Shtojca për Kulturë

“Oj Kosovë” midis realitetit dhe shkëlqimit treditor të Festivalit të Këngës

Descriptive Text

Me “Oj Kosovë” të La Fazanit, këngën fituese të edicionit historik të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, zbërthehen shumëfish realitete: tekstualisht në këngë ai i Kosovës, tërthorazi, realiteti i Festivalit që shkëlqen tri ditë në sallën e djegur dhe si tërësi, trende të reja në muzikë. Se Festivali qe festë dhe një test i kaluar me sukses, është pika e përbashkët. Por nëse është rilidhje e traditës muzikore a vazhdimësi e “Akordeve të Kosovës”, qasjet janë të ndryshme

Festivali historik i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës me tri net magjike e ktheu skenën artistike muzikore në fillimet e saj. Tingujt e bukur të muzikës e vargjet poetike u zbërthyen midis trendëve të reja e traditës. Arti – veçmas kënga – si mjet i fuqishëm për kritikë.

Këtë e ka bërë kënga fituese “Oj Kosovë” e kantautorit Arbër Salihu. Nëse ishte më e mira, në kishte këngë të tjetra për çmimin e parë dhe historik, është tjetër çështje.

Ngjarja historike, nga organizatorët e artdashësit, është vlerësuar festë për këngën e mirëfilltë shqipe. Tentativë për të nisur një kapitull të ri dhe së paku për tri net imazhi qe shkëlqyes, ani pse “fsheh” realitetin e zymtë, nisur prej sallës ku është mbajtur.

Se festivali qe festë dhe një test i kaluar me sukses, është pika e përbashkët. Për rilidhje të traditës muzikore a vazhdimësi e “Akordeve të Kosovës”, qasjet janë të ndryshme.

Edhe finalja e Festivalit të Këngës solli interpretim po aq të fuqishëm. Salla e adaptuar për 1600 persona u mbush plot. Adresa e Festivalit qe hapësira në sallën ku shenjat e shkatërrimit janë arnuar dhe se me përfundimin e ngjarjes shënojnë edhe rikthimin e një pjese në gjendjen e mëparshme.

Një skenar që i përshtatet konceptit të Festivalit – udhëhequr gjatë tri netëve nga Adi Krasta, Besim Dina, Edona Kasapolli e Edona Reshitaj – me performanca këndimi e vallëzimi, si dhe interpretim të poezive, bashkë me mesazhet e artistëve të mëdhenj në skenë. Megjithatë, fokusi ishte shpallja e këngës fituese, historike, e edicionit të parë të Festivalit të Këngës – “Oj Kosovë” e artistit Arbër Salihu i njohur si La Fazani.

Kritikë për shtetin, shoqërinë e vetë artistin

Vargjet e këngës janë kritikë e autokritikë. Për shtetin, shoqërinë e për vetë artistin. Brenda një varg i këndon hajnisë e dëshirë për shkëlqim të shtetit. Efektet negative mbulohen me ngjyra folklori që tingëllojnë trimërore e gatishmëri për vetëflijim. “Për ty jetën e kisha dhanë, veç mos m’shtin me bajt shumë rand”, është njëri prej vargjeve. Pika koreografike që përcjell në sfond me vallëzimin tradicional shqip, që në fakt luhet nga artistë të huaj, flet qartë edhe për anashkalimin e traditës.

Image
Ngjarja historike, nga organizatorët e artdashësit, është vlerësuar festë për këngën e mirëfilltë shqipe. Tentativë për të nisur një kapitull të ri dhe së paku për tri net imazhi qe shkëlqyes, ani pse “fsheh” realitetin e zymtë, nisur prej sallës ku është mbajtur Festivali i Këngës në RTK

Ngjan në provokim e guxim, një kontrast i së mirës e së keqes. Flitet edhe për dëshirën për të ikur, që për shumëkënd nuk mundësohet. Në anën tjetër: tejet ritmike, me ngjyra të hip-hopit, ku mes rreshtash e kritikon edhe veten. Madje flet edhe për realizimin e Festivalit në kohën kur fituesi nuk ka të drejtë të marrë pjesë në garën evropiane të këngës “Eurovision”.

La Fazani, vetëm pjesëmarrjen në Festival e ka konsideruar historike. Ka thënë se nëpërmjet krijimit artistik të tij ka dashur të përçojë mesazhe.

