Piku i absurdit është ardhja e kreshnikëve në Prishtinën që tanimë nuk është peizazhi i dikurshëm, por një urbanosferë e çuditshme ku heronjtë mezi e gjejnë veten. Aty e kemi Mujin që barit sa andej e sa këndej nëpër Prishtinë, madje edhe në diskoteka kur bën sherr e gjak me pjesëtarët e sigurimit. Dhuna e kreshnikëve është e tillë që mediatizohet dhe askush nuk ka shpjegim për këtë. Ndaj edhe shfaqja “Charles III”, nën regji të Agon Myftarit me tekst të Jeton Nezirajt, bëhet pioniere për t’i dhënë një dackë turinjve partisë në pushtet: kështu, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëhet i gjallë vetëm me pyetjen: “Mos është gjë Mitrovica?”, porse nuk jep shpjegim për forcën “eksternale” që ka pushtuar Prishtinën
Pakuptueshmëria e kohëve kur ato rastisin të ballafaqohen njëkohshëm është rasti ideal për t’i vënë në bisht lahute veset, huqet dhe normat kulturore. Ato që dikur kullonin shkëlqim e lavd, sot ngjajnë qesharake, dhe ato që sot janë idealet më të mëdha ngjajnë qesharake në sytë e njerëzve që popullojnë të kaluarën. Eposi i kreshnikëve, ajo botë e ftohtë alpine ku masa e ndodhive është përtej njerëzore, është çikur rrallë e përmallë në kulturën tonë. Një ekskursion i mezipritur nëpër ciklin e kreshnikëve, duke shkëputur absurditete e duke polemizuar mes kohësh, është i prekshëm në shfaqjen komedi “Charles III” me regji të Agon Myftarit dhe tekst të Jeton Nezirajt.
Kjo shfaqje e cila u premierua qysh në dhjetor të vitit të kaluar – me interpretimin kërkues të aktorëve Dukagjin Podrimaj, Blend Sadiku, Vjosë Tasholli, Albina Krasniqi dhe Dardan Gashi – është nga ato prodhime teatrale që merr gjithnjë e më shumë forcë me kalimin e kohës. Nga gjithsejti i shfaqjes që zgjat pak më shumë se një orë e gjysmë, thuajse çdo dromcë e hollësi aludon drejtpërdrejt ose tërthorazi me ndonjë person, zhvillim, ngjarje a proces lokal e global—madje këtë e bën më të bukur shëtitja transkohore nga mesjeta në ditët tona dhe anasjelltas.
Tjetri si ferr
Megjithëse minimaliste, skenografia e shfaqjes “Charles III” i del hakut tipizimit të humanosferës kreshnike. Në sytë kërkues mbase do të duhej të përdoreshin edhe më fort meloset baritore, të cilat do të ndërfuteshin në psikodelikën e udhëtimit në kohë. Për ndonjë albanolog syvëmendshëm do të mund të ishin shmangur, fjala vjen, edhe përdorime të tilla si “Sokole Halil”, i cili në formën e tillë përfaqëson vetëm rasën thirrore të mjedisit gjuhësor sllavojugor. Kjo u pati bërë prej kohësh edhe sebepi i rragatjeve të mëdha nëse këngët kreshnike ishin huamarrje nga sllavët apo huadhënie nga shqiptarët te sllavët. Porse këto janë dromca që nuk e pengojnë aspak kredhjen në të parin “eksperiment” dramaturgjik me këtë fond kulturor që e shquan Ballkanin Perëndimor. Dhe vallë në cilin prodhim kulturor ose ndërkulturor të ketë qenë më i theksuar “Tjetri” sesa në korpusin epik me Mujin e Halilin? Këtu “Tjetri” luan rolin edhe të domosdoshmërisë së konstituimit të botës sonë (po ta zinim në gojë filozofin gjerman Edmund Husserl), edhe të përfytyrimit si ferr të atij që nuk është si ne (po ta zinim në gojë anëpamjen e filozofit dhe letrarit francez, Jean-Paul Sartre).
