Shtojca për Kulturë

Beteja serbo-bullgare për përvetësimin e kosovarit Gramatik

Pamje e manastirit të “Shën Mërisë së Karadakut” në fillim të shekullit XX

Pamje e manastirit të “Shën Mërisë së Karadakut” në fillim të shekullit XX

Realiteti që nuk mund të fshihet rreth shkrimeve të novobërdaliut Gramatik, është se përveç që është autor i dëshmuar dhe njohës i mirë i dogmatikës mesjetare ortodokse, për kohën e tij ai njëherësh ishte ndër krijuesit më të kërkuar nga qarqet me ndikim dhe që me veprën e tij duhej t’ia ndërpriste rrugën përparimit të doktrinës fetare katolike, por edhe rritjes së numrit të ithtarëve të katolicizmit

Njëra prej figurave kyçe që me veprimtarinë e tij krijuese u veçua në atë kohë ishte kosovari Vlladisllav Gramatik, i lindur rreth vitit 1420 në Novobërdë. Është e vërtetë se kur kërkohet përkatësia e tij kombëtare, nuk mund të gjenden informacione të plota, por më irrituese janë pretendimet e autorëve bullgarë dhe serbë, që nuk pushuan kurrë rreth përvetësimit të këtij autori.  

“Karakteri i shkrimeve të tij dhe e tërë vepra letrare dëshmojnë se autori është bullgar. Mendimet e disa studiuesve se Gramatik me kombësi është serb, janë rrjedhojë e qëndrimit të tyre se kinse Novobërda atëbotë ishte qendër mesjetare serbe”, janë shprehur studiuesit bullgarë, që njëherësh janë edhe njohës të mirë të veprës së kosovarit Gramatik.

Vlladisllav Gramatik në shërbim të kantakuzinëve

Ndërsa realiteti që nuk mund të fshihet rreth shkrimeve të novobërdaliut Gramatik, është se përveç që është autor i dëshmuar dhe njohës i mirë i dogmatikës mesjetare ortodokse, për kohën e tij ai njëherësh ishte ndër krijuesit më të kërkuar nga qarqet me ndikim dhe që me veprën e tij duhej t’ia ndërpriste rrugën përparimit të doktrinës fetare katolike, por edhe rritjes së numrit të ithtarëve të katolicizmit. Kështu pas kthimit nga Dubrovniku në gjysmën e shekullit XV, Vladisllav Gramatik nisi veprimtarinë e tij me porosi të Dhimtër Kantakuzinin, por nuk kaloi shumë kohë kur veprimtaria e tij u zhvendos në viset lindore shqiptare, më saktësisht në trekëndëshin e Karadakut të Kumanovës, Preshevës dhe të Gjilanit. Krijimtaria e apo fushata antikatolike e këtij kosovari, njëherësh është edhe udhërrëfim për lëvizjet, që ai i bëri, duke filluar nga Novobërda drejt viseve lindore.

“Sulltani ia mbërrini kundër Skënderbeut...”

Vlen të theksohet se në një kronikë të shkurtër, Gramatik ka shkruar edhe për luftërat e Skënderbeut. 
“Sulltani ia mbërrini kundër Skënderbeut dhe në vitin 6965 (1448) e futi nën kontroll qytetin e Stefigradit. Të shtunën më 9 maj të vitin 7024 (1466) në tokën e Dibrës, kundër Skënderbeut ia mbërrini sulltan Mehmedi. Në këtë luftë u vranë dhe u zunë rob shumë luftëtarë”,  ka shkruar ai. Megjithatë duhet theksuar se në këtë periudhë, veprimtaria dhe shkrimet e tij ende nuk inkorporoheshin në karakterin polemik të antikatolicizmit. Në vijim, në përmbledhjen e teksteve të vitit 1456 jepen të dhëna se Gramatik tashmë kishte kaluar nga qendra e Novobërdës dhe ishte vendosur, siç shkruhet në defterët osmanë, “N’goriç’ që ndodhet njëmbëdhjetë kilometra larg Kumanovës, në anën e djathtë të lumit të Pçinjës, për t’u kthyer më vonë në zonat e sipërpërmendura. “Jam duke shkruar në një shtëpi të huaj”, ka shkruar vetë Gramatik. Mirëpo, pas vitit 1456 atij i humb çdo gjurmë për trembëdhjetë vjet rresht dhe vetëm në vitin 1469, duke shkruar përmbledhjen e dytë të teksteve për Dhimtër Kantakuzinin, ai dëshmon se është vendosur në Manastirin e “Shën Mërisë së Karadakut të Kumanovës”.

