Mjaftojnë pak ditë në jugun e Shqipërisë për qindra rrëfime e kontraste midis natyrës së egër që ende mbijeton, dorës së njeriut mbi natyrën dhe në xhepin e turistëve, sikurse edhe mungesën e dorës së shtetit. Peizazhet e zbulimi i thesareve të vendit, shkojnë përkrah me manovrat e taksistëve. “Ksamili është mbretëria e abuzimit”, thotë një ciceron dhe ka shembuj për këtë
“Hi!”, është përshëndetja e parë që bën kamerieri thatanik në breg të Jonit në Ksamil. Pasi i kërkohet në shqip që të sjellë menynë, ia kthen pak në gjuhën amtare. Por kur vjen për të marrë porosinë nis ndryshe: “Are you ready?” (A jeni gati?) Kur përgjigjja i kthehet prapë në shqip thotë se janë bërë si robotë shkaku i vizitorëve të huaj. Pasi kalohen disa ditë në këtë pjesë të rivierës shqiptare, merret vesh se deri diku kanë të drejtë me përshëndetjet në anglisht. Por pak edhe e kanë të ekzagjeruar me njëfarë prepotencë sa për të treguar se kinse në atë zonë dominojnë të huajt. Anglishtja dominon si përshëndetje, por kultura e përgjithshme e ofrimit të shërbimeve është larg zonave ku shërbehet me anglishte.
Në plazhin poshtë hapësirës ku shërbehet ushqimi goxha shpejt, nuk shkohet. Muzika është me volum të lartë dhe ato që në Shqipëri janë shezllongë, ngjiten me njëra-tjetrën. Në fotografitë nëpërmjet të cilave promovohet hapësira më jugore e Shqipërisë mbretëron plazhi te “Tre ishujt”. E për të ecur deri aty duhen nja 7-8 minuta. Në mesditë, me gjithë atë diell nuk është e lehtë të vëzhgohet se si është e rregulluar qyteza. Por shihet se në vitet e fundit infrastruktura ka avancuar.

Shumë rrëfime te “Tre ishujt”
Në hyrje të plazhit te “Tre ishujt”, pret në djalë i cili bën me dije se shfrytëzimi i shezllongut kushton 40 euro. Kur shkon pasdite, ka zbritje. Të njëjtin çmim mbajnë edhe ato të plazhit më në veri. Dy privatët i ndan një hapësirë e vogël që është plazh publik dhe s’ke ku e vë këmbën në të. Në qershorin e 2019-s plazhi më i reklamuar i Ksamilit për një shezllong mbante çmimin 10 euro ose duhej shpenzuar 20 euro në restorantin e atyshëm. Tash – 40 euro shezllongu ose 80 euro shpenzim në restorant. Ombrellat janë të renditura ngjitur njëra-tjetrës dhe pushuesit të shtrirë sikurse sardelet në konservë. Është e pashmangshme të bisedosh pa të dëgjuar të tjerët. Për pasojë edhe uji nuk është aq i pastër. Për të komunikuar e të mos shqetësosh të tjerët, duhet të nxjerrësh telefonin. Aty menjëherë merr vesh se “krisi stupci” pak më tej plazheve në Ksamil. Rrahje me bishta ombrellash nga dy pronarë biznesesh është titulli që shpërndahet me shpejtësi. Pasi gjurmon edhe pak online merr vesh se një rrahje e tillë po atë ditë ndodhi në Durrës, pastaj rrahje në një bar në Dhërmi e edhe në një tjetër në Palas. Krejt kjo pasi vjen porosia me dy kafe: një normale dhe një nga ato të ftohtat ku të dyja bashkë dalin të jenë 9.50 euro. Ai plazh boshatiset herët. Duket sikur ka dy lloje klientësh: disa që s’duan t’ia dinë për pushime, por kanë hallin e një fotoje me “Check-in” te “Tre ishujt” dhe të tjerët që thjesht s’mund ta durojnë më atë ambient ku paguan shumë dhe s’merr as çerekun e asaj që nxjerr nga kuleta.
