Në qendër të konceptit të kësaj shfaqjeje “Negotiating Peace” janë dy ide – se tryeza e negociatave është një skenë teatrale për zgjerimin e egove të negociatorëve dhe gjithashtu simbolizon një varrezë. Shfaqja nuk ka një përgjigje. Vetëm mund të japë sugjerime. Blerta Neziraj shpërqendron dhe trondit negociatat për paqe me kamera – po, ato paraqesin sytë e botës duke shikuar këta “aktorë” – por gjithashtu i bëjnë negociatorët yje
Ka luftëra dhe pastaj ka gjendje pas luftërave, lloje të të cilave zhvillohen rreth tryezës së negociatave ku elita politike, si ajo vendore njashtu edhe ndërkombëtare, akterë në skenën botërore, bëjnë pazare për toka, njerëz dhe pasuri. Është kthesë taktike në të cilën qytetarët e vendeve të përfshira rrallë kanë hapësirë për të folur.
Pas luftërave në Ballkan ndodhën disa procese negociuese dhe drama më e re e Jeton Nezirajt, “Negotiating Peace”, imagjinon dhe heton proceset e përfshira në një botë pas konfliktit mes dy vendeve fiktive, të ngjashme me Bosnjën ose Kosovën, apo me Serbinë. Diplomati kryesor i Shteteve të Bashkuara në procesin e paqes që i dha fund luftës në Bosnjë, Richard Holbrooke, e libri i tij mbi Marrëveshjen e Daytonit, “To End a War”, dhe romani i autorit shqiptar Ismail Kadare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, shërbejnë si udhëzues dhe inspirim. “To End a War” përshkruan sfidat e gjetjes së një zgjidhjeje për konfliktin boshnjak, ndërsa “Gjenerali i ushtrisë së të vdekur” është një rrëfim i imagjinuar mbi një gjeneral italian që kthehet në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë pjesë në tërheqjen e eshtrave të ushtarëve italianë. Ajo që ofrohet është një interpretim teatral i mënyrave të ndryshme për të arritur paqe dhe një eksplorim i teatrit politik, megjithatë krahasimi dhe kontrasti i teatrit të politikës dhe dramës teatrale nuk është diçka e re. “A Very Expensive Poison” (Një helm shumë i shtrenjtë) i Lucy Prebble ka kërkuar të zbardhë atë që quhet si teatraliteti putinesk. Është madje e mundur të studiohet një modul në universitet që qëmton përdorimin e mjeteve teatrale në politikën moderne. Lexoni çdo diskurs nga akademikët rreth proceseve të Kombeve të Bashkuara për negociatat për paqes dhe do të kuptoni menjëherë se sa teatrale është gjuha – negociatorët shpesh quhen aktorë.
Në qendër të konceptit të kësaj shfaqjeje janë dy ide – se tryeza e negociatave është një skenë teatrale për zgjerimin e egove të negociatorëve (që t’i bëjnë ata superheronj dhe yje kinematografie), dhe gjithashtu simbolizon një varrezë, ku gjenerali Amadeus (Shkumbin Istrefi), një nga negociatorët, kërkon kockat e një kolegu të vdekur, kolonelit të njohur X. Që nga fillimi, peshën e të gjithë të vdekurve, traumën që disa prej tyre u shkaktuan të gjallëve, e mbajnë mbi negociata si një gijotinë e padukshme – në inskenimin e Blerta Nezirajt – edhe nëse skena e parë, siç është etiketuar në tekstin e dramës, është një skenë nga filmi i Gjeneral Amadeus (një yll kinematografik amerikan i premton se do bëjë një film për të). Dhe rreth negociatorëve Maria (një aktiviste, luajtur nga Ema Andrea), Madera (nga Republika e Banovinës (Martin Kõiv)), Danielle (Republika e Unmikistanit, (Ejla Bavçiq) dhe një diplomat amerikan si Holbrooke, Joe Robertson (Harold Thompson Rosenstrom), i sjellë për të detyruar një marrëveshje, janë dy qytetarë, përfaqësues të vendeve në konflikt. Orest Pastukh është një rojë sigurie që ndjek ngjarjet e negociatorëve me habi të rritur duke u marrë me gëzim, ndërsa Melihate Qena si Marta, kamerierja, fsheh një traumë që shpërthehet vetëm në fund të shfaqjes. Mbi tryezën e negociatave është një masë rrethore materiali. Në disa momente, ky material është i palëvizshëm, në momente të tjera duket se lëviz si një kamerë që rrotullohet nën të, duke e kapur në plan të ngushtë. Përshtypja që jep është e një gome shpëtimi që rrethon tryezën e konferencës, ndërsa negociatorët grinden ose si një simbol i një sërë ngjarjesh që nuk ka fund njësoj si proceset e paqes. Lufta, siç ka komentuar Jeton Neziraj në vende të tjera, nuk mbaron kur ajo përfundon. Dhe Kosova është e lirë nga lufta, por nuk ka paqe (një dokument i Institutit Gjerman për Zhvillim e quan Kosovën pjesërisht të lirë). Dhe me mundësinë e proceseve më të shumta të paqes në horizont (Ukraina e Rusia dhe Izraeli e Palestina) – kur dhe si do të përfundojnë të gjitha?
