Shtojca për Kulturë

Një libër që të merr me vete në një fluturim të papërsëritshëm

Libri i Enver Robellit nuk lëviz nëpër skenat e mëdha botërore, nuk tregon në mënyrë të zakonshme, nuk ndjek kanone fushash të ndryshme, por mundëson shikimin prapa skenave, shikimin në thellësitë e greminave njerëzore, që të argëtojnë por edhe të tronditin (Foto: Driton Paçarada)
 

Recension për librin “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë. Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të” nga Enver Robelli

Ka libra me përmbajtje të cekët, por lexim të gjatë. Dhe ka libra me përmbajtje të thukët dhe lexim të shkurtër, lexim me një frymë, që nuk e lë dot anësh pa e mbaruar. Libri i Enver Robellit për shekullin e 20-të i takon pa dyshim grupit të fundit.

Në shikim të parë të duket si enciklopedi që përbëhet nga paragrafë të shkurtër që të kujtojnë zërat enciklopedikë dhe si të tillë nuk janë as kronologjikë e as kompakt nga përmbajtja. Pra, në shikim të parë dëshiron ta mbyllësh. Kush lexon enciklopedi për qejf? Por po fillove, siç u tha më lartë, nuk e lëshon nga dora, se ia gjen fillin e kuq. Të duket si një litar, për të cilit janë varur ngjarje nga një shekull histori botërore.