Dalja nga “Tokë e xanun”
Në mbrëmje vlon gjithçka. Recepsionistja e hotelit është shumë e sjellshme. Ia ka marrë dorën kujdesit ndaj klientëve. Bashkë me dy prindërit e mbajnë këtë biznes. Vajza me qerpikë të zgjatur jep rekomandime për plazhet e bukura, për çmimet, taksitë e çka jo tjetër. Duket sikur e ka marrë vesh se kësi marketingu është më i besueshmi. Do që klientët e saj t’ia lavdërojnë nikoqirllëkun. Restorantet në breg të detit kanë çmime Rome e Parisi. Jo të periferisë së metropoleve. Të qendrave. Por jo edhe shërbim të tillë. Kurse ato më në brendësi të qytezës janë më të varfra në ambient por me kuzhinë fantastike e çmime të arsyeshme. Aty shijon gjithçka. Por ecja nëpër rrugët e këtij gadishulli është sikurse të lëvizësh nëpër mina. Në krahasim me periudhën para nja pesë vjetësh shteti ka vënë pak dorë në rrugën kryesore, pastaj në disa rrugica e edhe ka ndërtuar pak pedonale që janë të qasshme edhe për makina.

Në njërën anë ka kioskë e tryeza pazari, në tjetrën parkohen makina dhe këmbësorët ngelin në mes bashkë me veturat që qarkullojnë pandërprerë. Duhet pasur edhe një palë sy prapa për të qenë i sigurt dhe për të gjarpëruar nëpër makina që s’u pushon buria. Në rrugët dytësore as që bëhet fjalë për trotuare. Edhe ku janë, abuzohen me të madhe. Turistët ngelen në një kaos të vërtetë. Ndërtimet kanë çuar krye gjithandej. Është njëfarë, siç thotë kryeministri Rama “Toke e xanun” ku gjithsecili ka ndërtuar ku e si ka dashur për të “kapë ndoj lekë”. Rama në muajin e fundit pasi ka fituar mandatin e katërt ka nisur atë që i thotë “reformë e territorit”. Me stil autokrati e në nuanca gangsteri ka vizituar Vlorën, Fierin e Durrësin. U ka kërkuar drejtorëve që deri pasdite të japin dorëheqje gjoja për kaosin që kanë lejuar dhe ka postuar disa tarraca biznesesh duke u rrënuar. Në kushtet normale dhe në vendet ku përgjegjësia është para ligjit, ata drejtorë shkarkohen, përgjigjen para gjykatës, gjobiten ose dënohen dhe ndërtimet pa leje rrënohen. Por Qeveria shqiptare vepron me fjalë: njëri flet, të tjerët i dorëzojnë dorëheqjet. Ashtu del t’i ketë punët edhe bregdeti. Shumica e bizneseve s’duket që ofrojnë shërbime por sikur grabisin. Kanë grabitur tokën për ndërtim, në këtë rast në gadishullin që u popullua gjatë monizmit. Pastaj kanë grabitur ndonjë leje e tash spekulojnë me çmimet. Është e drejtë të thuhet se përse shkon aty ku është shtrenjtë? Por kjo është veç një pyetje taktike për të dominuar një muhabet tavoline. S’ka gjë strategjike në të. Një turist evropian viziton Shqipërinë për plazhet e pakonsumuara, çmimet pak më të lira e për atë “mikpritjen” për të cilën njihen shqiptarët. Të paktën në Ksamil në shumicën e rasteve s’e gjen asnjërën prej tyre. Këto ditë e përditshmja italiane “Corriere della Sera” shkruante se sipas agjencive të pushimeve, sivjet interesimi për Shqipëri është veç një e treta e numrit të viteve të kaluara dhe kjo krejt shkaku i ngritjes së çmimeve.
