Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Këngështigje

Ashtu si në këngështigjet e aborigjenëve, edhe Meredith Vula po përpiqet të shkojë përtej cilësive përshkruese të gjuhës, duke synuar përmasën e saj këndimore. Këto imazhe të rrjedhshme janë këngështigjet e saj, shtigjet e saj të krijuara për t’u përshkuar e që e ndihmojnë të mbajë të gjallë lidhjen me tokën dhe njerëzit. Edhe ata kanë ritmin dhe kadencën e tyre. Dhe ashtu si ritmi e kadenca e këngështigjeve të aborigjenëve i mbajnë të qëndrueshme hapat e udhëtarit nëpër toka të pashkelura e gjuhë të panjohura, ashtu dhe imazhet e Meredith Vulas bëhen udhërrëfyes për këngët e saj

Në kulturën animiste të popujve aborigjenë të Australisë ekziston diçka që njihet si shtigjet e këngës apo këngështigje, ose, të quajtura ndryshe, ëndërrshtigje. Këto shtigje të përmbajtura në këngë përshkojnë të gjithë kontinentin australian, duke përshenjur udhën e Paraardhësve jetëkrijues gjatë kohës së Ëndërrimit, kur ata krijuan peizazhin përmes të kënduarit të emrave të vendeve dhe sendeve, ndërsa endeshin nëpër tokë.

Disa nga këngështigjet janë të shkurtra, por shumë të tjera zgjaten me mijëra milje. Në to dhe përmes tyre, toka lind e rilind pa pushim. Është përgjegjësi dhe detyrë e popujve aborigjenë t’i këndojnë ato këngë vazhdimisht, për ta mbajtur gjallë lidhjen e tyre me tokën. Këngështigjet përbëjnë edhe një enciklopedi komplekse gojore të të dhënave rreth bimëve të ngrënshme, burimeve të ujit, kafshëve dhe insekteve, por janë edhe një hartë orientimi nëpër tokë. Këndimi i përsëritur pranë zjarrit gjatë natës e çon këngëtarin në një udhëtim imagjinar nëpër lugina e male, lumenj dhe pyje, në vende ku nuk kanë qenë kurrë.

Por kur u duhet të ndërmarrin rrugëtimin e vërtetë, është kënga ajo që u prin me një saktësi thuajse të pagabueshme. Udhëtimi mendor dhe imazhet që përmbajnë këngët bëhen rrugë dhe pemë, ulje e ngritje, tokë dhe horizont. Këngëtarja/udhëtarja ndjek udhën që i prin kënga dhe kalon nëpër vende e has sende emrat e të cilave ajo i këndon pandërprerë. Shpesh udhëtimi e çon atë nëpër tokat e popujve të tjerë, gjuhën e të cilëve ajo mund të mos e kuptojë. Por udhëtimi vazhdon, sepse nuk janë thjesht emrat e vendeve dhe gjësendeve që e udhëheqin atë, por, megjithëse në një gjuhë të panjohur, ritmi dhe kadenca e këngës janë të njëjta edhe në këngështigjet e popujve të tjerë. Kënga duket sikur shpërfaqet dhe ekziston përtej gjuhës, në të njëjtën mënyrë si toka shpërfaqet prej horizontit dhe nën këmbët e udhëtares, ndërsa ajo vazhdon të ecë dhe të këndojë.

Lala Meredith Vula fotografon prej vitesh. Takimi i saj me Kosovën, tokën së cilës ajo ndjeu që i takon, por në të cilën nuk kishte jetuar kurrë në rininë e saj, padyshim ka pasur një ndikim të fortë në formimin e saj si artiste dhe fotografe. E tërhequr nga një nevojë e fortë për të zbuluar këto troje të panjohura atërore, ajo vendosi shumë herët të niste një udhëtim dhe të përballej me këtë realitet që ndoshta e kishte provuar, por që nuk mund ta konceptonte saktësisht. Ajo shkoi në Kosovë dhe kaloi kohë atje, udhëtoi gjithandej, takoi njerëz, vizitoi vende dhe pa shumë gjëra – disa prej tyre të zakonshme, të tjera të pazakonta, pothuajse unike, si për shembull mullarët. Me të hasur në këto forma të çuditshme, ajo i ndoqi ato me ngulm të ethshëm nga një vend në tjetrin. Këto forma të veçanta, gjysmë qenie e gjysmë sende, gjysmë kashtë e gjysmë skulpturë, të skalitura nga duart e njeriut dhe nga goja e kafshëve, filluan të popullojnë shiritat e saj filmikë. Ata ngriheshin e rrëzoheshin ndër horizonte, mes shtëpish, mbi karroca e çati, si lajmëtarë historish misterioze, herë përcaktues e herë të përkufizuar nga toka dhe rrethinat.

