Shtojca për Kulturë

Kur ilirët u bënë arbër

Descriptive Text

Prej shekullit 6 deri në shekullin 11, sipas studiuesve ndërkombëtarë, nuk ka të dhëna për ilirë e as për shqiptarë, e disa shkruajnë se kur sllavët erdhën në Ballkan, aty gjetën një popullatë latinfolëse, që nuk përca­ktohej kush ishin ata?! Kjo hipotezë e zgjeron hendekun ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve në 4 shekuj. Burimet ndërkombëtare nuk kanë kundërthënie për paraqitjen për herë të parë të shqiptarëve në Ilirik

Popujt si çdo qenie tjetër e gjallë, evoluojnë dhe transformohen prej një shkalle në shka­­llën tjetër të zhvillimit. Procesi i evoluimit, varësisht nga faktorët natyrorë dhe ata shoqërorë – kulturorë, shpejtohet ose ngadalësohet. Ekziston një rregull i përgjithshëm se vështirësitë i nxisin ose i shtyjnë popujt të bëjnë zgjidhje, shpe­sh­herë me përshtatje apo transformime më të mëdha. Edhe pse mesjeta është faza më e errët e zhvillimit historik të popullit shqiptar dhe studiuesit ndërkombëtarë e kanë lënë të hapur këtë hendek, transformimin e ilirëve në arbër, megjithatë, të dhënat e ndryshme arkeo­logjike, arkitektonike, etnografike, gjenetike etj. na ndihmojmë ta ndriçojmë këtë urë kaluese nga cepi i Perandorisë Romake, kur ishte ndarë nga ajo Bizantine (shekulli 4, viti 395) në cepin e shekullit 11 (viti 1043).

Të dhënat e pakontestueshme historike etj., tregojnë se ilirët vazhduan të jetonin në Perandorinë Romake në Ilirikun veri-perëndimor, ndërsa ata të Ilirikut Jugor vazh­duan të jetonin me Bizantin, të cilët dha­në shumë ushtarë dhe perandorë për të dyja perandoritë. Ilirët ishin “gjallë” në doku­mentet e kohës, edhe pse në një proces të romani­zimit dhe helenizimit, edhe pas dyn­djeve sllave deri në shekullin e 12-të, kur u pushtuan përfundimisht nga sllavët (kroatët, bullgarët dhe serbët). Prej shekullit 6, deri në shekullin 11, sipas studiuesve ndërkom­bëtarë nuk ka të dhëna për ilirë e as për shqiptarë, e disa shkruajnë se kur sllavët erdhën në Ballkan, aty gjetën një popullatë latinfolëse, që nuk përca­ktohej kush ishin ata?! Kjo hipotezë e zgjeron hendekun ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve në 4 shekuj. Burimet ndërkombëtare nuk kanë kundërthënie për paraqitjen për herë të parë të shqiptarëve në Ilirik. Shqiptarët së pari para­qiten në analet historike më 1043, kur trupat shqiptare janë të pranishëm së bashku me grekët në armatën e një gjenerali kryengritës biza­ntin, ata përmenden edhe në Durrës, më 1078, dhe përsëri, më 1081, kur iu bashkuan forcave bizantine që i rezistuan inva­dimit të aventurierit norman, Robert Zhiskar, sipas Stadtmyller, sjellë nga Malcolm.

Për ndriçimin e këtij hendeku shumë të diskutueshëm sot në qarqet shken­core, duhet t’i analizojmë me kujdes të madh të gjitha të dhënat ekzistuese, me një qasje tërësore (holistike), sepse me kalimin e kohës po zbulohen të dhëna të reja. Analizat e shumta dhe faktorët e shumtë që konsiderohen përcaktues në krijimin e shqip­tareve, na dërgon në tri hipoteza të mundshme:

Shqiptarët nuk kanë ndërlidhje me ilirët, por u krijuan nga përzierja e popullatave të ndryshme të ardhura në ilirik;

Shqiptarët u krijuan në mënyrë të pavarur dhe të panjohur në një territor ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bullgarisë së sotme Perëndimore.

