Shtojca për Kulturë

Gjeneral Tellini – dëshmor i çështjes shqiptare

Gjeneral Enrico Tellini (1871-1923): “I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërjet e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”
 

Me rastin e përvjetorëve të ndryshëm është bërë traditë të përkujtohen ngjarje apo personalitete të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në mjedisin përkatës. Në këtë përvjetor jubilar me rastin e 100-vjetorit të vrasjes se gjeneral Enrico Tellinit, ka qenë obligim i shtetit shqiptar të organizojë një akademi solemne, duke vlerësuar lart angazhimin e tij në përcaktimin e kufirit mes Shqipërisë e Greqisë. Por, në sajë të qëndrimit parimor në favor të drejtësisë do të thotë të shqiptarëve, ai së bashku me shoqëruesit, u vranë nga grekët më 27 gusht 1923. Në kohën e Mbretnisë Shqiptare ai u nderua, por në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1947 iu shkatërrua shtatorja për çështje jo vetëm ideologjike, e cila ishte vendosur në vitin 1941, ndërsa tani me rastin e 100-vjetorit të rënies së tij ka qenë e udhës që në shenjë respekti, të rivendoset shtatorja e tij në Tiranë apo në Sarandë me të gjitha nderimet shtetërore

Konferenca e Paqes në Paris më 9 nëntor 1922 e emëroi gjeneral Enrico Tellinin për kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve në mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duke marrë parasysh aspiratat pushtuese të Greqisë ndaj territoreve shqiptare, Komisioni nuk e kishte lehtë të vepronte në terren, sepse kishim të bënim me zonën kufitare e cila nuk ishte definuar prej vitit 1913 në mes dy vendeve. Por, në sajë të këmbënguljes së Tellinit duke njohur realitetin në terren, fshatrat Pobickë dhe Radat në Leskovik, Peshkopi, Rrëzë e Zezë dhe Kakavijë i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Duke ditur presionin e grekëve ndaj popullsisë shqiptare në zonën kufitare, duke ngjyrosur shtëpitë me flamurin grek, apo duke i detyruar të flasin greqisht, për t’i eliminuar dilemat se cila popullsi jeton në fshatrat e zonës kufitare ai bëri një eksperiment i cili ishte i veçantë për kohën që me të drejtë është quajtur “eksperimenti Tellini“.

Ai për ta kuptuar realitetin e popullsisë përkatëse së cilës kombësie i përkasin, u hidhte karamele fëmijëve dhe aty dëgjonte se çfarë gjuhe flisnin, kur ziheshin për t’i kapur. Pasi të gjithë flisnin shqip, ai e kishte të qartë se fshatin e tillë duhet lënë brenda territorit shqiptar.