Krahas mullarëve të kashtës, pasuan edhe foto të tjera. Foto të njerëzve e vendeve, të ndërtesave dhe objekteve, të shkatërrimit dhe rindërtimit, foto të jetës siç ajo shpërfaqej mu para syve të saj. Realiteti i ri është plot me takime të papritura dhe një mori hollësish që duket se e ndjekin ose i zënë pritë kudo ku ajo drejton kamerën. Kjo kthehet në një moment shënjues në aktivitetin e saj. Duket sikur prej atij momenti ajo do t’i lejojë ndjenjat e saj, pavetëdijen e saj dhe detajet e shumta të realitetit përballë saj të drejtojnë përzgjedhjen e subjekteve të saj dhe atë çka ajo do të fotografojë. Ajo i është përkushtuar çdo subjekti me të njëjtin ngulm, duke krijuar dhe ndjekur shtigje të reja në rrëfimin e saj, si atëherë kur përcolli tubime të mëdha ku njerëzit duket se dynden nga kudo, prej kodrave, nga shkurret e pemët, duke ecur nëpër shtigje të shkelura apo dhe në troje pa rrugë.

Duket sikur vetë toka është e përbërë nga njerëz e sikur ata janë një trup i madh me mijëra gjymtyrë, koka e sy. Duke përcjellë këto tubime, Meredith Vula po kthehej në dëshmitare të një prej atyre ngjarjeve epike që lënë gjurmë në histori – një komb i përfshirë në një proces pajtimi, “faljen e gjaqeve”, që ndodhi në Kosovën e viteve ‘90. E megjithatë aparati i saj nuk fokusohet drejt qendrës, atje ku zhvillohet ngjarja. Në fakt ai kthehet drejt turmës, duke fiksuar atë që është një tërheqje e parezistueshme për të: morinë e detajeve që përmbajnë gjestet e vogla, vështrimet kalimtare dhe gjestet e detit të paskaj të njerëzve përballë saj. Fjalët do ishin të pafuqishme të përshkruanin madhështinë e asaj që po ndodhte ato ditë, e as dokumentimi i thjeshtë i njerëzve që shtrëngojnë duart nuk mund ta shpjegonte atë denjësisht.

Por fokusi në emocionet e sinqerta që depërtojnë ato trupa e fytyra, gjeste e turma, është mënyra më e mirë për të dëshmuar një ngjarje të tillë të pashoqe. Dhe më shumë njerëz, vende e gjësende pasojnë. Muret e rrjepura të një hamami të vjetër që thuajse shkrihen me lëkurën dhe flokët e grave dhe fëmijëve që lahen atje, aq sa është e vështirë të dallosh se ku mbaron ndërtesa dhe ku fillojnë trupat… fëmijë që flenë, prindër që flenë, foshnja që flenë, njerëz që flenë… vetëm, bashkë, në çift, në grup… në divane, në shtretër, në djepa, në karrige… në dhoma, në qoshe, në ulësen e pasme të një makine, thuajse kudo… një botë e tërë në gjumë, duke pushuar, të qetë, të trazuar, të çarmatosur… dhe shtëpi, të vjetra si nga përralla të lashta, që mezi qëndrojnë në këmbë… skelete shtëpish, vraga të një dhune të padurueshme që duket se ka përfshirë vendin… dhe shtëpi të reja, si ndërtesa të rreme që ngrihen nga një shesh-xhirimi… dhe karroca, të vjetra dhe që i ngjajnë një grumbulli gjymtyrësh njerëzore... dhe një gjysmë veture e kthyer në një karrocë të çuditshme, e tërhequr nga një kalë... dhe bunkerë të shkulur që ngjasojnë me skulptura abstrakte gjigante... dhe tanke dhe automjete të blinduara... të rreshtuara, të braktisura, të kalbura... dhe pemë të lulëzuara dhe të korrura të arrira… dhe bletarë dhe hoje mjalti… dhe fëmijë me biçikleta dhe biçikleta me fëmijë… dhe burra, burra që rrinë e burra që punojnë… dhe gra, gra që punojnë e gra që gatuajnë… gra që përqafojnë fëmijët dhe gra që qepin e qëndisin… gra që buzëqeshin e gra që qeshin… dhe gra të reja e të moshuara… dhe gra që janë thjesht gra… shumë gra… dhe figura si prej fantazme e një gruaje të vetme, me veshje popullore, që shfaqet thuajse kudo: në oborre, mbi tanke, e ulur nën një shkëmb, e kacavarur mbi një degë peme, duke vrapuar mes mullarëve të kashtës e përmes shtëpive në rrënim, para shtëpive të reja, duke u ndier e përkohshme, e përhumbur, thuajse si të mos jetë atje ose si të jetë e dukshme vetëm për aparatin, por jo për njerëzit përreth saj… dhe shatërvanë të thyer me skulptura të thyera në një pikë karburanti të shembur… dhe shitore të vjetra me tabela të harruara prej kohësh ose shkrime në mure që ngjasojnë me hieroglifë të çuditshëm… dhe shitore të reja, që strehojnë një turmë manekinësh që ngjasojnë me një ushtri të çuditshme zombish, me njerëz që mezi dallohen mes tyre… dhe përsëri njerëz, ndoshta të njëjtët njerëz, por tashmë diku tjetër, brenda ndërtesave pompoze që duket se i shtypin ata me peshën e historisë së tyre… dhe përsëri më shumë njerëz dhe më shumë vende… Shumëçka mund të thuhej e diskutohej për secilën fotografi apo secilën seri fotografish të shkrepur nga Lala Meredith Vula. Por këtë herë ajo ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të paraqitur punën e saj. Imazhet nuk janë të fiksuara e as të shtypura në ndonjë lloj materiali. Përkundrazi, ato janë në lëvizje, duke zëvendësuar njëra-tjetrën në një rrjedhë qarkore të pandalshme.

