Shtojca për Kulturë

Arbanasit e viseve lindore si kategori sociale

Arbanasit

Në shoqëritë mesjetare të Ballkanit, arbanasit si popullsi e vjetër përfshirë edhe ata të viseve lindore, ishin të ndarë në kategori të ndryshme sociale. Pavarësisht faktit se në viset lindore, përfshirë krahinën e Kumanovës dhe të Luginës së sotme të Preshevës, pra duke përjashtuar Shkupin si qendër më të madhe, arbanasit vetvetiu u radhitën në kategorinë e dytë krah për krah me vllehët. Pra, në kategorinë e parë u përfshinë arbanasit si banorë të qyteteve ku të drejtat apo privilegjet e popullsisë arbanase ishin të rregulluara me rregulloret e përgjithshme statutore, me ligjet e statuseve të qytetit

Edhe pse vepra e Vladisllav Gramatik, mbetet kontribut i veçantë në mbrojtjen e vlerave fetare dhe të dogmës fetare ortodokse, megjithatë duhet të theksohet edhe fakti se veprimtaria e tij antikatolike, njëkohësisht përputhej me politikën zyrtare të Argjipeshkvisë së Ohrit. Ndërsa sipas dëshmisë së përfaqësuesit gjerman në Konstatinopojë, Stephan Gerlach (1546-1612) fatkeqësisht gjendja e arbanasëve brenda territoreve të kësaj argjipeshkvie nuk ishte për t’u lakmuar. 

“Më 4 tetor 1576 ia dhurova 10 aspra një prifti arnaut. Spahiu i kishte marrë atij gjithçka që kishte pasur, prandaj ai ishte detyruar të linte gruan dhe dy fëmijët dhe të vinte të jetonte këtu, duke prerë dru (në Konstatinopojë – S. L.) bile ai preu dru edhe për ne. Përndryshe, ai jetonte nën autoritetin e kryepeshkopit të Ohrit”, ka shkruar Gerlach. Po ashtu para se të shkruante për rastin në fjalë ai e ka paraqitur edhe gjendjen në Shqipëri. 

“Në Shqipëri, të gjithë priftërinjtë ishin grekë nga Morea dhe Janina dhe liturgjitë i shërbenin në greqisht... Fshatarët nuk kuptonin asgjë, sepse gjuha e tyre ishte e ashpër dhe e përzier me italishten, greqishten e ndoshta edhe me kroatishten. Predikimet ndonjëherë bëhen edhe në gjuhën shqipe. Shqiptarët i kanë manastiret e tyre, ndërsa grekët, që jetojnë mes shqiptarëve turqizohen për një aspër”. Megjithatë, sipas dëshmisë së gjermanit, rezulton që gjendje më e rëndë në atë kohë mbretëronte në Kosovë dhe në viset përreth, sepse kreu i Patriarkanës së Pejës i gëzonte të gjitha privilegjet e sulltanit. “Më 4 prill 1577 isha në patrikanë (të Konstantinopojës – S. L.), ku i pashë: kryepeshkopin e Ohrit dhe të gjithë Bullgarisë, që ishte një burrë pesëdhjetë vjeç, me veshje të thjeshta murgu, mitropolitin e Rodosit, një burrë dyzetvjeçar, me mjekër të zezë dhe kryepeshkopin e Pejës dhe të gjithë Serbisë, që ishte një burrë dyzet vjeç dhe që ishte një i afërm i gjakut me Sulltan Mehmedin”, ka shkruar ai në ditarin e tij.