Shqiptarët u krijuan si rezultat i një zhvillimi të gjatë evolutiv nga koha e neolitit nëpërmjet ilirëve si hallka kryesore e transformimit të tyre nën ndikimin e faktorëve të shumtë natyrorë, shoqërorë dhe kulturorë.

Hipoteza e parë: shqiptarët erdhën nga diku tjetër

Kjo hipotezë mbështetet nga një numër i vogël i studiuesve sllavë e ndërko­m­bë­tarë dhe deri sot nuk ka ndonjë përkrahje shkencore. Shumica prej tyre men­dojnë se shqip­tarët erdhën në kohën e Perandorisë Osmane dhe u vendosën në Ballkan dhe kulturalisht e gjuhësisht nuk kanë të bëjnë me popujt e Ballkanit, duke aluduar se sllavët janë popujt përcaktues të Ballkanit. Asnjë e dhënë shke­ncore nuk ekziston se shqiptarët erdhën nga diku tjetër. Sipas ligjeve të evoluimit nuk ka popull që vjen në një territor dhe për një kohë të shkurtër krijon lidhje aq të forta me kulturën vendase si shqiptarët, e as sllavët nuk erdhën për një kohë të shkurtër dhe të vrullshme, ardhja e tyre zgjati së paku katër shekuj (prej shekullit 6 – 10/12).

Image
Harta. 1. Përhapja e haplogrupeve të kromozomit Y, te popujt e Evropës dhe të Ballkanit, ku mund të shihet përhapja e haplogrupit E1b1b, EV13 të përqendruar te shqiptarët, ndërsa R1b te shqiptarët dhe evropianët për dallim nga popujt sllavë me haplogrupin I2a. Burimi: Robert Gabel 2010

Hipoteza e dytë: Shqiptarët u krijuan nga një popullatë e vjetër e panjohur

Kjo hipotezë që studiuesit përkrahës të saj e ngritën në teori bazohet kryesisht në të dhënat dokumentare historike, që shqiptarët i nxjerr si popull vendës të Ballkanit të prejardhur nga një popullatë e vjetër e panjohur e Ballkanit (paleoballkanike). Kjo teori deri tani e përjashton prejardhjen e shqiptarëve nga ilirët edhe pse nuk e hedh poshtë plotësisht. Këtë teori e përkrahin pothuaj shumica e studiue­sve ndërkombëtarë dhe aktualisht është teoria zyrtare ndërkombëtare për preja­rdhjen e shqiptarëve. Thelbi i kësaj teorie qëndron në atë se shqiptarët para­qiten për herë të parë në histori në shekullin 11 dhe nuk ka të dhëna të shkru­ara se ata kanë ndonjë lidhje me ilirët antikë, përpos disa fjalëve apo fakteve ono­ma­stike. Këta pohojnë se hendeku ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve është i pakapërcyeshëm me të dhënat ekzistuese dhe argumentet e studiuesve shqip­tarë dhe ndërko­mbëtarëve të tjerë për ndriçimin dhe ndërlidhjen e kësaj zbraz­ëtire nuk i konsiderojnë mjaftueshëm të bazuara shkencërisht. Për analizë do t’i trajto­jmë disa pikë­pamje të ofruara nga Malcolm dhe Schmitt, si përfaqësues modernë të kësaj hipoteze. Analiza jonë do të përpiqet të japë një këndvështrim më ndry­she nga përkrahësit e kësaj hipoteze.