Shfaqja nuk ka një përgjigje. Vetëm mund të japë sugjerime. Blerta Neziraj shpërqendron dhe trondit negociatat për paqe me kamera – po, ato paraqesin sytë e botës duke shikuar këta “aktorë” – por gjithashtu i bëjnë negociatorët yje, sidomos Robertsonin, i cili e intimidon kamerën sikur të ishte në filmin “Dogma”. Duke u larguar nga debatet dhe bisedimet e pakëndshme, simbolika përdoret për të sugjeruar se çfarë po ndodh në jetën e tyre të brendshme. Në një moment ata të gjithë renditen guaskë WC-je (pa rojën e sigurisë dhe kamerieren) dhe lëvizin flamuj ndërmjet këmbëve të tyre – është e qartë që nacionalizmi udhëheq në dhomën e negociatave ose nëse janë duke i flakur tutje të ardhmen dhe ëndrrat e vendeve të tyre në ato bisedime? Lë të vendosë audienca. Në një moment tjetër, Robertson dhe Maria lëvizin dhe fërkojnë trupat e tyre lart e poshtë në tryezën e konferencës, në një referencë direkte për S&M. Është brutale, por mesazhi është se ata që janë të detyruar të sigurojnë paqen kanë motive të tjera – mazohizmin dhe sadomazohizmin. Këtu dy partnerët po hyjnë në një lidhje konsensuale ku kufijtë janë të qartë dhe po luajnë – në të njëjtën mënyrë si negociatorët që do të luanin për paqe. Kjo shfaqet edhe nga Madera, i cili i drejtohet kamerës për atë që dëshiron nga Robertson, fillimisht përdor një qasje agresive, të cilën më pas e ndërron me një qasje më flirtuese. Megjithatë, S&M nuk është gjithmonë për kënaqësi seksuale, mund të jetë edhe për lehtësimin e stresit. Blerta Neziraj e lë audiencën të vendosë.
Ka dy momente ku bota reale ndërpret këtë univers të fshehtë të negociatave për paqe. Gjenerali Amadeus kupton se do t’i nënshtrohet një tribunali për krime lufte dhe urinon. Ai ecën rreth skenës me pantallonat zhveshur deri te gjunjët – A duhet audienca të ndiejë mëshirë, trishtim apo të qeshë? Krime lufte të kryera nga serbët kundër popullit të Kosovës janë ende të freskëta në kujtesën e tyre. Në momentin kur ai e merr në pyetje Martën për kolonelin X të zhdukur, zbulohet gjithashtu padrejtësia e tij, duke dyshuar se ajo është përgjegjëse për zhdukjen e tij.
Nëse detyrimi për të krijuar këtë shfaqje ishte për të eksploruar negociatat për paqe, atëherë përfundimi i saj është ndoshta një surprizë. Negocimi për paqe nuk mund të bëhet në vakum ose një mjedis të mbyllur, duke injoruar qytetarët që do të preken më së shumti, duke kaluar mbi traumën e tyre. Të vdekurit dhe ato që të vdekurit bënë me të gjallët kanë një prezencë në këtë shfaqje që nga fillimi. Janë elefanti në dhomë (ose ndoshta panda, duke parë se Pastukh vishet me një kostum pande duke valëzuar në fillim dhe në fund të shfaqjes, si simbol paqeje), megjithatë, njohja e tyre është mënyra e vetme për të bërë një paqe të vërtetë. Prezenca e tyre është e realizuar nga Marta. Për gjithë shfaqjen, ajo është fytyrë e tensionuar dhe e heshtur derisa ajo që i ndodhi shfaqet mrekullueshëm. Dhe në këtë moment, kur ajo dhe roja e sigurisë mbajnë njëri-tjetrin fort, bashkohen nëpërmjet traumës së ndarë, goma e sigurisë prej materiali zbret poshtë në skenë për treguar veten si një strukturë e thurur nga rrobat e grave. Rreth 20.000 gra janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe. Vetëm një përgjegjës është ndjekur deri tani. 20.000 është vetëm një supozim. Në Bosnjë, serbi Ratko Mladiq u dënua për krime lufte, përfshirë dhunën masive nga trupat e tij, por të mbijetuarit ende jetojnë me traumën edhe njëzet vjet më vonë. Këto krime dhe traumat aplikohen edhe në konfliktet aktuale sot.
Në përfundim, “Negotiating Peace” synon të eksplorojë negociatat për paqe që kanë ndodhur nëpër botë. Ka zbuluar disa fakte të rëndësishme – se pas-lufta në Kosovë u braktis nga BE-ja për të ngazëllyer Serbinë (Dr. Aidan Hehir, një akademik dhe shkrimtar që u ftua në skenë gjatë shfaqjes, dha disa fakte për ta përcaktuar mirë atë) – që për paqen të ketë edhe një mundësi (e cila është pamjaftueshëm e qartë, sepse paqja e një vendi dhe ajo e individëve të tij mund të mos jenë të njëjta) traumën e brendshme dhe të jashtme të përjetuara nga qytetarët e vendeve të luftuara duhet jo vetëm të njihen, por edhe të japin zë, me synim të sjellin kriminelët para drejtësisë. Përfundimi i shfaqjes është efektiv në komunikimin e kësaj. Nëse politikanët dhe diplomatët aktualë do ta marrin vesh, është një çështje tjetër.
“Negotiating Peace” së fundmi pati një turne nëpër Evropë. Shfaqja i është dedikuar dramaturges kanadeze Sharon Pollock.
Marrë nga “The Theatre Times”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu: Enis Bytyqi