Hamarisja, pra gjëja e parë që rrëmben vëmendjen në librin “20:15”, është titulli i librit. Pse 20:15? Kjo zgjon kureshtje që në çastin e parë. Pse jo “8:15”? Çfarë lidhjeje mund të ketë ky titull me ngjarjen? Pse çasti është shkruar me numra? Pse një këndvështrim algjebrik dhe jo social? Numri a nuk është i ftohtë, dhe a nuk është i pamjaftueshëm për të prezantuar titullin e një ngjarjeje të madhe? Pse ka saktësi? Pra, 20:15, jo diçka si “rreth orës 20”?
Libri “20:15” është i paparashikueshëm, njëjtë si ky dimër. Ky libër është i ngrohtë, njëlloj sikur xhepat tanë, por është edhe i ftohtë sikur pjesa e jashtme e veshjeve tona. Ky libër i ngjan Lumbardhit, rrjedh pa ndalë, e kryen punën e vet pa pyetur për ne. Në secilin lexim e bën atë të veten; mjeshtëria e fshehur brenda librit më shtrëngon në fyt. Ky libër është një fytshtrëngues. Në të ka dhembje, por të fshehtë, aty pranë shtegut të derës. Rrëfimi i këtij libri është sikur shtresa e parë e një uji të thellë: për të parë thellësinë duhet parë pak më gjatë. Duhet soditur ky libër, jo parë. Hollësitë e rëndësishme që prekin tema qenësore të njeriut janë të renditura në libër si ngjyrat e një pikture abstrakte në pëlhurë, që thotë një gjë konkrete, vetëm se varet nga cili kënd përsiatet. Rrëfimtaria është si një shoqe që të rri pranë edhe në ato çaste kur nuk do ta donit këtë. Nuk të ndahet në bisedat, mendimet e juaja, sikur netët e gjata me plot yje fshehur nën mjegull. Edhe ky rrëfim, prej ditës që e kam lexuar, nuk më është ndarë. Ky libër është i ngrohtë si shpirti ynë, por i ftohtë si lëkurat tona. Ka pamje të ngrohtësisë që fshihet pas rrezeve të diellit që të përplasen në sy. Ky për mua është një libër elegant, qibar.
Rrëfimtaria është si një zë i lashtë, i cili me rrëshqitjen e kohës përpara bëhet edhe më i pranishëm e më i thellë në përditshmërinë tonë. Kjo paraqitje për mua nuk është e dosidoshme. Është një përpjekje për ta analizuar këtë rrëfim me disa këndvështrime të pakta teorike.
Kam pasur fatin që për këtë libër të dëgjoj nga autori kur ai akoma ishte në fazën ideore. Më kishte tërhequr, meqë tema e cila trajtohet është tejet private, por që e kap të gjithë njerëzimin. Ky rrëfim i sinqertë, i bazuar krejtësisht në një ngjarje të vërtetë, paraqet raportin familjar, dhe në fakt një ngjarje të madhe të një familjeje të madhe. E madhe në dimensionin njerëzor, ajo gjë që është më e madhe se krejt instinktet kafshërore.
Një nga çastet që më lidhi me këtë rrëfim ishte pyetja e Ditarit për mendimin tim nëse ky rrëfim është libër. Vetë ai më përkujtoi se për një libër prehet lisi. Prandaj, duhet të dimë nëse ky rrëfim është libër. Po, i thashë, ky rrëfim është libër, libër i mirë madje. Nuk ia thashë që elementet e rrëfimit janë gatuar si gatesat e lehta të çasteve familjare, në të cilat të gjithë qeshin. Nuk ia thashë as që libri prek problematika jetësore, të cilat shtrihen nga korridoret e spitaleve në shtëpi e në zyra vendimmarrëse. Nuk ia thashë dhe që, mbase qindra imazhe dhe jo pak mendime m’i kishte krijuar leximi i këtij libri, meqë kur folëm isha ende i ndikuar nga leximi i dorëshkrimit.
Libri është shkruar me rregulla akademike, thënë më saktë, është shkruar ashtu si duhet. Lehtësia e fjalës dhe mospërdorimi i groteskut e kanë mbrojtur peshën e kësaj ngjarjeje të madhe. Pra, lehtësia e qëllimshme, lehtësia e ditur e autorit i ka dhënë peshë librit. Lehtësia këtu e mban peshën.