Sipas N. Malcolm: “Emri që përdoret në këto referenca (për shqip­tarët, nënvizimi ynë), me gjithë dallimet gjuhësore, është i njëjtë: ‘Albanenes’ ose ‘Arbanenses’ në latinishte, “Albanoi” ose ‘Arbanitaj’ në greqishten biza­n­tine (Ky i fundit, me një ndryshim të brendshëm të bashkëtingëlloreve, i ka ndihmuar formimit të trajtës turke për shqip­tarë ‘arna­vudë’, nga e cila më vonë rrodhi fjala ‘arnaut’)”. “Nuk ka asndonjë mister rreth origjinës së këtij emri. Në shekullin II Ptolemeu përmend një fis të quajtur ‘Albanoi’, kurse qytetin e këtij fisi ai e quan ‘Albanopolis’, që gjendej diku në lindje të Durrësit. Linguistët besojnë se elementi ‘Alb’ rrjedh nga fjala indoevropiane për një lloj trualli malor, nga i cili rrjedh edhe fjala ‘Alpe’. Disa toponime të këti­lla duhet të kenë mbetur deri më sot, me një vazhdimësi disi të mje­gullt, ka qenë dikur një zonë e quajtur ‘Arbanon’ në shekullin XI, në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, kurse në fillim të shekullit XX, ‘Arben’ quhet një rreth afër Krujës”. “Toponimet apo emrat e ven­deve mund të mbijetojnë, ndërsa popullatat thjesht shkojnë e vijnë (për të aluduar se emri nuk lidhet me shqiptarët e sotëm, nënvizimi ynë)”. Në vazhdim Malcolm ngre pyetjen: “A ka ndonjë mënyrë për ta kaluar hendekun ndërmjet ‘Albanoi’-t të shekullit II dhe të shqip­tarëve të Mesjetës? Për këtë dokumentet historike heshtin plotë­sisht”. Ne mendojmë se përkrahësit e kësaj hipoteze, edhe Malco­lm, në fakt e pranojnë teorinë “ilire” të prejardhjes së shqiptarëve, por edhe e kundërshtojnë. Në argumentimin shkencor të kësaj teorie mund të vërehen disa probleme apo mangësi, që e bëjnë këtë teori të pabesueshme plotësisht.

Problemet gjuhësore

Është e pamohueshme puna e madhe që kanë bërë studiuesit ndërkombëtarë për çështjen shqiptare derisa në shekujt 19 – 20 filluan studimet shqip­tare. Për ta parë si është trajtuar problemi i kapërcimit të hen­dekut ilirë - shqiptarë, do t’i analizojmë vetëm disa pikëpamje të Malcolmit, i cili i sjell përmble­dhtas dhe të thjeshtësuara, duke kapur thelbin e mendimit shkencor ndërkombëtarë për këtë çështje. Prejardhja e një populli është shumë e ndërlikuar dhe nuk mund të shpje­gohet vetëm nëpërmjet gjuhës së tij dhe të një fjale, normalisht si shembull, dhe vetëm nëpërmjet dokumenteve të shkruara. Në fushën e vlerësimit ekzis­tojnë rregulla të sakta se si vlerësohet një arritje e caktuar e njeriut. Për të vlerë­suar në mënyrë pro­fesionale kërkohen informata relevante, e për t’i siguruar informata relevante, duhet t’i gjurmojmë të gjitha dime­nsionet dhe t’i matim ato, dhe për të matur duhet t’i zhvillojmë instru­me­ntet mat­ë­se dhe t’i përdorim meto­dologjitë përka­tëse. Tani shtrohet pyetja se studi­uesit që e përkrahin këtë teori, a i kanë përfshirë të gjitha dimensionet e objektit të studimit dhe a i kanë përdorur si dhe sa duhet instru­me­ntet dhe metodat rele­vante për trajtimin shkencor të kësaj proble­matike? Ne mendojmë jo. Ne mend­ojmë se studiuesit ndërkombëtarë çështjen shqiptare e kanë studiuar jo mjaftue­shëm dhe duke e parë atë nga larg dhe nga lartë.

