Shtojca për Kulturë

Beteja e Kosovës me rroba mesjetare, nacionalizëm e urrejtje

Tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit të Obiliqit fotografuar më 1909 (Foto: Gabriel Louis-Jaray)

Tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit të Obiliqit fotografuar më 1909 (Foto: Gabriel Louis-Jaray)

Sivjet, në përvjetorin e 636-të të Betejës së Kosovës, sikur pothuajse çdo vit, disa qindra serbë të mbledhur nga Serbia dhe Bosnja, erdhën në Kosovë për ta kujtuar Betejën e Kosovës dhe veçanërisht Shën Llazarin, nën frymën e trashëgimisë gjenocidale të lënë pas nga Sllobodan Millosheviqi. Për të shkuar deri te pirgu i Gazimestanit, i ndërtuar në vitin 1953 kur Kosova ishte nën diktaturën e liderit jugosllav Tito, ata kalojnë kontrolle të rrepta të policisë së Republikës së Kosovës. Bota merr mësim sesa gjatë mund të mbijetojë një verbëri kolektive, nëse ajo mbështillet mirë e mirë me rroba fetare mesjetare dhe me këngë nacionaliste plot urrejtje e racizëm

Në dhjetor të vitit 1660, guvernatori i Bosnjës, Meleq Ahmed Pasha, u nis nga Banja Lluka për në Sofje, ku do ta merrte detyrën e guvernatorit të gjithë Rumelisë. Mes shoqëruesve të tij, ishte edhe një Dervish Mehmed Zilli, që në historinë e letërsisë turke do të njihej me emrin Evlija Çelebiu. Duke shkuar rrugës nga Vushtrria për në Prishtinë, ata u ndalën në periferi të qytetit, te një fshat ku i pari dhe i vetmi sulltan osman i vrarë në një betejë, Murati I Khani (1326 – 1389) e kishte varrin. Por kur u afrua te tyrbja e Sulltan Muratit, Meleq Pasha u neverit dhe u nevrikos pasi që pelerina e tij iu ndot nga jashtëqitjet që e kishin mbuluar tokën përreth. Siç rrëfen Çelebiu, te vepra e tij “Libri i udhëtimeve”, fshatarët e zonave përreth e kishin bërë zakon që rrugës për në Prishtinë a Vushtrri, të ndaleshin dhe të kryenin nevojat e tyre te varri i mbretit. Meleq Pasha i urdhëroi fshatarët ta pastronin oborrin e tyrbes dhe ta qarkonin atë me një mur të lartë, teksa caktoi një familje që do të kujdesej për tyrben duke u shpaguar për këtë me një page nga vojvoda i Zveçanit. Por çfarë kishte ndodhur aty dhe për çfarë do të kujdesej familja Tyrbedari?

Gati tre shekuj para se Meleq Pasha të kalonte andej, paraardhësit e tij, osmanët myslimanë, e kishin zhvilluar një betejë për t’i hapur rrugë depërtimit të tyre drejt gadishullit të Europës Juglindore. Konkretisht, në një ditë vere të vitit 1389, një ushtri osmanësh e komanduar nga Sulltan Murati I u ndesh në Fushën e Kosovës me një ushtri të përbërë nga trupa serbe, shqiptare, boshnjake dhe hungareze, e cila komandohej nga princi serb Llazar Hrebeljanoviq. Bashkë me ushtrinë osmane ishin edhe trupat e dy zotërve serbë, Marko Kraljeviq dhe Konstantin Dejanoviq. Ky i fundit e kishte pasuar në detyrë vëllain e tij Jovan Dejanoviq i cili ishte vrarë më 1371 në Betejën e Maricës, ku osmanët i kishin mposhtur serbët. Në kampin tjetër, në krah të Llazarit ishte edhe fisniku serb Vuk Brankoviq, duka boshnjak Vllatko Vukoviq Kosaça që i komandonte trupat e Mbretit të Bosnjës, Stefan Tvërko I si dhe fisnikët arbër Gjergji II Strazimir Balsha dhe Dhimitër Jonima. Një vit më parë, më 1388, Gjergji II Balsha bashkë me Mbretin Tvërtko e kishin mposhtur ushtrinë osmane të Llalla Shahinit në Betejën e Trebinjës. Kjo kishte qenë realisht e para betejë e këtyre prijësve e fituar ndaj osmanëve që prej kur ata ia kishin mësyrë territoreve europiane.

