Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Dëshmi e ekzistencës së gjuhëve – lidhja midis fjalës e kuptimit

Shtjellimi deskriptiv i konceptit të shenjës gjuhësore (fjalës) është realizuar shkencërisht nga semiologu francez, Ferdinand de Saussaure, i cili e sqaroi qartë lidhjen arbitrare mes një fjale dhe kuptimit të saj. Dëshmi për këtë është ekzistenca e gjuhëve të ndryshme, ku i njëjti koncept ka emërtime krejt të dalluara. Por, nëse do të kishte arbitraritet të plotë, në atë masë sa folësit t’u jepnin gjërave emrin sipas qejfeve, motiveve personale, do të ndodhte një kaos në gjuhë dhe nuk do të mund të kishte konsensus e as komunikim mes folësve

Emërtimet arbitrare

Deri në fillim të shekullit XX ka pasur shkolla natyraliste të cilat kanë përkrahur mundësinë e lidhjes natyrore mes formës dhe kuptimit, me mendimin se fjalët imitojnë cilësi të caktuara të veprimtarisë. Mbështetësit e natyralizmit pretendonin se ka bashkëlidhje dhe përshtatje të brendshme mes tingujve konstituivë dhe kuptimit (simbolizmi tingullor), bazuar te një numër relativisht i vogël fjalësh. Megjithatë, shumica e fjalëve kanë përbërje tingullore të palidhur natyrshëm me kuptimin, janë produkt konvencionesh. Për shembull lind pyetja: A ka ndonjë shpjegim të arsyeshëm pse koncepti fustan shprehet me etiketimin vokal fonemor: f+u+s+t+a+n? Në fakt, s’ka kurrfarë motivi. I njëjti koncept mund të emërtohet në mënyra të ndryshme, madje krejt të dallueshme. Për shembull shqip: dashuri anglisht: love, gjermanisht liebe, spanjisht: amor e të tjera – që do të thotë se zgjedhja e emërtimit është arbitrare.

Si të motivueshme me të drejtë në një masë konceptohen onomatopetë, që janë imitime të një prototipi të caktuar ose i tingujve të zakonshëm. Por, pasthirrmat e onomatopetë janë të kufizuara në përdorim, nuk janë element organik, qenësor i një sistemi gjuhësor. Linguisti Andre Martine, thekson se motivimi onomatopeik shoqërohet nga një humbje e nyjëtimit të dyfishtë: “aiee”, që del nga nyjëtimi i dytë, zëvendëson sintagmën e nyjëtuar dyfish: më dhemb. Megjithatë, onomatopeja e dhembjes nuk është e njëjtë: në frëngjishte (aie...), në danishte (au...) dhe në shqipe (of...). E kjo, sipas Martinesë, ndodh për shkak se motivimi këtu u shtrohet njëfarë dore gjedheve fonologjike, që s’ka dyshim që ndryshojnë sipas gjuhëve. Kjo na çon në përfundimin se edhe pasthirrmat nuk janë krejtësisht të motivueshme, por gjysmëkonvencionale, të kushtëzuara nga sistemi fonetik i gjuhëve.

Shoqëria, përcaktuese e kuptimit

Themeluesi i strukturalizmit, metodë sipas së cilës, të gjitha elementet e kulturës duhet të kuptohen si sistem dhe strukturat janë në themel të të gjitha gjërave që njerëzit bëjnë, mendojnë, perceptojnë dhe ndiejnë, është Ferdinand de Saussaure – përfaqësuesi më në zë i gjuhësisë moderne, i cili me “Kursin e gjuhësisë së përgjithshme”, të botuar më 1916 nga studentët e tij, i ka hapur rrugë qasjes deskriptiviste – studimit shkencor të gjuhës.

