Shtojca për Kulturë

“Goca e Kaçanikut”, novela e parë historike shqiptare

Në kulturën shqiptare, “Goca e Kaçanikut” është e rëndësishme, sepse është novela e parë historike në letërsinë shqipe, dhe, gjithashtu, opera e parë e Kosovës. Edhe pse Milto Sotir Gurra është ndër autorët më pak të njohur, novela e tij është më e njohura. Nuk ka një novelë tjetër shqipe që i afrohet për nga popullariteti. Prandaj, “Goca e Kaçanikut” është një fenomen në letërsinë, kulturën dhe jetën tonë. Nuk është ndonjë vepër e madhe letrare, por është vepër jashtëzakonisht popullore

Autori i harruar

Milto Sotir Gurra lindi më 16 maj 1884, në Marjan të Oparit (Korçë) dhe vdiq në Tiranë, më 1972. Ka qenë një nga atdhetarët dhe shkrimtarët e njohur të kohës. Ka botuar revistat “Shkëndija”, “Zekthi” dhe “Mituria”, si dhe veprat: “Rrëfenjë”, “Kur rilindej Shqipëria”, “Dëshirë”, etj. Shumë shkrime të tij janë botuar me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D. Toçkas. Gjithashtu, ai ka sjellë në gjuhën shqipe autorë si Ludvig Holberg, Viktor Hygo, Aleksandër Pushkin, Ivan Turgeniev, Lev Tolstoj, Anton Çehov etj.

Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit: në fillim në Odesë, buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Jetoi kryesisht në mërgim, prandaj tema dominuese e tregimeve të tij është mërgimi.

Milto S. Gurra ka botuar librat: “Goca e malësisë: rëfenjë” (1911), “Themelet e patriotizmës shqiptare” (1934), “Plagët e kurbetit” (1938) dhe “Plagët e zemrës” (1944). Më 1959, Bedri Dedja dhe Nasho Jorgaqi ia përzgjedhin disa përralla, tregime dhe dialogë, dhe ia botojnë me titullin “Plaku i motshëm”; më 1971, nën redaktimin dhe përzgjedhjen e Rexhep Qosjes, në Prishtinë i botohet libri “Tregime”; një vit më vonë, 1972, në Tiranë i botohet libri “Tregime të zgjedhura”. Pas vdekjes i botohen edhe librat (përzgjedhjet): “Dëshirë” (1974) dhe “Dashurija e Matildës” (2003).

Image
Milto Sotir Gurra (1884 –1972)

Goca e Grykës

Novela “Goca e Kaçanikut” (që do të dalë këto ditë nga shtypi, prej shtëpisë botuese Bard Books) është marrë nga libri “Goca e Kaçanikut e të tjera” (botuar nga Ngrehina Typografike “Gurakuqi”, Tiranë, 1944), ku janë përfshirë edhe tregimet: “Dashurija e Matildës”, “Mbi Alltarin e Dashurisë” dhe “Nga Balli i Luftës”.

Kjo romancë flet për Termopilet tona, por nuk fokusohet në Leonidën tonë (Idriz Seferin, që udhëhoqi Betejën e Grykës, madje as Isa Boletinin, që ishte kreu i kryengritjeve kosovare), por në një gocë, që po të përdorej trajta gege, ose e folmja e vendit ku vendoset ngjarja, do të quhej Çika e Kaçanikut.

Merita e autorit është se në mitin epik të kryengritjes (të një beteje spartane), ka futur elementin lirik (dashurinë). Kështu, ne njëkohësisht njohim kryengritjen e shqiptarëve kundër xhonturqve, dhe dashurinë e dy të rinjve malësorë. Nga miti që ka prodhuar beteja, ne e dimë se lumi nga Guri i Shpu’m e nëpër Grykë është skuqur nga përleshja e përgjakshme mes shqiptarëve dhe turqve, aq sa edhe kuajt kanë notuar nëpër gjak, ndërsa nga goja e Trimit e kuptojmë pse shqiptarët luftonin kundër turqve më 1910: “Armet na i muart, të drejtat q’i kemi patur prej qindra vjetsh, na i muart; pagesa po na vini sa doni, rrugë as ndër mënt nuk kini të na bëni; shkolla nuk na hapni se nuk doni që të zgjohemi. Po vallë, kur nuk na latë as gjë pa marë, pse doni të na merni dhe nderin?”

I dashuri i Pafikës nuk ka emër, por siç e marrim me mend, përballë Vashës (bukurisë) gjithmonë gjendet një Trim (trimëria). Ky binom në letërsinë shqipe gjithmonë ka prodhuar tregimin mbi katër motive: bukuria, dashuria, nderi dhe trimëria.

Duke krijuar një novelë të idesë dhe idealit, autori s’është lodhur për t’u gjetur emra personazheve. Në krejt novelën kemi vetëm një emër personi (Pafika) dhe një emër vendi (toponimi Trimor). Të dy emrat janë të shpikur (neologjizma) nga autori: Trimor, vend i trimave, dhe Pafika, një ideal që nuk fiket. Në fakt, ajo fiket (vyshket, vdes), por në kujtesën kolektive do të mbeten dashuria, bukuria dhe ndershmëria e saj. Këto janë tri të pafikurat e Pafikës.

