Shtojca për Kulturë

“Brian Marsella Trio” – bendi i bendeve eklektike

“Brian Marsella Trio” më 3 maj 2023, në teatrin “Oda” në Prishtinë në hapjen e “Prishtina Jazz Festival”

Koncertet e këtij bendi karakterizohen nga aranzhime të ndërlikuara, aftësi të nivelit të lartë në improvizim, njohuri të thellë të harmonisë dhe kontrapunkti, ndërveprimi dinamik në grup kamertal dhe një ndjenjë e thellë e eksplorimit muzikor. Muzika e këtij grupi e kundërshton fuqishëm kategorizimin stilistik, kështu që një koncert me këtë trio është gjithnjë i “papritshëm” stilistikisht dhe ofron një varietet të rrallë të stileve dhe një përvojë shumë të veçantë dëgjimore. Një përvojë të tillë e pati publiku kosovar në natën e parë të “Prishtina Jazz Festival”

Hyrje dhe prapavija e grupit

Jazz-skena e Kosovës ka mirëpritur shumë artistë të ndryshëm nga e gjithë bota në të gjitha edicionet e kaluara të festivaleve të ndryshme, por edhe në mënyrë të pavarur me organizime të tjera. Si estetikë, jazz-muzika në Kosovë është zhvilluar kryesisht pas viteve ’80, por elemente të saj ka pasur edhe më herët. Publiku kosovar ka pasur rastin të dëgjojë koncerte të llojeve të ndryshme ku këtë herë me rikthimin e “Prishtina Jazz Festival” pati mundësinë të njoftohet me muzikën dhe ekipin e “Brian Marsella Trio”.

“Brian Marsella Trio” është një jazz-trio e drejtuar nga Brian Marsella që është një prej pianistëve/kompozitorëve dhe figurave të rëndësishme në jazz bashkëkohor me aktivitet të gjerë performues dhe prodhues.

Si trio, muzika e tyre ka qasje inovative në zhvillimin e materialit muzikor, duke kombinuar zhanre të ndryshme brenda platformës së jazzit me një qasje post-moderne që mund të quhet dhe poli-stilistike.

“Brian Marsella Trio” përbëhet nga Marsella në piano, basisti Trevor Dunn dhe bateristi Kenny Wollesen.

Grupi ka realizuar disa albume dhe shumë performanca duke përfshirë dhe albumin “Intersection of Dissections”, pjesë të të cilit u performuan në koncertin e mbajtur në Prishtinë. Koncertet e tyre karakterizohen nga aranzhime të ndërlikuara, aftësi të nivelit të lartë në improvizim, njohuri të thellë të harmonisë dhe kontrapunkti, ndërveprim dinamik në grup kamertal dhe një ndjenjë e thellë e eksplorimit muzikor.

Muzika e këtij grupi e kundërshton fuqishëm kategorizimin stilistik, kështu që një koncert me këtë trio është gjithnjë i “papritshëm” stilistikisht dhe ofron një varietet të rrallë të stileve dhe një përvojë shumë të veçantë dëgjimore. Një përvojë të tillë e pati publiku kosovar në natën e parë të “Prishtina Jazz Festival”.

Bendi i bendeve

“Prishtina Jazz Festival” u rikthye me një koncert mjaft specifik dhe interesant. “Brian Marsella Trio” është bend i bendeve.

Në këtë grup secili anëtar ka një pedigre specifike dhe sjell në grup këtë përvojë. Brian Marsella vjen nga një seri e grupeve të fokusuara kryesisht jazz bashkëkohor me influenca të ndryshme, duke përfshirë grupet “Imaginarium”, “The Modulators”, “Gatos do sul”, “The Flail”, “Archipelago X” e të tjerë. Ai ka incizuar mbi 61 albume, 31 prej sosh si lider i grupit dhe rreth 30 si sideman.

Trevor Dunn ka një prapavijë të shumëfishtë të grupeve eklektike me grupe shumë të njohura të zhanreve metal, funk, alternative, grunge dhe eksperimental, duke përfshirë grupet si “Mr. Bungle” bendin legjendar që shpiku zhanrin grunge “Melvins”, projektin e famshëm eksperimental/kinematografik “Fantomas”, “The Nels Cline Singers”, “Tomahawk” dhe shumë projekte të tjera eksperimentale me mbi 98 incizime. Në anën tjetër, bateristi dhe perkusionisti Kenny Vollesen ka një seri të bashkëpunimeve me figura të ndryshme të jazzit, por edhe zhanreve e artistëve më të njohur, si Tom Waits, me të cilët ka incizuar një mori të albumeve dhe ka koncertuar, duke përfshirë Tom Waits, Sean Lennon, Ron Sexsmith, Bill Frisell, Norah Jones, John Lurie, Myra Melford, Steven Bernstein dhe John Zorn. Është anëtar themelues i “New Klezmer Trio” dhe anëtar “Sex Mob” e “Himalayas”, në total me të gjitha mbi 130 incizime.