Sado që logjika e epikës sonë, e me këtë edhe loja dramaturgjike e “Charles III”, është lufta brenda llojit njerëzor, zhvendosja e saj në kohë është një mundësi e mirë për të shkoqitur konflikte intrapsikike, por edhe për të dekonstruktuar personazhe të ndryshme me anë të introspektimit të botës së tyre psikologjike me dobësi, pasiguri e huqe të caktuara.
Masa përtejnjerëzore dhe çkuptimësimi i kohës
Pjesa e parë e shfaqjes vërtet mund të ngelet prapa ose nuk e ndjek sa duhet idenë e bukur të shfaqjes, madje skena të caktuara kalojnë mes sekondash monotonie. Por, mbase efekti i mirë i artit është pikërisht në misterin e çdo ceni, që në vend se të shpjegohet duhet të përjetohet si i tillë. Eksperimenti i mençur me epikën është kur, në vend të kundërshtarëve që janë proverbializuar gjithnjë si krajlët me të cilët përlesheshin or’ e çast djemtë e fortë të Jutbinës dhe Klladushës, tani ata për herë të parë janë në një përballje që nuk është as opozicion deri në fund e as luftë deri në fund: është takimi me Britaninë e Madhe.
Jetëgjatësia fabuloze e heronjve të Eposit është ajo që ka kërshëruar gjithmonë dëgjuesin e rapsodive të kënduara me lahutë. Prandaj, Muji e Halili janë përjetësuar mu për fuqinë e tyre, mëkuar me qumësht zanash, ku çdo veprim dhe e bëmë e tyre është gati përtejnjerëzore. Logjika e suspenduar epike, rrjedhimthi, bën që edhe procese të tyre fiziologjike të udhëhiqen prej ligjesh të tjera. Fjala vjen, gjumi i racës kreshnike zgjat me shekuj dhe jeta e vdekatarëve të thjeshtë nuk është e mjaftueshme për t’i përcjellë ata gjer në fund. Ah, ç’plazmim letërsie të madhe: filani e fisteku mund të zënë në gojë raste sa të duash, si heroi irlandez Oisin, kryepersonazhi letrar Rip Van Winkle i Washington Irvingut apo amerikani në oborrin e mbretit Artur nga Mark Twaini.
Në të gjitha këto letërsi të shkruara e gojore, heroi ose vjen nga lashtësia në të sotmen ose nga e sotmja udhëton në të kaluarën; një situatë që nuk mund të sjellë gjë tjetër veçse përplasje vlerore. Le të veçojmë tani një shkëputje prej shfaqjes “Charles III”: thumbi vihet edhe te tradita kulturore, më saktë te lehtësia e padurueshme për të bërë sherre pa pikë nevoje (një rast është kur njëri nga heronjtë e Eposit vret tjetrin vetëm pse ia zuri hijen).

Përtej nocioneve moderniste
E bukura e një veshjeje të tillë dramaturgjike të epikës sonë është që nuk u lë fort vend nocioneve moderniste për të bërë gjykime përfundimtare. Po, ka momente e momente kur dëgjohet së brendshmi një zë ankimtar për statusin e femrave në të kaluarën, por ka raste të tjera kur shfaqja e tabloizon gruan në kontekstin historik si robinjë e kohës, siç ishin robër edhe meshkujt. Portretizimi i saj bëhet si mujshare e logorike, ndonjëherë edhe pa përmbajtje, e shpesh edhe e padijshme.
Sidoqoftë, penetrimi në shpirtin e kohës, për aq sa e lejon një eksperimentim i tillë, nuk kursen as meshkujt dhe krejt mujsharinë që e solli ajo botë kufitare ku thuajse nuk pati asnjëherë paqe, por vetëm premtime, grabitje e dhunë. Është mbase nga herët e para ku qëmtohet edhe seksualiteti i personazheve epike.
