Shtojca për Kulturë

Serbia shënjestron dramaturgun Jeton Neziraj për “provokimet e rrezikshme”

Ministrisë së Kulturës të Serbisë i ka dalë punë me tekstin e dramaturgut Jeton Nezirajt teksa e ka shënjestruar atë për “provokimet” që i bën kur shtjellon qasjen e teatrit në Graçanicë dhe një shfaqje që për personazh ka Millosheviqin. “Të quash një institucion të tillë armë e propagandës hegjemoniste serbomadhe është edhe e tmerrshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për sigurinë e serbëve në Kosovë e Metohi”, ka reaguar Ministria. “Reagimi i sotshëm i Ministrisë së Kulturës të Serbisë ishte i habitshëm”, ka thënë ai

Me tekstin e Jeton Nezirajt, ku ai qëmton teatrin si makineri propagande, s’u ka dalë punë vetëm portaleve e mediave serbe me frymë nacionaliste të cilat rrinë “gatitu” për t’i fryrë e për t’i alarmuar “provokimet” shqiptare. Por edhe Ministrisë së Kulturës të Serbisë. Neziraj, dramat e të cilit kanë sfiduar edhe autoritetet beogradase rëndom në skena a teatro joshtetërore, është shënjestruar nga shteti serb.

Me një komunikatë për media Ministria prapë u ka dhënë shkas mediave për të lëshuar në publik etiketimet e radhës për Nezirajn. Sebep për këtë është bërë teksti në dy vazhdime “Teatri si maqineri e propagandës politike”, publikuar në portalin “SBunker” në Prishtinë ku ndër të tjera, shkruan edhe për Teatrin Popullor i Prishtinës të “zhvendosur” në Graçanicë dhe një shfaqje shfaqjen që u dha aty më 2018, e që për “personazh” ka Sllobodan Millosheviqin. Kur ishin bërë nja tri ditë prej botimit të pjesës së parë, Ministria e Kulturës e Serbisë – tok me disa prej mediave nisur prej “Sputnikut” – nga aty kanë nxjerrë provokimin. E kanë lidhur edhe me kishat dhe kanë tërhequr paralele me trazirat e marsit të vitit 2004.

“Nuk jam habitur”, ka thënë Neziraj të shtunën mbrëma pas një dite të gjatë duke përcjellë reagimet në Serbi, ku ai ka jo pak miq artistë, por jo të tillë të afërt me pushtetin. “S’e kam pritur reagimin e Ministrisë”, ka shtuar ai derisa po dilte prej teatrit “Oda” në Prishtinë, ku është dhënë repriza e shfaqjes me tekst të tijin, “Kthimi i Karl Majit” nën regji të bashkëshortes së tij Blerta Neziraj. “Kthimi...” i bën një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”.

Serbia është larg të qenit e tillë. E ka dëshmuar këtë kaherë. Për Nezirajn, reagimi i tanishëm nga autoritetet dhe mediat proqeveritare në Beograd, nuk është gjë e re. E kishte provuar hiç më larg se në qershorin e vitit të kaluar, kur “Projekt Handke” për mohuesin gjenocidit u sulmua, nga qarqe e media të njëjta si “provokim shqiptar”.

Shteti serb është rikthyer për t’u marrë me Nezirajn jo për shfaqje, por për skanimin që ia bën ai teatrit e ku merret edhe me atë që Serbia e quan “Teatri Popullor i Prishtinës”. Shkruan se ky Teatër është themeluar më 1948 dhe ka funksionuar me ansamblin shqiptar e atë serb deri në fillim të viteve ‘90. Në atë kohë, shqiptarët jetonin si në një shtet të huaj. Neziraj sqaron se masat e dhunshme të shtetit serb kishin nxjerrë nga repertori disa shfaqje dhe udhëheqësit e pushtetit të dhunshëm kontrollonin çdo gjë, duke kontrolluar në detaje krejt çfarë bëhej në këtë institucion. Trupa e baletit ishte përzënë e gjitha. E shqiptarët ishin organizuar në një sistem krejt paralel të jetës. Kësaj historie, Neziraj ia shton edhe pjesën e shekullit XXI, ku Serbia vazhdon ta përdorë teatrin si mjet për propagandë. Ai që prej vitit 1999 – kur Kosova u çlirua nga ndërhyrja e NATO-s pasi forcat serbe kishin vrarë mbi 10 mijë civilë e përzënë jashtë vendit afro një milion njerëz – quhet Teatri Popullor i Prishtinës, e që herë thuhet se e ka bazën në Beograd, e herë në Graçanicë, vazhdon të funksionojë. Qe 6 marsi i vitit 2018 kur aty ishte dhënë shfaqja “Lift: Slobodan Shou”. Neziraj në tekstin e tij është marrë me të. Shkruan se shfaqja flet për Sllobodan Millosheviqin dhe raportet e tij me familjen gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s.