Dëshmitë e defterëve dhe kategorizimi i arbanasëve

Duke u fokusuar në territorin ku krijoi dhe veproi kosovari, Vladisllav Gramatik, padyshim se me interes të veçantë janë edhe defterët osmanë, në faqet e të cilëve janë regjistruar fshatra dhe mëhallë me emërtime arbanase. Këto dëshmi janë shtatë vjet më të hershme nga takimi i Stephan Gerlachut me kreun kishtar ortodoks të viseve të Ballkanit. Kështu në vitin 1570 në nahinë e Ilixhës (Nahiye-i Ilıca – e Qystendilit) është regjistruar mezra Llukovë, ndërsa emri i dytë i saj është Arbana. I radhës vjen fshati Arbanas me emërtimin tjetër Leskoci i Poshtëm, i përfshirë në nahinë së Radomirit (në verilindje të Qystendilit) Ndërsa në nahinë e Serishnikut (Nahiye-i Serişnik) apo më saktësisht në vetë qytetin e Serishnikut (në pjesën perëndimore të Bullgarisë, në krahinën e Pernikut të sotëm) është regjistruar Mëhalla Arbanas, në të cilën përveç të tjerëve, si banorë janë regjistruar Danço Prodani, Prodan Stojani, Stojan Prodani; Penço Prodani, Nikollë Nikolini, e të tjerëj. Në nahinë e Shtipit (Nahiye-i Iştip) në fshatin Zlletovë, emri i një mëhalle del paksa më ndryshe dhe ajo emërtohet si Mëhalla e Arvanikut, në të cilën jetojnë 14 familje. Po ashtu në nahinë e Shtipit, fshati Zhiganc e ka edhe emërtimin e dytë –  Arbanash, bile kështu edhe e kanë regjistruar përgjegjësit e përpilimit të defterit përkatës. Arbanashi veçohet prej fshatrave të tjerë, pasi midis dyzetenjë familjeve krishtere, është edhe një myslimane. 

Siç është e njohur, në shoqëritë mesjetare të Ballkanit, arbanasit si popullsi e vjetër përfshirë edhe ata të viseve lindore, ishin të ndarë në kategori të ndryshme sociale. Pavarësisht faktit se në viset lindore, përfshirë krahinën e Kumanovës dhe të Luginës së sotme të Preshevës, pra duke përjashtuar Shkupin si qendër më të madhe, arbanasit vetvetiu u radhitën në kategorinë e dytë krah për krah me vllehët. Pra, në kategorinë e parë u përfshinë arbanasit si banorë të qyteteve ku të drejtat apo privilegjet e popullsisë arbanase ishin të rregulluara me rregulloret e përgjithshme statutore, me ligjet e statuseve të qytetit. Por ndaj kësaj kategorie të popullatës arbanase, nuk kishte kurrfarë diskriminimi në raport me kategorinë tjetër të popullsisë joshqiptare të qyteteve. Të drejtat dhe obligimet e tyre ishin të caktuara konform rendit dhe statusit social, e jo duke u mbështetur në përkatësinë etnike të tyre. Sa u përket viseve lindore, vlen të theksohet se në kategorinë e dytë sociale është përfshirë fshati Arbanas në krahinën e Kumanovës, që është i evidentuar në të dy Aktdhuratat e Arhiljevicës së shekullit XIV, por edhe në defterët osmanë. Mirëpo mbetet akoma për t’u sqaruar se pse edhe sot e kësaj dite kjo zonë e krahinës së Kumanovës quhet Arbanashko, gjë që emërtimi aludon në zonë më të gjerë, duke pretenduar që t’i kalojë kufijtë e ngushtë të një fshati.

