Shtojca për Kulturë

Kosova e migrimit midis dy botëve në Bienalen e Venecies

Dy botë, ka kuptimësi të ndryshme në rastin e prezantimit të sivjetmë të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. “RKS2 Transcedent Locality” që do të mund të përkthehej “RKS2 Lokaliteti Trencedent”, është titulli i veprës dhe ka një lloj paradoksi tek zbërthen migrimin. Arkitektët Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, në intervistën për KOHËN, flasin për veprën së cilës po i japin formë për ngjarjen e madhe dhe sintagma “dy botë” gjëllin gjatë intervistës edhe kalimthi, por aty është esenca e veprës. Njëkohësisht, dyshja babë e bijë, vijnë nga “dy botë” të ndryshme, që në këtë kontekst kanë kuptimin e shkollës. Kuratorët e Pavijonit të Kosovës, e vënë migrimin në transcendencë, hulumtojnë se çfarë ndodh me njeriun kur shkëputet prej vendlindjes dhe e kërkon po atë në një tjetër vend

“Laboratori i së ardhmes” – siç është tema e edicionit të 18-të të Bienales së Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie – del të jetë përshtatur fort për hulumtimin që synojnë Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, përfaqësues të Kosovës në ngjarjen madhore që hapet më 20 maj. Kur vepra e tyre ende nuk është finalizuar, dyshja zbërthen konceptin prapa veprës në ngjarjen madhore ku vendi debutoi më 2012. Migrimi është baza por ai kundrohet në gjendje transcendente, jo vetëm si një koncept metafizik. Ka të bëjë mbi të gjitha me njeriun e këtyre anëve, por zbërthimi ka qasje universale.

“Ata e humbin veten, e kërkojnë një vend që ua kujton shtëpinë, vendlindjen. E debatojmë edhe vetë faktin që në atë fazë ndoshta njeriu ndihet edhe i shkëputur prej rrethanës së tij dhe është mes dy botëve”, thotë Poliksen Qorri-Dragaj, e cila diplomoi më 2014 në arkitekturë dhe ka specializuar në planifikim urban në Institutin Teknologjik në Karlsruhe të Gjermanisë. Punoi si planifikuese urbane në zyrën e planifikimit në Karlsruhe. Prej vitit 2020 punon si asistente kërkimore në Katedrën e Planifikimit Urban. Hulumtimi i saj fokusohet në qytetet pas konfliktit.

Migrimi është njohur për të dy. Arkitekti Hamdi Qorri, i ati i saj, e ka provuar edhe vetë. Diplomoi më 1985 në degën e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Jeton dhe punon në Drenas dhe Prishtinë. Në vitin 2017, në Universitetin e Sarajevës, punoi në disertacionin në temën “Përhapja urbane si fenomen në një kontekst tranzicional”.

Image
Poliksen Qorri-Dragaj: “Migrimi është baza dhe esenca ose narrativa e instalimit. Është migrimi që ndodh, ka ndodhur në historinë e Kosovës, në historinë shoqërore që prej viteve ‘60, që ka pasur kulminacionin në vitet ‘90 dhe po ndodh vazhdimisht…”

Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, flasin edhe për arkitekturën e sotme, qasjen e domosdoshme, identitetin arkitekturor e urban të Kosovës, apo më saktë për mungesën e tij.

KOHA: Po e nisim me Ju zonja Qorri. Pavijoni i Kosovës në edicionin e sitvjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie do të titullohet “Transcendence Locality”. Na intereson të dimë cila është esenca e kësaj vepre meqenëse tashmë veçse e dimë se migrimi është baza?

Poliksen Qorri-Dragaj: Po, migrimi është baza dhe esenca ose narrativa e instalimit. Është migrimi që ndodh, ka ndodhur në historinë e Kosovës, në historinë shoqërore që prej viteve ‘60, që ka pasur kulminacionin në vitet ‘90 dhe po ndodh vazhdimisht. Me titullin “Transcendence Locality” kapim një narrativë që, në atë moment kur njerëzit kanë migruar, ndoshta edhe nga brengat, nga malli, ka qenë migrim jo i vetëvendosur, por i forcuar. Ata e humbin veten, e kërkojnë një vend që ua kujton shtëpinë, vendlindjen. E debatojmë edhe vetë faktin që në atë fazë ndoshta njeriu ndihet edhe i shkëputur prej rrethanës së tij dhe është mes dy botëve. Pra në një gjendje fizike, në qytet të ri, por shpirtërisht i lidhur me vendlindjen, pa marrë parasysh prej cilit kënd gjendet dhe se si e tejkalon atë fazë e çfarë ndodhë më tej.

