Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit si në nivel qendror e atë lokal, te gjithë jemi dëshmitarë, se në pluralizëm kemi shoqëri të politizuar nga vetë fakti se kemi të bëjmë me koalicione partiake, nga del se koncepti i qeverisjes pluraliste është në shërbim të partitokracisë e jo të qytetarëve
Duke analizuar rrjedhat shoqërore në periudhën e pluralizmit në Mal të Zi, del qartë se kemi të bëjmë me defekte funksionale të cilat janë trashëguar nga koha e monizmit. Është pikërisht psikologjia e kohës së shkuar moniste e cila është ngulitur thellë në qenien e individëve të cilët e kanë të pamundur të eliminojnë qasjen e tillë edhe tash në sistemin shumëpartiak. Madje te shumë individë ende është i pranishëm koncepti i autoritarizmit duke mbetur vesi më negativ i trashëguar nga koha e monizmit.
Autoritarizmi – kulti i individit
Nga një qasje e tillë kemi organizimin autoritar të subjekteve politike, duke krijuar kultin e individit, ku anëtarësia e tyre nuk mund të moderohet me konceptin e zgjedhjes dhe të ndërrimit të udhëheqësit në mënyrë demokratike. Një dukuri e tillë është pothuajse identike në tërë hapësirën e vendeve të ish-kampit socialist, ku as shqiptarët nuk janë përjashtim.
Demokracia e meritokracia
Derisa demokracia paraqet bazën e parimeve të rregullimit të qeverisjes, meritokracia paraqet sistemin e vlerave të individëve me kompetentë në aspektin profesional, të cilët zgjidhen në pozitat përkatëse, por me gjithë rastet e veçanta një dukuri e tillë ende mbetet dëshirë apo iluzion sesa realitet.
Demokracia dhe meritokracia paraqesin një binom shoqëror, që është dëshmi e mirëkuptimit të ndërsjellë. Por, sa do të funksionojë një raport i tillë shoqëror është çështje për diskutim, sepse janë në kolizion të vazhdueshëm, ku meritokracia paraqet cilësinë (kuadrot e dëshmuara), ndërsa demokracia sasinë (elektorati votues), përkatësisht qeverisjen e shumicës.
Nuk ka dilemë se kuadrot e dëshmuara në profesion, përveç se dëshmojnë veten ata prezantojnë edhe subjektin politik, nga del se kemi të bëjmë me përfitime të dyfishta. Por, në aspektin e funksionimit të qeverisjes, demokracia pa meritokraci ka rrezik që të bëhet mjet manipulimi, sidomos për elektoratin votues, ndërsa nga ana tjetër, meritokracia rrezikohet nga elitizmi, nëse nuk ka kontroll dhe përgjegjësi në sektorët në qeverisje.
Pakica – pasqyra e shumicës
Në ato mjedise ku pakicat kombëtare janë të pranishme dhe përbëjnë shumicën apo pjesë të konsiderueshme të popullsisë së vendeve përkatëse ekzistojnë modele të mbrojtjes ligjore dhe institucionale të tyre. Ndonëse çështjet e tilla janë rregulluar me kushtetutë dhe ligje përkatëse, problemi ka qëndruar te respektimi praktik i akteve të tilla, nga del se pakicat nuk kanë qenë të kënaqura me pozitën dhe statusin e tyre. Një qëndrim i tillë dëshmon në mënyrë transparente se nuk ka qenë lehtë për të qenë pjesëtar i pakicës në një shoqëri autoritare, sepse nuk thuhet kot se pakica është pasqyra e shumicës.
Parulla e “vëllazërim-bashkimit”
Pakicat kombëtare në kohën e monizmit në Mal të Zi nuk kishin ndonjë trajtim të veçantë legjislativ sipas standardeve ndërkombëtare, por, trajtoheshin përmes konceptit të përgjithshëm qytetar, pa pasur subjektet e tyre. Ishte kjo koha e parullës së “vëllazërim-bashkimit” ku çdo gjë projektohej në zyrat e komiteteve duke përcaktuar edhe të drejtat e pakicave. Madje, përcaktoheshin edhe individët si më të përshtatshëm dhe të pranueshëm për pushtetin në mjedisin përkatës. Ndërsa varësisht prej rrethanave shoqërore edhe kërkesat më elementare nga pjesëtarë të pakicave vlerësoheshin si kërkesa nacionaliste. Në këtë aspekt shqiptarët në Mal të Zi kanë pasur përvojë të hidhur, sidomos pas vitit 1981, sepse këtu kishte marrë hov fushata antishqiptare e dirigjuar nga pushteti duke luftuar gjoja nacionalizmin shqiptar, duke pasur pasoja deri në ditët tona.
