Botimi i dytë i serisë së teksteve të përkthyera, “Bulëzat - Artistët si shkrimtarë” ka qenë shkak për takimin e “Art House” nga Shkodra me artdashësit në Prishtinë. Përmes botimit të përuruar të premten në “Project Space 17” vihet në pah shndërrimi i rolit të artistit në kritik, poet, shkrimtar, historian apo teoricien
Botimi i “Art House” ka ardhur si bulëz me shumë potencial, si fakt se ndikimi i së mençurës nuk varet nga përmasat. Hapësira e “Project Space 17” në Prishtinë përpos promovimit të botimit të serisë së teksteve të përkthyera, ndër të tjera ka sjellë biseda të rreth shtëpisë së kthyer në qendër artistike të Zef Pacit, aktivitetet e saj e artin në përgjithësi. “Bulëzat…” është tërësi e libërthave me ese të autorëve që synojnë të përçojnë mendim bashkëkohor dhe diskutim teorik në fushën e artit e filozofisë.
Botimi i dytë i serisë së teksteve të përkthyera “Bulëzat - Artistët si shkrimtarë” ka qenë shkak për takimin e “Art House” nga Shkodra me artdashësit në Prishtinë.
Zef Paci, themelues i “Art House” dhe ideatori i botimit, Lek Gjeloshi, kanë zbërthyer konceptin dhe qëllimin që ngërthen lansimi i “Bulëzave”.
Si ide kishte lindur për të pasuruar qendrën e artit “Art House” me botime mbi fushën e artit, sociologjisë, kulturës, antropologjisë, zakoneve, marrëdhënieve mes spektatorit dhe krijuesit të veprës dhe aftësive që njeriu ka të lindur dhe asaj që mëson. Në fakt, shkak kishte qenë pandemia COVID-19 kur gjithçka ishte në situatë izolimi dhe distancimi social, e inspirim mungesa e librave. Kishin kaluar muaj në karantinë dhe disa nga anëtarët e “Art House” me banim në Itali, i kishte zënë pandemia në Shqipëri. Për lexuesit, libri konsiderohet si shoku më i afërt, gjë e cila atyre u kishte munguar, të paktën në formë fizike. Këtë mungesë të tyre e kishin lidhur me qasjen e paktë në gjuhën shqipe të shkrimeve analitike, eseve e kritikave të autorëve të huaj.
“Neve na pëlqenin të ngacmoheshim me disa tekste, jo shumë të gjata, por që provokonin një diskutim. Këto tekste i kishim lexuar e stërlexuar, por gjithmonë kanë qenë në italisht. Thamë a i përkthejmë se dikush nuk flet italisht, filluam dhe ja”, ka thënë ideatori i botimit, Lek Gjeloshaj, derisa është shprehur se ky është një nga projektet më interesante të “Art House”.
Janë dhjetë libërtha të koleksionuar në petkun e një kopertine, si copëza pikëpamjesh pasqyruese. Për to është punuar përgjatë dy vjetëve të fundit, e të cilat i ka përkthyer Jola Llogori, që ka studiuar Historinë e Artit në Toulouse të Francës. Botimi i parë i serisë së përkthimeve është promovuar në shtator të 2020-s dhe përmban 14 kolana. Ai përmban ese analitike mbi aspekte të ndryshme të kulturës dhe të artit bashkëkohor, si nga kinematografia, fotografia apo format e tjera të arteve vizuale. Ka pasur shtatë përkthyes: Zef, Melisa e Adrian Paci, Ester Celami, Tea Çuni, Lek Gjeloshi, dhe Iliaz Shehu. Ndërsa te botimi i dytë, ndryshimi është se ka një përkthyes të vetëm. Është quajtur “Bulëzat…”, pasi janë të përmasave më të vogla, por me shumë potencial përbrenda.
“E kemi quajtur ‘Bulëzat’, sepse unë shoh kuptimin e diçkaje të vogël dhe për faktin se ato i kthejmë më vonë sikur një lule që bulëzon, por që brenda ka një potencial shumë të fortë. Këtu janë zgjedhur tekste të shkurtra, por që brenda ngërthejnë brenda forcë të madhe”, ka thënë përfaqësuesi i “Art House”, Zef Paci, derisa ka vlerësuar se vetë kontributi i “Art House” është një bulëz.
Së pari është siguruar leja nga shtëpitë botuese dhe autorët e teksteve. Ishte menduar që gegërishtja si dialekt i folur në qytetin e Shkodrës, të mbizotëronte në dy botimet, pasi sipas tyre është më pak i sprovuar në tekste, e për të cilat analiza, dialektika artistike e ajo filozofike ka nevojë. Por kishte nisur në gjuhë standard pasi synohej që libri të përhapet sa më shumë që ishte e mundur.
“Nga secila bulëz te tjetra, le të jetë edhe kjo shtresë e kalimit të regjistrit gjuhësor, por jo vetëm gjuhësor se a po flas në standarde apo në dialekt, por së pari se kush po shkruan, cili është backgroundi i atij që shkruan, çfarë marrëdhënie ka ai me shkrimin”, ka thënë Lek Gjeloshaj, i cili është edhe njëri nga përkthyesit e botimit të parë të “Bulëzat…”.
Përmes botimit vihet në pah shndërrimi i rolit të artistit në kritik, poet, shkrimtar, historian apo teoricien.
“Bulëzat veçojnë fjalët e Ana Prvackit dhe Irina Artistarkhovas mbi etikën e mikpritjes, bisedën midis Carolyn Çristov-Bakargiev-it dhe artistit vietnamez Dinh Q. Le, hulumtimet e Claire Pentecost mbi ndërlidhjet konfliktuale të natyrës dhe ekonomisë, përshkrimin e kolektivit Critical Art Ensemble mbi rreziqet e retorikave të argumentimit…”, thuhet ndër të tjera në përshkrimin e përkthyeses Jola Llogori për librin. Konkretisht, temat që përmban variojnë nga ekologjia, feminizmi, historia, shtypjet e padrejta, bashkëjetesat mes mënyrave të ndryshme të të menduarit e të tjera.
Fillimisht materiali i përkthyer është përdorur në shkollat verore të cilat i ka organizuar qendra “Art House”. Kjo e fundit është konceptuar si pikëtakim ku grumbullohen përvojat jetësore njerëzore dhe si vend që synon të jetë një qendër ku familja hapet me komunitetin duke i dhënë rëndësi marrëdhënies miqësore ndërmjet pjesëmarrësve. Ajo është shtëpi, të cilën Zef Paci me familjen e tij e kanë kthyer në qendër arti. Së fundi, në muajin maj ka organizuar festivalin “Ekrani i Artë”, i inspiruar nga festivali i filmit në Itali “Lo sçermo dell’arte”, ku filmat pjesëmarrës kanë artistët si tematikë apo veprimtarinë e tyre.