“Për mua nuk ka qenë më rëndësi të shkoj në ‘Eurovision’, ka qenë me rëndësi të marr pjesë në këtë festival. As të fitoj nuk ka qenë me rëndësi. Kam dashur veç të kontribuoj, të sjell një frymim që është stili im që e kam kultivuar”, ka thënë Salihu për KOHËN. “Dashuria e sinqertë është aty, por definitivisht edhe kritikë ka aty sa të duash për gjendjen tonë si shoqëri. Kritika është në përgjithësi te ne, unë edhe veten e kritikoj në këtë këngë”, ka thënë ai për këngën.

Sipas Salihut, kënga “Oj Kosovë” është dokumentim i ndjesive për ato nëpër të cilat po kalon vendi. “Duhet të ketë këtë fuqi arti, sepse duhet të dokumentohen ndjenjat që ne i përjetojmë. Do të ishte tragjike nëse nuk do të kishin ekzistuar këngët, filmat, librat, gjithçka që dokumenton ndjenjat. Kjo që provoj të bëj me muzikën time është dokumentim i ndjenjave nëpër të cilat jemi duke kaluar”, ka thënë më tej ai.

Çmimi i është dhënë nga kryeministri Albin Kurti.

“Kaq shumë energji e bukuri për më shumë se dy orë, përjetim i paharrueshëm dhe përvojë e veçantë besoj për secilin prej nesh që ishte këtu”, ka thënë kryeministri Kurti në skenë para se t’ia jepte çmimin La Fazanit.

Çmimin e dytë e ka marrë artistja Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”, ndërsa të tretin Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”. Gjithashtu u nda Çmimi i Orkestrës, të cilin e mori Saranda Alija për këngën “Mendoj ku je”.

Këngët janë vlerësuar nga juria e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adrian Hila dhe këngëtarja suedeze Ulja Sjostrom.

Festë, vazhdimësi apo kapitull i ri

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës, Florent Boshnjaku, e ka konsideruar festivalin si festë.

“Ky festival duhet të jetë festë, edhe ishte festë. Në fund fitoi La Fazani, prapë ishte festë. Këtë vit me të vërtetë nuk ka pasur rëndësi fitorja e njërit apo tjetrit, mendoj se me të vërtetë ka qenë festë për komunitetin artistik dhe për krejt vendit”, ka thënë Boshnjaku.

Tema e “Akordeve të Kosovës” futet në lojë, ngase për shumë vjet pati zotime e premtime për rikthimin e një ngjarjeje të tillë dhe Festivali jo rrallë është konsideruar si konkretizim i nismave si këto. “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve më të vjetra kulturore të organizuara në vend, qe njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë që rrugëtimin e nisi në vitin 1963. Vitet ‘90 qenë kohë sfidash për ngjarjen që përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, më 1995 u ndërpre.

Boshnjaku ka thënë se tradita muzikore shqiptare nuk ka filluar me Festivalin e Këngës.

“Ne kemi traditë të jashtëzakonshme muzikore. Pa diskutim se kjo traditë ka qenë thjesht e ndërprerë dhe është duke vazhduar. Normalisht në një format tjetër dhe në mënyrë tjetër, me trende të reja muzikore”, ka thënë autori i shumë këngëve të njohura.

Përcjellja me muzikë origjinale nga Orkestra e Festivalit të Këngës ka luajtur gjithashtu rol kyç në prezantimin e këngëve. Alfred Kaçinari, Edon Ramadani dhe Valton Beqiri kanë qenë drejtuesit e Orkestrës për tri net.

Ndërlidhje me festivalin e dikurshëm ka bërë edhe dirigjenti e orkestruesi Edon Ramadani.

“Pas një shkëputjeje shumëvjeçare që prej ndaljes së funksionuari të ‘Akordeve të Kosovës’ diku në vitet ’90, për shkak të represionit. Nuk ishte e lehtë të rikthehej në skenë një festival i tillë duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një formacion goxha të madh orkestral, këngëtarët duket të këndojnë drejtpërdrejt. Jemi shumë të lumtur. Kjo është natyrisht si vazhdimësi e shumë koncerteve dhe projekteve të tjera, që edhe pse festivali ‘Akordet e Kosovës’ ka ndërprerë punën e tij që shumë vjet, pas luftës kemi pasur shumë projekte, ndoshta me formacione edhe më të mëdha”, ka thënë Ramadani, derisa këngët i ka vlerësuar të ndryshme për nga stilet, si dhe për nga aspekti i kompozimit.

