Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kontribut për analizën narratologjike të prozës shqipe

Monografia “Proza shqipe e viteve 1920-1944”, përveçse e kundruar në një kontekst teorik dhe analitik tejet specifik, përbën një sintezë të dyfishtë që merr në shqyrtim një periudhë letrare (1920-1944), por njëkohshëm edhe një gjini letrare me format e saja shprehëse (tregimi, novela, romani). Identifikimi i krijimtarisë së njëmbëdhjetë prozatorëve të kësaj periudhe, analizat përimtuese e përgjithësimet lidhur me vlerat e saj, si dhe përqendrimi te çështjet, sikundër janë autori i nënkuptuar, narratori dhe personazhet, e bëjnë këtë monografi një literaturë studimore me prurje risimtare në mendimin tonë letrar

Vitet ‘20 dhe ‘30 të shekullit të kaluar në letërsinë shqipe shënojnë njërën ndër periudhat më dinamike të zhvillimit të saj. Kjo, në rend të parë, për shkak të konsolidimit të prozës dhe të pranisë së saj në jetën tonë letrare si një gjini e rëndësishme e letërsisë. Botimi i tregimeve në periodikun letrar, nga viti në vit, pasohet gjithnjë e më shumë nga libra me prozë, në të cilët në vendin e dikurshëm të përkthimeve e zënë gjithnjë e më shumë veprat origjinale të prozatorëve shqiptarë.

Të kësaj periudhe letrare janë edhe autorët që shkruajnë prozë e që për shumëçka i japin ngjyrim gjithë periudhës letrare, sikundër janë: Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Vedat Kokona, Haki Stërmilli, Faik Konica, Musine Kokalari, Petro Marko, Foqion Postoli dhe Mustafa Greblleshi, të cilët në monografinë “Proza shqipe e viteve 1920-1944” të dr. Gëzim Aliut bëhen objekt studimi.

Ndonëse mund të diskutohet për renditjen që mëton të shpërfaqë vlerat letrare të autorëve dhe jo kronologjinë letrare, sikundër edhe për mungesën e ndonjë prozatori të kësaj periudhe, ku kam parasysh, në rend të parë, Mehdi Frashërin, Milto Sotir Gurrën, Mithat Frashërin, Nonda Bulkën, Andon Frashërin, Anton Harapin e ndonjë tjetër, objekti studimor i autorit është bazuar në shkrimtarë që përfaqësojnë një strukturë të llojllojshme stilistike e edhe tipologjike të prozës sonë të kësaj periudhe. Nisur nga fakti se në këto vite kemi krijimin e një realiteti të ri letrar, si diçka krejt e natyrshme shfaqet nevoja për një studim integral të prozës si gjini letrare, gjithnjë duke pasur për objektiv një pamje sa më tërësore lidhur me prozën, autorët dhe vlerat më të dalluara të saj. Që në kohën kur është paraqitur si projekt në kuadër të Institutit Albanologjik, kam pasur bindjen mbi arsyeshmërinë e plotë të realizimit të një sinteze të këtillë. Marrë parasysh edhe kapacitetet e formuara studimore dhe përkushtimin e madh në punë të autorit Gëzim Aliu, ka qenë krejt e pritshme që kjo materie studimore letrare, e pakundruar në një kontekst të këtillë, që ka si fokusim aspekte të autorit të nënkuptuar, të narratorit dhe të personazheve, të rezultojë me një fryt të vlefshëm shkencor dhe, si e tillë të ofrojë një pamje më të plotë të zhvillimit të letërsisë shqipe të kësaj periudhe, por edhe një njohje më detajuese të individualiteteve të prozës shqipe.

Çka është e veçanta më e dallueshme e kësaj monografie, cila është risimtaria e saj, parë në një kontekst më të gjerë prurjesh studimore lidhur periudhën në fjalë dhe me sidomos lidhur me prozën, madje-madje të vështruar edhe jashtë harkut të përcaktuar kohor? Pa dyshim kjo ka të bëjë me aspekte narratologjike, në rend të parë me autorin e nënkuptuar, si një version i autorit real, i cili nuk zbulohet nga të dhënat e tij biografike, por nga struktura e veprës së tij, i cili formësohet a zbulohet në receptimin tërësor estetik që lexuesi ia bën një vepre tregimtare.