KOHA: Nga kjo që thoni, duket se vepra do të jetë mjaft intriguese. Sa është e vështirë të materializohet dhe sa mund të na zbuloni se si do të duket ajo?

Poliksen Qorri-Dragaj: Materializimi mund të jetë një imazh shumë subjektiv tashmë në mënyrën se si duam ta realizojmë. Mënyra se si duam ta vizualizojmë është shumë abstrakte. Punojmë me një material alumini dhe neoni, disa korniza që veç multiplikohen në gjerësi dhe në thellësi. Simbolizojnë gjendjen mes dy botëve. Është korniza e aluminit, në mes neoni që e simbolizon atë gjendjen mes shumë vendeve. Korniza e brendshme kap krejt idenë transcendente që, nëse flasim në këtë aspekt është terminologji që përdoret në filozofi dhe përshkruan tejkalimin shpirtëror prej një realiteti fizik në realitet shpirtëror. Mund të jetë edhe artistik, edhe realitet imagjinar. Secili e ka mendimin e tij se si kyçet në temë dhe ne e parashtrojmë kornizën në njëfarë mënyre.

KOHA: Zoti Qorri, bashkë me Poliksenin ju lidh profesioni, por ju lidh edhe fati i migrimit. Ju jemi emigrant i viteve ’90 e vajza juaj vazhdon të jetojë dhe të punojë në Gjermani. Sa Ju ka ndihmuar kjo për ta kompletuar konceptin?

Hamdi Qorri: Është një kombinim i mirë mes dy gjeneratave, pastaj edhe mes dy lloje përvojash. Poli është arsimuar në një universitet tjetër perëndimor, ndërsa unë në një universitet në Kosovë. Shohim se janë dy botë të ndryshme dhe kur kombinohen të dyja, shpesh dinë të jenë me rezultate të mira. Përzgjedhja e temës ka qenë në diskutimet mes nesh dhe në fund kemi vendosur të dyja palët. Ndoshta arsyeshmërinë më të madhe për temën ka pasur Poli dhe besoj se i shkon për shtat edhe temës bosht që është “Laboratori i së ardhmes”. Atë që e sqaroi edhe Poli më herët, tregon për mënyrën e të jetuarit. Kjo nuk ndodh vetëm te ne, por në të gjitha kombet dhe qytetërimet. Kudo që je dhe shkon, e gjitha është e lidhur me vendin, pastaj përvojat që merr nga ai vend për t’i përcjellë në vendlindjen e tij. Kur e përmendëm arsimimin më parë, është e njëjta gjë, Poli ka ndikuar edhe tek unë prej një arsimimi tjetër, domethënë është ajo e të shkuarit përtej dhe këto ndikime janë të paraqitura edhe në rrafshin e planifikimit hapësinor dhe urbanistikës te ne në Kosovë.

Zgjidhjet e domosdoshme konceptuale

KOHA: Në katër edicionet e kaluara, Kosova e cila në Bienale debutoi më 2012, zakonisht veprat i ka pasur me bazë në trashëgimi kulturore. Në dy vitet e fundit paraqitja ka qenë më konceptuale, ta zëmë ajo e Maksut Vezgishit me “Containporary”. A është sot arkitektura më shumë konceptuale se sa materiale?

Poliksen Dragaj-Qorri: Sipas mendimit tim, po duhet të jetë konceptuale sepse po jetojmë në një botë, në një sistem shumë global si migrimi, digjitalizimi, sfida të shumta natyrore globale që – pos të paraqiten – duhet edhe të pozicionohen. Kështu që, nga materialiteti sigurisht se duhet të vazhdojnë në mënyrë konceptuale, të mendohet dhe thjesht të elaborohet në mënyrë interdisiplinare se si të reagohet, çfarë mënyre, cilët akterë pjesëmarrës, cilat sfida. Planifikimi dhe tematikat janë bërë shumë komplekse, prandaj duhen zgjidhje konceptuale që të kenë fuqi në lëmi të ndryshme dhe të përputhen së bashku në një pikë.

KOHA: Z. Qorri, e përmendët temën bosht të edicionit të sivjetmë të Bienales që është “Laboratori i së ardhmes”. Cilat janë ato fijet me të cilat do të komunikojë Pavijoni i Kosovës me temën bosht?

Hamdi Qorri: Tema bosht ka të bëjë me atë që e përmendët, që flitet për të ardhmen. Koncepti në nivel botëror është duke u zhvilluar nga zhvillimi i qëndrueshëm. Ne jemi shumë përgjegjës si gjenerata, kudo në botë, posaçërisht në Kosovë, të zhvillojmë ato resurse që plotësojnë kërkesat tona, mirëpo gjithmonë duke menduar për gjeneratat që vijnë. Shfrytëzimi i resurseve natyrore, që është shfrytëzimi i hapësirës, është shumë i rëndësishëm dhe ne do të jemi shumë të përgjegjshëm. Kjo lidhet me temën e cila ka ndritur në Bienale si temë që duhet të mendojmë për të ardhmen. Tema jonë ka lidhje shumë direkte me të, sepse të jetuarit fizik në një vend, pastaj shpirtërisht apo mendërisht edhe në vendin ku kemi lindur, duhet të lidhet gjithashtu me zhvillimin e qëndrueshëm. Domethënë, edhe investimet kur bëhen, kur mendojmë për këtë vend e veprimet që bëjmë, duhet të jenë të arsyeshme, të qëndrueshme, gjithmonë duke menduar për gjeneratat që do të vijnë.

“Presioni” i diasporës për “ardhje në shtëpi”

KOHA: Znj. Qorri, duke marrë parasysh se Ju jetoni në Gjermani, shpesh edhe në Kosovë. Atje vazhdoni të punoni si planifikuese urbane. Si e shihni ndikimin e diasporës ose mërgatës sonë në raport me arkitekturën në Kosovë kur e kemi parasysh kërkesën e tyre për të blerë prona apo patundshmëri është shumë e madhe. Sa ka ndikuar ky presioni i diasporës në raport me arkitekturën në Kosovë, si vrojtuese që lëvizni herë në Gjermani, herë në Kosovë?

Poliksen Qorri-Dragaj: Sigurisht se vij rregullisht nga diaspora. Kjo tematika për presionin që bëhet nëpër qytete, në vende urbane ndodh nga shumë anë. Është migrimi nga vendet rurale në qytete, sepse jep mundësi për edukim, për kyçje në vende pune. Janë mundësi më të mëdha për të pasur një perspektivë më të mirë, më afatgjate. Në të njëjtën mënyrë, edhe nga diaspora vijnë ndikimet dhe janë çdoherë migrime nga rajoni apo shtete të tjera që e krijojnë presionin në qytet. Nëse flasim për presionin, nëse veç duhet ta quajmë kështu, nga diaspora, ndikimet shihen në materialitete, aq sa merr ndikim ambienti në diasporë ndikim në perceptimin tënd se ku do të jetosh, në çfarë rrethanash. Ai ndikim, ai perceptim, bartet. Nëse flasim për këtu, edhe në qytetet në Kosovë. Por shihet edhe në arkitekturë, edhe në mënyra të ndryshme të tipologjive, por shihet se diku duhet të ndodhë një debat se sa resilientë dhe në cilën mënyrë sa më të mirë mundet të adaptohet ky zhvillim, sepse sigurisht investimet që bëhen nga diaspora kanë motive të ndryshme. Një motiv është edhe kur lidhemi me një vend transcendent që e kemi në mendje, është motivimi i lidhjes me ndjenjën e ardhjes në shtëpi. Sa i qëndrueshëm është ai koncept – i tokës, nëse flasim për mbrojtje të natyrës – duhet të ndodhë debati se cili prej nesh e ka përgjegjësinë. Sigurisht se mundet të krijojë pika konflikti të cilat duhet të zbatohen në një debat gjithëshoqëror.

Image
Hamdi Qorri: “Në Kosovë ende nuk ka arritur të krijohet një shkollë e arkitekturës, një rrymë që do ta kishte ndikimin e saj. Ndoshta do të duhej të bazohej edhe mbi vlerat e arkitekturës tradicionale

Trubo-arkitektura dhe lidhja me njeriun

KOHA: Z. Qorri, kur jemi te kjo temë, në perspektivën tuaj cila është arkitektura sot? Sa herë që tentojmë ta promovojmë arkitekturën tonë sidomos në këto 20 vjet pas luftës, gjithmonë prezantojmë objekte moderniste dhe atë brutalizmin që e kemi prej viteve ’60, ’70, ’80, ndërsa pas luftës nuk kemi arritur të kemi ndonjë ndërtesë ikonike në kuptimin e shndërrimit të saj në “landmark” të saj. Cila është arkitektura e Kosovës sot?

Hamdi Qorri: Për fat të keq, ndoshta plot autorë e kanë pagëzuar si “turbo- arkitektura, turbo-urbanizmi” në atë që ka të bëjë me të vendosurit e arkitekturës aty për aty. Nuk është krijuar edhe një shkollë, ta quajmë kontinuale, me të cilën bëhet edukimi i studentëve, arkitektëve e të tjerë, që të mundet të krijojë edhe shkollën e vetë vendit për arkitekturë. Të gjitha këto merren si copëza mozaiku nga vende e ndikime të ndryshme, mirëpo për fat të keq, në Kosovë ende nuk ka arritur të krijohet një shkollë e arkitekturës, një rrymë që do të kishte ndikimin e saj. Ndoshta do të duhej të bazohej edhe mbi vlerat e arkitekturës tradicionale për të cilat do të duhej të lavdërohemi dhe qëndrojmë mirë me të, t’i përdorim të gjitha ato përparësitë të cilat ka pasur ajo dhe t’i aplikojmë në hapësira moderne. Përveç arkitekturës, në Kosovë problem kryesor është edhe planifikimi urban. Në 20 vjetët e fundit te ne është duke ndodhur një shpërthim apo përhapje, zgjerim urban jo i kontrolluar. Shoqëritë në gjithë botën janë përballur me këtë proces mirëpo shumë herët, flasim për vitet ’20 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj luftërat botërore, blloku socialist. Tash jemi në periudhën e 20 vjetëve të fundit me shpërndarjen e vendbanimeve në mënyrë jo të kontrolluar me të cilat do të kemi vështirësi në resurset dhe vlerat natyrore për gjeneratat që do të vijnë. Kemi marrë shumë hapësirë të tokës bujqësore, të pyjeve dhe atë e kemi bërë me një shpirtngurtësi.

KOHA: Kur përmendët këtë turbo arkitekturën ndoshta lidhet shumë edhe me titullin tuaj “Transcendence Locality”, një arkitekturë pak transcendente, por për fatin tonë të keq ndoshta pak më reale tek ne në terren, sesa filozofike në titullin tuaj?

Hamdi Qorri: Aty ka qenë qëllimi edhe në përzgjedhjen e temës, mirëpo këto gjithmonë ndodhin në rrethana të tilla kur ka ndërrime të sistemit shoqëror, lëvizje të mëdha të popullatës, lëvizja e pjesës rurale në urbane, të gjitha ato pasqyrojnë ndikimin në atë që bëhet shpejt, e ndryshme, e pakontrolluar.

KOHA: Znj. Qorri, ç’është arkitektura në raport me njeriun sipas qasjes tuaj? Kur jemi te Kosova cilat janë pikat që do të donit t’i preknit për t’i ndryshuar?

Poliksen Qorri-Dragaj: Arkitektura dhe njeriu, ndoshta do të shkoja në një shkallë tjetër dhe do të thosha urbanizmi dhe njeriu. Arkitektura është shumë individuale, mund të krijojmë një shtëpi, zgjedhim mënyrën si duam të jetojmë, është hapësirë e mbyllur private. Sa i përket urbanizmit, është diçka tjetër. Në qytet gjithmonë je në debat me bashkëjetues të tjerë, me një popullsi, shoqëri. Shumë rëndësi ka se si krijohen rrethe të ndryshme, si krijohet një raport me komshiun, me qendrat kulturore, pikat e shkollave apo hapësirat e gjelbërimit. Është një debat shumë më i ndërlikuar se sa vetëm të qenit e arkitekturës. Për mendimin tim, paslufte ka pasur nevojë për të krijuar vendbanime dhe ka ndodhur turbo-urbanizmi. Ne e jetojmë faktin se si janë urbanizuar dhe rritur qytetet e Kosovës pas lufte. Duhet parë si duhet të përmirësohet planifikimi urban. Kur flasim për planifikim urban, nga ana e departamentit të urbanizmit apo planifikues të ndryshëm, është hapësira publike të cilën mund ta ndryshojmë. Sigurisht duhet menduar për gjeneratat e reja, për ngrohjen globale që do të jetë sfidë shumë e madhe për secilin qytetet në botë. Sidomos kur flasim për Prishtinën si një vend që është shumë i ndërtuar, ka shumë pak hapësira të gjelbra, ajo ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, sidomos grupet e shoqërisë që janë sensitive, mendoj për njerëzit më në moshë dhe për foshnjat e fëmijët. Planifikimi urban e ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën e përditshme të çdo njeriu. Duhet identifikuar vendet ku ka hapësirë, si mund të krijojmë diçka, ta transformojmë atë hapësirë publike për të mirën e shoqërisë që jeton në qytet.

“Qyteti u takon qytetarëve”

KOHA: Prej asaj që shihni në terren, zhvillimin e hovshëm urban, këtë turbo-arkitekturën që po e quajmë, a mendoni se kemi nevojë urgjente të ndërrojmë qasje?

Poliksen Qorri-Dragaj: Sigurisht është nevoja urgjente, por realiteti duket ndryshe. Nuk mundesh një gjendje ekzistuese ta bësh një “tabula rasa”, të fillosh prej zeros sepse duhet të ballafaqohesh me gjendjen që kemi. Transformimi i shtëpive, ndërtesave, është gjë private. Ajo ndodh, veçse duhet shumë kohë. Ka nevojë për të reaguar pak më shpejt, për atë arsye hapësira urbane publike është shumë e rëndësishme. Duhet shikuar në cilën mënyrë në planifikim të hapësirave publike munde t’i kompensojmë konfliktet.

KOHA: Z. Qorri, si mund të dalim nga kjo arkitektura jonë e re, pa identitet të themi, apo ta lidhim me temën e juaj nga kjo arkitekturë transcendente?

Hamdi Qorri: Problemi ka të bëjë se duhet të punohet më tepër në “edukim”, mishërimin e banorëve me jetën urbane, planet rregulluese, me hartat zonale, të jenë sa më afër diskutimeve publike. Atëherë kur e kuptojmë pas një viti se një plan është realizuar apo aprovuar, atëherë këndellemi, por është pak vonë. Qëllimi ynë si shoqëri duhet të jetë të jemi sa më shumë prezent te qytetari dhe t’i diskutojmë gjërat, sepse qëllimi i të gjithëve është një jetë më e mirë. Atëherë ne duhet të kthehemi sa më tepër me qytetarët, të bisedojmë sa më tepër me ta dhe të shohim cilat janë kërkesat e tyre dhe se si ato t’i harmonizojmë me kërkesat e hapësirave publike të qytetit, pastaj mjediseve të gjelbra, të resurseve natyrore. Sa më shumë të kthehemi te qytetari për të biseduar e debatuar, mund t’i nxjerrim rezultatet të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes që është në planifikimin urban dhe vetëdijesimit për përmirësimin e jetës në qytet. Qyteti u takon qytetarëve. Nuk është as i nivelit qeveritar, as atij lokal. Vetë qytetarët do të jetojnë në atë qytet. Kontributi i tyre, pjesëmarrja në diskutime të ndryshme, gjithmonë do të çojë në përmirësimin e nivelit të planeve, hapësirave urbane, standardit jetësor më të mirë.

KOHA: Shpresojmë se tema juaj sivjet do të jetë jehonë goxha të madhe brenda Kosovës dhe të ndikojë të diskutohen më shumë planet urbane dhe arkitektura në tërësi.