Mund të quhet edhe si lloj “power group”, siç quhen zakonisht ekipet artistike sidomos muzikore që kanë anëtarë që veçse janë shumë të njohur edhe në grupe e skena të tjera muzikore.

Pavarësisht këtij kombinimi, në koncert u prezantua albumi “Intersection of Dissections”, që është kryesisht me kompozime nga Brian Marsellas.

Si album ai qëndron në vazhdën e albumeve serioze të jazzit post-modern me një dozë të fortë të eksperimentimit eklektik. Ky stil apo kjo lloj ”platforme” u ngjason tendencave të ngjashme që i ka shkolla e John Zornit, pjesë e së cilës janë vetë Brian Marsella dhe me raste edhe anëtarët e tjerë të “Brian Marsella Trio”.

Si ekip më të madh mund të konsiderohet që publiku i Kosovës pati rastin ta dëgjojë këtë grup muzikor me një stil shumë specifik post-modern që është zhvilluar në New York që nga vitet ’80, pjesa e dytë e dekadës, deri më sot.

Sot ky ekip i John Zornit përfshin shumë bashkëpunëtorë dhe natyrisht shumë projekte siç njihet ai për punë mjaft prolifike dhe me koncerte të shumta të natyrave të ndryshme.

Brian Marsella, pianist, është bashkëpunëtor më i shpeshtë i John Zornit dhe si i tillë në koncert përçonte në improvizimet e tij këtë qasje muzikore.

“Tzadik” që është label/platforma e John Zornit, e citon Brian Marsella si një muzicient të nivelit të lartë me thënien: “Brian Marsella më në fund po njihet si një nga pianistët më të talentuar dhe më me imagjinatë të brezit të tij. Një veteran i grupeve të panumërta, duke përfshirë ‘Banquet of the Spirits’ dhe shumë projekte me John Zorn…”

Ai njihet po ashtu si kontribuues në edukim me mësime të rregullta në New York New School.

Pjesët që u performuan – albumi “Intersection of Dissections”

Koncerti paraqiti për publikun kosovar material muzikor nga albumi “Intersection of Dissections”, që është incizuar më 2019. Albumi përmban 8 këngë: “Light At The Beginning Of The Tunnel”, “Pessimism Is For Suckers”

“Facebook Stalker Meets Craigslist Girl (A Modern Lovestory)”, “Intersection of Dissections”, “All IS”, “Explaining Extreme Topography”

“The Host And The Parasite” dhe “Last Night's Remains”

“Brian Marsella Trio” e mbajti publikun kosovar “në therra” për 1 orë e 15-20 minuta me një koncert me relativisht pak pjesë muzikore. Ndryshe nga koncertet e tjera, ky në Prishtinë u organizua me një setlist të shkurtër me pak pjesë muzikore, rreth 6 të interpretuara.

Pavarësisht sasisë, secila pjesë e interpretuar ishte shumë më e gjatë se zakonisht për koncerte më “tipike” dhe la mjaft hapësirë që për secilën pjesë, secili prej instrumentistëve ta ketë mundësinë e paraqitjes së aftësive kreative.

Improvizimet ishin shumë të larmishme me një frymë eklektike të lartpërmendur, ku publiku mund të dëgjonte prej melodive dhe temave minimaliste, folklorike të trashëgimisë hebraike, temave të njohura të muzikës klasike, groove dhe funk bashkëkohor, muzikë e zhurmës dhe eksperimenteve tingullore, muzikës repetitive, muzikës së filmit dhe shumë elemente të tjera që ngërtheheshin, e dërgonin publikun në një rrugëtim shumë energjik, në një tour me energji të pandalshme plot harmoni komplekse, koordinim fantastik dhe interpretim kreativ.

Veprat kanë tematika të ndryshme sociale me një dozë të humorit në album dhe ato që u performuan ishin kryesisht nga pjesa e parë e albumit dhe si të tilla i ofruan publikut një koncert shumë të denjë artistik. Koncert shumë i qëlluar për të rihapur dhe për të vazhduar trashëgiminë e muzikës jazz në Kosovë nëpërmjet “Prishtina Jazz Festival”.

Prof. assist. dr. Liburn Jupolli është kompozitor, pianist, profesor i kompozimit dhe inovacionit muzikor në UBT