Shtojca për Kulturë

Besa Llugiqi me shkëlqimin e Margaritas së “Faustit” në skenën bullgare

Besa Llugiqi me shkëlqimin e Margaritas së “Faustit” në Operën Shtetërore në Stara Zagora të Bullgarisë

Sopranoja e njohur Besa Llugiqi skenës operistike në Bullgari i është rikthyer me rol sfidues, teksa ka debutuar si Margarita në “Faustin” e Charles Gounod, inskenuar në Operën Shtetërore në Stara Zagora të Bullgarisë. “Karakteri i saj reflekton pozitivitet, mirësi, pastërti e dashuri, meqenëse në këtë operë gjithçka sillet rreth saj”, ka thënë Llugiqi të shtunën në një bisedë për KOHËN

Besa Llugiqi s’është e panjohur për publikun bullgar. Ka kohë që është yll atje, por asnjëherë nuk është parë në rolin e Margaritas në operën e famshme “Faust”. Ka debutuar në këtë rol në operën e famshme të Charles Gounod, inskenuar në Operën Shtetërore në Stara Zagora të Bullgarisë. Interpretimin e këtij roli e ka cilësuar si mjaft të vështirë, teksa është shprehur jashtëzakonisht e kënaqur me suksesin e shfaqjes që u dha premierë të enjten mbrëma, reprizuar një natë më pas.

“Fausti” i Goethes është njëra ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë mbarëbotërore. Por, një rëndësi po kaq të madhe e ka edhe opera “Fausti” e Charles Gounod, e cila ka për bazë pikërisht këtë vepër letrare. Është operë në pesë akte me libret të Jules Barbie dhe Michel Carré bazuar në dramën e Carrés, “Fausti dhe Margarita”. Në Stara Zagora, ku Llugiqi interpreton tash e sa vjet, opera vjen nën regjinë e Ognyan Draganovit, me dirigjentin Ivaylo Krinchev.

“Margarita përveçse është e vështirë në interpretim – po flas nga aspekti muzikor – është e vështirë edhe për nga ana dramaturgjike. Mund të them se nuk është aspak e lehtë. Në aspektin muzikor kërkon shumë muzikalitet, frazime, frymë, mbështetje, është muzikë e jashtëzakonshme si për nga përmbajtja, si për nga fjalët. Karakteri i saj reflekton pozitivitet, mirësi, pastërti, dashuri, meqenëse në këtë operë gjithçka sillet rreth saj”, ka thënë Llugiqi të shtunën në një bisedë për KOHËN. Ka shtuar se interpretimi i roleve të tilla të vendos në një tjetër pozicion. Interpretimi i një vepre të tillë, që kërkon shumë punë e përkushtime, ishte sfidë më vete për Llugiqin, e cila interpretoi dy net rresht.

“Provat kanë zgjatur gati katër javë. Kanë qenë dy kaste interpretuesish, meqë dy shfaqjet ishin shumë afër njëra-tjetrës. Për mua ka qenë pak më vështirë, meqë unë isha e vetmja në rolin e Margaritas dhe që merrja pjesë në të dyja kastet. Megjithatë, në të njëjtën kohë kam pasur hapësirë të jem më afër personazhit dhe të punoj sa më shumë në atë drejtim dhe të njihem me kolegët e të dyja kasteve. Sigurisht që ishte një punë e madhe, por që u shpërblye me suksese”, ka thënë Llugiqi.

Image
Në produksionin e tanishëm “Fausti” nuk është realizuar në formën klasike. Nga fotografitë që vetë Llugiqi i ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar në Facebook, vërehet se skena e kësaj shfaqjeje përbehej nga disa elemente futuristike, sa tërheqëse aq edhe të çuditshme për shikuesin

Në produksionin e tanishëm “Fausti” nuk është realizuar në formën klasike. Nga fotografitë që vetë Llugiqi i ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar në Facebook, vërehet se skena e kësaj shfaqjeje përbëhej nga disa elemente futuristike, sa tërheqëse aq edhe të çuditshme për shikuesin. Skena ku po luhej “Fausi” qe e mbushur me ca kukulla të mëdha trajtash të ndryshme herë si djajtë, herë si engjëjt, varësisht prej skenave.

“Për nga stili, skenografia ishte shumë futuriste dhe është trajtuar jashtëzakonisht bukur nga skenografi dhe kostumografi Denis Ivanov. Gjithashtu edhe regjia ka qenë shumë interesante, e menduar ndryshe nga maestro Mihail Draganoc. E veçanta e kësaj është se ata janë inspiruar nga kukullat dhe janë munduar që edhe gjithë personazhet pak a shumë të duken në atë mënyrë, domethënë t’u ngjajnë kukullave. Jashtë teatrit ka qenë e hapur ekspozita me rreth njëqind kukulla të mbledhura nga i gjithë vendi”, ka thënë Llugiqi. Si karakteristikë të kësaj shfaqjeje Llugiqi ka përmendur edhe praninë e trupës së baletit e ka interpretuar nën koreografinë e Anxhelina Todorovas. Përjetim të rrallë e ka konsideruar sopranoja Llugiqi debutimin e saj në këtë rol. Si të rëndësishëm e ka konsideruar edhe bashkëpunimin me emra të njohur të botës operistike, teksa ka numëruar disa prej tyre.

