Shtojca për Kulturë

Gjermania dhe Kosova: Një udhëtim përmes diplomacisë

Gjermania dhe Kosova: Një udhëtim përmes diplomacisë

Në të vërtetë, pesë kapituj të këtij libri janë pesë periudha historike në të cilën ka lëvizur qëndrimi i Republikës Federale të Gjermanisë kundrejt Kosovës nga viti 1990, në ato periudha aq të rënda për shqiptarët, e deri në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Refuzoj të them që libri “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990-2008” i Sylë Ukshinit – botoi “Artini”, Prishtinë, 2025 – është titull shtesë në sirtarin e bibliotekave tona, porse me plot përgjegjësi mund të konstatoj që ai paraqet të parin e këtij lloji i cili në mënyrë aq të thuktë dhe precize flet për pozicionin gjerman ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti

Ndonëse jemi dëshmitarë të një epoke të atillë historike ku libri dhe fjala e shkruar fatkeqësisht nuk e kanë vlerësimin dhe vëmendjen e merituar, konsideroj që libri është kusht sine qua non për ngritjen intelektuale të një shoqërie e cila synon të zë vend në rrjedhën e kombeve dhe shoqërive të zhvilluara. Ndërkaq, veprat me vlerë historike dhe shkencore janë thesar i çmuar për shkencën, kulturën, dijen dhe mendimin shqiptar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për veprat që trajtojnë zhvillimet politike në të cilën kaloi Kosova në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI, e cila vuri në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare dhe aktorët më të fuqishëm të planetit.

E kësaj natyre është vepra me titull: “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990-2008” nga ish-diplomati dhe profesori Sylë Ukshini, e që ndiej kënaqësi që mbresat mbi këtë libër t’i shpreh përmes shkrimit.

Refuzoj të them që libri në fjalë është titull shtesë në sirtarin e bibliotekave tona, porse me plot përgjegjësi mund të konstatoj që ai paraqet të parin e këtij lloji i cili në mënyrë aq të thuktë dhe precize flet për pozicionin gjerman ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti.

Autori i kësaj vepre të çmuar në mënyrë të mirëfilltë ka ndjekur instrumentariumin shkencor duke ua prezantuar lexuesve objektivat, përkufizimin dhe metodologjinë e studimit. Kështu, ai ka përdorur dokumente të ndryshme nga institucionet shtetërore gjermane, tekstet e shtypit gjerman të kohës, fjalimet publike në Bundestag, ka konsultuar librat e autorëve eminentë gjermanë mbi krizën në Kosovë, memoaret e ndryshme etj. Kurse vlerë të shtuar librit i japin edhe intervistat (si burime parësore) të cilët autori i ka realizuar me personalitete publike gjermane që në mënyrë të drejtpërdrejtë ishin të kyçur në çështjen e Kosovës.

Vlen të thuhet që Sylë Ukshini jo vetëm që na i ofron të dhënat nga burimet gjermane, angleze apo shqipe, por ai i analizon dhe i interpreton ato. Kurse pasja e mbi 1000 poshtëshënimeve apo dhjetëra faqeve të bibliografisë vërtet është dëshmi e një pune sa sublime po aq të mundimshme që e ka ndërmarrë autori. Libri është i sistemuar në atë mënyrë që përfshin pjesën hyrëse, pesë kapituj, konkluzionet, dhe literaturën e përdorur.

Në të vërtetë, pesë kapituj janë pesë periudha historike në të cilën ka lëvizur qëndrimi i Republikës Federale të Gjermanisë kundrejt Kosovës nga viti 1990, në ato periudha aq të rënda për shqiptarët, e deri në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kështu, kjo vepër jo vetëm që shpërfaq aspektin kronologjik të raporteve gjermano-kosovare, por hulumtuesit dhe studiuesit e ndryshëm, nëpërmjet këtij libri kanë mundësi të njihen edhe me rolin e faktorit gjerman, ndaj zhvillimeve në kontekstin ballkanik dhe atij evropian.

Gjermania tashmë e bashkuar ishte shndërruar në një fuqi të madhe dhe faktor i rëndësishëm i Evropës, në të cilën atëbotë, edhe kryeministrja britanike Margaret Thatcher dhe presidenti francez François Mitterrand kishin shprehur shqetësime (Peter Shearman).

Në këtë kontekst, një Gjermani me peshë të jashtëzakonshme ekonomike e financiare, dhe me strukturë të re demografike pas bashkimit, natyrshëm që nuk do të ishte neglizhente mbi ndodhitë në Jugosllavinë e viteve të 90-ta.