Profesoresha e muzikës, Lejla Pula, e cila si fëmijë ishte pjesëmarrëse e festivalit “Akordet e Kosovës”, ka thënë se në Festivalin e Këngës pati këngë të bukura e më moderne.

“Vërtetë është festivali i parë i këngës pas luftës, por unë jam rritur me ‘Akordet e Kosovës’ dhe mund të them se vërtet kultivimi i vlerave të këngës së mirëfilltë është me rëndësi të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.

Këngëtarja Shpresa Gashi, njëri prej zërave më të shquar të muzikës shqipe, ka thënë se në skenën e këngës janë krijuar standarde të reja që po çojnë drejt humbjes së identitetit kulturor e kombëtar.

“Në Kosovë sistemi i vlerave të vjetra u përmbys dhe tani po krijohen standarde të reja. Por ndodhi një diskontinuitet pas lufte mes tradicionales dhe modernes. Kur ndodh kjo, ndërpritet tradita, kur ndërpritet tradita, humb identiteti kulturor dhe kombëtar. Gjatë represionit serb u shuan institucionet dhe ato u zëvendësuan me disa private, kot, që privatizuan standardet, personalizuan dhe fatkeqësisht i shprishën, i çoroditën. Ajo çorodi shpresoj të çrrënjoset”, ka thënë Gashi nga skena e Festivalit.

Ndryshe prej distancës që mbajnë kryeorganizatorët me “Akordet...” – e që është parë edhe në të tri netët e Festivalit kur ngjarja historike nuk përmendet kund – violinisti Festim Fanaj, Festivalin e Këngës e ka konsideruar rilindje të “Akordeve...” që u ndërprenë tok me masat e dhunshme ndaj shqiptarëve.

“Kemi pasur më parë ‘Akordet e Kosovës’, fatkeqësisht nuk janë rinovuar paslufte deri në këtë kohë. Ngjarja është një lloj renesance e ‘Akordeve të Kosovës’. Sivjet jemi mobilizuar ne instrumentistët të cilët janë ndër më të mirët që ka Kosova si nga sektori ritmik, si nga harqet dhe frymorët”, ka thënë Fanaj, anëtar i Orkestrës së Festivalit.

Distancimi nga “Akordet e Kosovës”

Por drejtori i përgjithshëm i Festivalit të Këngës, Adrian Krasta, i ka distancuar dy ngjarjet, duke thënë se nuk ka lidhëse midis tyre. Për “Akordet e Kosovës” ka thënë se ka qenë aktivitet në kontekst jugosllav ku shprehja nëpërmjet këngës ka qenë e kufizuar.

“Për ata që e kanë qejf historinë dhe faktin – që është një informacion i verifikueshëm – ‘Akordet e Kosovës’ edhe pse ka qenë një aktivitet shumë i rëndësishëm për zërin shqiptar, ka qenë një aktivitet në kontekstin jugosllav. Domethënë, Jugosllavia politike dhe artistike kishte krijuar nëpër pole të ndryshme një aktivitet. Por shqiptarët në atë kohë nuk ishin të lirë të bënin atë që donin. Presioni ka qenë aty. Ne jemi në një Kosovë tjetër, nuk jemi në një Kosovë jugosllave, jemi në një Kosovë kosovare. Një Kosovë e të gjitha nacionaliteteve, multietnike, por në një Kosovë të pavarur”, ka thënë drejtori i Festivalit të Këngës. Në këtë kontekst, sipas tij, një festival që do të lindte pas njëzet e ca vjetësh, pa dyshim me vlerat më të mira të të gjitha aktiviteteve më të mira.

“Por nuk na detyron të kemi pika kontakti apo pika shkëputjeje”, ka vazhduar ai në përgjigjen e tij kur është pyetur për pikat që lidhin dhe ndajnë dy ngjarjet mes vete.

Për hapësirën e rivitalizuar dhe të transformuar të sallës së sporteve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në shfrytëzim të Festivalit të Këngës në RTK, ka thënë se ajo duhet t’u shërbejë artit e kulturës. Ka kërkuar të mos rikthehet destinimi i dikurshëm i saj.