Strehimi i autorit real brenda strukturës së tekstit të rrëfyer, qëndrimi i tij edhe prapa personazheve për të cilat rrëfen, ose të cilat rrëfejnë në një vepër tregimtare, shpërfaqja e ideve, pikëpamjeve, mendimeve me gojën e personazheve të tyre, përbën një procedim të ndeshur edhe në prozën tonë, të cilin, nëpërmjet shembujve të shumtë, e ka dëshmuar autori i monografisë Gëzim Aliu. Në dijeninë time, autori i nënkuptuar në shqyrtimet lidhur me prozën tonë vjen përmes këtij kontributi studimor si një përpjekje për të zhvendosur kufijtë përtej asaj që tashmë është e njohur, përtej përsëritjes së rezultateve të trashëgimisë sonë të stabilizuar shkencore në fushën e studimeve letrare. Përgjithësisht prania e autorit të nënkuptuar në veprat e autorëve të trajtuar është evidente, sidomos tek ata që mëtojnë një angazhim më të theksuar në proceset sociale, emancipuese e kulturore që u zhvilluan në ato dy-tri dekada dramatike në historinë e njerëzimit, pra edhe të historisë së shqiptarëve. Moralizimet, predikimet, mesazhet, aty-këtu edhe akuzat, deklamimet, propagandimet e ideve të autorit shpesh, duke kaluar nëpër gojën e personazheve të prozave, bëhen shenja dalluese të pranisë së autorit të nënkuptuar, pavarësisht nëse del më i ekspozuar, apo më i maskuar në rrjedhën e rrëfimit. Nëpërmjet këtij formati rrëfimi qartazi shpërfaqen koncepte historike, ideologjike, sociale, kulturore, identitare, gjinore etj., të cilat Gëzim Aliu i ka identifikuar, gjithsesi në përmasa të ndryshme, pra jo si një konstante, në prozat e autorëve të periudhës së studiuar.

Marrë parasysh formatin e një fjale përurimi nuk do të zgjerohem më tej në shqyrtime lidhur me kapitujt që trajtojnë narratorin dhe personazhet, ndonëse autori në librin e tij ka trajtuar gjerësisht tipologjinë e narratorit, kryesisht duke u bazuar në teorinë e Zhenetit, sikundër edhe mënyrat e të rrëfyerit të një storieje, pa lënë anash definimin e personazhit, veçmas personazhin letrar, duke u thelluar më shumë tek aspekti i karakterizimit të tij. Gjithsesi autori Gëzim Aliu udhëhiqet nga e njëjta logjikë, pra ajo e analizimit të prozave të shkrimtarëve, të përfshirë në projektin studimor dhe të qëmtimit të dëshmive letrare që, në të shumtën, flasin vetiu dhe janë brenda kornizës teorike që ka paracaktuar, por gjithnjë duke ruajtur “të drejtën” e interpretimit dhe të nxjerrjes së përfundimeve lidhur me çështjet e trajtuara e në raste më të rralla edhe të konstatimeve përgjithësuese për autorët, përkatësisht veprat e tyre, që ndonjëherë ngjajnë edhe si etiketa.

Raportin e përfaqësimit ndërmjet teorisë dhe lëndës studimore, veprave letrare në prozë, në këtë rast, e quaj të balancuar dhe funksional. Dijet teorike janë në funksion të interpretimit të lëndës letrare e të argumentimit shkencor dhe jo një qëllim në vete. Veçmas e potencoj këtë, nisur nga fakti se teorizimet dhe abstraktimet në kontribute studimore dalin ndonjëherë më parë se si përgjithësime të argumentuara, si shpërfaqje dogmatike, pa ndonjë funksion konkret në njohjen dhe në studimin e materies letrare. Qasjet e tilla, edhe pse burojnë nga referenca, shpesh të shfytyruara në procesin e përkthimit, nuk ia dalin të shndërrohen në referenca shkencore në fushën e dijeve letrare. I vetëdijshëm për këtë lloj rreziku, autori është përcaktuar për një raport funksional dhe konkretizues ndërmjet aspekteve teorike të monografisë së tij dhe materies që buron nga veprat letrare.

Duke përfunduar, dua të konstatoj se Gëzim Aliu, në krye të herës autor i prozës, por edhe studiues i saj, pas dy monografive kushtuar romaneve të Ismail Kadaresë, vjen me një kontribut që ka për objekt studimor një periudhë interesante zhvillimore në letërsinë shqipe. Shfaqja e prozës artistike në letërsinë shqipe dhe plotësimi i sistemit letrar edhe me këtë gjini në njërën anë, duke shtuar edhe mungesën e ndjeshme të studimeve lidhur me këtë materie nga ana tjetër, e bëjnë edhe më të nevojshëm realizimin e një projekti të këtillë. Monografia “Proza shqipe e viteve 1920-1944”, përveçse e kundruar në një kontekst teorik dhe analitik tejet specifik, përbën një sintezë të dyfishtë që merr në shqyrtim një periudhë letrare (1920-1944), por njëkohshëm edhe një gjini letrare me format e saja shprehëse (tregimi, novela, romani). Identifikimi i krijimtarisë së njëmbëdhjetë prozatorëve të kësaj periudhe, analizat përimtuese e përgjithësimet lidhur me vlerat e saj si dhe përqendrimi te çështjet, sikundër janë autori i nënkuptuar, narratori dhe personazhet, e bëjnë këtë monografi një literaturë studimore me prurje risimtare në mendimin tonë letrar.

Gëzim Aliu përfaqëson një simbiozë interesante të artistit dhe të dijetarit, ndaj e them me bindje se kontribute të tjera të tij në fushën e studimeve letrare janë të pritshme. Uroj të ketë shëndetin dhe të ruajë nivelin e përkushtimit e tashmë të dëshmuar.

 

Artikuj të ngjashëm