Edhe Përshtatja e gjuhës me situatën Shtojca për Kulturë Përshtatja e gjuhës me situatën

Gjuha, e definuar si sistem shenjash, e ka përvijuar dhe zgjeruar dimensionin studimor të semiotikës, e cila merret me studimin e krejt shenjave në gjirin e shoqërisë, duke përbërë njërin nga sistemet më aktive të saj. Shenjat mund të kenë formë fjalësh, imazhesh, figurash, lëvizjesh, veprimesh e të tjera, si mekanizma për të shprehur kuptime, shkurt, çdo gjë e perceptueshme që na sjell ndërmend një gjë tjetër. Fillimisht, fjala duhet të ketë kuptim, meqë nëse një shenjë e konceptuar gjuhësore nuk ka ndonjë domethënie, atëherë nuk mund të quhet e tillë. Ajo e fiton atë nga pjesëtarët e shoqërisë, të cilët, varësisht nga nevoja, e përdorin atë në një kontekst.

Saussaure ka dhënë modelin më të përhapur (dyanësh) të shenjës gjuhësore që ka shërbyer si mbështetje e rëndësishme teorike e praktike për studimet e mëvonshme.

Image

                                                                             Modeli dyanësh i Saussaureit për shenjën gjuhësore

Shembulli i fjalës “nënë”

Ai e sheh atë si tërësi psikike me dy faqe: shenjues – i shenjuar, me terma të tjerë të sotëm: formë - përmbajtje. Këto elemente janë të lidhura intimisht dhe kërkojnë njëri-tjetrin. Ndër parimet kryesore që ia mvesh shenjës është arbitrariteti i saj. Në këtë kuptim, lidhja që bashkon për shembull fjalën nënë me të shënjuarin: “grua që ka lindur fëmijë” (e kuptime të tjera) është e pamotivueshme. Pra, çka e dallon gjuhën nga sistemet e tjera shenjore është se ato janë të motivueshme për shembull, simboli, ka arsye pse e merr një formë dhe një kuptim, ndërsa fjala jo. Filozofi pragmatist, Charles Sanders Peirce, ka propozuar modelin trianësh, duke e parë si pjesë të shenjës edhe interpretantin (efekti i shenjës kur lexohet dhe kuptohet ajo). Modeli triadik i Peircet është më gjithëpërfshirës dhe jep mundësi interpretimi edhe për shenjat jogjuhësore. Por, linguisti Gunther Kress, formën dhe kuptimin i sheh me lidhshmëri të motivuar, në aspektin që janë shprehje e interesave të individëve, të cilët me ndihmën e këtyre shenjave, realizojnë kuptimet e nevojshme, duke përdorur burimet e mundshme semiotike, të cilat janë të formësuara nga praktikat dhe kultura e anëtarëve të një grupit shoqëror.

Megjithatë, pavarësisht që gjuha nuk është krejtësisht vendim i pamotivueshëm apo e ndryshueshme në mënyrë arbitrare, domethënë marrëdhënia mes fjalës dhe konceptit nuk është e krijuar dhe e ndryshueshme sipas dëshirave të secilit folës, lidhja mes shenjuesit dhe të shenjuarit është arbitrare, e pamotivueshme, sepse shenja në vetvete, nëse nuk lidhet një kontratë shoqërore për ta emërtuar një koncept, nuk ka kuptim ose domethënie të brendshme. S’ka arsye ose motiv bindës, të mirëqenë, të natyrshëm në lidhjen mes një grupi tingujsh me një koncept. I shenjuari (kuptimi) është krejtësisht psikik, imazh mental, i lidhur me një shenjues të caktuar. Saussaure pra, e thekson natyrën psikike të shenjës gjuhësore duke i ikur përkufizimit skematik “një gjë me një emër”, por në termat e tij: “një koncept me një përfytyrim tingullor”. Nuk ka të bëjë me një tingull material, gjë krejt fizike, por përshtypja psikike e këtij tingulli. Fillimisht mbështetemi në kuptimin e fjalëve që i themi ose i dëgjojmë, meqë ato e bartin informacionin, por marrim të dhëna nga konteksti, i cili duhet të përmbajë informata të mjaftueshme për situatën në të cilën zhvillohet biseda, për t’u realizuar komunikimi.