Aristoteli në librin e tij “Poetika”, në të cilin bazohen shumë libra të teorisë së letërsisë, flet për dy parimet e domosdoshme që duhet të ketë një dramë, duke aluduar në një rrëfim që ka dhe dialog. Atëbotë dramë i thoshin ngjarjes e cila ka dialog dhe po ta përkthejmë në kuptimin e së sotmes, mund të themi që fjala është për roman. Dy principet e Aristotelit janë nevojshmëria dhe vërtetësia.
Me të parën nënkuptohet që rrëfimi nuk duhet të ketë asnjë element që nuk ka funksion në rrëfim. I tilli duhet të hiqet, edhe nëse është një fjalë, fjali, metaforë, ironi ose idiomë që tingëllon bukur. Autori në këtë libër, thënë me gojën e teorisë letrare, ka përjetuar një konflikt të brendshëm dinamik që në fillim. Konflikti i brendshëm dinamik është kur ju keni përpara një domosdoshmëri për të vendosur. Por ky vendim është i vështirë. Konfliktet te personazhet ndodhin kur ata kanë dualizëm, kur detyrohen të zgjedhin mes dy gjërave ose njerëzve. Për shembull, nëse dikush i ka dy fëmijë, dhe duhet të vendosë cili të jetojë e cili të vritet, meqë dikush tjetër e detyron për këtë. Ditari nuk ka përjetuar një konflikt të brendshëm statik kaq të tensionuar, por një të tillë e ka përjetuar duke vendosur që të shkruajë lehtë, me delikatesë dhe thjesht, e jo t’i shpërthejë të gjitha aftësitë e tij për të shkruar. Këtë e ka bërë për hir të ngjarjes dhe vërtetësisë së saj.
Ky libër do të mund të ishte me qindra faqe më i madh në vëllim, por jo edhe me cilësi. Meqenëse ngjarja është e vërtetë, e madhe, e thellë dhe e rëndë, Ditari ka vepruar si duhet duke zgjedhur që atë ta tregojë me fjali të shkurtra, pa shtesa të figurave letrare të ngarkuara dhe pa ngarkesa gjuhësore. Se kështu duhet bërë, thonë edhe studimet letrare.
Ndërsa, parimi i vërtetësisë së Aristotelit nënkupton që rrëfimi dhe rrjedha e saj dramatike nuk duhen larguar nga logjika e lexuesit. Ky libër i ka respektuar këto dy parime. Në librin e Ditarit nuk ka fjali përsëritëse. Ka një tendencë të suksesshme që me aq sa është e domosdoshme të thuhet shumë. Nuk ka metafora, ironi a idioma të përdorura pavend. Ka metafora, ironi e idioma që e hollojnë edhe më tepër stilin e rrëfimit. Ky është stil qibar.
Hamarisja, pra gjëja e parë që rrëmben vëmendjen në librin “20:15”, është titulli i librit. Pse 20:15? Kjo zgjon kureshtje që në çastin e parë. Pse jo “8:15”? Çfarë lidhjeje mund të ketë ky titull me ngjarjen? Pse çasti është shkruar me numra? Pse një këndvështrim algjebrik dhe jo social? Numri a nuk është i ftohtë, dhe a nuk është i pamjaftueshëm për të prezantuar titullin e një ngjarjeje të madhe? Pse ka saktësi? Pra, 20:15, jo diçka si “rreth orës 20”? Titulli këtu ka funksionin e tij.
Përveç kësaj, hamarisjet potenciale të librit janë si në vijim: telefonata që i vjen autorit në kapitullin e parë të librit i titulluar “Atë ditë”. Po në këtë kapitull, metafora e një dielli të mrrolur është gjithashtu një element që ka aftësinë e të qenit hamarisje. Dielli ishte vërtet i mrrolur, apo ishte një gjë brenda botës së brendshme të autorit që qëndronte i mrrolur? Një element tjetër i cili në substancën e tij kishte thellësinë më të madhe për ta paraqitur hamarisjen ishte vetë emërtimi i kapitullit “Atë ditë”, sepse e nxit pyetjen “cilën ditë?”. Të gjithë kemi një “Atë ditë”, një ditë që akoma nuk ka emër, përkufizim, as guxim për ta përshkruar.
Mënyra e kthimit të furishëm të rrëfyesit në Kosovë, vetëm disa ditë pasi kishte shkuar jashtë vendit për studime doktorale, e nxjerr në shesh edhe teknikën letrare “sensory motor”, me të cilën personazhi i rrëfimit nxitet, shtyhet, detyrohet që të veprojë.
