Filmi “Afterwar” – i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 74-t të Festivalit të filmit në Berlin, “Berlinale” që përfundoi të shtunën mbrëma në ndarjen e çmimeve – fillon me pamje arkivore të luftës së vitit 1999 – skenat e shkurtra të vdekjes, shkatërrimit dhe zhvendosjes – ndahet në tre kapituj: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja
Kur në vitin 2009 regjisorja daneze, Birgitte Stærmose, realizoi filmin e shkurtër “Out of Love”, ajo takoi disa fëmijë që shisnin cigare në rrugët e Prishtinës. Duke i mbajtur lidhjet me disa prej tyre, në vitin 2017 ajo rikthehet në Kosovë për të xhiruar një vazhdim me të njëjtën kastë, ku ata njihen si bashkëkrijues të filmit. Rezultati është “Afterwar”, i cili ka pasuar premierën botërore në kategorinë “Panorama” të “Berlinale” (edicioni i 74-t i së cilës përfundoi me ndarjen e çmimeve të shtunën mbrëma dhe “Afterwar” nuk ia doli të fitonte v.j.).
Filmi nuk mund klasifikohet si dokumentar apo fiksion, aty përzihen performancat me njerëz të vërtetë dhe aktorë profesionistë në një mënyrë të thellë.
Filmi fillon me pamje arkivore të luftës së vitit 1999 – skenat e shkurtra të vdekjes, shkatërrimit dhe zhvendosjes – ndahet në tre kapituj: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja. Në të parën, shohim katër bashkëkrijuesit, së bashku me disa personazhe të tjerë, si fëmijë apo adoleshentë. Ata shikojnë drejt në kamerë, duke treguar se si u rritën gjatë kohës së luftës, në disa momente pëshpërimat e tyre zmadhohen, duke intensifikuar emocionet e forta, të mbështetura nga dizajni i tingujve dhe muzika e pranishme, shpesh duke marrë një ton disonant ose qetësisht kërcënues.

Një histori e veçantë e mbijetesës vjen nga Gëzim Kelmendi, i cili u fsheh nën një lopë që po ngordhte dhe pastaj e vrau kafshën për ta shpëtuar nga agonia. Duke pyetur, “Pse duhet një kafshë të vuajë më shumë se ne?”, Gëzimi është më ekspresivi nga katër personazhet e tjera, një djalosh që dëshiron të bëhet rap-artist, me një marrëdhënie të vështirë me babanë e tij. Por, tani që ai ka një djalë, është i vendosur të mbrojë gjithmonë fëmijën e tij.

Nga ana tjetër, Xhevaire Abdullahu, e quajtur Xheva, ka një lidhje të fortë me nënën e saj dhe në segmentin e të tashmes, ajo flet për dëshirën e saj për të ndërtuar një shtëpi për të. Ajo ka një prezencë të jashtëzakonshme dhe një forcë të brendshme që ndrit nga ekrani. Në ndërkohë, Besnik Hyseni është më fjalëpak, por dhimbja në sytë e tij flet shumë, ato pak fjalë që marrim nga ai mund të mbajnë fuqinë më të madhe. Në moshën 26- vjeçare, ai ende shet arra për të mbështetur familjen e tij. Shpresim Azemi është një mysliman i devotshëm, shpesh shfaqet duke u falur dhe gjithashtu është më i drejtpërdrejti në shprehjen e opinioneve të tija. Ai e përmbyll titullin e filmit: “Lufta vendoset në njerëz, si një murtajë”. Dhe kështu “paslufta” është, pra, një gjendje mendore, një shenjë në shpirt dhe një tregues i errët për të ardhmen.
Ka disa personazhe të tjera që i shohim si fëmijë, dhe pastaj si të rritur, duke përfshirë një vajzë dhe fjalët e saj – “ti mendon se unë jam asgjë. Pra, unë jam asgjë” – do të faniten te shikuesit herë pas here. Të thëna në hollin e hotelit të famshëm “Grand” në Prishtinë, ato kanë një peshë të veçantë që do të jetë e qartë për ata që njohin historinë e fundit të Kosovës – dhe për të tjerët, do të jetë një hapësirë ku diçka ndodh, me një konotacion tjetër por me ndikim. Xheva e rritur duke pëshpëritur “Të jetosh në varfëri është të jesh në turp” në një diskotekë të mbushur me njerëz, shfaqet si një shembull tjetër që godet fort.
Stærmose kap me besnikëri atmosferën e çuditshme urbane-rurale-industriale të Kosovës. Natyra e saj ka një bukuri të ashpër, por qytetet dhe fshatrat e Kosovës ishin ende të pazhvilluara, të ngecura në kohën e Jugosllavisë, dhe pas luftës, disa prej periferive të tyre janë përkeqësuar, ndërkaq ndërtime ka kudo. Kur një nga protagonistët, si fëmijë, kap një peshk me një gotë plastike në një rrjedhë nën një urë betoni, ai e pastron atë në një tub të ndryshkur. Ata shpesh shfaqen, si fëmijë dhe si të rritur, në një nënkalim në qendrën e Prishtinës, një hapësirë të kufizuar dhe një tunel pa dritë në fund. Kjo mund të jetë, vetvetiu, një metaforë për gjendjen e tyre mendore, por edhe për jetën e tyre reale.
“Afterwar” është bashkëprodhim që përfshin “Magic Hour Films” të Danimarkës, “Kabineti” nga Kosova, “Vilda Bomben Films” të Suedisë dhe “Oy Bufo Ab” të Finlandës.
Marrë nga “Cineuropa”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu: Enis Bytyqi