“Glimmer of Hope, Glimmer of Flame” është titulli në anglisht i romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit, që bashkon rrëfimet tragjike të të dy nënave të Kosovës. Historitë e përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit dhe vrasjeve serbe ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, tani depërtojnë kufijtë për nga aspekti gjuhësor, siç ka bërë deri më tash edhe në holandisht e gjermanisht.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse” në anglisht vjen i përkthyer nga Robert Wilton dhe botimi ka përkuar pikërisht me 20-vjetorin e vetëflijimit të njërës prej personazheve në jetën reale – Pashkë Krasniqi-Markajt. Dy dekada më parë kishte djegur veten pas kthimit të mbetjeve të të dy bijve të saj të vrarë në Masakrën e Mejës.
“Sot, me rastin e 20-vjetorit të vetëflijimit të nënës Pashkë (Krasniqi) Markaj, e cila dogji veten pas kthimit të mbetjeve të të dy djemve të vrarë në Masakrën e Mejës, u botua në gjuhën angleze romani im, ku tregohet historia tragjike e Pashkës, krahas historisë së nënës Ferdonije”, ka shkruar autori i librit, Ag Apolloni, në rrjetin Facebook. Në Gjakovë, vendin e vetëflijimit të nënë Pashkës, të shtunën, e ka vizituar vetë shkrimtari sikurse edhe kryeministri Albin Kurti dhe aty janë pritur nga familja Marku.
Përkthyesi i veprës, Robert Wilton, e ka konsideruar romanin si dokumentar të jashtëzakonshëm, duke vënë në pah vuajtjet e grave për humbjen e fëmijëve.
“Jehona e kobshme e luftës dhe vuajtjet e dallueshme të nënave vazhdojnë”, ka shkruar Wilton.
Botimi në anglisht gjendet edhe në gjigantin “Amazon”, që veprën e Apollonit e vlerëson si “zë unik nga vendi më i ri i Evropës, i rrënjosur në traditat e tij më të vjetra letrare”.
“Një mozaik i fateve të liga të luftës dhe pasojave të dhimbshme të paqes, romani u bën jehonë të vërtetave të përjetshme të tragjedisë së lashtë greke, ndërsa tregon dhimbjet e luftës moderne. Ai eksploron kuptimin e mëmësisë, të familjes dhe të shtëpisë”, shkruhet në platformën globale të blerjeve online “Amazon”. Apollonin e cilëson si njërin prej shkrimtarëve të dalluar shqiptarë të brezit të tij, i admiruar për prozën e tij bashkëkohore më eleganten deri më tash dhe për larminë e pasur të referencave.
Doku-romani i shkruar me një stil të veçantë, ku bashkëjetojnë fakti e fiksioni, rrëfen për pasojat e luftës së fundit në Kosovë. Teksa ndërlidhet me një sërë faktesh e statistikash reale të luftës së fundit në Kosovë, romani rrëfen edhe vuajtjet e dy nënave, të cilave ua kishin vrarë djemtë në luftë; atë të Ferdonije Qerkezit dhe Pashkë Markut.
Romani në holandisht doli në treg më 17 shkurt kur Kosova festoi 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. U promovua në Hagë. Vepra është përkthyer nga Jan Jansen, ndërsa është botuar nga “Het Hereldvenster”. Me ftesë të Ambasadës së Kosovës në Holandë, në promovimin e librit i pranishëm kishte qenë edhe vetë autori Apolloni. Libri në gjuhën holandeze i kishte rënë në dorë edhe kritikes së njohur holandeze, Mieke Bal, e cila, në një koment dhënë për KOHËN, e kishte cilësuar atë si kryevepër. Pikërisht ky koment i saj për librin ka zënë vend në kopertinën e librit të botuar në anglisht. “Një kryevepër” shkruhet mbi emrin e Mieke Bal.
“Një doku-roman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film”, kishte thënë kritikja Mieke Bal me rastin e promovimit të librit në Hagë të Holandës.
Në promovimin e librit kishte marrë pjesë edhe shkrimtarja holandeze Gerda Mulder, e cila, teksa ka folur për romanin, ka treguar edhe për njohjen me historinë e njërës prej personazheve kryesore të romanit, Ferdonije Qerkezi.
“Kohët e fundit romanin e Apollonit e kam lexuar në holandisht. Më prekën shumë historitë pikëlluese të Pashkës dhe Ferdonijes. Unë e kam vizituar Kosovën shumë herë, sepse jam edhe autore e guidës së parë në gjuhën holandeze për Kosovën. Në vitin 2017 kam qenë në Gjakovë, ku pata blerë librin ‘Monografi e krimeve të luftës në Gjakovë 1998-1999’, të cilin edhe e kam lexuar. Nuk i kam harruar kurrë tragjeditë e shumta të atij libri. Aty tregohet edhe historia e Ferdonisë”, kishte bërë të ditur Mulder.
Romani në gjermanisht ka marrë titullin “Ein Funke Hoffnung, ein zündender Funke”, është përkthyer nga Zuzana Finger, botuar nga ‘Xanthippe’ me seli në Zürich dhe Münich. Në qershor do të promovohet edhe në dy qendrat e kësaj shtëpie botuese: në Zürich dhe Münich.
Pas “Ulurimës së ujkut” dhe “Zazen”, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është romani i tretë i Apollonit, botuar në vitin 2020. Dy vjet pas, më 2022, Apolloni botoi romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.