Mes këtyre dhe të tjera betejave që osmanët i zhvilluan në rrugën e gjatë të pushtimeve të tyre drejt Perëndimit, Beteja e Kosovës nuk ishte as më e madhja dhe as më e rëndësishmja. Por ajo do të bëhej absolutisht më e famshmja dhe për një mori arsyesh kulturore, politike dhe fetare do të prodhonte histori për shekuj të tërë pas e deri sot.

Shndërrimi në një betejë kurrë të përfunduar

Burimet bashkëkohore nuk kanë regjistruar detaje të betejës, por në përgjithësi kuptohet që Beteja e Kosovës u fitua nga osmanët, jo gjithaq në rrafshin ushtarak se sa në atë politik. Me shumë gjasë, kjo betejë do të harrohej mes shumë të tjerash gjatë historisë, sikur të mos kishte qëlluar që gjatë luftimeve të vritej edhe Sulltan Murati I edhe Princ Llazari. Vrasja e të dy prijësve të Betejës së Kosovës, krijoi kushte që ajo të kthehej në një betejë kurrë të përfunduar, falë elegjive, epeve, tregimeve të ndërlidhura me religjionin, legjendave folklorike dhe miteve politike nacionaliste që do të thureshin ndër shekuj.

Osmanët do ta vajtonin Sulltan Muratin I, të parin dhe të vetmin sulltan osman të vrarë në një betejë. Kronistët osmanë të hershëm, sikur Ahmedi, Shukrullahu, Enveri, Oruçi e ndonjë tjetër, i mbushën veprat e tyre me mallkime për Milloshin, të pafeun që e vrau Sulltan Muradin I. Sipas Enverit, që në vitin 1464 e hartoi në vargje të rimuara një vepër të titulluar “Libri i Vezirit” kushtuar Vezirit të Madh, Mahmut Pashës, princ Milloshi kishte qenë dikur rob i sulltanit, para se të arratisej dhe të kthehej sërish në të krishterë. Kur osmanët i mposhtën dhe i shpërndanë të krishterët në Fushën e Kosovës, Enveri shkruan duke vargëzuar që Milloshi iu afrua Sulltan Muratit me kërkesën që t’ia puthte dorën dhe ta pranonte konvertimin e tij në mysliman. Por sipas Enverit, që kur po shkruante kishin kaluar më shumë se 70 vjet nga ngjarjet që po i rrëfente, Milloshi kishte fshehur një thikë një hanxhar në rroba, me të cilin e qëlloi sulltanin e hipur mbi kali dhe e vrau, para se të copëtohej edhe ai vetë nga ushtarët osmanë. Kështu, Murati Khani I, sulltani që dy dekada më parë e kishte pushtuar Adrianopojën, ra i vdekur në Fushë të Kosovës. Organet e tij të brendshme u varrosën aty në një varr mauzole, kurse eshtrat e tij u varrosën në Bursa, ku janë edhe sot në një tjetër mauzole.

Tyrbja e flamurtarit të Sulltan Muratit I (1961)

“Fati” hyjnor për serbët dhe mitizimi

Në anën tjetër, serbët do ta qanin por edhe shenjtëronin Princ Llazarin apo Shën Llazarin, që pak para betejës, mes dy mundësive që ia ofroi një engjëll, para fitores në betejë dhe një mbretërie tokësore, ai zgjodhi një mbretëri qiellore për serbët dhe kështu një fat hyjnor për ta. Llazar Hrebeljanoviqi u varros në Kishën e Shpëtimtarit të Shenjtë në Prishtinë, por dy vjet më pas, patriarku serb Danillo III (1350 – 1400), i zhvarrosi eshtrat e tij dhe i dërgoi në Manastirin e Ravanicës. Atje, ai shkroi edhe një vepër të titulluar “Tregime për Knjaz Llazarin”, përmes së cilës u hodhën themelet e rrëfimeve mitizuese dhe religjioze për Llazarin dhe Betejën e Kosovës (1389), shoqëruar nga madhërimi i Milloshit, si njeriu që arriti ta vriste sulltanin.