Përfaqësimi e prezantimi
Çështje të veçantë paraqet përfaqësimi me kuadro në qeverisje lokale e qendrore, sepse në shumë raste nuk kanë qenë të qëlluar. Sepse në pozita të ndryshme nuk mjafton vetëm përfaqësimi formal por peshë të veçantë ka prezantimi. Në lidhje me këtë çështje pa nënçmuar kuadrot e mbështetësit partiakë, përparësi duhet dhënë kuadrove të dëshmuara në profesionin e tyre. Vetëm në këtë formë do të dëshmohej respektimi i vlerave si kudo në botën demokratike. Në këtë aspekt shqiptarët kanë mundësi të mësojnë nga të tjerët e jo duke qenë peng i koncepteve autokratike e militantëve partiakë.
Në Mal të Zi, 59 parti politike aktive
Edhe këtu si në regjion, formimi i partive politike ka marrë përmasa të mëdha sepse përmes tyre individët e klanet e ndryshme kanë përfitime jo vetëm materiale. Pikërisht nga ky aspekt në Mal të Zi janë formuar një numër i madh i partive politike, që është i veçantë duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend.
Sipas të dhënave nga Drejtoria për regjistrimin e organizatave joqeveritare (OJQ) dhe partive politike, në fillim të korrikut, në Mal të Zi janë aktive 59 parti politike, ndërsa 39 janë shlyer nga evidenca. Në Kuvendin shtetëror përfaqësuesit i kanë 16 parti politike. Në këtë numër bëjnë pjesë edhe këto parti politike që përfaqësojnë shqiptarët: Alternativa Shqiptare, LDSH, FORCA, UDSH, Partia Demokratike, LDMZ dhe UNSH.
Nga ana tjetër nëse krahasojmë të dhënat nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, del se Mali i Zi me 59 parti politike ka më së shumti parti për banorë, ku në çdo 11.000 banorë vjen një parti politike. Në Kroaci janë të regjistruara 157 parti, Serbi 120, Bosnjë-Hercegovinë 96, Slloveni 87, Maqedoni të Veriut 63 dhe në Kosovë 50.
Mali i Zi me më shumë ministri sesa Gjermania
Pikërisht, nga një numër kaq i lartë i partive politike ka ndikuar që kryeministri të bëjë ndryshime në qeveri, më 23 korrik 2024, që ishte jashtë çdo parashikimi. Kemi të bëjmë me riorganizimin e qeverisë ku pas partive proserbe iu bashkëngjit edhe ajo boshnjake që ndikoi në rritjen e ministrive (25) dhe të zëvendëskryeministrave (7), dhe një ministër pa portofol, duke qenë rast i panjohur në nivel evropian në kohën e pluralizmit. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ka qenë i imponuar për të kënaqur shumicën parlamentare e jo duke u bazuar në kritere profesionale por kryesisht të interesit të individëve dhe të partive politike.
Një veprim i tillë qeveritar, është bërë objekt komentimesh të ndryshme, ku Mali i Zi si vend me popullsi të vogël po veçohet me kabinet më të madh se disa vende evropiane. Kështu Gjermania ka 15 ministri, Franca 15, Britania e Madhe 21, Norvegjia 15, Finlanda 12. Duke paraqitur këtë krahasim del qartë, se për këtë përbërje në Mal të Zi, nuk janë marrë parasysh kriteret profesionale, por ato të interesit politik, për të kënaqur tërësisht shumicën parlamentare e cila kësaj herë ka arritur të jetë 2/3 e Parlamentit, si asnjëherë deri më tash.
Partitë – grupe të interesit
Në saje të rrethanave shoqërore e në veçanti ato ekonomike në kohën e pluralizmit partitë politike në Mal të Zi janë profilizuar si subjekte të grupeve të interesit të individëve dhe klaneve të ndryshme. Vetëm atëherë kur u jepet mundësia të jenë pjesë e pushtetit partitë përkatësisht individët në udhëheqje dëshmojnë karakterin e tyre. Janë pikërisht pozitat e ofruara apo të kërkuara për të qenë pjesë e strukturave të qeverisjes që janë parësore për të dëshmuar parimet demokratike. Po, nga një situatë e tillë dalin në pah interesat personale apo të klaneve të ndryshme. Dhe nga situata e tillë jo rrallë brenda subjekteve politike krijohen grupime përkatësisht fraksione, që më pas janë bazë për formimin e partive të reja, nga del se pluralizmin demokratik e ka zëvendësuar partitokracia.
Gusht, 2025