Shtojca për Kulturë

Ecja me “Artistët e së Nesërmes” në ritmin e artit bashkëkohor

Galeria

“Artists of the Day after Tomorrow” dokumentimit të “Artistët e së Nesërmes”, shndërrohet në kronikë të kapërcimeve të artit bashkëkohor në Kosovë. Ekspozita mundëson të kuptuarit e temave që i preokuponin artistët nder vite e kur shikohet si tërësi, përcjell rrjedhën e zhvillimeve artistike në vend

“Artists of the Day after Tomorrow” është titulli i ekspozitës e dokumenton historinë e çmimit “Artistët e së Nesërmes” prej vitit 2022 deri më 2024, dhe siç e zbërthen edhe nëntitulli i saj, “Dokumentimi i tranzicionit”, ekspozita shndërrohet në një lloj arkivi i cili mat pulsin dhe shfaq kapitujt e zhvillimit të artit bashkëkohor në Kosovë në një periudhë prej dy e kusur dekadash

Me idenë e ndërtimit të një “arkivi” për ta dokumentuar ndryshimin dhe tranzicionin e artit bashkëkohor, “Galerinë 17” ka përmbledhur në ekspozitë historinë prej mbi dy dekadash të çmimit “Artistët e së Nesërmes” (Young Visual Artists Award – YVAA), duke reflektuar jo vetëm mbi rrugëtimin e artistëve fitues, por edhe mbi ndikimin e këtij çmimi në ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit të artit bashkëkohor në Kosovë. Kuratorë të kësaj ekspozite të hapur të premten mbrëma kanë qenë Miran Mohar dhe Fitore Isufi-Shukriu, të cilët kanë përmbledhur informacione për këtë çmim dhe rrethanat në të cilat ai është dhënë prej kur organizohej në Galerinë Kombëtare të Arteve, e deri kur ka kaluar te “Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor”. Aty janë raportime gazetash për çmimin, informata për juritë e artistët sikurse edhe datat e informata të tjera. Si e tillë ekspozita nuk ka të bëjë vetëm me të dhëna sipërfaqësore por dokumenton trendët.

Që prej themelimit të tij në vitin 2002, ky çmim ka qenë një prej shtyllave më të qëndrueshme për artin bashkëkohor në Kosovë. Ka krijuar mundësi të rëndësishme për artistët e rinj dhe ka nxitur një interes të ri nga publiku, kritikët dhe institucionet përreth artit bashkëkohor. Rëndësia e këtij çmimi shkon përtej përzgjedhjes së fituesve. Me juritë e përbëra nga ekspertë vendës dhe ndërkombëtarë, çmimi ka qenë një dritare për vështrime të jashtme mbi skenën artistike vendore dhe, njëkohësisht, një urë lidhëse drejt botës.

Në një kohë kur artistët e Kosovës kanë qenë të izoluar nga qarkullimi ndërkombëtar, përfshirja e ekspertëve të huaj ka sjellë njohuri të reja, përkrahje konkrete dhe përhapje të imazhit të artit nga Kosova përtej kufijve dhe ky ndikim nuk është ndalur vetëm te çmimi. I njëjti model përzgjedhjeje është përdorur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias, një tjetër moment kyç në ndërkombëtarizimin e skenës së artit. Sot, pjesëmarrja e artistëve nga Kosova në ekspozita prestigjioze ndërkombëtare është bërë normë, jo përjashtim. E megjithatë, për një skenë arti të qëndrueshme dhe dinamike, entuziazmi nuk mjafton.

Bashkëkuratorja e kësaj ekspozite, Fitore Isufi-Shukriu, njëherësh fituese e çmimit më 2006, ka shpjeguar se kjo ekspozitë është e fundit në një seri prej katër ekspozitash të rëndësishme që kanë ndjekur zhvillimet e skenës së artit bashkëkohor që nga fillimi i tranzicionit në Kosovë. “Arkivimi i Tranzicionit” ishte titulli i ciklit të ekspozitave që nisi më 2022.

“Ne si ‘Shtatëmbëdhjetë’ kemi vendosur ta përmbyllim, kemi filluar me një ekspozitë ‘Përtej’, të vitit 1998, vetëm pak pa filluar lufta në Kosovë ka qenë një ekspozitë që ka zënë vend, është organizuar bashkë me ‘Dodona Gallery” dhe me Institucionin për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Dhe në vitin 1998 ajo ekspozitë ka zënë vend në qendër të Beogradit, që ka qenë shumë e rëndësishme, sepse kanë qenë pionierë të artit bashkëkohor që janë prezantuar aty dhe ne kemi filluar me atë në periudhën gjatë ‘Manifestës’ dhe e kemi përmbyllur me një çmim siç është ‘Artistët e së Nesërmes’, që është një çmim i cili qe 23 vjet ekziston edhe ende është shumë fuqishëm, duke ecur rrugëtimeve”, ka thënë për KOHËN kuratorja Isufi-Shukriu.

Ajo ka sqaruar se ekspozita nuk ka për qëllim të vendosë një pikë përfundimtare mbi veprimtarinë e tyre, por të festojë dhe përkrahë të gjitha nismat e rëndësishme që kanë kontribuuar në ndërtimin e skenës së artit bashkëkohor në Kosovë.

