Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ministri i Jashtëm italian pas takimit me Rubion: Evropa e SHBA-ja kanë nevojë për njëra-tjetrën

Marco Rubio dhe Antonio Tajani

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se i ka thënë Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio të premten se Evropa ka nevojë për Shtetet e Bashkuara, dhe po ashtu Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Evropën. 

Diplomati më i lartë amerikan përfundoi vizitën dyditore në Itali e Vatikan ku zhvilloi takime, përfshitë me Papa Leon XIV të enjten, mes një periudhe historike tensionesh midis Uashingtonit dhe Vatikanit, lidhur me luftë SHBA-Izrael-Iran.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tajani rikonfirmoi lidhjet e forta transatlantike dhe tha se shpreson që “tensionet janë qetësuar” me vizitën e Rubios, raporton AP.

Ai tha se të dy diskutuan për luftën në Iran dhe për përhapjen e saj në Liban, si dhe për situatën në Venezuelë dhe Kubë. Sekretari amerikan i Shtetit gjithashtu u takua të premten me kryeministren Giorgia Meloni.

“Besoj se gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur”, tha Tajani. “Jam i bindur se Evropa ka nevojë për Amerikën - Italia ka nevojë për Amerikën,  dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë nevojë për Evropën dhe Italinë”.

Tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump, ankesat e tij për mosgatishmërinë e Evropës për të ndihmuar SHBA-në në luftën në Iran dhe sulmet e tij ndaj Papa Leonit XIV kanë shkaktuar javë të tëra mosmarrëveshjesh të ashpra mbi tregtinë dhe bashkëpunimin në mbrojtje midis dy aleatëve tradicionalisht të fortë.

Tajani rikonfirmoi të premten se Italia është e gatshme të dërgojë marinën për të ndihmuar në çminimin e Ngushticës së Hormuzit sapo të arrihet një armëpushim i përhershëm me Iranin, si dhe të ruajë praninë e saj të fortë në Liban përmes misionit paqeruajtës të OKB-së. 

Ai tha se i ka thënë Rubios se Italia e konsideron të rëndësishme praninë e trupave amerikane në Evropë për forcimin e NATO-s, duke iu referuar kërcënimeve të Trump për të tërhequr trupat amerikane.

Trump ka kritikuar si Papën ashtu edhe qeverinë italiane për kundërshtimin e luftës në Iran. Meloni e ka quajtur bombardimin SHBA–Izrael “të paligjshëm” dhe i ka cilësuar deklaratat e Trumpit për Papën si “të papranueshme”.

Trump është përgjigjur duke akuzuar Melonin se nuk ka guxim dhe se ka qëndrim “negativ” ndaj ndihmës për SHBA-në në luftë. Meloni më parë shihej si një nga aleatet më të forta të Trumpit në Evropë, por Trump ka thënë hapur se marrëdhënia e tyre është ftohur.