Ngjarja vendoset në Prishtinë në vitin 2002 siç vjen nga emërtimi i filmit. Krejt veçoritë e asaj kohe i shpalos nëpërmjet miqësisë së dy adoleshenteve, ku tendencat e tyre për ta ndryshuar vetveten i çojnë në përballje me të papriturat. Në një formë është hapje e diskutimit për manifestimin e mënyrës së si fëmijët bartin sjelljet e tyre te brezat e ardhshëm. Pos për shoqërinë në Prishtinë, “Prishtinë, 2002” vjen edhe si kujtesë personale e regjisores Trëndelinë Halili mbi të cilin është bazuar rrëfimi në film
Pas sukseseve në skenën ndërkombëtare, “Prishtinë, 2002” është kthyer në vendin prej ku buron historia e krejt filmit. Shfaqja në kryeqytet ktheu audiencën dy dekada prapa. Stereotipat e kohës, veshja, gjuha e folur, veçmas ndjenja e lirisë, kanë qenë prej emocioneve që kanë rrugëtuar publikun në kujtesën kolektive e personale.
Ndonëse ishte dhënë premierë vendore në verën e sivjetme në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren, stacioni i fundit i filmit ka qenë përjetim unik dhe si artefakt për kohën e lulëzimit të një periudhe të re.
Në mbi 20 minuta, filmi që u shfaq të premten mbrëma në “Kino Armata” fokusohet veçanërisht në ndjenjën e lirisë te rinia e kryeqytetit. Dy personazhe, Leti që luhet nga Hana Limani dhe Dona nga Rrezarta Haziraj janë të rrethuara nga shenjat e luftës. Janë grafite e objekte të braktisura që eksplorojnë derisa i përcjell krijimtaria artistike e kohës.
“Prishtinë 2002” krejt veçoritë e asaj kohe i shpalos nëpërmjet miqësisë së dy adoleshenteve, ku tendencat e tyre për ta ndryshuar vetveten i çojnë në përballje me të papriturat. Filmi hapet me skenën ku Leti luan me top dhe ka stil djemsh. Fillon të imagjinojë e trillojë gjëra që shpejt i zbulon shoqes së saj Donës se nuk janë ashtu. Kështu ngjan me tentativën për t’u bërë adoleshente e denjë duke krijuar idenë e të dashurit fiktiv. Ngjarja vendoset në Prishtinë në vitin 2002 siç vjen nga emërtimi i filmit. Sekuencat e filmit kanë sjellë të qeshura pafund te publiku. Janë shenja të imëta që zgjojnë reagimet tek ta dhe u sjell në mëndje historitë e tyre për atë kohë. Në të përfshihet një pjesë e mirë e fëmijërisë, e lojës.
Filmi në një formë vjen si hapje e diskutimit për manifestimin e mënyrës së si fëmijët bartin sjelljet e tyre te brezat e ardhshëm. Pos për shoqërinë në Prishtinë, “Prishtinë, 2002” vjen edhe si kujtesë personale e regjisores Trëndelinë Halili mbi të cilin është bazuar rrëfimi në film.
“Filmi është i bazuar në disa rrëfime personale, por kam biseduar me njerëzit dhe kam filluar të hulumtoj. Interesante më është dukur mënyra sesi kemi jetuar ne si fëmijë në vitet ‘2000 dhe fillimet e kësaj kohe kanë qenë mjaft komplekse pasi kemi qenë në fazë tranzicioni. Kemi pasur shumë probleme shumë të mëdha me infrastrukturë, me edukim, me ekonomi dhe si kemi lulëzuar ne në atë periudhë, si e kemi manifestuar dashurinë, intrigat, më ka bërë përshtypje dhe është dashur të nisem më shumë nga përvojat personale”, ka thënë Halili.
Shfaqja në Prishtinë ka qenë emocion i veçantë për të, për të parë edhe reagimet e publikut.
“Pata një ndjenjë të jashtëzakonshme, një emocion të jashtëzakonshëm sa m’u duk se po shfaqet premierë botërore, për shkak se filmi ‘Prishtinë, 2002’ është në një mënyrë për Prishtinën e 2002-s. E dija se në film gjithçka është krijuar prej ngjarjeve reale, kostumografia është përshtatur, muzika, slang-u, ndoshta kam përdorur edhe stereotipa për ta treguar 2002-n. E dija se nëse e shfaqim në Prishtinë, njerëzit janë shumë më të lidhur dhe reflektimi i tyre është shumë më i ndjeshëm sesa kudo në botë ku e shfaqim sepse është i bazuar komplet për Prishtinën e pasluftës”, është shprehur Halili.
Filmi “Prishtinë, 2002” e ka pasur premierën në festivalin prestigjioz të filmit të metrazhit të shkurtër “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand” në Francë që u mbajt prej 27 janarit deri më 4 shkurt. Aty është shpërblyer me çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar. Më pas është shfaqur edhe në Angli e në Zvicër.
Regjisorja Trëndelinë Halili ka thënë se gjithandej filmi është pritur mirë, ndonëse publiku i huaj mund të mos e ketë pasur idenë e ngjarjeve të asaj kohe.