Përmbyllje

Mund të themi se me të rënë të qendrës së Novobërdës nën sundimin osman, Vladisllav Grammatik u vu në ballë të propagandës antikatolike. Pra, veprimtaria e tij nisi në këtë qendër, prandaj edhe shtrohet pyetja se pse ndodhi një turrje e tillë antikatolike nga qarqet e ortodoksisë mu në viset lindore shqiptare të Maqedonisë së sotme të Veriut, të Anamoravës por edhe të Luginës së Preshevës. Autorët e ndryshëm, njohës të historisë mesjetare janë të mendimit se kjo fushatë antikatolike ishte orientuar kundër Romës, që përgjatë shekullit XV me çdo kusht përpiqej të shtrinte përfundimisht ndikimin në viset e Ballkanit dhe se përmbledhjet antikatolike të novobërdaliut Gramatik, u shfaqën pak vite para se në Perëndim të iniciohej krijimi i “Unionit të Florentinës”, që në fakt u kurorëzua me Tubimin e Florentinës në vitet 1439-1442, ku morën pjesë fisnikë dhe figura fetare, sikurse perandori bizantin Gjoni VIII Paleologu, patriarku i Konstantinopojës, Josifi, mitropoliti i Efesit, Marko si dhe mitropoliti rus, Isidori. Sipas autorëve të ndryshëm sllavë, me krijimin e këtij unioni i hapet dera pretendimeve të papës së Romës mbi popullsinë ortodokse të Ballkanit, sikurse edhe mundësia e shtrirjes së ndikimit me qëllim që Roma të përzihej në çështjet e kishës ruse. Sipas shumë zërave të sferës ortodokse, marrëveshja mbi unitetin e kishës Lindore dhe Perëndimore nën udhëheqjen e papës, fshihte në vete dhe qëllimin e ekspansionit të katolicizmit. Mirëpo “Marrëveshja e Florentinës” u refuzua veçmas nga popujt sllavë të Ballkanit dhe në veçanti ndikim pati fryma antikatolike, që shfaqej edhe në krijimtarinë e Vladisllav Gramatikut. Por, se autorët e ndryshëm sllavë e teprojnë kur flasin për qëndrimin kundër katolicizmit të masave të besimtarëve ortodoksë, është fakti se megjithatë, pas “Marrëveshjes së Florentinës” një pjesë e kallogjerëve ortodoksë të Ballkanit u ngritën hapur kundër patriarkut të Konstantinpolit, Grigorit dhe kjo u pa  në vitet 1446-1451. Prandaj është e kuptueshme se mosmarrëveshjet midis kishave Perëndimore dhe Lindore më së miri i shfrytëzoi Perandoria Osmane. Mjafton të kujtohet një rast që vetë udhëpërshkruesi i njohur Evlia Çelebia e pa në Shkup në vitin 1660. 

“Këtu ka shumë latinë dhe ceremonitë fetare, ata i kryejnë nëpër kishat serbe”, shkroi ai. Ndërsa gjendja në zonat malore në tokat lindore shqiptare, ishte edhe më e rëndë. “Në Karadakun e Shkupit ipeshkvi e ka evidentuar një zakon të çuditshëm të ortodoksëve dhe katolikëve që i bëhen kumbarë njëri-tjetrit. Bile gjatë qëndrimit atje, vetë ipeshkvi, ishte përpjekur që të prishte një kumbari të tillë, që dukej se e kishte origjinën që prej kohëve të mëhershme. Për çudi ortodoksi nuk pranoi kurrsesi që si kumbarë të zëvendësohej prej një katoliku. Bile ai kërcënoi se do t’ia kthente dyfish fyerjen e shkaktuar. I tërbuar, kumbara ortodoks u qetësua dhe pranoi prishjen e kumbarisë vetëm atëherë, kur ipeshkvi deklaroi se ai do të bëhej kumbarë i një çifti katolik, i cili ishte martuar nga famullitari i tij i përgjithshëm”. Ndërsa kosovari Vlladisllav Gramatik dhe financuesi i tij Dhimitër Kantakuzin i sulmonin gjithnjë “latinët e urtë” dhe me aktivitetet e tyre të zhvilluara në viset lindore shqiptare, ata ecnin në hap me ndjenjat e autorëve ortodoksë ballkanikë dhe veprimtaria e tyre antikatolike përputhej me politikën zyrtare të kreut kishtar të Konstantinopojës, por edhe të kryepeshkopatës së Ohrit”.