Shtojca për Kulturë

Hollywoodi synon të grumbullojë 9 milionë dollarë nga shitja e rekuizitave

Rekuizitat - Hollywood

Prej modelit të fluturakes, X-Wing të “Star Wars” te çekani i “Thor”, ato që mund të konsiderohen artefakte filmash të njohur do të nxirren në shitje në Hollywood, raporton “Reuters”. Më shumë se një mijë e 800 gjësende do të ofrohen në ankand prej 21 deri më 24 qershor, prej të cilit “Propstore”, kompani për shitjen e rekuizitave filmike edhe të programeve televizive, llogarit të grumbullojë mbi 9 milionë dollarë. Nuk është bërë e ditur se për çfarë do të dedikohen mjetet e grumbulluara.

Drejtori i “Propstore”, Brandon Alinger, i ka thënë “Reutersit” se bëhet fjalë për gjësende prej më shumë se 600 titujve të filmave dhe programesh televizive.

“Përveç rekuizitave bazike dhe kostumeve, kemi edhe koleksione lodrash, stripe, materiale për produksion filmik, që do të thotë se bëhet fjalë për gjësende si vepra konceptuale të artit, xhaketa për ekipe dhe një alamet koleksioni gjësendesh”, ka thënë ai.

Modeli “Red Leader” X-Wing nga “Star Wars” është llogaritur të shitet prej 500 mijë deri në një milion dollarë.

“Besojmë se ky është i vetmi dhe i vërteti X-Wing prej episodeve të para të ‘Star Wars’ që është ofruar për shitje. Është i veçantë“, ka thënë Alinger.

Çekani i filmit “Thor” është llogaritur prej 100 mijë deri në 150 mijë dollarë e modeli i aeroplanit të përdorur për “Top Gun” është llogaritur të kapë shumën prej 30 mijë deri në 50 mijë dollarë.

Në ankand është edhe veshja e Elvis Presleyt nga filmi “It Happened at the World Fair”, kuleta e Samuel L. Jacksonit nga “Pulp Fiction” dhe shpata e Uma Thurman nga filmi “Kill Bill”.