Një metaforë kritike mbi mungesën e një strategjie afatgjatë në zhvillimin e shtetit dhe kulturës
Në epokën e vizionarëve që themeluan gjigantë globalë nga garazhi, çdo ide e madhe fillon me një plan. Një projekt pa strukturë dhe vizion është si një anije pa busull. Dhe në këtë metaforë, kombi ynë shpesh sillet si një start-up i entuziazmuar, por pa plan biznesi.
Në vend se ta ndërtojmë një identitet të qëndrueshëm kulturor, ekonomik dhe edukativ, veprojmë me impulse afatshkurtra. Euforia pas çdo ngjarjeje historike zëvendësohet me harresën institucionale. Simbolika e bollshme shpesh fshihet prapa mungesës së thellësisë strategjike.
Strategjia që e bëri historinë
Historia shqiptare ka dëshmuar se kur kemi pasur strategë, kemi pasur edhe bashkim. Në kohën kur Perandoria Osmane shtrihej me fuqi në Ballkan, ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ai që e kuptoi vlerën e planifikimit. Besëlidhja e Lezhës më 1444 nuk ishte vetëm një takim princash, por një strategji e menduar që bashkoi territore, besime dhe qëllime për ta ndërtuar një front çlirimi. Skënderbeu, në terma modernë, e krijoi një “plan kombëtar” me fokus të qartë: mbrojtjen e identitetit, koordinimin e resurseve dhe ngritjen e një strukture rezistence të qëndrueshme. Kjo nuk ishte romantizëm, por strategji konkrete e mbështetur në realpolitike.
Sot, komb pa udhërrëfyes
Në kohët moderne, Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar përmes fazave të rëndësishme: nga shpalljet e pavarësisë, te luftërat çlirimtare dhe proceset e shtetformimit. Por, përkundër të gjitha këtyre, mungon ende një strategji afatgjatë shtetërore dhe kulturore. Ne shpesh reagojmë, por rrallëherë planifikojmë. I investojmë burimet aty ku nuk sjellin ndikim të qëndrueshëm dhe shpesh harrojmë që asnjë komb nuk zhvillohet pa investuar në edukim, kulturë dhe vetëdije kolektive.
Kultura, “brandi” i një kombi
Një komb që nuk investon në art, në trashëgimi kulturore, në muze, në teatër dhe në edukim estetik është si një kompani që nuk investon në zhvillim produkti apo imazh. Kultura nuk është luks. Është kapital afatgjatë. Është marka e padukshme e një kombi në sytë e botës. Pa të, zhvillimi ekonomik mbetet i brishtë dhe diplomacia e humb thelbin. Në vendet që kanë përjetuar tranzicione të suksesshme, si shtetet baltike apo Irlanda, kultura ka qenë boshti i narrativës kombëtare dhe pjesë e strategjive shtetërore. Aty ku arti u institucionalizua, shoqëria u emancipua dhe ekonomia u pasurua me përmbajtje.
E ardhmja kërkon plan, jo improvizim
Nuk mjafton ta kemi të drejtën për të qenë komb. Duhet ta kemi edhe aftësinë për ta ndërtuar atë. Duhet një vizion i përbashkët, një strategji e mençur, një bashkëpunim midis institucioneve, artistëve, edukatorëve, teknologëve dhe qytetarëve aktivë. Një komb që nuk e ka një plan zhvillimi për artin dhe kulturën, nuk është i gatshëm për të konkurruar në një botë ku identiteti është një aset dhe përmbajtja kulturore është fuqi e butë diplomatike.
Në fund të ditës, siç tha një filozof i vjetër: “Nuk ka erë të favorshme për ata që nuk dinë ku po shkojnë.” Dhe ndoshta është koha që ta dimë saktësisht se ku duam të shkojmë si komb, si kulturë, si projekt për të ardhmen.