Në kapitullin e parë autori vë në spikamë që megjithatë, gjatë kësaj periudhe 1990-95, Republika Federale e Gjermanisë dëshironte të shmangte çdo kontradiktë dhe përplasje me partnerët e saj lidhur me dyshimet se ajo do të ngrihej në një status hegjemonisti në Evropë, dhe për këtë arsye kundrejt Kosovës operonte me kujdes. Kurse në të njëjtën kohë, synonte që institucionet ndërkombëtare të përdoren për zgjidhjen paqësore dhe multilaterale të konflikteve. (fq. 77). Kësisoj, veprimet e Gjermanisë mund të lexohen në kontekst të liberalizmit institucional, që në rastin gjerman nënkuptonte fuqinë civile.

Në këtë fazë, sipas autorit, ishte evidente që qeveria gjermane synonte t’iu ikte keqkuptimeve rreth qëndrimeve të politikës së saj të jashtme dhe tregohej më e përmbajtur sesa në rastin e Sllovenisë apo të Kroacisë. Kjo mund të vërehet edhe gjatë takimit të Ministrit të Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, me Ministrin e Jashtëm shqiptar Alfred Serreqi dhe me Nikë Gjeloshin. Si duket, politika gjermane ndiqte politikën evropiane ndaj problemit të Kosovës, e cila koordinohej nga Grupi i Punës për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve. (fq.95.)

Por në anën tjetër, vazhdon autori, Gjermania filloi të ndante pikëpamjen amerikane, pasi që edhe ajo e vlerësonte situatën e tensionuar në Kosovë si një vatër të mundshme krize.(fq.101).

Në interes të lexuesve pa dyshim është edhe një fakt i rëndësishëm kur vjen në shprehje pozicioni gjerman në mjedisin e ri ndërkombëtar. Më saktë, vendimi i Gjykatës Federale Kushtetuese i vitit 1994, i cili lejonte që forcat ushtarake gjermane (Bundeswehr) të mund të merrnin pjesë përtej kufijve të Gjermanisë në kuadër të sigurisë kolektive.

Kapitulli i dytë i këtij libri trajton periudhën e pas-Dejtonit, rolin gjerman në kuadër të Grupit të Kontaktit si një forum multilateral ku diskutohej për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Në të vërtetë, në këtë pjesë të studimit autori shtjellon në njërën anë eskalimin e luftimeve dhe përshkallëzimin e dhunës e të krimeve serbe në Kosovë, dhe anën tjetër përpjekjet gjermane për të gjetur zgjidhje. Për autorin, që nga eskalimi i situatës në Kosovë, qeveria gjermane kursin e saj e harmonizonte ngushtë me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (fq.126) Kjo jep të kuptohet që SHBA-ja tashmë në kontekst të arkitekturës së sigurisë evropiane të pas Luftës së Ftohtë, faktorin gjerman e shihte si një aleat të pashmangshëm.

Vlen të përmendet që Gjermania ishte e interesuar që edhe faktori rus të përfshihej në stabilitetin e Evropës dhe iniciativat perëndimore sidomos kur në konjuktoren e re të strukturës ndërkombëtare, politika ruse në krye me presidentin Jelcin dhe shefin e diplomacisë ruse Andrej Kozurev ishte në proces transformimi dhe konsolidimit të brendshëm. Në të njëjtën kohë, shteti gjerman kujdesej që mos t’i rrezikonte marrëdhëniet e saj me Francën dhe Britaninë e Madhe. Në këtë pikëpamje dukej se establishmenti politik gjerman, thënë ndryshe, ndiqte rrugën e Bizmarkut.

Më tej, autori me kompetencë na vë në dijeni edhe për debatet brenda Bundestagut dhe të forcave kryesore të politikës gjermane mbi zhvillimet në Kosovë, inkuadrimin e Aleancës së NATO-s, shtypin gjerman mbi masakrën e Reçakut, si dhe kërkesat e shefit të diplomacisë gjermane Joschka Fischer për Millosheviqin.

Konferencës së Paqes në Rambouillet, në suaza të këtij libri, i kushtohet kapitull i veçantë, i cili, ashtu siç thuhet në të, palëve u ishte bërë e qartë se kjo ishte mundësia e fundit për të arritur zgjidhje politike. (fq. 177). Sipas Sylë Ukshinit, pavarësisht faktit që Gjermania nuk mori rol qendror në këtë konferencë, politika gjermane ishte e orientuar mbi të gjitha për qasjen multilaterale gjithëpërfshirëse, madje duke e cilësuar atë mjaft aktive dhe veçanërisht bie në sy bashkëpunimi i ngushtë mes sekretares amerikane Madaleine Albright dhe Ministrit të Jashtëm gjerman Fischer.

Në këtë kapitull argumentohet që për treshen qeveritare gjermane, Kancelarin Gerhard Schröder; Joschka Fischer dhe ministrin e Mbrojtjes Rudolf Scharping, zgjidhja e konfliktit ishte në interes të sigurisë së Gjermanisë dhe të vetë BE-së, për shkak të mundësisë së zgjerimit rajonal të luftës. (fq.192).