“Filmi ka marrë lëvdata për humorin, jam frikësuar se humori është më lokalist, më i brendshëm, më ka pëlqyer, sepse kam dëgjuar audiencën që ka qeshur shumë, ndoshta më shumë se këtu. Është pritur mirë, është pritur ndryshe gjithandej, por këtu e ndiej që njerëzit kanë reflektuar shumë më shumë sepse kanë pasur të përbashkëta me realitetin e të 2000-ve. Dikush jashtë e ekzotizon ndoshta më shumë idenë e Kosovës së pasluftës sesa që reflekton në përjetime”, ka treguar Halili.
Producenti Ermal Gërdovci ka paralajmëruar se shumë shpejt filmi do të shfaqet edhe në kryeqytetin e Islandës. Megjithatë, e veçantë mbetet për të shfaqja e “Prishtinë, 2002” në Prishtinë.
“Filmi e ka pasur suksesin prej fillimit të këtij viti, ka marrë pjesë në festivalin më të madh të filmit të shkurtër në Francë, pastaj ka shkuar në Londër, tash së fundi do të shfaqet edhe në Reykjavík, përpos kësaj na ka shpërblyer edhe ‘DokuFesti’ me çmimin më të mirë kombëtar, gjithashtu të njëjtin çmim e kemi marrë edhe në Korçë. Jemi shumë të lumtur. Kjo shfaqje ishte shumë e veçantë për mua, u gëzova shumë që erdhën kaq shumë njerëz, e panë filmin. Ndjesia e parë m’u duk që u pëlqeu filmi”, ka thënë Gërdovci derisa është shprehur i emocionuar për shfaqjen e filmit.
“Sepse jam i këtij vendi, filmi është për këtë vend, ishte shumë emocion i madh që më në fund ta sjellim filmin në Prishtinë”, ka thënë ai.
Pas shfaqjes së filmit, si dhuratë për publikun kanë qenë pamjet nga prapaskenat dhe krejt hapat e realizimit, që nga audicionet që kishin nisur në vitin 2020. Në maj të vitit 2021 kishin nisur provat ndërsa një muaj më pas ishin përcaktuar lokacionet. Në qershor kishin nisur xhirimet e filmit. Në klip shfaqet edhe momenti final me pamje nga premiera në Clermont-Ferrand, nga shfaqja në Britani në janar e me momente nga premiera vendore në Prizren sikurse edhe momenti i shpalljes së filmit si më i miri vendor në “DokuFest”.
Producenti Gërdovci ka thënë se shfaqja e krejt këtyre momenteve vjen si falënderim për përkrahjen e publikut.
“Prej momentit që vendosëm ta organizojmë shfaqjen, nuk deshëm që publikut t’ia japim veç filmin, pasi që është i shkurtër, por edhe një bonus, si shenjë falënderimi për përkrahjen që na kanë dhënë gjatë gjithë rrugëtimit. Kjo ishte ideja më e mirë që më erdhi, të kap disa skena për të prezantuar rrugëtimin tonë”, ka thënë ai.
Aktorja Hana Limani e ka vlerësuar realizimin e filmit si eksperiencë të paharruar.
“Ka qenë një prej filmave më të mirë që kam xhiruar, ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, me krejt ekipin, aktorët kemi qenë të gjithë të kënaqur. Shpresoj se në të ardhmen të kem edhe më shumë xhirime me të njëjtin ekip”, ka thënë ajo para publikut pas shfaqjes së filmit.
Ndërsa protagonistja tjetër në film, Rrezarta Haziraj, ka thënë se filmi do të mbetet kujtim i përjetshëm për të. “’Prishtinë, 2002’ ka qenë filmi i parë për mua në të cilin kam marrë pjesë, edhe pse kam qenë në pjesë të shfaqjeve teatrale. Ka qenë një ndër xhirimet më të mira ndonjëherë për shkak të ekipit, Trëndelina dhe Ermali na kanë bërë të ndihemi shumë mirë. Kur e shoh tash është interesant, sepse është bërë një kohë dhe jemi rritur shumë shpejt. Do të mbetet një kujtim i përjetshëm që mund ta shohim edhe pas shumë viteve”, ka thënë ajo.
Bashkëskenaristi i filmit, Yll Bylykbashi, ka thënë se filmi trajton një tematikë të ndjeshme për shoqërinë.
“Jam shumë i lumtur që është bërë ky film, që e trajton një temë shumë intime, goxha të ndjeshme që kemi kaluar të gjithë ne, që nuk është një problem, por që është trajtuar. Më vjen mirë që ka pasur kaq dashuri dhe sukses filmi. Dua ende të trajtoj këso temash dhe jo probleme të mëdha”, ka thënë ai.
Destinacioni i radhës i “Prishtinë, 2002” është festivali më i madh i filmit në Islandë, “Reykjavik International Film Festival”. Sivjet festivali shënon edicionin e 20-të dhe ka nisur më 28 shtator e vazhdon deri më 8 tetor.