Çfarë mund të kuptojmë nga fjala “albanoi” si shembull? Fjala “Albanoi” është përmendur në shekullin 2 të e.r., por edhe në shekullin 11 (viti 1080) nga kronisti dhe historiani bizantin Michael Attaleiates. Shikuar vetëm nga pikëpamja dokume­ntare kjo nuk është e mjaftueshme për ndërlidhjen e fisit ilir Albanoi me shqipta­rët e mesjetës (Albanoi - Arbanon), por nuk ka as dokumente që e provojnë të kun­­dër­tën, varet si e shikon gotën, gjys­më të mbushur apo gjysmë të zbrazët. Pushimi i dokumenteve në asnjë mëny­rë nuk do të thotë se dikush ose diçka nuk ekziston (dyshimi është pikënisja e trajtimit shkencor të një problematike)! Për­­ku­­ndrazi, emri në fjalë flet për gotën plot, sepse Malcolm vetë thotë se vazhdi­mësia e këtij emri është me të vërtetë interesant, pra do të thotë se një fakt, sado i mjegulluar, ekziston. Po ashtu, kur një provë nuk ka aftësi të plotë sqaruese të një problemi, duhen përdorur provat ndihmëse, që nuk janë për­dorur në këtë rast. Derisa emërti­met apo fjalët e pakta nga onomastika konsi­derohen si diçka që nuk mund të lidhen me një popull, në anën tjetër shum­ica e studiuesve, përkrahës të kësaj teorie, kundërshtimin e ndërlidhjes ilirë – shqiptarë e bazojnë pikërisht me të njëjtin argument, me emërtimet në gjuhën sllave të vendbanimeve të shqipta­rëve të sotëm!? Në njërën anë pohojnë se emërtimet mbesin, e popujt shkojnë e vijnë, ndërsa kur është fjala për emërtimet sllave në trojet shqiptare, ato merren si fakte shkencore që e shkëpusin ndërlidhjen ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve. Inter­pretim i ndryshëm i kritereve apo i provave të njëjta, do të thotë qasje jostandarde shkencore.

Image
Haplogrupet kryesore të ADN-së së kromozomit Y për popujt e Ballkanit

Është e vërtetë se popujt, siç thotë Malcolm, shkojnë e vijnë e emrat mbesin, por në këtë rast, edhe emri edhe populli shqiptar as nuk erdhën e as nuk shkuan, dhe vetë kjo teori thotë se shqip­tarët janë popullsi ven­dase me preja­rdhje nga një popullatë e vjetër paleoballkanike. Pra fjala “albion” është një provë në një rrjedhë logjike, por jo prova e vetme dhe e plotë. Në fund të fundit, kur duhet të pyesim se ku fshihen vendasit auto­ktonë të Ballkanit, le ta thërrasim gjene­tikën për ndihmë? Gjenetika thotë se haplogrupet E1b1b (var. EM215, EV13, EM78) etj. të hasura të shqiptarët janë popullata vendase që depërtuan nga Azia Perëndimore në Ballkanin e sotëm afër 10,000 vjet më parë. Ndërkaq Emir Šehović (Universiteti i Bernit) i specifikon haplogrupet për­ka­tëse për popujt e Ballkanit të sotëm. (shih. Tab. 1). Në bazë të këtyre gje­tjeve, shihet se E1b1b me prejardhje nga Afrika dhe Azia e Vogël, nëpë­rmjet Ana­dollit, është haplogrupi zotërues te kosovarët që i përkasin popu­llatës së vjetër autoktone të neolitit me 45.2% dhe 24.1% e tyre, më së shumti prej popujve të Ballkanit (të shoqëruar nga grekët, hungarezët dhe rumunët), kanë ndërlidhje me popullatat e Evropës nëpërmjet R1b.

Pra populli shqiptar nuk është i izoluar siç është menduar, por, sipas të gjitha gjasave, rruga e evropianëve nga Lindja e Afërt ka kaluar, përpos stepave dhe Gjibraltarit, edhe nëpër Ilirik.