Është ajo botë, për shijet tona mbase tejet e reduktuar në forcë brute, që nënshtrimin e tjetrit e sheh edhe në terma të potencës seksuale ku “robinja” jote bëhet tamam e jotja kur has në tarak e halet të fortë. Kjo dromcë, ndoshta e pa vënë re në kursin e shfaqjes, haset edhe kur studiuesja angleze me emrin “Edith” bie në duart e Halilit; ky atashim me tarakun e saj e bën që sakaq ta tëhuajësojë identitetin e saj e të bëhet “Tanushë”. Kusuri i shfaqjes nuk ka ngelur vetëm te heronjtë e Jutbinës; tash edhe anglezët dynden drejt tokës së heronjve, por si pjesëtarë të KFOR-it, d.m.th si paqeruajtës. No war, no squabbles, gentlemen!
Pa hatërmbetje: teprimet janë të ndërsjella, edhe kur vendësit grabisin “Zonjën Z” që qëllon të jetë kushërirë e Charlesit III, edhe kur vetë mbreti këlthet plot duf kundër barbarizmit e primitivizmit të “kreshnikëve” modernë. Larg frazimeve të kota për kolonizues e të kolonizuar, shfaqja mund të përjetohet edhe si vramendje për ta vënë në dyshim puritanizmin tonë moral: jo të gjitha behanet erdhën nga jashtë, nga të huajt, por ato veçse e kishin pasur jetën e tyre qindravjeçare.
Kreshnikët tallin ministrin e Brendshëm...dhe pushtetin
Piku i absurdit është ardhja e kreshnikëve në Prishtinën që tanimë nuk është peizazhi i dikurshëm, por një urbanosferë e çuditshme ku heronjtë mezi e gjejnë veten. Aty e kemi Mujin që barit sa andej e sa këndej nëpër Prishtinë, madje edhe në diskoteka kur bën sherr e gjak me pjesëtarët e sigurimit. Dhuna e kreshnikëve është e tillë që mediatizohet dhe askush nuk ka shpjegim për këtë. Ndaj edhe shfaqja bëhet pioniere për t’i dhënë një dackë turinjve partisë në pushtet: kështu, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëhet i gjallë vetëm me pyetjen: “Mos është gjë Mitrovica?”, porse nuk jep shpjegim për forcën “eksternale” që ka pushtuar Prishtinën. Kësisoj, heronjtë e Jutbinës bëhen opozitë më vete edhe ndaj Vetëvendosjes, e cila me anë të çështjes së veriut (edhe ky një lloj “kufiri” si Jutbina e Klladusha përkundrejt tokave të krajlit) lë pas dore çështje të mprehta shoqërore. Në sytë e heronjve tanë violentë mbase vjen edhe një Prishtinë e errët ku nuk duken Xhelalët e uniformat blu: Prishtina nokturnale me mbipërdorim e abuzim drogash duke e jetuar dëshpërimin e rezignatën. Sidoqoftë, mejdani ose finalja e madhe, zhvendoset drejt Londrës: në njërën anë, anglezët e Charlesit III që kërkojnë vajzën e grabitur (Zonjën Z), dhe, në anën tjetër, trimat tanë që kërkojnë të lirojnë Halilin që pret ekzekutimin suprem. Lufta, mbase si në vorteksin e epikës, është thënë që të vazhdojë e të vazhdojë ad infinitum. Lufta me tjetrin është aporike, ndaj edhe Charlesi III dhe Muja e Halili ndahen baras (marrëveshje xhentëlmene kjo?!) Kjo nuk e mbyll siparin e shfaqjes, sepse me neve mbetet vramendja se, përtej përplasjeve huntingtoniane, janë fatet njerëzore ato që u japin ngjyrë jetës dhe epokës.