Edhe “Çrregullimet e sakta” në metaforë të pranisë njerëzore Shtojca për Kulturë 1 j. më parë “Çrregullimet e sakta” në metaforë të pranisë njerëzore
Image
Ajo shkoi në Kosovë dhe kaloi kohë atje, udhëtoi gjithandej, takoi njerëz, vizitoi vende dhe pa shumë gjëra – disa prej tyre të zakonshme, të tjera të pazakonta, pothuajse unike, si për shembull mullarët (Foto: Majlinda Hoxha/ Galeria e Ministrisë së Kulturës)

Nuk ka asnjë parapëlqim të veçantë, qoftë historik apo estetik, që e drejton këtë rrjedhë. Ngjan se edhe funksioni kryesor i fotografisë – të dokumentojë, ose të fiksojë një moment e një histori në kohë – është anashkaluar këtu. Sidoqoftë, çka na paraqitet këtu nuk është një film linear. Kjo rrjedhë e ngadaltë qerthullore është një ftesë për ne shikuesit që të ndërmarrim një udhëtim përmes universit të saj të ngjizur nga takimet e saj me tokën dhe njerëzit dhe fiksimit të saj me prapavijën dhe hollësitë e vogla e të padukshme.

Ashtu si në këngështigjet e aborigjenëve, edhe Meredith Vula po përpiqet të shkojë përtej cilësive përshkruese të gjuhës, duke synuar përmasën e saj këndimore. Këto imazhe të rrjedhshme janë këngështigjet e saj, shtigjet e saj të krijuara për t’u përshkuar e që e ndihmojnë të mbajë të gjallë lidhjen me tokën dhe njerëzit. Edhe ata kanë ritmin dhe kadencën e tyre. Dhe ashtu si ritmi e kadenca e këngështigjeve të aborigjenëve i mbajnë të qëndrueshme hapat e udhëtarit nëpër toka të pashkelura e gjuhë të panjohura, ashtu dhe imazhet e Meredith Vulas bëhen udhërrëfyes për këngët e saj. Ato udhëheqin rrugën në rrugëtimin që ne jemi të ftuar të ndërmarrim nëpër shtigjet e saj të ndërtuara nga një mori detajesh, të mëdha e të vogla. Dhe duke vepruar kështu, ndeshim njerëz, vende dhe histori që shpërfaqen para syve tanë, ashtu si toka shpërfaqet nga horizonti dhe nën këmbët e udhëtarit që këndon.

Edi Muka është kurator i ekspozitës “ç’nuk dija që e kisha ditë...: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia në vitet 1987–2019, nga arkiva fotografike e Lala Meredith Vula”, e hapur të enjten e kaluar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. Botohet me lejen e autorit