“Një detaj dytësor”, romani që e mirëpresim në gjuhën shqipe, u botua për herë të parë më 2017 dhe u përzgjodh më pas në listën e gjatë të Çmimit Ndërkombëtar Booker më 2021. Ngjarjet e këtij romani na kthejnë në vitin 1949. Ushtarë izraelitë rrëmbejnë një vajzë beduine adoleshente, e përdhunojnë, e vrasin dhe më pas e varrosin në rërë. Vite më vonë, një gazetare nga Ramallahu – e cila, në mënyrë tronditëse, zbulon se krimi ka ndodhur në ditën e lindjes së saj – niset për të kërkuar gjurmët e asaj që ka ndodhur. Ky “detaj dytësor”, i vogël në pamje të parë, bëhet shkak për një zhytje të thellë në kujtesë, në histori, në trup dhe në dhunë
Në këtë sfond, Adania Shibli vjen me një zë ndryshe, por jo më pak të fuqishëm. Ajo nuk ngre zërin – ajo e ul atë deri në pëshpëritje. Teksti i saj, “Një detaj dytësor”, nuk na godet, por na shpon me ngadalësi. Në vend të emrave të mëdhenj dhe betejave heroike, ajo zgjedh të tregojë një histori intime, të vogël, thuajse të padukshme, por që në thelb bart traumën kolektive të të gjithë të përmendurve më lart. Dhuna në romanin e saj shfaqet me shpërfillje. Nuk shfaqet me britma, por me heshtje. Dhe pikërisht në këtë heshtje ajo i bashkohet qëndresës – jo për ta riprodhuar të shkuarën, por për ta përballur lexuesin me të tashmen e vazhdueshme të një populli që refuzon të fshihet.
Adania Shibli lindi në Palestinë më 1974. Ajo është autore e romaneve, dramave dhe eseve narrative të botuara në gjuhë dhe vende të ndryshme, dhe ka fituar dy herë Çmimin Qattan për Shkrimtarë të Rinj në Palestinë – më 2001 për romanin “Prekje”, dhe më 2004 për “Të gjithë jemi njësoj larg dashurisë”. “Një detaj dytësor”, romani që sot e mirëpresim në gjuhën shqipe, u botua për herë të parë më 2017 dhe u përzgjodh më pas në listën e gjatë të Çmimit Ndërkombëtar Booker më 2021.
Ngjarjet e këtij romani na kthejnë në vitin 1949. Ushtarë izraelitë rrëmbejnë një vajzë beduine adoleshente, e përdhunojnë, e vrasin dhe më pas e varrosin në rërë. Vite më vonë, një gazetare nga Ramallahu – e cila, në mënyrë tronditëse, zbulon se krimi ka ndodhur në ditën e lindjes së saj – niset për të kërkuar gjurmët e asaj që ka ndodhur. Ky “detaj dytësor”, i vogël në pamje të parë, bëhet shkak për një zhytje të thellë në kujtesë, në histori, në trup dhe në dhunë. Në këtë roman, Adania Shibli nuk ngre akuza – ajo e ndërton dhimbjen me heshtje, dhe e përfton dhunën jo përmes deklaratave, por përmes mungesës. Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e saj narrative.
Në këtë mënyrë, Shibli e zgjeron spektrin e letërsisë së rezistencës. Ajo nuk e përmbys kornizën e krijuar nga Dervish, Kanafani apo Nasrallahu – ajo e thellon atë. Në vend që të bërtasë: “ja çfarë po ndodh”, ajo na thotë: “shikoni me vëmendje”. Dhe kjo ftesë për të parë me kujdes, për të dëgjuar atë që është heshtur, për të ndjerë atë që është fshirë, është ndoshta forma më e fuqishme e rezistencës që letërsia sot mund të ofrojë.
“Një detaj dytësor” nuk është thjesht një roman — është një përkujtimore e heshtur, një shenjë që mbetet në ndërgjegje. Dhe sot, ndërsa e mirëpresim në shqip, e bëjmë pjesë të kujtesës sonë letrare dhe njerëzore.
Ky përkthim nuk ka qenë një proces teknik – por një përballje intime me tekstin, me heshtjen e tij, me ritmin e mungesës. Shibli nuk emërton dhunën – ajo e shënjon me gjeste, me heshtje, me objekte. Si përkthyes, më është dashur të bëhem pjesë e kësaj strukture të zhveshur, jo për ta plotësuar, por për ta përcjellë me ndershmëri. Shqipja kërkonte të mbante një ritëm të brendshëm, një frymëmarrje të ngadaltë. Jo fjalë të tepërta, jo ndjeshmëri e stisur – por një ekuilibër mes ndjenjës dhe përmbajtjes.
Dhe kjo përvojë e përkthimit u thellua në Doha të Katarit, në një takim me tre përkthyes të tjerë të këtij romani – përkthyesen në frëngjisht, Stéfanie, dhe kolegët në spanjisht dhe turqisht, Salvaore dhe Mehmet. Të gjithë ndamë një sfidë të përbashkët: si ta përkthejmë heshtjen pa e deformuar, si ta përcjellim traumën pa e ngarkuar me koment. Ishte një takim që konfirmoi se përkthyesit janë bashkudhëtarë të letërsisë, kujdestarë të një fjale që nuk u takon vetëm atyre, por botës. Dhe në këtë mision të përbashkët, çdo përkthim i kujdesshëm është një gjest rezistence.