Kjo vepër u pasua dhe me të u përforcua tregimi për Llazarin, nga një tjetër tekst, “Elegji për Knjaz Llazarin”, shkruar nga murgesha Jefimija apo Jelena Mërnjavçeviq e cila kishte jetuar në oborrin e Llazarit. Pas Betejës së Kosovës, ajo u zhvendos bashkë me princeshën Milica Hrebeljanoviq në manastirin e Ljubostinjës. Por një shtresë shumë e fortë e shenjtërimit të Llazarit dhe mitizimit të Betejës së Kosovës, erdhi në shprehje në shekullin e XIX, me veprën e Pjetrit II Petroviq Njegoshit, “Kurora e maleve”, botuar më 1847.

Hisja e shqiptarëve dhe këngë heroike për Millosh Kopiliqin

Në anën tjetër, shqiptarët u kujdesën për hisen e tyre nga kjo betejë duke i kënduar heroizmit të Millosh Kopiliqit, vrasësit të Sulltan Muratit I. Të paktën 22 këngë për Milloshin janë regjistruar në folklorin shqiptar nga studiuesit Glisha Elezoviq, Margaret Hasluck, Albert Lord, Anton Çetta e folklorist të tjerë. Mes shqiptarësh, që nga Prilepi i Deçanit deri në Malësinë e Sulit sipër Janine si dhe nga Llapi e Drenica deri në Shkodër e Elbasan, janë evidentuar këngë, legjenda dhe rituale për Millosh Kopiliqin. Më 1913, kur ushtria serbe e pushtoi gjithë Kosovën dhe arriti deri në Shqipërinë e mesme, klasicisti dhe etnologu serb Veselin Çajkanoviq dëshmoi në Elbasan disa raste kur banorët e atyshëm krenoheshin se kishin origjinë nga Milloshi mbretvrasës. Kurse, në Ohër, ai i pa disa shqiptarë ortodoksë duke kryer një ritual fetar në shenjë kujtimi për Milloshin. Konsulli serb në Prishtinë, shkrimtari Branisllav Nushiq, mbajti shënime për një legjendë që e dëgjoi për Millosh Kopiliqin nga shqiptarët e fshatit Samadrexhë. Përtej këngëve e legjendave, në kohët moderne, historianë e studiues shqiptarë do të shkruanin punime e artikuj për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës dhe trashëgiminë e saj. Në vitin 2005, Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, e kishte botuar një libër me titull “Beteja e Kosovës 1389”, me përmbledhje studimesh të autorëve Selami Pulaha, Luan Malltezi, Pëllumb Xhufi, Kristo Frashëri, Qemal Haxhihasani, Petrika Thëngjilli dhe Fatos Arapi.