Imponimi i emërtimit

Në këndvështrimin e komunitetit, shenja në një masë imponohet, pasi që jo çdo folës konsultohet për emërtimin e koncepteve dhe fjala nuk mund të zëvendësohet intuitivisht, veç pse dikush ka qejf ta ndërrojë për shembull s’është e mundur që shprehjen për konceptin e tavolinës dikush ta bëjë me një fjalë tjetër *enena (fjalë që s’ekziston) dhe të gjithë ta miratojnë atë. Mënyra e arkivimit të fjalëve, domethënies së tyre nga folësit në leksikun mendor lidhet kryekëput me formën tashmë të konsoliduar para se ai/ajo të vijë në jetë dhe përdorimin në rrethin e tij/saj, siç thotë Barthes, është rezultat i një dresimi kolektiv. Pra, fjala arbitrar kërkon një shpjegim më të detajuar. Ajo nuk duhet të japë idenë apo hamendësimin se shenjuesi varet nga zgjedhja e lirë, e njëanshme dhe e vullnetshme e subjektit folës. Shenjuesi, sipas Saussaureit është i pamotivuar, domethënë arbitrar në raport me të shenjuarin, me të cilin nuk ka lidhje natyrore në realitet.

Shumëkuptimësia: një folje me tridhjetë kuptime

Edhe Kompetenca dhe performanca – gjuha dhe të folurit Shtojca për Kulturë Kompetenca dhe performanca – gjuha dhe të folurit

Një tjetër problem përbën shumëkuptimësia dhe premisat jashtëgjuhësore të fjalës, të ndikuara nga kultura, emocionet. Për shembull folja marr veç në fjalor i ka mbi 30 kuptime (të shenjuar) dhe mund të përdoret në konstruktet: marr dhuratën, marr në telefon, marr veten e të tjera. Do të thotë se fjala, duke pasur ndikim kontekstual, dendësohet kuptimisht, duke implikuar kështu se përbërësit e shenjës janë në raport të lëvizshëm dhe se natyra e shenjës gjuhësore nuk është aspak statike, por shumë fleksibile dhe dinamike. Kështu, te fjalët polisemike, mund të shohim se lidhja mes shënjuesit dhe të shënjuarit nuk është gjithaq e qartë, duke e rritur kështu vështirësinë e një studimi “të hollë”, ekzakt, shterues të procesit të bashkimit të një shënjuesi me një përmbajtje, sepse ky fakt e komplikon lidhjen mes tyre.

Charles Sanders Peirce këtë asimetri të shenjës gjuhësore e shpjegon si mungesë të një lidhjeje të qartë midis kuptimit dhe formës: një formë mund të shprehë shumë kuptime dhe një kuptim mund të shprehet nga shumë forma. Po ashtu, te metaforat, gjegjësisht te kuptimet e figurshme, ku me anë të ngjashmërive mes sendeve, dukurive përdoret i njëjti shënjues, por me disa dallime në përmbajtje. Kjo asimetri e lidhjeve midis formës dhe kuptimit shfaqet te homonimia, sinonimia, polisemia, dykuptimësia potenciale e çdo fjale dhe ndërlikime të tjera semantiko-pragmatike në nivelin sintagmatik dhe ndërlidhet me procesin e ndryshueshmërisë së gjuhës. Megjithatë, struktura asimetrike e shenjës gjuhësore është parakusht themelor për zhvillimin e gjuhës. Në ndryshimin e këtyre raporteve, Saussaure i sheh si faktorë ndikues: masën folëse dhe kohën: “gjuha nuk është e lirë, sepse koha do t’u lejojë forcave shoqërore që veprojnë mbi të, t’i zhvillojnë efektet e tyre. Arrijmë kështu te parimi i vazhdimësisë, i cili e anulon lirinë. Por, vazhdimësia implikon domosdo ndryshimin, zhvendosjen pak a shumë të konsiderueshme të raporteve”. Pra, shenja si pjesë e një fjalie, është shumë më e pasur sesa kuptimi i saj i drejtpërdrejtë, që tregon se përdorimi i gjuhës nuk është thjesht gjuhësor, për ç’arsye, karakteri shoqëror e arbitrar i lidhjes mes shënjuesit dhe të shënjuarit si dhe koha, mund të ndikojnë në modifikimin apo në ndryshimin e këtyre raporteve.