“Kthehuni e investoni në Theth” u thoshte kryeministri shqiptar banorëve të veriut në fushatë elektorale. Së fundmi mjetet e rënda rrënuan gjithçka që gjoja ishte pa leje. E realisht aty pa leje është secila pamje ku gjenden dy gurë të gdhendur mbi njëri-tjetrin. Reklama e mjeteve të rënda në rrënim e sipër të ndërtesave është fasadë. Turistët aty panë katrahurën e rrënimit të objektit ku kishin fjetur në natën paraprake e zvarritjen e pronarëve nga policia. Bashkë me pamjen e rrahjeve me “hunj” në Ksamil e Durrës janë një binom që Shqipërisë s’i bën mirë.
Kontrasti te “Plazhi i pasqyrave”
Dita e dytë e vizitës në këtë pjesë të rivierës, nis me një vizitë tek ai që njihet si “Plazhi i pasqyrave”. Qe zgjedhur edhe si një prej vendeve me ujin më të kaltër e më të pastër. Qeveria shqiptare ku fotografi i një ministri paguhet më shumë sesa drejtori i një alamet institucioni kombëtar – si për shembull “Marubi” në Shkodër – e ka në qejf “Facebook-Qeverisjen”. Propaganda aty bën namin bashkë me “mëditjet” jo të vogla për udhëpërshkrues që lavdërojnë jugun e veriun. Dhe, ka çfarë të lavdërohet: është natyra. Për të shkuar tek ajo që në të folurën lokale i thonë “Te pasqyrat” rekomandohet një taksi pasi makinat e ulëta zor t’ia dalin. Floriani nga Berati që punon si taksi në Ksamil ta mpinë gjakun posa shkel gazin. Në udhëkryqin e parë për një fije floku sa nuk godet një makinë. Parkimi i një tjetre në vend që nuk lejohet ka zënë pamjen. Ai që vjen i jep makinës si i çmendur, megjithëse ka gruan dhe foshnjën në mjet. Floriani mësyn të dalë, frenon ashpër, “Benzi” i devijon dhe epilogu është fatlum.

“Ku vete ore me këtë shpejtësi?”, thotë pronari i “Benzit” që verifikon nëse i është prekur makina.
“Edhe ti ishe plumb pushke...”, ia kthen Floriani. “Ik ore...” dhe mbaron muhabeti. Për të shkuar “Te pasqyrat” një pjesë e rrugës është e tmerrshme. Arsyetohet pasi thuhet se bëhet fjalë për plazh të egër. Por poshtë te plazhi, e egra është industrializuar. Uji nuk e ka kthjelltësinë e fotografive dhe s’ke ku e vë këmbën megjithëse shezllongët janë të vendosur pak më rrallë. Prej aty nëpërmjet detit kalohet te “Shpella e pëllumbave”. Me të njëjtin emër gjendet edhe një tjetër në fshatrat më veriore. Aty ka më pak njerëz. Me një ecje të shkurtër kalohet te një gjiri me një shpellë të vogël. Uji njëmend është i kristaltë. Një çift italian në moshë pak para pensionit dhe një familje po ashtu e huaj, kanë zënë vend aty. Qetësi absolute. Hapësirë me hije e pamje panoramike. Pas pak kohësh ngelesh krejtësisht vetëm në atë hapësirë dhe ke qetësinë botës për pushim, lexim, meditim e çka të duash. Perëndimi i diellit është tejet panoramik. Por duhet kthyer prapa me Florianin. Pasi ecet ngul përpjetë arrihet te makina. Rrugën e egër Floriani e kalon deri diku mirë. Posa hyn në rrugën e asfaltuar shtyp pedalin e gazit për të bërë një tejkalim në vijë të plotë e kthesë të fortë. Vjen makina tjetër përballë. Floriani i jep edhe më dhe mundohet t’ia lëshojë rrugën. I rrëshqet pak makina dhe krejt kjo për të është një buzëqeshje me krekosje kinse se është i shkathët. Brenda në Ksamil e lënë nervat prapa një makine të marrë me qira nga një çift i huaj. Ata respektojnë rregullat dhe u japin përparësi këmbësorëve. Florianit nuk i pritet pasi klientët e tjerë e presin më në jug të gadishullit. Pasi s’ndalet me buri nxjerr kokën jashtë makinës dhe bërtet disa herë: “Ec ore...”. Nga dritarja e një makine që vjen përballë një i ri nxjerr kokën për solidarizim: “Është mësuar me rregulla evropiane ai”. Taksisti ynë rrëfen se është njeri familjar. Me pretekstin se e ka shok të djalit frikëson një fëmijë duke mos e lënë të kalojë në rrugë, e pastaj ndalon dhe e përshëndet. Kam përshtypjen se Denita (partnerja) nganjëherë nuk merr frymë nga të bëmat e taksisë. I thotë atij disa herë ngadalë se nuk jemi gjë për ngutë.
