“Infinite Resignation”, EP-ja e bendit nga Prishtina “Grey Lenses” nuk i shpëton këtij karakteri tedioz të artit. Në një dëgjim “të relaksuar” të gjitha këngët kumbojnë si zhurmë e pakuptimtë, por në fakt, diçka tjetër ndodh në prapaskenë. Vepra e artit në “Infinite Resignation” shndërrohet në një thirrje pa premtim për të përjetuar qetësinë mbytëse të zbrazëtisë kozmike
Nuk ka asnjë lloj arti që nuk buron nga një kotësi themeltare [profound boredom]. Këtu, fjala nuk është për kotësinë e momenteve të caktuara që shkaktohet nga diçka ose ndaj diçkaje. Përkundrazi, është fjala për një kotësi të tjetër lloji që përvijon gjithë çka mund të flitet për esencën e veprës së artit.
Së këndejmi, esenca e artit është kotësi, si mënyrë e të-qenit-në-botë. Por, një aspekt tjetër vjen në prezencë kur flitet për esencën e veprës së artit si kotësi. Kotësia nuk është gjendje e shkaktuar. Ajo në esencën e saj përmban një lloj zbrazëtie kozmike po ashtu të pashkaktuar, zbrazëti e cila në formën e saj më autentike të manifestimit shndërrohet në kotësi. Pra, esenca e kotësisë është zbrazëtia kozmike.
“Infinite Resignation”, EP-ja e bendit nga Prishtina “Grey Lenses” nuk i shpëton këtij karakteri tedioz të artit. Në një dëgjim “të relaksuar” të gjitha këngët kumbojnë si zhurmë e pakuptimtë, por në fakt, diçka tjetër ndodh në prapaskenë. Vepra e artit në “Infinite Resignation” shndërrohet në një thirrje pa premtim për të përjetuar qetësinë mbytëse të zbrazëtisë kozmike.
Në planin muzikor, “Infinite Resignation” është trupëzim poetik me këtë zbrazëti kozmike që nuk shfaqet si refuzim i kësaj “Infinite Resignation” por në të kundërt, si afirmim i saj. “Infinite Resignation” duhet të kuptohet si dorëzim estetik përpara kotësisë kozmike, ku vepra e artit shndërrohet në mënyrë të të qenit në botë – një bote të zhveshur nga çdo kuptim – që e bën të mundur afirmimin.
“Infinite Resignation” është pohimi radikal i mohimit absolut. Në këtë karakter të dyfishtë, këngët na ftojnë të përjetojmë botësinë e botës si hiçnajë, të zhveshur nga kuptimet kozmetike të shkujdesjes së përditshme. Muzika në këngët e “Infinite Resignation” është thirrje nga errësira – e vërteta e të qenit dhe krejtësisht në mënyrë ironike ato nuk vënë asgjë në dritë – ky sinonim i të vërtetave sipërfaqësore dhe kuptimeve të zbrazëta.
Edhe
“Prizren Festi” i guximit dhe i lirisë zhduk kufijtë truporë në hapje
Tani kur është bërë e qartë se esenca e veprës së artit është kotësia dhe se esenca e kotësisë është zbrazëtia kozmike, një karakter i tretë vjen në prezencë. Zbrazëtia kozmike dhe kotësia janë manifestim i përkohësisë, i shumës së momenteve të pakapshme të realitetit – kjo shtytje është në esencën e saj – manifestim i karakterit të kufishëm të të qenit, pra, vdekjes.
Së paku edhe në këtë rast, si në të gjitha rastet e tjera – ky pohim bëhet i mundur. Esenca e artit është poezia. Përmbajtja tekstuale e këngëve të EP-së së “Grey Lenses” është një tension i përhershëm midis të shkuarës dhe së ardhmes, i mundësive dhe pamundësive të fundme. Ky karakter diabolik i kohës është i shprehur gjithmonë në termat “e gjendjeve ireale” prej ku asgjë nuk është e pamundur, por njëkohësisht, mundësia është krejtësisht e pakapshme. Pra, një përvijim poetik i së ardhmes së papërjetuar.
Edhe vepra e artit e ka këtë karakter – përherë si diçka e papërfunduar që bën të mundur dhe i lë gjërat të shfaqen për veten e tyre. Së këndejmi, për t’i lënë dëgjuesit mundësinë e të trupëzuarit me veprën e artit, në këtë pjesë do të shqyrtohen vetëm dy strofa kritike në pesë këngët e “Grey Lenses”.
Në këngën “The Cough of Blood” zëri i frontmenit Zjarr Bujari kumbon me fjalët “You can’t see in the dark and you, Bleed in the dark where no-, Thing can see your flood, Down the drain and the pain” – rreshtat që vënë në prezencë vetminë kreative të përjetimit të botësisë së botës si hiçnajë, si një reflektim apatie për çmagjepsjen e vetëmashtrimit për kuptimin – në të kundërtën kjo është thirrje në pakuptimësinë e lehtë të realitetit.
Ajo që u tha sipër për karakterin e artit mund të përvidhet si konsekuencë nëse dëgjojmë me kujdes strofën e fundit të këngës “The Moment’s Gone”: “Disappear, smallеr than dust I'll become, Through me you'll see, Into smokе, my body will burn, From the flames within I gasp, As I cycle again and again and again” – ky moment kaotik i tekstit, që lë gjithçka në pakuptim, është në një formë radikale përjetim poetik i finitudës – si ninullë e zgjimit të përhershëm në kotësinë e zbrazëtisë kozmike.
Edhe
Kur vdes e mira e përgjithshme
Në fund, ndonëse, çdo fjalë që tenton të përmbushë një vepër arti është në esencë, tentim i pasuksesshëm për të kapërthyer atë që qëndron në esencën e artit, nëse huazojmë një koncept të Kierkegaard, “Infinite Resignation” manifestohet si “Symparanekromenoi” – si një festival i të vdekurve – ku vdekja nuk duhet të kuptohet si akt i pamundësisë së vdekjes empirike – por si mundësi e vdekjes së kënaqshme që qëndron në esencën e çdo vepre të artit.