Aristoteli thotë që janë dy forma të rrëfimit, ajo e Iliadës dhe ajo e Odisesë. Modeli i Iliadës ka formën e katrorit dhe këtu thelbësore është që personazhi të hyjë në një katror ose të dalë nga ai. Katrori tek Iliada mund të jetë një konkret, si burgu, shtëpia apo çfarëdo objekti, dhe mund të jetë abstrakt, si vetë qenia e njeriut, shteti apo çfarëdo që do të mund ta kuptonim ku mund të hyhet e të dilet në mënyrë abstrakte. Ndërsa forma e Odisesë nënkupton që personazhi i rrëfimit duhet të dalë në udhëtim për ta arritur një qëllim, i cili është kryesisht i domosdoshëm. Meqë libri “20:15” është i shkruar në vetën e parë, vetë autori del në udhëtim dhe në fund kthehet në pikënisje. Pra, e bën një rreth duke udhëtuar. Forma e Odisesë në rrugë has në pengesa të cilat personazhi duhet t’i zgjidhë me logjikë dhe jo me teknikën Deux ex Machina. Ditari kështu ka vepruar. Domethënë, rrëfimi autobiografik i Ditarit përshtatet me modelin e Odisesë.
Pengesat gjatë këtij udhëtimi, autori i ka titulluar me termin “Zhvendosja”. Rrëfimi ka pesë zhvendosje. Në rrafshin teorik, të gjitha janë pengesa të vështira. Në këtë rast, termi “pengesë” nuk aludon në diçka që të pengon, por një ballafaqim që duhet tejkaluar, si një shteg i cili duhet kapërcyer, e kapërcimi i shtegut të çon në një shteg më të vështirë. Secila zhvendosje në libër jo vetëm që është për të bërë zgjidhje ashtu si kërkon forma e Odisesë, por gjithashtu është më e vështirë se zhvendosja paraprake.
Ky rrëfim, për nga elementi emotiv dhe neurovegjetativ i ftohtë, me botimin si libër u bë i ngrohtë, por i fortë, njëlloj si natyra e drurit, nga i cili janë bërë edhe fletat e këtij libri.
Autori i librit “20:15” i është shmangur edhe një gabimi që ndodh në disa vepra letrare. Ai gabim është koncepti i “barkut të butë”. Ky koncept kërkon që ndikimi i pjesëve të tregimit të lidhet kronologjikisht dhe që linja rrëfyese të jetë në formën e kreshendos, thënë ndryshe, tensioni i ngjarjes dhe elementeve të pjesëve të rritet me zhvillimin e ngjarjes. Po qe se secila pjesë e librit nuk është më e tensionuar se pjesa paraprake biem në gabimin butësia e barkut. Ditar Kabashi nuk ka rënë në këtë gabim teorik, dhe kjo është një gjë tejet e rëndësishme. Çfarë nëse ai do të vendoste që këtë ngjarje të vërtetë ta letrarizonte deri në qiell, e t’i shprehte të gjitha aftësitë e tij gjuhësore? Ai do të binte në gabimin e butësisë së barkut. Duke i qëndruar besnik vërtetësisë së ngjarjes dhe jo dehjes së çastit, autori ka bërë që libri të jetë gjithnjë më interesant duke u lexuar. Kjo ngase secili kapitull ka më shumë tension se ai parapraku dhe me shpeshtimin e metaforave dhe ironisë, emocionet përçohen më saktë sesa në kapitullin paraprak.
Vende-vende gjatë rrëfimit, autori e ndien nevojën që ta paraqesë në mendjen e lexuesit pjesën e parë të një simboli, mesazhi apo kuptimi për ta zbuluar shpejt më pas të tërin e atij simboli. Pjesa e parë e simbolit që jep autori në kapitullin “20:15” është një numër telefoni që është i shkruar me font të vogël në një letër të ngjitur në derën hyrëse të repartit intensiv të anestezisë. Duke treguar që mes orës 20:00 dhe 21:00 ka qenë koha kur ishte hapur linja telefonike e spitalit për thirrje konsultative, autori kishte kurdisur një alarm telefoni në orën 20:15. Pra, pjesa e parë e simbolit në kapitullin 20:15 është letra e ngjitur te dera, ndërsa pjesa tjetër e mbetur e simbolit, paraqitur shpejt nga autori është alarmi në telefonin e tij, i përcaktuar në orën 20:15. Pikërisht këtu shfaqet edhe teknika teorike letrare “përgatitjet gjenerale”, të cilën ai e ka përdorur saktësisht.
Dielli perëndoi për sot, por do të lindë nesër dhe prapë rrezet e diellit, sikur ky libër, do të na i ndriçojnë bebëzat e syve. Dielli me rrezet e tij; libri me fjalët, fjalitë, sekuencat dhe me ngjarjen e vet.