“Kam pasur fatin të punoja me disa prej artistëve më të mëdhenj si Julian Constandinov, emër i njohur në të gjithë botën dhe një bas fantastik. Gabriel Arce nga Argjenita, Marius Bolosh nga Rumania e të tjerë. Premiera ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme. Është përcjellë nga mediat, nga publiku dhe artdashësit jo vetëm të këtij qyteti, por edhe të qyteteve të tjera. Pas çdo interpretimi në bas, arie, duete e të tjera pati shumë duartrokitje e ovacione duke e lënë të kuptohet që publikut i pëlqeu. Ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht e bukur dhe përjetim i rrallë”, ka thënë ajo.

Pas Operës dhe Baletit Kombëtar në Sofje, Opera Shtetërore në Stara Zagora është teatri i dytë i operës në Bullgari i themeluar qysh në vitin 1925. Në të kanë interpretuar një numër i madh artistësh të njohur si Elisaveta Yovovich dhe Katya Spiridonova. Sot është një teatër me një repertor të pasur me opera, operetë, balet, spektakle për fëmijë dhe koncerte simfonike. Për njëqind vjetët e fundit zhvillimi i operës në Stara Zagora është lidhur pa dyshim me emrat e këngëtareve operistike të njohura ndërkombëtarisht e të lindura në Stara Zagora si: Christina Morfova, Dimitar Uzunov, Anna Tomowa-Sintow, Stefka Mineva dhe Vesselina Kasarova.

Image
“Kam pasur fatin të punoja me disa prej artistëve më të mëdhenj si Julian Constandinov, emër i njohur në të gjithë botën dhe një bas fantastik. Gabriel Arce nga Argjentina, Marius Bolosh nga Rumania e të tjerë. Premiera ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme”, ka thënë Llugiqi

Mundësinë dhe ftesat për të interpretuar në këtë teatër Llugiqi – e cila më parë ka interpretuar aty edhe në “La Traviatta”, “La bohème” e të tjera – i ka konsideruar me peshë për karrierën e saj.

“Ky është njëri prej teatrove ku kanë debutuar emra të mëdhenj të botës operistike si Elena Nicolai apo Anita Rachvelishvili, e cila është njëra nga mexosopranot më të famshme për momentin. Jam shumë e nderuar që herë pas here kam ftesë prej një teatri të tillë ku mund t’i debutoj rolet e mia, por në të njëjtën kohë edhe të zhvillohem artistikisht. Publiku tashmë e njeh emrin tim dhe e di që edhe rrugës kur i takoj pak a shumë janë të informuar me performancat që do të jem”, ka thënë ajo.

Në premierën e “Faustit” ka qenë i pranishëm edhe presidenti bullgar, Rume Radev si dhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Bullgari. Praninë e tyre e ka vlerësuar lart Llugiqi, e cila gjithashtu bëri të ditur se presidenti bullgar e kishte mirëpritur bashkëpunimin e saj me Operën Shtetërore të Stara Zagorës

Por, Llugiqi në këtë teatër do të jetë e pranishme edhe një herë këtë vit. Më 23 nëntor së bashku me kuartetin “Sounos Albanicus”, i cili përbëhet nga Abigeila Voshtina – violinë e parë, Visar Kuqi - violinë e dytë, Herida Duro – violë dhe Mario Goralumi – violonçel, Llugiqi do të interpretojë edhe disa nga veprat e muzikës shqiptare.

“Pas këtij koncerti do të kthehem në Tiranë në nder të festave të 28 Nëntorit me Orkestrën Simfonike që do të organizohet nga Ministria e Kulturës atje dhe përsëri së bashku me kuartetin më datën 28. Pastaj kam koncert në Romë. Kthehem edhe një herë në Sofje dhe vitin do ta përfundoj me shfaqjen ‘La traviata’ në Prishtinë, ku unë do të luaj rolin e Violetas. Kam nderin që të jem e pranishme në këtë eveniment, i cili do të jetë historik për Kosovën meqë është produksioni i parë operistik që prej inaugurimit të institucionit të Operës së Kosovës, në tetorin e vitit 2021. Besoj që për të gjithë ne do të jetë një përjetim i rrallë”, ka thënë Llugiqi.

Besa Llugiqi është një ndër sopranot më të suksesshme nga Kosova. Në vitin 2009 ajo mori çmimin e parë në garat ndërkombëtare “Jorgjia Truja” në Shqipëri. Po atë vit ishte finaliste e festivalit të vokalit operistik, “Marie Kraja” dhe prej aty u ftua të jetë pjesë e akademisë milaneze “La Scala”. Në vitin 2013 u shpall fituese e Çmimit të madh në konkursin ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari. Ka interpretuar një sërë rolesh si ai i Donna Elvirës në “Don Giovanni”, Lauretta në “Gianni Schicchi”, Mimi në “La Bohème”, Lucia në “Lucia di Lammermoor”, Violetta në “La Traviata”, Liù në “Turandot” e të tjerë.