Po ashtu, nga të dhënat kuptojmë se përqindja e sllavëve (I2a) në Kosovë dhe Shqipëri është shumë e vogël (1.9 dhe 5.7%), ndërsa burimi (baseni) kryesor është Bosnja dhe Hercegovina, që është vërtetuar edhe nga gjetjet arkeologjike. Ndër­kaq, maqedonasit dhe malazezët kanë një përqindje të madhe (37.6 dhe 26.7%) të haplogrupit karakteristik për shqiptarët, ndërsa serbët dhe boshnjakët kanë përqi­ndjen më të ulët të haplogrupit evropian – R1b (4.8 dhe 5%).

O. Schmitt thotë: “E sigurt është se para­ardhësit e lashtë ballka­nikë të shqip­tarëve të sotëm jetonin në Kosovë para pushtimit sllav”. Por as Malcolm, as Schmitt e asnjë prej përkra­hësve të kësaj hipoteze së paku nuk supozojnë, që është një rregull në shke­ncë, e cila, në bazë të provave ekzis­tuese, mund të jetë ajo popullatë e mundshme prej nga u krijuan shqiptarët?! Shke­nca nëse nuk ka mun­dësi ta vërte­tojë një hipotezë, për t’u ngritur në teori, ajo duhet së paku të sup­o­zojë zgji­dhjen. Shkenca ekziston për ta ndriçuar të panjohurën dhe jo për ta errësuar atë edhe më shumë. Në shkencën e fizikës dimensi­onet e lëndës nuk mund të maten vetëm me “peshore” ose vetëm me “metër”. Për secilin dime­nsion kër­­­­­­kohet instrumenti përkatës. Edhe preja­rdhja e një populli nuk mund të shpje­gohet vetëm me dokumentet e shkruara. Kur këto shkrime dokumentare mun­go­jnë, studi­uesit kanë mundësi ta shfrytëzojnë gjuhën e shkruar natyrore. Secila pop­u­­llatë në botë, edhe e shqiptarëve, është e shkruar me gjuhën naty­rore reale – me ADN, gjene apo haplogrupe përkatëse, përkundër shkrimeve subjektive të njer­ë­zve. Edhe kur kjo nuk është e mundur, antropologjia ofron zgjidhje duke shfry­­­të­zuar kulturën materiale dhe jomateriale shpirtërore të një populli, që në të shumtën e rasteve studiuesit ndërkombëtarë për shqiptarët e refuzojnë, por jo edhe për helenët (grekët). Me ndihmën e shumë studi­uesve, këto qëndrime të ngurta të historianëve tani po tejkalohen. Sarah B. Pomeroy (dhe të tjerë) shkru­an: sigurisht, vija ndërmjet materialit dhe shkrimit është shpesh e paqartë, si në rastin e fjalëve të gërvishtura në një copë qera­mike, ose një mbishkrim i gdhen­dur në një shtyllë guri. Po ashtu, zhvillimet paralele në antro­pologjinë kulturore dhe bio­lo­­gjike që ndodhin nga autorë të ndryshëm si agjentë strategjikë po e ofrojnë një klimë të favorshme për një përpjekje për t’i pajtuar pikë­pamjet ndërmjet dy nën­fushave.

