Shtojca për Kulturë

Gabime logjike dhe fjalë enigmatike në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe

fjalori gagica

Fjalori online i ASHSH-së është një veprim voluminoz dhe historik për gjuhën shqipe, por gabimet logjike dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional e bëjnë të nevojshme një qasje kritike

Fjalori online i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është prezantuar si vepra më e madhe leksikografike e shqipes, por madhësia nuk e garanton gjithmonë saktësinë. Në disa prej zërave që lidhen me enigmatikën dhe lojërat me fjalë, hasen përkufizime të pasakta, të ngushta ose logjikisht të gabuara. Këto nuk janë thjesht detaje teknike, por gabime që shtrembërojnë mënyrën se si kuptohen terma të përdorur prej më shumë se një shekulli në shtypin dhe kulturën shqiptare

Se do të shkruaj ndonjëherë për punën e Akademisë nuk e kisha menduar kurrë, por se edhe që edhe akademikët të bëjnë gabime amatore, as këtë nuk e kam pritur. E,  pikërisht se nuk jam leksikograf, gjuhëtar apo i profilit të gjuhësisë ama megjithatë, puna ime shumëvjeçare me fjalorë në duar, çdo ditë, mbase më ka bërë një njohës të shumë fjalëve dhe kuptimit të tyre.

Ndonëse si krijues i enigmave e që në literaturën tonë quhet enigmat, sërish fjalori voluminoz i ASHSH-së nuk e sheh të udhës ta ketë këtë fjalë në leksik. Mbase ndoshta më mirë që s’e ka futur sesa të fusë fjalë nga fusha e enigmatikës e duke mos ua ditur kuptimin e plotë të tyre. Enigmatika, kjo fushë krijuese sa gazetareske aq edhe gjuhësore, na ka bërë që ne enigmatët t’i shohim me llupë çdo fjalë në fjalor duke ua  hequr pluhurin shumë fjalëve të fjetura në to e duke i ofruar te përdoruesit në një formë sa argëtuese, aq edhe intelektuale. Këtu sot do të shkruaj për pak fjalë po nga kjo krijimtari, e të cilat – ndonëse disa risi për fjalorin e shqipes – lënë shumë për të dëshiruar se si u jepet kuptimi në fjalor. Shumë do të doja që edhe profesionistë të fushave të tjera t’ua hedhin një sy fjalëve nga lëmi i tyre në këtë fjalor, në mënyrë që para se të shtypet, më kollaj të plotësohet ky digjitali. Komuniteti i enigmatëve në Kosovë ka një krijimtari e veprimtari të organizative gati njëshekullore (të lakmueshme) mbase jo të mjaftueshme sa të ketë ndikim tek akademikët që t’ua hedhin një sy këtyre botimeve. Pavarësisht organizimeve në Shoqata të Enigmatëve, e një kohë të vështirë edhe në nivel Federate, duket se kjo krijimtari nuk ia  ka bërë as vër syrit të Akademisë. Por edhe numri goxha i madh i botimeve enigmatike  (në gazeta e revista) ndër vite sidomos në Kosovë, nuk u ka bërë aspak përshtypje. Me siguri duke konsideruar enigmatikën si shkarravinë (e që ka pasur edhe periudha që është parë si e tillë) pikërisht në këtë lëmi, leksikografët bëjnë gabime të pafalshme. Me një vështrim të shpejtë te katër fjalët kryesore që lidhem me krijimtarinë, që të gjitha kanë përkufizime të  pasakta, të ngushta ose logjikisht të gabuara.

