Shtojca për Kulturë

Rivaliteti midis Austro-Hungarisë e Rusisë në Kosovë

Sektori austro-hungarez në Kosovë i parashikuar me Programin e Mürzstegut
 

Në fillim të shekullit XX, Rusia i bëri paralajmërim qeverisë osmane dhe administratës së Vilajetit të Kosovës, se shqiptarët që gjoja atakonin serbët në Kosovë, jo vetëm që nuk po përndiqeshin, por edhe ata që ishin dënuar ishin lënë të lirë dhe se nuk po merreshin masa për sigurinë e serbëve. Ngjashëm si tani që diplomacia ruse nuk lë gur pa lëvizur në përpjekjet e saj për ta minuar konsolidimin e shtetit të Kosovës, edhe atëbotë Shën Petersburgu ndoqi të njëjtin diskurs kundër interesit shqiptar, përdori shtetet e tilla, si Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria për të arritur qëllimet e saj në drejtim të Vilajetit të Kosovës, përkatësisht për të penguar shtrirjen e influencës politike të Vjenës zyrtare në territoret shqiptare

Për çështjet e Ballkanit më të rivalizuarat ishin Austro-Hungaria dhe Rusia, të cilat po provonin të ndërtonin lidhjet e tyre me popullatën e rajonit me qëllim të çimentimit të ndikimit të tyre. Rusia, në kuadrin e përpjekjeve për të penguar shtrirjen e ndikimit dhe të pranisë së Austro-Hungarisë në Kosovë dhe për të penguar shtetin osman që të njihte kërkesat autonomiste e shqiptarëve, u bë një protektor i ambicieve serbe në nivelin e diplomacisë evropiane.

Rusia, e cila prej shumë kohësh po tregonte një interesim aktiv, mbetej e interesuar për forcimin e lidhjeve me popullsinë sllavo-ortodokse. Me këtë cilësi, ajo u gjend edhe në Kosovë në ndërhyrjet e herëpashershme ndaj administratës së Vilajetit në dobi të popullsisë serbe. Ajo i jepte mbështetje propagandës si klerit fetar ortodoks dhe shtetit serb për gjoja pozitën e vështirë të popullatës serbe, megjithëse shteti osman i kishte garantuar privilegje të gjera Kishës Ortodokse Serbe dhe vetë shtetit serb për të investuar në fushën e arsimit dhe të kulturës.