Në gamën e individëve që kanë shkruar në lidhje me luftën në mbrojtje të Shkodrës (1912/13) bën pjesë edhe misionari katolik, Ernesto Cozzi, i cili ka lënë kujtimet në formë të ditarit, të cilat në vitin 2023 janë botuar në shqip, nga shtëpia botuese “Shkodra” me titullin “Kryengritja shqiptare, lufta turko-malazeze: Ditar 3 shtator 1912 – 15 maj 1913”. Të dhënat në këtë botim janë me interes, sepse ai duke qenë në shërbim në Rrjoll, ngjarjet e luftës së Shkodrës i ka përcjellë jashtë rrethimit, në krahasim me ata qe ishin brenda tij. Si i tillë ky botim ka vlerë të veçantë jo vetëm për historianët por për të gjithë ata qe kanë interesim për Shkodrën në Luftën e Parë Ballkanike
Ernesto Cozzi, ishte italo-austriak nga Trentoja. U lind më 6 korrik 1870 dhe ka vdekur më 26 mars 1926. Një pjesë të jetës së tij, si meshtar ka jetuar e vepruar në famullinë e Rrjollit dhe në Reç afër Shkodrës. Ndonëse vdiq dhe u varros në Bari të Italisë, ai kishte lënë një porosi për ta rivarrosur në Shkodër. Një porosi e tillë u realizua pas dy muajve, sepse më datën 29 maj 1926 u rivarros në Shkodër, i nderuar jo vetëm nga populli, por edhe nga përfaqësues të shtetit dhe trupit diplomatik.
I pasionuar për etnologjinë shqiptare
Duke qëndruar në veriun shqiptar, ai si misionar katolik, nuk ishte statik ndaj dukurive shoqërore të popullit shqiptar në ato vise ku ka vepruar e qëndruar. Duke hulumtuar dhe mbledhur lëndë të ndryshme të traditës shqiptare, është veçuar me nuhatjen e një studiuesi të mirëfilltë, ku për një kohë pesëvjeçare (1909-1914) arriti të klasifikojë materialin e grumbulluar në shtatë vepra, duke trajtuar doket, zakonet, besëtytnitë, fiset shqiptare, që paraqesin një kontribut me vlerë për etnologjinë shqiptare. Veprat e botuara janë: “Sëmundje, vdekje, varrime, Malet e Shqipërisë” (1909), “Gjendja bujqësore në Shqipëri” (1910), “Marrja e gjakut në Malet e Shqipërisë” (1910), “Gruaja shqiptare në një vështrim të posaçëm nga e drejta dokësore e Maleve të Shkodrës” (1912), “Fiset e Shqipërisë së Sipërme: shënime rreth organizimit të tyre shoqëror e politik” (1913), “Besime e besëtytni në Malet e Shqipërisë” (1914), “Fiset e Shqipërisë së Sipërme: shënime rreth organizimit të tyre shoqëror e politik me të dhëna statistikore” (1944).
Ndërsa vepra e tetë “Kryengritja shqiptare, lufta turko-malazeze”, Shkodër, 2023, paraqet ditarin nga data 3 shtator 1912 – 15 maj 1913, përkthyer në shqip nga italishtja nga Arben Ndreca.
Nuk ka dilemë se Ernesto Cozzi, llogaritet ndër personalitetet e rëndësishme ndërkombëtare qe ka dhënë kontribut në albanologji, sikurse E. Durhami e F. Nopça por fatkeqësisht pak i njohur në opinionin kulturor e shkencor te shqiptarët.
Ditar më dëshmi autentike
Në botim bëhet fjalë për periudhën e 3 shtator 1912 – 15 maj 1913, që është ditari i këtij misionari katolik, i cili paraqet dëshmi autentike për këtë periudhë kohore, dramatike për Shkodrën në veçanti e çështjen shqiptare në përgjithësi.