Bizanti në shekullin 11 nuk i quajti shqiptarët rastësisht “albanoi”. Në botë asgjë nuk ndodh pa një arsye, me siguri ata që shkruanin në kohën e Bizantit e dinin se popullata e cila iu bashkua Bizantit kundër normanëve të Robert Zhiskar, vinte nga e njëjta trevë ku shtrihej fisi “albanoi”, dhe emërtimi i kuptimit të parë nuk shprehte emërvendin, por emërtimin e një populli, emri i vendit “Albano­polis”, si kuptim i dytë, rridhte nga emërtimi i popullit ku banonte. Të gjitha varia­ntet e emërtimit “albanoi” ishin emër­time të jashtme, nga popujt fqinjë, të cilët me fjalë të njëjta e emërtonin një popull të njëjtë në kohë të ndryshme dhe nuk ka asnjë fakt të jetë ndryshe. Gjetja e emrit “arbanon” në Shqipërinë e Veriut dhe pastaj në Krujë, përputhet plotësisht me shtegtimin e detyruar gjatë dyndjeve sllave e të njëjtit popull, nuk ka asnjë të dhënë se në mesjetë erdhi një popull tjetër me emrin “arbanon” në këto treva. Ashtu si kishte evoluar fjala albanon në arba­non (arbër), me ndryshimin e bashkëtingëlloreve (l ~ r) ashtu kishte evoluar populli që emër­tohej. Ilirët “albanoi” për 9 shekuj, në mënyrë evolutive njëvijëzore u transfo­r­muan në arbër apo “arbanon”. Fjala shqip­tar është prodhim i brendshëm i motivuar dhe i krijuar në rrethana të tjera historike dhe në këtë rast nuk ndihmon në shtje­llimin e proble­matikës. Transformimi i fjalës me rrënjë të njëjtë, që pretendon ta emërtojë një popull, po ashtu, me rrënjë të njëjtë, është plotësisht në përpu­thje me konceptet e evolu­imit shkencor. Evoluimi në thelbin e tij e ka ndryshimin e ngadalshëm në të cilin marrin pjesë të gjithë fak­torët e mjedisit natyror dhe ata shoqëror. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe krijimi i njeriut Homo sapiens, i cili për 4 – 5 milionë vjet nuk na la asnjë dokument të shkruar. Pjesë e evolu­cionit është edhe revolucioni, ku në kushte të cak­tu­ara, zakonisht në kushte të vështira, vërehen kërcime apo ndryshime më të mëdha. Sipas të gjitha gjasave, mesjeta e hershme, që karakterizohej me ku­shte të jashtëzakonshme të dyndjeve të popujve, u shndërrua në një lloj revolucioni të transformimit të ilirëve në arbër, edhe pse dallimet (ndryshimet) nuk janë aq të mëdha sa urëka­limi ndër­mjet tyre të duket kaq i errët.

Problemi tjetër i pikëpamjeve të kësaj hipoteze është se përkra­hësit e saj besojnë se shkrimet e gjetura në gjuhën latine dhe sllave për këtë periudhë në terri­torin e ilirëve dhe pastaj të shqiptarëve, konsiderohen me auto­matizëm si pro­dhi­me të popullatave latine (romake) dhe sllave. Malcolm shkruan se: “ajo që dihet është se në kohën kur sllavët erdhën në Ballkan, ata e gjetën një popullatë latin­folëse”, duke lënë të kuptohet se kur erdhën sllavët aty nuk kishte ilirë. Se kush ishin këta latinfolës nuk tregohet. Në fakt onomastika apo ruajtja e emërti­meve tra­di­ci­onale ilire për njerëzit (emra ilirë hasen në mbishkrime edhe për persona zyrtarë që ishin qytetarë romak), për vendet, lumenjtë, malet, kafshët, bimët etj., e dësh­mon të kundërtën, se aty nuk ishte romanizuar gjithçka, aty ruheshin gjurmë të ilirëve. Jason R. Abdale (2019) poho­n se ndoshta ne po i lexojmë gabimi­sht artefaktet, roma­kët rrallë­herë bënin përpjekje për t’i mësuar emrat e perëndive që adhuro­heshin nga popujt që ata i pushtonin, kështu që ata thjesht perënditë e tyre (ilirëve në këtë rast) i quanin me emra roma­kë. Pra ka rëndësi të madhe si lexohen dhe interpre­tohen të dhënat. Kur zhvillimet nuk mund të shpjegohen, atëherë duhet të kthehemi në fillim dhe t’i përdorim mjetet tjera ndihmëse.

Vijo në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Shkëputur nga libri “Antropologjia shqiptare” në dorëshkrim