Historia e gjatë e enigmatikës shqiptare dhe boshllëqet e fjalorit zyrtar

Fjalori më i madh shqiptar online i hartuar ndonjëherë në shqip, ai i ASHSH-së, ka bërë disa gabime ndonëse nga një lëmi e veçantë krijuese. Enigmatika si veprimtari krijuese, në formën moderne që nga “Albania” e Konicës e deri te “Jeta dhe Kultura” apo edhe “Rilindja”, tashmë është në kapërcyellin e një shekulli e një çerek, përkatësisht, 90-vjetshin gjegjësisht  73-vjetshin kur punimet e para enigmatike panë dritë në gjuhën shqipe. Ka kaluar një shekull me ulje dhe ngritje por kjo krijimtari e veçantë është e përmbushur me llojet të ndryshme botuese ndër vite ndër shqiptarë, ku më shumë e ku më pak. Periudha zogiste e botimet gazetareske të asaj kohe, duket që i kanë dhënë një lindje të qëndrueshme botimeve deri në periudhën komuniste të Shqipërisë kur ajo thuajse  “zhduket” nga shtypi (apo rritet pak) për t’i lëshuar rrugë lindjeve të reja në Kosovës me shtypin e gazetës “Rilindja”. Ndërmarrja Botuese më e madhe shqiptare jashtë Shqipërisë së mbyllur, u hapi rrugë botimeve enigmatike edhe nëpër faqet e gazetave e revistave tjera që dilnin në Prishtinë. Krahas Prishtinës edhe qendra tjetër e madhe shqiptare, Shkupi, shtypte gazetën e saj  “Flaka e Vëllazërimit” ku edhe aty nuk mungonin enigmat moderne. Me lulëzimin e botimeve periodike, erdhi koha e botimit të specializuara siç është revista e parë shqiptare për enigmatikë “Horizonti” në qytetin e  Gjilanit. Kjo revistë u hapi rrugë edhe revistave të tjera enigmatike edhe në qendrat tjera shqiptare: Rahovec, Gjakovë, Prishtinë, Tetovë, Shkup, e të tjera, sidomos përgjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar duke pasuruar larushinë e botimeve enigmatike me lloje, forma e enigma që shpeshherë edhe mundoheshin t’i emëronin, shqipëronin emrat e enigmave për të tingëlluar tamam shqip. Shpeshherë këto revista prinin me propozime me hyrje të reja në “fjalorin shqip” ndonëse fjalori i deriatëhershëm shqip veprimtarinë e quajtur enigmatikë nuk e shpjegonte e lëre më degët apo punimet si fjalëkryq, anagram, tetëkahore, rebus, rrokjekryq etj. ose nuk shpjegoheshin fare ose edhe ato që shpjegoheshin ishin shumë të mangëta apo edhe të gabuara.  Edhe pse nuk kam studiuar gjuhën shqipe në universitet, por gjeografinë dhe trashëgiminë kulturore, kam kaluar dekada duke hulumtuar, krijuar dhe botuar materiale enigmatike në shumë prej gazetave, revistat e lartpërmendura nga fjalëkryqe, anagrame, rebuse, apo thënë më shkurt, lojëra të ndryshme fjalësh.

Pikërisht kjo përvojë më ka lejuar të dalloj gabimet logjike që shpesh fshihen pas dukjes së zakonshme të fjalëve, por ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si kuptojmë dhe përdorim gjuhën shqipe. Për ne që punojmë me fjalën – në enigma, fjalëkryqe dhe lojëra gjuhësore –  një përkufizim i pasaktë nuk është thjesht gabim teknik, por prish vetë mekanizmin e kuptimit.

Fjalor shpjegues apo ngatërrues!

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, me rreth 125 mijë njësi leksikografike, është promovuar si fjalori më voluminoz i shqipes. Por e gjithë kjo është realizuar njëanshëm nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, pa bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

Sipas parathënies së fjalorit, ndër të tjera, ai përfshin:

-Numrin më të madh të fjalëve në zëra të veçantë;

-Njësi frazeologjike, togfjalësha terminologjikë dhe emërtime shkurtësore;

-Rreth 250 mijë kuptime leksikore.

Parathënia e fjalorit e prezanton atë si një vepër leksikografike të munguar dhe të kërkuar, që pasqyron pasuri leksikore të shqipes bashkëkohore dhe ndihmon në ruajtjen e standardit të gjuhës.

Megjithatë, disa përkufizime tregojnë mungesë koherence dhe gabime logjike, veçanërisht në fushën e enigmatikës dhe huazimeve moderne.