Veprimtaria e Gramatikut rrëzë të Karadakut të Kumanovës

Kur në gjysmën e dytë të shekullit XIX, arkeologu i njohur britanik Arthur Evans (1851-1941) vizitoi viset e Kumanovës, ai qëndroi edhe në  Manastirin  e “Shën Mërisë së Karadakut” ku midis tjerash në murin verior të manastirit kishte hasur një mbishkrim ku figuronte emri i perandorit bizantin Isakut (1185-1195). Duke u mbështetur në këtë mbishkrim, Evansi datoi themelimin e manastirit, që duhej të përputhej me shekullin XI. Fatkeqësisht më vonë, asnjëri nga studiuesit, që u morën me këtë zonë nuk arriti të gjente mbishkrimin e sipërpërmendur. Ndërsa të dhënat për fillimet e sundimit osman, por edhe ngjarjet rreth Manastirit të “Shën Mërisë së Karadakut” kryesisht lidhen me veprimtarinë letrare të kosovarit, Vladisllav Gramatik, më saktësisht me gjysmën e dytë të shekullit XV. Në zonën ku ndodhet manastiri është e njohur “Rruga e Mbretit” që nga Shkupi çon në fshatin Tavor, por me të njëjtin emër quhet edhe rruga që nga Kumanova çon deri te manastiri dhe prej andej vazhdon drejt Anamoravës. Ndërsa vetë manastiri gjendet rreth 22 kilometra në jugperëndim të qytetit të Kumanovës. 

Autorët bullgarë, por edhe serbë, fatin e Manastirit të “Shën Mërisë së Karadakut” e lidhin me Mara Brankoviqin, duke u shprehur se pas ardhjes së saj në oborrin e sulltanit, vetë Sulltan Murati II u tregua “falënderues” jo vetëm për shkak të saj, por edhe për shkak të paqësimit dhe të nënshtrimit të serbëve. Në shenjë mirënjohjeje, sulltani ia lë në dorë Marës të gjitha kishat e krahinës së Kumanovës, të Luginës së Preshevës si dhe të krahinave të Bullgarisë së sotme Perëndimore. Ndërsa, sipas dëshmive të Igumenit të Manastirit të Rilës, që po ashtu ishte nën përkujdesjen e saj, vetë sulltanesha Mara siç titullohej ajo, jetonte na fshatin Ezhevë (Serres). 

Mirëpo a ishte i përfshirë kosovari Gramatik nën financimin dhe përkrahjen e Mara Brankoviqit apo të Dhimitër Kantakuzinit, këtë e ka bërë të njohur vetë ai. 

“Le të shpëtohet ai që ka dhe ai, që është lutur që të falet. Ky libër (përmbledhje – S. L.) është shkruar për zotërime Dhimitër Kantakuzin, nga i qujaturi tah-dhjaku Vladisllav, në Manastirin e madhërishëm të ‘Zojës së Bekuar’ që ndodhet në rrëzë të Karadakut, në kohët e sulltanit, mysliman emirit Mehmed beut, përgjatë vitit të tetëmbëdhjetë të sundimit të tij, vitit 6977, prej krijimit të kësaj bote. Rrethi i Diellit ishte 5, ndërsa i hënës 4, indikti i 2”, ka shkruar Gramatik në përmbledhjen e vitit 1476. Megjithatë, veprimtaria letrare e këtij autori nuk shihej kryekëput e kthyer në favor të pushtetit osman. Sipas medivestit bullgar, Hristo Matanov, edhe pse “marrëdhëniet midis Krishterimit dhe Islamit në Sanxhakun e Qystendilit u zhvilluan të pandikuara nga faktorët e ‘jashtëm’ pra të ndikimit të dyluftimit mes Perandorisë Osmane dhe botës së krishterë”, krijimtaria e Vladisllav Gramatikut duhet parë si veprimtari “efektive” dhe konkurruese kundrejt shkollave dhe institucioneve fetare myslimane në qytetet e mëdha të këtij sanxhaku”.  


Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë