Konsulli austro-hungarez në Shkup, Josef Ritter Rohm von Hermannstädten raportonte më 2 mars 1895 se Rrustem Kabashi, i cili më 24 janar të vitit të kaluar (1894) ishte akuzuar se kishte vrarë 6 persona gjatë një ceremonie varrimi në varrezat turke të Prizrenit dhe përkundër urdhrave të prerë nga autoritetet turke nuk u arrit të arrestohej, u amnistua nga Lartmadhëria e Tij, Sulltani. Kjo ndodhi me ndërmjetësim të myftiut të Prishtinës Mustafa Hamdi Efendiut dhe me kërkesë të guvernatorit të Kosovës, Hafiz Mehmed Pasha.
Në vijim të raportit konsulli shkruan për ndikimin në rritje të myftiut të Prishtinës, Mustafa Hamdi Efendiut, i cili kishte ndikuar në faljen e Bajram Currit, i cili po u shkaktonte kokëçarje autoriteteve otomane në Gjakovë. Myftiu dominon mexhliset dhe përmes një demonstrate popullore ndikoi në largimin e mytesarifit të Prishtinës, Muharrem Efendiut. Influenca e Mustafa Hamdi Efendiut shtrihet deri te shqiptarët muhamedanë të Malit të Zi dhe konsiderohet e sigurt se e kishte fshehur Rrustem Kabashin në Prishtinë, kur guvernatori i Kosovës Hafiz Mehmed Pasha erdhi aty për ta marrë të arratisurin.
Autoritetet osmane mbanin raporte relativisht të mira me myftiun, siç tha së fundi një funksionar, sepse ndryshe Mustafa Hamdi Efendiu do t’i shkaktonte probleme Portës së Lartë siç bëri Haxhi Zeneli para disa vjetësh dhe i cili pas shumë përpjekjeve, u dëbua nga Shqipëria.
1914: Agjentët shqiptarë që i ndihmonin Malit të Zi në përpjekjen për sllavizimin e klerit katolik; në raportin e fundit nga Prizreni konsulli Rudolf Kohlruss i përmend me emra agjentët e dyshuar
Konsulli i fundit i Austro-Hungarisë në Prizren ishte Rudolf Kohlruss. Në raportin e fundit, të shkruar më 14 qershor 1914, dy javë para atentatit të nacionalistëve serbë në Sarajevë kundër trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franz Ferdinandit, Rudolf Kohlruss u kushtonte vëmendje tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit malazez në Kosovë për sllavizimin e klerit katolik shqiptar.
Për të ndikuar më shpejt, më lirë dhe më thjesht në ndryshimin e karakterit popullor të shqiptarëve, guvernatori malazez, Veshoviq, përkrahte propagandën e cila kishte për qëllim largimin nga funksionet e tyre të klerikëve shqiptarë dhe zëvendësimin e tyre me klerikë të nacionalitetit serb apo kroat të cilët janë besnikë të Mbretit. Përmes agjentëve të ndryshëm bëheshin përpjekje që katolikët e vendit të japin pëlqimin për një peticion përkatës që do t’i dorëzohej qeverisë. Kjo fushatë po realizohet me kërcënime të fshehura apo të hapura dhe me premtime, shkruan konsulli, i cili nuk ngurron t’i përmendë me emra agjentët e dyshuar:
Ndrec Uka (veçanërisht i biri i tij)
Toma i Stakës
Nduc Karrica
Uk Paloka nga fshati Qerim
Ded Mata
Tom Çuni nga Doblibare
1914: Fazli Kabashi nga Opterusha e godet me lopatë në kokë sekretarin e Komunës së Zoçishtës, një malazez
Konsulli austro-hungarez në Prizren Rudolf Kohlruss raportonte më 16 janar 1914 se sekretari i Komunës së Zoçishtës disa herë i kishte hyrë në shtëpi Fazli Kabashit nga Opterusha gjoja për të kërkuar kaçakë të fshehur. Më datën 9 të këtij muaji (janarit), në ditën e dytë të Krishtlindjes serbe, sekretari i Komunës së Zoçishtës përsëri hyri në shtëpinë e muhamedanit të lartpërmendur, ku ishin takuar disa mysafirë të katundit për një ndejë, ndërsa në hyrje të shtëpisë pozicionoi disa xhandarë. Fazliu i uroi mirëseardhje sekretarit dhe e pyeti se cili ishte qëllimi i vizitës së tij. Funksionari i përmendur u përgjigj duke i sharë të pranishmit dhe duke iu drejtuar grave me fjalë vulgare. I zemëruar, Fazliu kapi një lopatë dhe e goditi sekretarin në kokë. Xhandarët që po prisnin jashtë vrapuan t’i dalin në ndihmë. Pasoi një grushtim me ç’rast shqiptarët e paarmatosur, mes tyre edhe i biri i Fazliut, pjesërisht u rrahën, pjesërisht u plagosën.
Ditën tjetër naçellniku i këtushëm shkoi në Opterushë për të hetuar ngjarjen. U arrestuan 32 burra të fshatit, u sollën në Rahovec dhe u keqtrajtuan duke i akuzuar se mbajnë lidhje me kaçakë.
Sipas lajmeve të besueshme, shkruante konsulli, në Opterushë nuk janë parë kaçakë kohëve të fundit, më saktë sekretari i lartpërmendur – një serb lokal, i cili në luftën e fundit kishte vepruar si komit – e përdori gjoja praninë e kaçakëve si shkas për t’iu hakmarrë Fazliut dhe banorëve të tjerë të Opterushës, të cilët i urrente.
Prefekti i qarkut të këtushëm ditën tjetër lëshoi një proklamatë përmes së cilës i bënte thirrje popullatës që për sulmet e funksionarëve të tij ta informonin atë personalisht. Kjo masë, parashikonte konsulli, kishte më shumë për qëllim të qetësojë popullsinë muhamedane të zemëruar pas ngjarjes, sesa të luftojë të metat, sepse për qeverinë është i mirëseardhur çdo veprim që e dërrmon elementin e urryer shqiptar.
Përktheu dhe përgatiti: Enver Robelli
Burimi: ”Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani Qendror (1870-1914)”, botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020. Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz. (Tekstet janë botuar në origjinal në gjuhët që kanë shkruar konsujt, gjermanisht dhe herë-herë frëngjisht)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.