Siç e thotë autori në parathënie, titulli i parë i novelës ishte “Goca e Malësisë”. Mirëpo, pas betejës së famshme mes kryengritësve shqiptarë dhe xhonturqve, Kaçaniku u kthye në legjendë, u bë vendi më i njohur i Gegnisë, u bë njëkohësisht Spartë e Termopile e Shqipërisë së plotë. Prandaj, autori e zëvendësoi Malësinë me Kaçanikun, që, për të, ishte zemra e Gegnisë dhe e trimërisë.

Image
Beteja e Kaçanikut

Intertekst dhe influencë

Novela është e ndërtuar mbi klishetë e kohës: personazhe kryesore janë Trimi e Vasha, vendtakimi i tyre (toposi i kësaj letërsie) është kroi i fshatit, dhe mbrohet ideja për nderin si ideal i bukurisë dhe dashurisë. Pafika është e bukur dhe e ndershme; ajo dashuron vetëm njëherë.

Kjo novelë ka shenjat e letërsisë romantike që më vonë u trashëguan nga Lasgushi. Për shembull, novela flet për Trimin dhe Vashën që shihen e dashurohen te kroi i fshatit (si në poezinë e Lasgushit). Gjithashtu, Goca është njëfarë Tringe e Fishtës, që, me ndihmën e Trimit, e ruan nderin, duke u përleshur me armikun që synon ta çnderojë. Trimi vritet, Vasha vyshket. Kjo të kujton edhe këngën popullore “N’drrassë të vekut”, e cila edhe mund të jetë frymëzuar nga kjo novelë (zanati i Pafikës është puna me vek; ajo vyshket e vdes duke e vajtuar për jaranin e saj).

Mbi këtë novelë është kompozuar edhe opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, me libreto nga Ajmone Dhomi. Gjithashtu, pas kësaj novele, janë shkruar poezi dhe botuar antologji me këtë titull (poezia më e njohur dhe më e realizuar është “Ploja e Grykës” e Bedri Hysës). Po ashtu, në Kaçanik, ka pasur një kafe-bar me emrin Pafika, sipas emrit të heroinës së novelës. Emrin Pafika e mbajnë sot disa vajza kaçanikase, ashtu siç e mbajnë edhe emrin Trimor (toponimin e novelës) shumë djem nga Kaçaniku, si dhe djali i kompozitorit të operës së bazuar mbi këtë novelë.

Image
Idriz Seferi me kryengritësit shqiptarë

Në gjithë letërsinë shqipe, s’ka gjë më paradoksale sesa popullariteti i Pafikës dhe Prokës, dy personazhe kaq të dashur e kaq të njohur që vijnë nga dy vepra nën mesatare nga dy autorë pothuajse të panjohur. Këta dy personazhe janë si vëlla e motër, vijnë nga prindër patriotë (Gurra e Papajani), por të patalentuar; rriten si personazhe të pafuqishme (që zgjojnë mëshirë te lexuesi), dashurojnë, por nuk kanë fat, dhe vdesin nga dashuria.

Sigurisht, meritë të madhe në popullaritetin e Pafikës ka opera e Rauf Dhomit, ndërsa në atë të Prokës filmi i Isa Qosjes. Pa ndihmën e këtyre mediumeve (operës dhe filmit), këta personazhe do të ishin harruar si autorët e tyre.

Në kulturën shqiptare, “Goca e Kaçanikut” është e rëndësishme, sepse është novela e parë historike në letërsinë shqipe, dhe, gjithashtu, opera e parë e Kosovës. Edhe pse Milto Sotir Gurra është ndër autorët më pak të njohur, novela e tij është më e njohura. Nuk ka një novelë tjetër shqipe që i afrohet për nga popullariteti.

Prandaj, “Goca e Kaçanikut” është një fenomen në letërsinë, kulturën dhe jetën tonë. Nuk është ndonjë vepër e madhe letrare, por është vepër jashtëzakonisht popullore. Pak a shumë si ato veprat që Umberto Eco i quante “kryevepra paraletrare”, edhe kjo novelë në hierarki vlerash nuk zuri vend, por u përqafua nga masat sikur një legjendë.

Novela u shkrua një vit pas betejës së famshme të Kaçanikut, betejë që lindi shumë këngë e mite, të cilat i dhanë këtij qyteti të vogël përmasa epike, aq sa lirisht mund të thuhet se, sado që beteja pati edhe më vonë në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk i arriti ato përmasa legjendare.

Kështu që, një rrëfim lirik për një kohë epike, brenda një kornize historike, e kishte të garantuar suksesin. Ashtu siç përmbush dëshirën patriotike të grekëve beteja e Termopileve, edhe Beteja e Grykës e ushqen krenarinë e shqiptarëve. Ishte kjo ndjenjë krenarie që e bëri të famshme novelën, dhe nuk është novela që e bëri të famshme betejën. Autori, edhe pse i ngathtë në shkrim, duket se ka qenë i shkathtë e i aftë për ta matur pulsin patriotik të lexuesit. Te ai puls varet popullariteti i veprës.