“Është e rëndësishme ta përmbyllim me një gjë të tillë, sepse ne fundja nuk duam ta përmbyllim qëndrimin tonë, ekspozitat tona përmes asaj që po e punojmë, por jemi duke dashur t’i festojmë të gjitha iniciativat që janë bërë rreth artit bashkëkohor që në këtë rast ka filluar në Galerinë e Arteve, që ka vazhduar në ‘Stacion –  Qendrën për Art Bashkëkohor’. Nuk është ideja ta përmbyllim me një projekt ku ne ia vëmë pikën, por që të tregojmë se ne i mbështetim të gjitha këto institucione që kanë kontribuuar në zhvillimin e artit bashkëkohor, sidomos në periudhën e gjatë të tranzicionit që, e dimë, historikisht arti në Kosovë gjithmonë është parë si i dorës së dytë”, ka thënë ajo.

Ka folur me entuziazëm për një rilindje të ndjeshme kulturore në Kosovë. Ajo ka përmendur bienalet, institutet, arkivat, fondacionet dhe përfaqësimin në bienale ndërkombëtare si dëshmi se tranzicioni shumëvjeçar në artin bashkëkohor po i afrohet fundit.

“E kemi një përshtypje që ka një zgjim kolektiv në Kosovë, janë duke u bërë disa iniciativa shumë të vlefshme, për momentin kemi një bienale të artit bashkëkohor në Prizren (‘Autostrada Biennale v.j.) kemi një institut të artit bashkëkohor në Pejë, ‘Arkivin’, “Hajde Foundation” që është duke e mbajtur gjallë kulturën në vend, jemi ne si fondacion që jemi zgjeruar si institucion i pavarur, kemi përfaqësues fantastikë në Bienalen e Venedikut, në Kosovë jemi duke punuar për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe këto na tregojnë që në njëfarë forme po ia shohim fundin tranzicionit”, ka shtuar ajo.

Sipas bashkëkuratorit slloven Miran Mohar, çmimi “Artistët e së Nesërmes” është një nismë pozitive dhe profesionale – gjë që e bën të krahasueshëm me modelet që ekzistojnë edhe në vende të tjera.

“Edhe Galeria edhe ‘Stacioni’ kanë bërë një punë shumë të mirë dhe është një nismë e mirë përgatitja për ta dhënë këtë çmim dhe me rëndësi është nisma prej një institucioni që është shtetëror, sepse kjo ekziston edhe në vende të tjera. Ky çmim, sipas mendimit tim, tregon një vitalitet të mirë dhe shihet si një gjë pozitive, sepse më e rëndësishmja është juria dhe mendoj se kjo mënyrë e përzgjedhjes së veprave ka një efekt të madh në jurinë përzgjedhëse ndërkombëtare që çdo vit përzgjedh artistë e arkitektë në Bienalen e Venecias”, ka thënë për KOHËN kuratori Mohar.

Ai ka theksuar se kjo ekspozitë është e veçantë sepse për herë të parë sjell bashkë të gjithë fituesit e çmimit “Artistët...”. Ekspozitën  e sheh si një formë arkivimi që do të mundësojë qasje publike dhe kujtesë institucionale për artin bashkëkohor në Kosovë.

“Në këtë ekspozitë shihen të gjithë artistët që kanë fituar këtë çmim për 21 vjet dhe është një mundësi që njerëzit ta shohin dhe ta krijojnë një ide se këto po shndërrohen në një lloj arkivi që do të bëhet e qasshme publikisht. Sado që ky çmim është i rëndësishëm, nuk mjafton. Ajo që kjo ekspozitë tregon është se si janë ndërtuar artistët me elementet e tyre, se si artistët dhe profesionistët e tjerë të artit mund të kenë jetuar, jo vetëm të kenë mbijetuar, andaj kjo përfshin gjithçka, prej muzeve deri te galeritë private, koleksione private dhe publike, fondacionet e të tjera”, ka thënë ai.

Nga të pranishmit në ekspozitë, Fatmir Mustafa – Karlo,   që ka qenë fitues i çmimit “Artistët e së Nesërmes” në vitin 2007 e ka vlerësuar si “jashtëzakonisht të rëndësishëm koleksionin që kanë përmbledhur kuratorët”.

“Ky koleksion arkivor është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ruan një periudhë kyçe të zhvillimit të artit bashkëkohor në Kosovë. Është fantastike që dikush kujdeset për këtë si ‘Galeria 17’. Për mua, kjo ekspozitë dhe ky koleksion janë një ftesë për ta kuptuar se çfarë trashëgojmë dhe çfarë ende jemi duke ndërtuar. Në fund të ditës, arkivat janë si dollapi i gjyshes, gjithmonë të surprizën”, ka thënë Mustafa.

Edhe Driton Selmani, që ka qenë finalist për këtë çmim, e ka komentuar rëndësinë e kësaj ekspozite.

“Reminishencë e mirë ta shohim rrjedhën e artit bashkëkohor në Kosovë, në dukje e vogël, po me shumë potencë. Arti është refleksion i kohës, këtu shihen urgjencat, influencat edhe utopitë në vite... Po ashtu, abstraktja merr formë në kohë, e e tashmja duket absurde”, ka thënë Selmani.

Ekspozita nuk ka synuar ta glorifikojë të kaluarën, por të reflektojë mbi mekanizmat që e kanë bërë të mundur këtë rrugëtim. Kështu që kuratorët janë munduar të reflektojnë me dokumentim e arkivim që të edukohen njerëzit përgjatë këtij procesi rreth zhvillimeve të artit bashkëkohor, të cilat kryesisht janë influencuar prej ngjarjeve politiko-sociale.