Ky ditar i klerikut italian Ernesto Cozzi (1870-1926) me shtetësi austro-hungareze i njohur edhe si antropolog dhe studiues i kanunit të maleve, sjell dëshmi të panjohura rreth muajve të rrethimit të qytetit të Shkodrës nga malazezo-serbët. Bëhet fjalë për teatrin më të gjerë dhe intensiv luftarak të shekujve të fundit në Shqipëri, ku 50 mijë serbo-malazezë u vunë përballë 30 mijë turqve dhe redifëve shqiptarë, luftë nga e cila vuajtën rreth 40 mijë civilë të rrethuar.
Mesazhi i këtij libri është se lufta agresive shkakton vetëm vuajtje, humbje dhe shkatërrime dhe askush nuk është i sigurt se, edhe nëse fiton një betejë, mund të gëzojë frytet e padrejtësisë. Qyteti i Shkodrës, pas qëndresës heroike të udhëhequr nga Hasan Riza Pasha, iu dorëzua nga Esad Toptani malazezëve, të cilët u dëbuan pas pak javësh nga presioni i Fuqive të Mëdha.
Të dhënat e ofruara nga Ernesto Cozzi në këtë ditar, duhet kuptuar se kemi të bëjmë me kohën e pushtimit nga malazezët, të cilët si synim final kishin pushtimin e Shkodrës, përkatësisht veriun shqiptar. Në ditar ofrohen të dhëna për bombardimin e Shkodrës nga malazezët, plagosjet e vrasjet qofshin ata ushtarë apo qytetarë të thjeshtë. Po ashtu ofrohen të dhëna për dëbimin e popullsisë shqiptare kryesisht asaj të përkatësisë fetare myslimane dhe vendosja e tyre në Shkodër. Po ashtu jepen të dhëna për bashkëpunimin malësorëve nga Gruda, Hoti e Kastrati me malazezët në rrethin e Shkodrës. Në këtë aspekt Cozzi ka deklaruar se “malësoret i ka këshilluar se ata duhet të qëndronin asnjanës, për shkak se Mali i Zi nuk ka arsye tjetër përveç se të mashtrojë Evropën duke e siguruar se populli shqiptar dëshiron sundimin malazez dhe se populli shqiptar dëshiron me çdo kusht pushtimin e Shkodrës, dhe për t’iu hedhur fajin pastaj malësorëve tanë për mizoritë dhe për plaçkitjet e kryera nga ushtria malazeze” (fq. 90).
Pikërisht në sajë të një qëndrimi të tillë, Cozzi ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme të pushtuesve malazezë. Pavarësisht se ky ishte me mision kishtar dhe me shtetësi italiane, ai ishte i rrezikuar fizikisht.

Atentati i dështuar
Duke e lexuar ditarin del qartë se E. Cozzi nuk e ka pasur të lehtë të jetojë e veprojë në famullinë e Rrjollit, sepse si shtetas italian në njërën anë dhe misionar katolik në anën tjetër ka qenë i dyshimtë për pushtuesit malazezë. Një qëndrim i tillë dëshmohet se ndaj tij është bërë atentat në objektin e tij në famulli të Rrjollit, ku kishte fat dhe shpëtoi, ndërsa në herën e dytë i ishte rrezikuar jeta sepse pushtuesit malazezë kanë dashur ta arrestojnë. Por, me këtë rast gjeturia dhe guximi i tij arritën ta shpëtonin duke u larguar në Shkrel në vend të sigurt. Ndonëse ai ishte bashkëpunues në rrethanat e reja nga pushtuesit malazeze, madje ai ka ndihmuar në shërimin e të lënduarve nga luftimet në zonën përkatëse, por pushtuesit kishin dyshime se ky nuk ishte sipas shijes së tyre.
