë e veprës ku vetë personazh na jepet një akter i Inteligjencës Artificiale ishte krijuar pikërisht me IA, pra në masë dy a tre për qind e veprës”, ka thënë Zeneli.

Bëhet fjalë për shkrimtaren 33-vjeçare Rie Kudan e cila fillimvitin e kaluar pati fituar çmimin “Akutagawa” me librin e saj “Tokyo-to Dojo-to”. Vetë ajo pati konfirmuar se rreth pesë për qind e tekstit ishte shkruar direkt nga Inteligjenca Artificiale.

Sipas Zenelit, IA nuk e penalizon librin, sikurse, sipas tij, nuk pati ngjarë as me zbulimin e formave elektronike të leximit të librave.

“Unë mendoj që sikundër kur flitej për ardhjen e telefonave të mençur apo formatet e leximit elektronik si konkurruese të leximit në letër, me kohë u pa që ajo, jo që ndikoi në rënie, por statistikat tregojnë që lexohet e botohet më shumë se që është bërë para 15 vjetësh. Po flas për statistika botërore sepse ne në Kosovë fatkeqësisht nuk kemi statistika”, është shprehur Zeneli duke thënë se IA-ja nuk e zëvendëson librin e as formësimin e tij.

“Është një mjet që mund të shërbejë pozitivisht padyshim, por burimi kryesor i dijes, inteligjencës, pashmangshëm do të jetë libri”, ka konstatuar ai.

Shkrimtari Milazim Krasniqi ka thënë se sido që të ngjajë, Inteligjenca Artificiale nuk është aq e përsosur sa të prodhojë atë që e bën imagjinata e njeriut.

“Ka teoricienë që mendojnë se mund të bëjë shumë gjëra, por asnjëherë nuk do të mund të prodhojë tekst imagjinar. Kjo është bindja ime e thellë sepse tekstin imagjinar, artistik, e prodhon veç mendja njerëzore. Se a do të ketë forma të tjera, për shembull te eseistika, te publicistika, te tekstet historiografike, jam pak i bindur që tashmë ka përdorim sepse ka indikacione që kanë filluar të përdorin Inteligjencën Artificiale”, është shprehur ai.

Sipas shkrimtarit Nazmi Rrahmani libri ka tejkaluar të gjitha fazat e zhvillimeve teknologjike. Ka thënë se vetë krijuesit do të heqin dorë nga Inteligjenca Artificiale sepse do ta kuptojnë e do ta ndjejnë se rezultati i punës nuk do të jetë rrjedhojë e mendjes së tyre.

“Mendoj se në përgjithësi teknologjia ka bërë që libri, megjithatë, të lihet pak anash. Nuk besoj se do të zgjasë shumë sepse të gjitha fazat e zhvillimeve që kanë ndodhur, me shpikjen e radios, televizorit, shtypi, të gjitha e kanë pasur rolin e vet. Andaj edhe libri do ta ketë, por njëfarë ngadalësimi vërehet edhe pse lexuesit e studiuesit kanë mundësi ta shfrytëzojnë. Por sa i përket krijimtarisë artistike, nuk mendoj se do të ndikojë shumë, pa marrë parasysh se do të ketë ndikim”, është shprehur shkrimtari Nazmi Rrahmani.

Sipas poetit e përkthyesit Primo Shllaku, puna krijuese, trillimet që i bën mendja e njeriut, arti, të gjitha “i mbeten ekskluzivitet mendjes së njeriut”.,

“...sepse edhe Inteligjenca Artificiale është prodhim i mendjes së njeriut. Që ne të prodhojmë një inteligjencë që ta nënshtrojë inteligjencën e njeriut, nuk mendoj se mendja njerëzore mund të shpikë diçka e cila ia kalon asaj sepse mendja njerëzore dhe njerëzorja është kufi i vetvetes. Kufiri i mendjes njerëzore është kufiri i gjithçkaje që mban vulën e njerëzores. Mund t’i afrohen por nuk e kapërcejnë dot. Njeriu është limiti i vetvetes”, është shprehur ai.

Shllaku përmban kritikat për Panairin, kur flitet për hapësirë, organizim e të tjera. Por assesi kur merr për bazë interesimin për librin.

“Kam marrë pjesë në shumë panaire në Gjenevë, Bruksel, Beograd. Nuk ka qenë fokusi të shoh se ku po mbahet, por kam pasur mundësi të shoh njerëz teksa dilnin me çanta duke u dalë krahët nga vendi prej librave. Kam parë blerje, lëvizje. Kriza e librit është kriza e nivelit intelektual, e nivelit mendor të shoqërisë. Shoqëria shqiptare është vënë pas të mirave materiale, letërsia nuk është e mirë materiale”, është shprehur Shllaku.

Përkthyesja Eronita Kçiku konsideron se algoritmet e Inteligjencës Artificiale mund të ndikojnë në libra enciklopedikë e shkollorë, por jo në ata kreativë.

“Te librat fiksionalë nuk mendoj se ndikon sepse kjo pjesë kërkon kreativitet. Ndoshta mbërrin deri në atë pikë por deri tash, Inteligjenca Artificiale nuk e ka atë fillin e artistit, të krijuesit”, është shprehur ajo.

E aktori Xhevat Limani, i cili në Panair ka promovuar disa vepra të veta, është shprehur se ndikimi i IA do të jetë i dukshëm në letërsi.

“Inteligjenca Artificiale, për bindjen time do të dëmtojë letërsinë, sepse do të mundohen të shkruajnë edhe ata që nuk e dinë se ç’është libri, ç’është shkrimi. Inteligjenca Artificiale i barazon individët ndërsa personalitetet si krijues, shkrimtarë, poetë, artistë, janë me dhunti perëndie. Prandaj nuk besoj se e mund librin”, ka konsideruar ai.

Përderisa vitin e kaluar Panairi konstatonte se “Përgjigja është libri”, kësaj here vjen me bindjen se inteligjenca e vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri. Nëse libri do të jetë inteligjent për ta tejkaluar Inteligjencën Artificiale, i mbetet kohës. Deri tash është e qartë se “Inteligjenca rrjedh nga libri” ashtu siç qe motoja e Panairit të Librit.