28 qershori si referencë e frikshme për serbët

Por askund nuk pati më shumë ndikim Beteja e Kosovës se sa në historinë moderne të Serbisë dhe serbëve. Data 28 qershor, që pa shumë siguri merret si data e betejës, do të kthehej në një reference të frikshme për serbët. Më 28 qershor 1889, në 500-vjetorin e Betejës së Kosovës, serbët kërkuan që Dita e Vidit, perëndisë pagane të diellit dhe luftës të shpallej festë fetare dhe kombëtare serbe, duke u përfshirë edhe në kalendarin ortodoks serb. Në vitin 1892, 28 qershori figuroi në kalendarin e festave të Kishës Ortodokse Serbe si festë e profetit Amos dhe e Shën Llazarit, pasuar në kllapa si (Vidovdan). 28 qershori i vitit 1913, qe data kur Vidovdani u konsolidua njëkohësisht si festë fetare ortodokse dhe si festë kombëtare serbe. Kjo erdhi pas sukseseve të Mbretërisë së Serbisë në Luftën e Parë Ballkanike, kur ushtria serbe mposhti trupat osmane, teksa pushtoi Kosovën duke vrarë mbi 25 000 shqiptarë. Një vit më pas, më 28 qershor 1914, serbi Gavrilo Princip, anëtar i organizatës nacionaliste “Dora e zezë”, në një akt terrorist, e atentatoi në Sarajevë Franz Ferdinandin, Arkidukën e Austro-Hungarisë. Kjo vrasje e provokoi fillimin e Luftës së Parë Botërore, e cila pasi përfundoi më 1918, solli Konferencën e Paqes në Paris, ku pikërisht më 28 qershor 1919 u nënshkrua Traktati i Paqes në Versajë. Dy vjet më pas, më 28 qershor 1921, u shpall Kushtetua e Vidovdanit që e konsolidoi Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene të dominuar nga Serbia. E drejtuar nga një mbret serb, në Jugosllavisë rojaliste, viti shkollor përfundonte jo rastësisht më 28 qershor. Por edhe në anë tjetër, më 28 qershor 1948, nëpërmjet Kominternës, diktatori sovjetik Jozef Stalini, e dënoi kastën drejtuese jugosllave komuniste me në krye Titon. Kulmi i mitizimit politik të Betejës së Kosovës u arrit 28 qershor 1989, kur në 600-vjetorin e saj, lideri serb Sllobodan Millosheviq e mbajti një fjalim kërcënues me anë të cilit hoqi siparin e dramës së katër luftërave të përgjakshme që e shkatërruan Jugosllavinë me qëllim të ndërtimit të Serbisë së Madhe. Për t’u gjykuar për krimet e kryera gjatë këtyre luftërave, dy muaj pasi ishte arrestuar, Sllobodan Millosheviqi u dorëzua më 28 qershor 2001 në Hagë, në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.

Sivjet, në përvjetorin e 636-të të Betejës së Kosovës, sikur pothuajse çdo vit, disa qindra serbë të mbledhur nga Serbia dhe Bosnja, erdhën në Kosovë për ta kujtuar Betejën e Kosovës dhe veçanërisht Shën Llazarin, nën frymën e trashëgimisë gjenocidale të lënë pas nga Sllobodan Millosheviqi. Për të shkuar deri te pirgu i Gazimestanit, i ndërtuar në vitin 1953 kur Kosova ishte nën diktaturën e liderit jugosllav Tito, ata kalojnë kontrolle të rrepta të policisë së Republikës së Kosovës. Bota merr mësim se sa gjatë mund të mbijetojë një verbëri kolektive, nëse ajo mbështillet mirë e mirë me rroba fetare mesjetare dhe me këngë nacionaliste plot urrejtje e racizëm.

Disa qendra metra larg pirgut të Gazimestanit, secili mund ta vizitojë një muze të thjeshtë të ngritur pranë mauzoleut të Sulltan Muratit I, për të marrë disa informacione për Betejën e Kosovës së vitit 1389. Varri i tij më i vërtetë që i mbanë eshtrat e sulltanit, është në tyrben tjetër të tij në Bursa të Turqisë. Por këtë nuk e dinë vizitorët e zakonshëm të tyrbes në Mazgit dhe nuk do ta dinë as pasi të jetë botuar ky tekst. Në kahun tjetër, disa qindra metra më tutje, rri i patrazuar mauzoleu i flamurmbajtësit të sulltanit, që me sa duket pozita e tij më e ulët, i ka siguruar më shumë paqe se sa personazheve të tjera të betejës. Ndërkaq, disa kilometra më në veri, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, janë zhdukur edhe mbijetojat e fundit të varrit të dikurshëm të Millosh Kopiliqit. Pavarësisht këtyre, edhe më shumë se gjashtë shekuj pas Betejës së Kosovës së vitit 1389, njerëzit e kujtojnë atë, e festojnë, e besojnë, e përfolin apo edhe studiojnë. Ironikisht, vazhdojnë të mbesin tërësisht aktuale fjalët e kronistit bizantin Laonik Halkokondili (1430 – 1470), i cili kur shkroi për Betejën e Kosovës, ndër tjera tha: “Për këtë betejë grekët thonë se ndodhi kështu, por turqit thonë se ndodhi ndryshe […] megjithatë secili le t’i mendojë këto ngjarje simbas qejfit të vet”.

Autori është historian, ligjërues në Universitetin e Prishtinës