“Më presin të tjerët në plazhin e ‘Arameras’”, është arsyetimi i Florianit. Në mbrëmje nis kaosi ku këmbësorë e makina ecin bashkë. Ndërtesat janë nga më të ndryshmet. Alamet hotelesh luksoze e ngjitur me ato, shkretihane. Ngjan me një vend ku sikur i është thënë një grupi njerëzish: zaptoni e ndërtoni.

Butrinti dhe kthimi në kohë
Në jug të Ksamilit është njëri prej lokaliteteve arkeologjike me namin më të madh në Shqipëri: Butrinti që është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Pak minuta me makinë dhe je aty.
“Ku ngele ore?”, na drejtohet një person në mexomoshë posa lëmë makinën nën hije. Dhe me habi i drejtohem duke e përshëndetur pasi të shkon mendja se mos të njeh nga diku.
“Eja të të bëj një xhiro me barke deri te Kalaja që Ali Pashai i bëri dhuratë Vasiliqisë”, thotë ai. Tonin e ka në stil urdhëror. Para nesh në Park Kombëtar futet një grup gjermanësh. Me bileta që kushtojnë 10 euro për person mund të vizitosh portin antik që sipas arkeologëve daton në shekullin VIII para erës sonë. Guidat lokale thonë se në sezon janë rreth 1500 vizitorë në ditë. Sipas të dhënave qeveritare veç prej janarit deri në fund të majit sivjet janë regjistruar mbi 67 mijë vizita. Butrinti doli në pah me të madhe në kohën e Mbretit Zog. Në dekadën midis vitit 1928-1939 misioni italian i udhëhequr nga Luigi Maria Ugolini bëri zbulimet më të mëdha. Në shekullin IV para erës sonë qyteti u rrethua me mure. Prej kullës venedikase e deri te Muzeu janë 15 pika arkeologjike shumë domethënëse. Ecet nën hije të vegjetacionit në shumicën e kohës. Muzikë bëjnë gjinkallat. Teatri antik, banja romake, bazilika e madhe, pagëzimorja, akropoli e pjesët tjera janë vërtetë pasuri e madhe. U vizitua nga shumë personalitet të botës. Përfshirë Nikita Khruschev, i cili ishte sekretar i parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ose prijësi i botës socialiste. Në pranverën e vitit 1959 autoritetet shqiptare do të spërkasnin krejt hapësirën me një preparat të veçantë në mënyrë që “miku i madh e Shqipërisë socialiste” të mos rrezikohej nga gjarpërinjtë. Thuhet se po në jug ai do të tallej pak me diktatorin shqiptar duke e këshilluar që ato pjesë të mbillen me agrume, sepse drithërat Shqipërisë do t’i silleshin nga Bashkimi Sovjetik. Madje, shpesh citohet se Khruschev ka thënë se aq sa shpenzon grurë Shqipëria, në Bashkimin Sovjetik hanë minjtë në hambarë.