“Do të isha lutur që tre vjetët e parë Festivali të bëhet në të njëjtën skenë, pasi ky është një investim i madh, shumë i shtrenjtë. Shpresoj që kjo sallë të mos përdoret më për parking, mjaft më, veturat të kenë vend diku tjetër. Në këtë vend duhet të bëhet art, kulturë, dhe ky ambient duhet të përdoret në interes të publikut“, ka thënë Krasta.

Dhjetëshja finaliste si mozaik

Kanë qenë të 18 këngët konkurrente që publikut e jurisë u janë prezantuar në dy netët e para të Festivalit të Këngës të premten mbrëma. Prej tyre dhjetë u zgjodhën finalistët e edicionit të parë, të cilët interpretuan në natën finale.

Në natën e dytë biletë për finale morën Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, Arbër Salihu me “Oj Kosovë”, “Urban Band” me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi” e Neki Emra me “Heroi im”. Në finale janë kualifikuar gjithashtu edhe Hilmi Obertinca me këngën “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me këngën “Trenat”.

Anëtarja e jurisë, këngëtarja Alma Bektashi, pas përfundimit të programit të natës së dytë, ka thënë se nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja e këngëve për shkak të stileve të tyre të ndryshme.

“Ka pasur këngë të ndryshme, stile të ndryshme, këngëtarë të ndryshëm. Mendoj se juria profesionale ka vendosur që këngët e përzgjedhura janë ato që kanë plotësuar kushtet për të vazhduar në finale”, ka thënë këngëtarja Bektashi për KOHËN.

Janë këngë të stileve të ndryshme ku takohen tradicionalja e modernia. Nga tingujt e çiftelisë e deri në ritmet e elementet e muzikës elektronike, këngët finaliste kanë përfshirë dedikime për familjen, dashurinë e vendin. Interpretimi i fuqishëm e plot emocion ka qenë edhe imazhi i natës gjysmëfinale të Festivalit. Po kjo natë ka qenë kanali prej ku janë prezantuar institucionet e vendit e skena artistike. I gjithë publiku në sallë është ngritur në këmbë në shenjë respekti për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë të Kosovës. Janë promovuar edhe sporti e kinematografia.

Në skenë është risjellë kënga debutuese e Shqipërisë më 2004 në “Eurovision” – “Image of you” e Anjeza Shahinit. Interpretimi i saj ka qenë tjetër veçanti e mbrëmjes. Janë interpretuar edhe “Natën vonë” të Vaçe Zelës, “Baresha” të Nexhmije Pagarushës dhe “A thua ma lehtë pa dhimbje” të Muharrem Qenës. Janë thesari i këngës shqipe, sikurse edhe kënga “Këngët e bilbilit” e Jusuf Gërvallës, të cilën e ka interpretuar kantautori Shpat Deda.

Edicioni i parë i Festivalit u organizua pa anëtarësimin e Radiotelevizionit të Kosovës në Unionin e Transmetuesve Evropianë (EBU), që i mundëson Kosovës pjesëmarrjen në Garën Evropiane të Këngës. Megjithatë, një prej synimeve të saj është t’i lidhë artistët vendorë me skenën e këngës evropiane. Me Festivalin e Këngës, një shteg tashmë është hapur.

Shtytja për rivitalizimin e Pallatit të Rinisë

Në shkurt të këtij vitit nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit, Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Sivjet janë dhënë 300 mijë euro që kanë shkuar për Festivalin, ani pse në Memorandum përmendet edhe themelimi i një kanali televiziv për art dhe kulturë.

Ditë më parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se si kryeqytet bashkë me Pallatin e Rinisë dhe Ndërmarrjen Publike Banesore kanë ndarë 350 mijë euro investim “për ta jetësuar këtë projekt të ringjalljes së ikonës së kryeqytetit”.

Të shtunën mbrëma ka thënë se po planifikohet rivitalizimi i gjithë Pallatit të Rinisë.

“Ne jemi duke bërë fizibilitetin e gjithë hapësirës, i kemi bërë analizat me arkitektin e qytetit dhe e kemi tash një program të ri, me partneritet publiko-privat që ta rivitalizojmë gjithë Pallatin e Rinisë. Kjo tregon se nëse ne duam të bëjmë punë, mund ta bëjmë. Nuk ka kurrfarë arsye të mos i rivitalizojmë gjithë këto ikona, sidomos ikonat e kryeqytetin. Duke filluar me Pallatin e mrekullueshëm të Rinisë”, ka thënë kryetari Rama për KOHËN, të shtunën mbrëma para nisjes së natës finale.