 

Gabime logjike dhe shembuj të qartë

1.Enigmatikë

Përkufizimi i ASHSH-së:
“Zotësi dhe mjeshtëri në krijimin dhe zgjidhjen e rebuseve.”

Gabimet logjike:

Reduktimi i fushës: Enigmatikë nuk është vetëm mjeshtëri e krijimit të rebuseve; enigmatikë është dhe krijimi edhe i anagrame, fjalëkryqeve, akrostikëve dhe lojëra fjalësh.

Gabim konceptual: Termi trajton fushën në mënyrë të kufizuar, jo si një kategori e përgjithshme e lojërave me fjalë.

Rregullimi i duhur:
“Zotësi dhe mjeshtëri në krijimin e lojërave enigmatike si: rebuse, fjalëkryqe, anagrame dhe lojëra të tjera fjalësh.”

2. Fjalëkryq

Përkufizimi i ASHSH-së:
“Lojë zbavitëse që bëhet duke plotësuar çdo katror të një figure me shkronja të tilla që të formohen fjalë në të gjitha drejtimet."

Gabimet kryesore:

Gabimi i drejtimit: Shumë fjalëkryqe formohen vetëm horizontalisht dhe vertikalisht, jo “në të gjitha drejtimet”. “Në të gjitha drejtimet”, nënkupton edhe diagonal, mbrapsht ose spirale — që nuk është fjalëkryq klasik.

Thelbi i munguar: Fjalët ndërtohen nga përkufizime; pa to, nuk ka fjalëkryq, vetëm një rrjetë shkronjash.

Ngatërrim mes rezultatit dhe mekanizmit: Përkufizimi përshkruan rezultatin, por jo sistemin e ndërtimit dhe kryqëzimit.

Rregullimi i duhur:
“Fjalëkryq: lojë enigmatike në formë tabele me katrorë, ku fjalët, të dhëna nga përkufizime, vendosen horizontalisht dhe vertikalisht duke u kryqëzuar mes tyre.”

3. Anagramë / Anagramik

Përkufizimi i gabuar: “1. Fjalë ose fjali e krijuar nga zhvendosja e shkronjave të një fjale ose fjalie të dhënë. 2. Shkrim ose lexim së prapthi i një fjale.”
Mbiemri: “Që ka të bëjë me anagramin”

Gabimi logjik:

Leximi prapa i një fjale nuk është anagram, por përmbysje ose palindrom.

Mbiemri lidhet me formën mashkullore “anagram” dhe jo me leksemën e dhënë “anagramë”, duke krijuar moskoherencë terminologjike.

Rregullimi i duhur:
“Anagram: fjalë ose shprehje e krijuar nga riorganizimi i shkronjave të një fjale ose shprehjeje tjetër, duke formuar një njësi të re me kuptim. Anagramik: që lidhet me përdorimin ose formimin e anagrameve.

4. Rebus

Përkufizimi i ASHSH-së: 
“Gjëegjëzë, në të cilën paraqitet me vizatime, me shifra, me shkronja a me shenja të tjera një fjali ose një shprehje, që duhet gjetur.”

Gabimet kryesore:

Kufizon rebusin vetëm te fjalë/shprehje, ndërkohë që mund të jetë edhe numër, simbol ose lojë fjalësh.

Metoda nuk është e plotë; rebusi mund të përdorë lojëra fjalësh, fonetikë, anagrame, simbole kombinatorike.

Rregullimi i duhur:
“Rebus: gjëegjëzë vizuale ose simbolike, ku një fjali, shprehje, fjalë ose simbol duhet të gjendet duke interpretuar kombinime të shenjave, shkronjave, numrave ose figurave.”

Fjalori online i ASHSH-së është një veprim voluminoz dhe historik për gjuhën shqipe, por gabimet logjike dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional e bëjnë të nevojshme një qasje kritike. Për përdoruesit, veçanërisht ata të fushës së enigmatikës, është thelbësore që të evidentohen këto gabime dhe të përdoren format standarde dhe historike të fjalëve, duke ruajtur logjikën, mekanizmin dhe pasurinë e gjuhës shqipe.