Butrinti është një hambar i madh i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Në një qëndrim dyorësh aty mësohet shumë për historinë e asaj ane në periudha të ndryshme. Mozaiku që është sensacion dhe gjendet në ballë të fletushkës promovuese nuk është i hapur. S’është gjetur ende mënyrë për ta mbajtur të hapur gjithnjë. Ka mënyra të ndryshme që aplikohen edhe në Ballkan, madje në vende me klimë kontinentale, por në Shqipëri ende nuk i bien në fije.
“Ndoshta menaxhmenti i ri bën ndryshime", thotë guida kombëtare A.T. Lokaliteti frymon varfër. Rojat që gjenden gjithandej mbajnë uniforma të vendeve të shkreta. Bash sikurse ato uniformat e varfra policore që i përshkruan Bekim Fehmiu në librin autobiografik “Shkëlqim dhe tmerr” për vizitën e tij në Shqipërinë socialiste në pranverën e vitit 1972. Rojtarët ose të shikojnë sikurse u ke borxh ose ulen në një karrige vizitorësh. Në një rast njëri i ulur i vendos këmbët mbi një shtyllë të shtrirë horizontalisht përballë karriges dhe qëndron në telefon. Pamje tejet e trishtueshme në sy të turistëve.
Për dy orë haset veç në një çift shqiptarësh që kanë një vajzë rreth moshës së maturës.
“Shqiptarët nuk investojnë në kulturë, duan vetëm t’u blejnë fëmijëve sufllaqe. U dhimbsen paratë për kulturë”, thotë guida A.T. Burri flet anglisht e italisht. U bën nikoqirllëk vizitorëve nga e gjithë bota. Thotë se numri i vizitorëve në nivel vendi nuk është në rritje. Sipas tij, trendi tregon se shpejt do të ketë shumë më pak vizitorë.

“Ata duan siguri mbi të gjitha në trafikun rrugor. Duan cilësi në shërbim e edhe sjellje të mirë. Këtu shumë rrallë i gjejnë këto”, thotë A.T. Ka pakënaqësi shumë të madhe me krejt shërbimet që ofrohen. Thotë se ato çfarë i tregon, të gjitha i ka përshtypje nga turistët.
“Taksitë shumica janë kamikazë këtu. Turisti do siguri”, thotë ai. Shpejt shton se në Shqipëri nuk vlerësohet vetëm jeta. “Vetëm jeta është e lirë këtu”, ngulmon ai. Sipas tij rrezikimi i jetës është si asgjë. Sa u përket çmimeve që ofrohen, akuzon shtetin që s’vë dorë.
“Ksamili është mbretëria e abuzimit”, thotë A.T., ciceron që ka prejardhje nga fshatrat e Sarandës, por është rritur në Shkodër pasi në socializëm prindërit ia transferuan atje me punë. E pengon shumë plaçkitja që u bëhet turistëve. Duket sikur në Shqipëri bizneset familjare, bujtinat, restorantet, janë pikat më të përgjegjshme. Aty merr atë që paguan. Reklama e madhe e Qeverisë dhe mediave e ka bërë të vetën. Po, turistë ka përplot. Por a janë të kënaqur dhe a do të ktheheshin më, është pyetja e madhe. S’ka investime strategjike në ndërtimin e një kulture shërbimi. Ka veç veprime taktike për t’ia zbrazur xhepat pushuesit. Hakmarrja e kësaj sjelljeje do të jetë fatkeqe në bindjen e A.T që numëron mbi një dekadë me turistët.
Natyra e paprekur dhe dora e shtetit
Një çift gjerman bashkë me fëmijën e tyre kanë zgjedhur që dy javë të pushimeve verore t'i kalojnë nëpër Shqipëri. Nga Hanoveri ia kanë mësyrë Tiranës, pastaj Beratit dhe në ditën 8-të të turit janë në Butrint. Gruaja ia thotë më shumë muhabetit. Kurse bashkëshorti është tipik gjerman me çehre serioze e fjalëpak.
