Shtojca për Kulturë

“Maestro” feston artin e Bernsteinit

Debutimi regjisorial i Bradley Cooperit me “A Star is Born” shërbeu si projekt komercial që i hapi rrugën dramës biografike “Maestro”, pasi të dy filmat trajtojnë temën e artit, si dhe dashurinë për një artist

Filmi i ri i aktorit të shndërruar në regjisor sjell historinë e bazuar në fakte të dirigjentit Leonard Bernstein, me performancat e shkëlqyeshme të Bradley Cooperit dhe Carey Mulliganit në rolet protagoniste. Ata e bartin barrën kryesore të një filmi, që nuk është gjithmonë lehtësisht i arritshëm, por sigurisht larg nga të qenët i cekët. Përpara se të krijoheshin përshtypjet e para për filmin, në media u shkaktuan polemika mbi hundën protetike që Cooperi vendosi në fytyrë, për t’i ngjarë më mirë personazhit të tij hebre. Pavarësisht faktit që aktorët kanë vepruar kështu me vite – si dhe përkrahjes nga familja e Bernsteinit për këtë veprim – për disa njerëz aspekti stereotipik i imazhit goditi nervin. Në fund të fundit ajo çka e bën filmin “Maestro” tërheqës për publikun nuk ka të bëjë me atë që sheh syri, por më shumë me atë që e dëgjon veshi. Kjo pasi është përdorur muzika e Bernsteinit për të krijuar një atmosferë unike, gjersa i gjithë projekti feston artin e tij.

Cooper ka dhënë shpirtin në këtë performancë për të shfaqur vlerësimin për atë që bën një dirigjent, duke kapur në kamerë mënyrën se si Bernstein hidhej me gjithë trupin dhe shpirtin e tij në punë dhe dëmin kolateral nga gjithë ai shpërthim krijues.

Në fillim të filmit Bernstein shfaqet si një dirigjent i ri dhe premtues, i cili gjithashtu e gjen veten të përfshirë në lidhje romantike me një burrë. Por më vonë kur e takon aktoren e re në moshë, Felicia Montealegre, e portretizuar nga Mulligan, ai bie në dashuri me të dhe kështu e fillojnë një lidhje, e cila vjen si befasi për njerëzit që e rrethojnë, përfshirë këtu motrën e tij. Edhe kur bëhet burrë i martuar me fëmijë dhe mjaft i famshëm për t’u intervistuar në shoun e Edward R. Murrow, “Person to Person”, Bernstein vazhdon të shfaqë pëlqim për burrat, ndërsa Felicia e lënduar, kryesisht bëhet sikur nuk është në dijeni të veprimeve të bashkëshortit të saj.

Nëpërmjet personazhit Felicias dhe lojës së ngarkuar me emocion dhe dhimbje të aktores Mulligan, “Maestro” shndërrohet në një histori sakrificash dhe kompromisesh, duke e sjellë në fokus nivelin në të cilin Bernstein mbështetej tek ajo për të ushqyer gjenialitetin e tij muzikor, pavarësisht ngarkesës emocionale që ia shkaktonte si pasojë e dëshirave të tij kontradiktore.

Cooper në mënyrë fantastike e imiton stilin e të folurit dhe zërin thellësisht tingëllues të Bernsteinit. Gjysma e parë e filmit shpaloset në bardhezi përpara se të kalojë befas në ngjyra. Kur shohim aktorët Cooper dhe Mulligan duke i portretizuar personazhet e tyre gjatë dekadave është e vështirë të mos jesh i impresionuar, ndërkohë që kuptohet më mirë dhe arsyeja pse Cooper vlerësoi se kontributet dhe ndërlikimet e Bernsteinit meritonin një nderim të tillë.

Filmi që për producentë ka Steven Spielbergun dhe Martin Scorsesen – në mesin e disa të tjerëve – po konsiderohet favorit për t’u shpërblyer me ndonjë çmim prestigjioz kinematografik.

“Maestro” shfaqet nëpër disa kinema prej 22 nëntorit, kurse debutimin në “Netflix” e shënon më 20 dhjetor të këtij viti.

 

Marrë nga CNN. Përktheu: Edona Binaku