Informata jashtë rrethimit të Shkodrës
Deri me tash kemi pasur rast të lexojmë ditarë që kanë të bëjnë për rrethimin e Shkodrës që autoret e tyre sjellin detaje për ngjarjet e ditës duke qenë brenda qytetit. Por, ditari i E. Cozzit është i veçantë sepse ka të bëjë me ngjarjet e rrethimit të Shkodrës por jashtë saj. Andaj kur analizohen ditarët e tillë mund të bëhen analiza të ndryshme, madje edhe analogji për ditë të veçanta sidomos gjatë bombardimeve nga ana e malazezëve në qytetin e Shkodrës. Sepse ndryshe është përjetuar brenda qytetit, e ndryshe jashtë tij, duke e ditur se popullsia brenda qytetit ka vuajtur urinë për të mbijetuar, sepse rezervat kanë qenë pothuaj të shteruara tërësisht.
Malësorët përkrah malazezëve në pushtimin e Shkodrës
Për opinionin e gjerë nuk është informatë e panjohur se një numër i konsideruar i malësorëve u janë bashkëngjitur malazezëve në pushtimin e Shkodrës. Por, në lidhje me këtë çështje autorë të ndryshëm kanë qenë të rezervuar të shkruajnë dhe të prezantojnë të dhëna të tilla, edhe pse një veprim i tillë ka qenë i njohur për popullsinë e Shkodrës dhe rrethinës së saj, që në heshtje është përcjellë brez pas brezi.
Pikërisht në lidhje me këtë çështje, Cozzi na ofron të dhëna për disa malësorë të cilët “i ishin shitur krejtësisht çështjes malazeze: Sokol Baci me të birin, Kolë Kurti, Tom Coli, Prel Marku, Gjeto Dashi, të gjithë nga Gruda; Kolë Deda, Gjek Marashi dhe Gjon Nika nga Traboini, të cilët, që të gjithë u venduan tek e njëjta shtëpi ku banoja edhe unë me Atë Gjon Mark Gojanin, famullitar i Triepshit, i cili i kishte ndjekur nga pas besimtarët e famullisë së tij që ishin nisur për luftë” (fq.70). Ndërsa më pas cekën se “me sa arrita të kuptoj, qeveria malazeze dëshironte të kishte në radhët e ushtrisë së saj të paktën këta kryetarë të përkushtuar ndaj çështjes së vet në mënyrë që të ndikonte në opinionin publik evropian nëpërmjet lajmeve të rreme, që domethënë se malësoret e Shqipërisë ishin të bashkuar me të dhe dëshironin sundimin e saj. Por, nëse në fillim shqiptarët u hodhën në krahët e politikës malazeze të shtyrë nga dëshpërimi, tashmë e kishin kuptuar se “sa kripë kishte buka që u jepte krajl Nikolla” dhe përsëri lutën që të fitojnë turqit dhe... shpresojnë”(fq. 70). Një konstatim i tillë dëshmon qartë se malësoret më në fund e kishin kuptuar djallëzinë e krajl Nikollës, duke dëshmuar me pas qëndrim parimor ndaj Shkodrës dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Përfundim
Në fund e them pa hezitim se Ditari i E. Cozzit paraqet të dhëna me vlerë në lidhje me luftën në mbrojtje të Shkodrës 1912/1913, duke iu bashkëngjitur botimeve të tilla, duke pasqyruar realitetin e kohës. E dhëna se E. Cozzi, gjatë kësaj kohe ka qëndruar jashtë rrethimit të Shkodrës, ai nuk ka qenë statik, por vazhdimisht ka shënuar, duke dëshmuar interesimin e tij për të dokumentuar ngjarjet e dëgjuara dhe të përjetuara nga pushtuesit malazezo-serb nga shtatori i vitit 1912 e deri në maj të vitit 1913. Andaj, si i tillë ky botim ka vlerë të veçantë jo vetëm për historianët por për të gjithë ata që u intereson mbijetesa e Shkodrës në Luftën e Parë Ballkanike.