“Trafiku rrugor është çmenduri”, thotë ai kur pyetet për përshtypjet e tij në këtë pjesë të Evropës. Për të siguria e familjes është e para. Ky muhabet bëhet pak para ikjes në një prej plazheve më në jug në Ksamilit.
Bëhet fjalë për një resort me plazh të egër. Ndërhyrjet aty janë deri diku në harmoni me natyrën. Është bërë lehtë për të shkuar por egërsia e natyrës mbijeton. Shazllongu në atë vend është 25 euro për vizitorët që s’janë pushues në kompleks. Uji është në më të kaltrën e mundshme, peshqit lëvizin nëpër këmbët e pushuesve e ndonjë fëmijë ia arrin edhe ta kapë. Pastërtia është në nivel dhe hapësira midis shezllongëve s’është keq. Aty vizitori merr atë që paguan në të gjitha kuptimet.
Shqiptarët krenohen shumë me shumë vizitorë të huaj. Por sikur ua duan vetëm paratë. Në një rast, një familje nga Shqipëria që me fëmijët e vegjël flasin vetëm në anglisht e çifti mes vete në shqip, del në pah urrejtja. Me kryq gjigant prej ari në qafë e edhe me peshqirë prej alamet firmave ata në komunikimin mes tri vajzave me ngjyrë në shezllongun fqinj u referohen si “gabelet”. Treshja që komunikon në frëngjisht hap dy shampanja në plazh dhe bën shpenzime enorme gjatë gjithë ditës. Por për disa vendorë janë thjesht të racës tjetër.
Nga Ksamili s’do shumë rrugë për të shkuar të Kalaja e Lëkurësit në një prej kodrinave të Sarandës. Por kilometrat e fundit zgjaten fort. Rruga është sikur të shkosh te ndonjë kooperativë e braktisur prej kohësh. Njëra anë asfalt i vjetruar e tjetra e gërryer dhe e lënë keq. Vendparkimet janë të tmerrshme dhe pa pikë ndriçimi. Në kthim duhet ecur me drita telefonash për të gjetur makinat. Gjithçka ngjan me një vend të braktisur. Në hyrje të Kalasë gjenden tre persona të një kompanie sigurimesh. Tregojnë se hyrja atë natë është pesë euro për person pasi ka koncert. S’ka opsion për ata që s’duan ta ndjekin koncertin. Këtu bëhet plaçkitja e radhës pasi në prag të perëndimit të diellit fluksi është i madh. Dikush thotë se do të këndojë Artiola Toska. Në biletë s’ka të dhëna. Por prej orës 20:00 deri në 22:00, kjo këngëtare nuk është parë. E muzika që bëjnë disa veta aty nuk zgjon kurrfarë interesi te turistët. Madje nuk i shkon për shtati hapësirës. Mbetjet e Kalasë Mesjetare nuk ofrojnë asgjë pos një restoranti me tri nivele ku shërbehet ushqim dhe bëhen fotografi me pamje panoramike. Aty s’ka dorë të shtetit.
Në kthim, sikurse në shkuarje pamjet panoramike të zonës së Gjirokastrës e Tepelenës janë tejet të bukura. Rruga në atë pjesë po ashtu është rregulluar shumë mirë. Por për shumëkënd shenjat e trafikut s’kanë vlerë. Tejkalimi në vijë të plotë dhe stopi i Policisë nuk thonë gjë për një “Benz” prej atyre të mëdhenjve. Për nja 30 kilometra rrugë pas tij, nuk është parë dora e shtetit për dy shkeljet e rënda. Me shpejtësi nja 15 kilometra në orë më shumë, Policia na këshillon që të lëvizim pak më ngadalë dhe nuk na shqipton gjobë. Edhe në kufi kalohet pa kontroll. Por sjelljet agresive me vizitorë duket se Shqipëria i ka hall të madh. Zor t’i kalojë.