Kapitulli i katërt vë nën llupë pjesëmarrjen e Gjermanisë në luftë dhe në fushatën ushtarake të NATO-s në Kosovë. Në gjykimin tim kjo mund të konsiderohet ndër pjesët më domethënëse të këtij studimi që kemi para vetes. Këtu trajtohet justifikimi gjerman për pjesëmarrjen në luftë e cila erdhi pas shterjes së gjitha përpjekjeve, dhe që sipas kancelarit Schröder, “...Gjermania dhe aleatët mbrojnë vlerat themelore të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë, në të vërtetë nxori në pah dy konceptet e kundërta të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, atë të sovranitetit shtetëror e mos-ndërhyrjes në punë e brendshme dhe në anën tjetër parandalimin e shkeljeve brutale të të drejtave të njeriut. Në rastin e Kosovës, pikërisht aleanca e NATO-s me këtë edhe Gjermania veproi në favor të të drejtave të njeriut dhe doktrinës së ndërhyrjes për çështje humanitare. Interesant është fakti që pavarësisht nga kritikat e të majtës radikale, shumica e koalicionit qeveritar, edhe opozita CDU/CSU dhe FDP ishin dakorduar që Gjermania duhej të merrte përgjegjësinë t’i bashkohej aksionit të mundshëm të NATO-s. (fq. 223)

Në diskutimet e këtij kapitulli, autori Ukshini nuk lë pa përmendur edhe Kongresin e SPD-së dhe diskutimet mbi çështjen e Kosovës në të. Në interesin tonë do të ishte e udhës të përmendej që pikërisht Kongresi në fjalë, mbështeti iniciativën për një pakt Stabiliteti për Ballkanin e cila praktikisht u shndërrua në vizionin politik afatgjatë të UE-së kundrejt rajonit të Ballkanit. Sesa i rëndësishëm ishte roli gjerman në çështjen e Kosovës mjafton të shihet që edhe Plani Fischer, i cili u paraqit në publik në prill të ‘99-s hapi shtegun për praninë e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare, kthimin e refugjatëve, ose thënë më mirë disa elemente të tij do të gjenin vend më vonë në Rezolutën 1244 të OKB-së. (fq. 262).

Sipas Sylë Ukshinit, gjatë kësaj etape të bombardimeve përpjekjet e Gjermanisë dhe vendeve të tjera përqendroheshin kryesisht për t’i angazhuar rusët në anën e Perëndimit me qëllim që të izolohej Millosheviqi. Kapitulli i katërt përfundon duke ofruar trajtesë për kthesën gjermane (Zeitenwende) dhe dërgimin e trupave ushtarake gjermane në kuadër të KFOR-it.

Në kapitullin e pestë dhe të fundit të këtij studimi hidhet dritë mbi faktorin gjerman pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe epilogun e statusit të Kosovës. Fakti që Gjermania kishte dërguar 8.500 ushtarë në Kosovë – kontingjenti më i madh ushtarak jashtë vendit që Gjermania e ka stacionuar ndonjëherë – dhe pasja e një sektori të vetin, ishte dëshmi që ky shtet po merrte rol thelbësor jo vetëm në bërjen e luftës por edhe të paqes në Kosovë. (fq. 323).

Në këtë periudhë, Gjermania ishte mjaft aktive për faktin që aktivizoi Grupin e Kontaktit për të çuar para çështjen e Kosovës. Ndërsa, edhe sa i takon çështjes së statusit final, Gjermania kërkonte një veprim të koordinuar në kontekstin multilateral. Autori Ukshini, në sajë të këtij kapitulli vë në dukje edhe përpjekjet e diplomatit gjerman me renome Wolfang Ischinger në kuadër të “Trojkës” për të gjetur zgjidhje mbi statusin.

Kjo vepër e studiuesit Sylë Ukshini përfundon duke trajtuar edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika Federale e Gjermanisë si dhe debatet e spektrit politik gjerman. Në kontekst të kësaj duhet përmendur që grupi parlamentar i CDU/CSU mbështeste vendimin e qeverisë për ta njohur Kosovën, madje për ta, njohja nga sa më shumë shtete krijon stabilitet të qëndrueshëm për gjithë rajonin. Sipas këtij grupi parlamentar, ndër arsyet që erdhën deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte se të gjitha mundësitë për negociata ishin shterur dhe kushtet e vendosura nga Plani i Ahtisaarit përfshirë mbrojtjen e minoritet serb janë pranuar nga Kosova... (fq. 377).

Marrë në përgjithësi, me këtë libër mund të shërbehen studiuesit e politologjisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, historianët, diplomatët, etj. Për fund kemi edhe sugjerime për autorin, duke shpresuar që në ribotimin eventual të përfshihet edhe bashkëpunimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të dyja shteteve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe t’i bëhet një lexim ortografik librit para shtypit.

Autorit i dëshirojmë shëndet dhe suksese të mëtejme në fushën profesionale e akademike dhe natyrisht edhe botime të tjera.