“Për mua, por dhe për shumë të tjerë që atë natë panë premierën, qe zhgënjyese të shihnim se si artistët në këto anë, përkundër luftërave të 90-tave në ish-Jugosllavi, nuk ia kanë dalë të shkoqiten nga lëvozhga e propagandës nacionaliste dhe e ideologjisë luftënxitëse”, ka shkruar Neziraj. Njëjtë kishte deklaruar edhe për “Kohën Ditore” menjëherë pas premierës së asaj shfaqjeje në shtëpinë e Kulturës në Graçanicë.

“Shfaqja realisht përçoi krejt diçka tjetër, vizione të tjera që relativizonin krimet e Millosheviqit. Qe një përpjekje dëshpëruese për ta shpërndarë gjetiu fajin e krimeve të Millosheviqit dhe të qeverisë serbe të asaj kohe. Shfaqja merret kryesisht me disa probleme efemere të familjes Millosheviq. Ndërkohë që kur flet për problemet reale të luftës, ato i trajton përmes një dioptrie klishe të nacionalizmit serb. Pra, një dioptri e cila e redukton pothuajse tërësisht përgjegjësinë e Millosheviqit, kurse fajin e luftërave të viteve ‘90 e projekton tek ‘Fuqitë e Mëdha’ dhe te ‘propaganda e mediave ndërkombëtare’”, shkruan Neziraj. Sipas tij, kjo përpjekje për revidim të historisë, për rehabilitimin e të së kaluarës kriminale është sa antihistorike aq antihumane. Është evidente, thotë ai, se politika zyrtare serbe pas viteve ’90 synon të negociojë rolin dhe përgjegjësinë e Millosheviqit dhe të shtetit serb.

“Në këtë drejtim ka një përpjekje për të shpikur fakte ‘paralele’, sepse i besohet citatit të Danilo Kishit te ‘Një varr për Boris Davidoviqin’, ku thuhet se ‘faktet janë ato për të cilat dakordohemi se janë ashtu’. Pra, politika serbe, por edhe një pjesë e elitës intelektuale, përpiqen të gjejnë bashkënegociatorë të fakteve’ dhe kjo përpjekje për negocim vjen në forma të ndryshme, që në këtë rast është një shfaqje teatrore”, shkruan ai në serinë e teksteve.

Pikërisht për disa prej këtyre pjesëve, të shtunën është vënë në shënjestër të Ministrisë së Kulturës në Serbi, deri vonë edhe e Informacionit. Ministër i Informacionit në kohën kur Serbia me luftë po vriste e përzinte shqiptarët, ishte presidenti aktual, Aleksandër Vuçiq. Tash pozitën udhëheqëse në këtë Ministri e mban kolegia e tij politikane, Maja Gojkoviq.

Sipas reagimit të kësaj Ministrie, shteti serb “dënon akuzat e dramaturgut Jeton Neziraj nga Prishtina, të drejtuara kundër Teatrit Kombëtar në Prishtinë, me seli të përkohshme në Graçanicë, veçanërisht ato se ky institucion teatror është ‘armë propagandistike e Qeverisë së Republikës së Serbisë në politikën e saj hegjemoniste me të cilën, si në vitet ‘90, dëshiron të tregojë pronësinë e saj ndaj Kosovës’”.

“Ministria tërheq vërejtjen se deklarata të tilla përfaqësojnë një provokim tejet hipokrit dhe cinik, duke pasur parasysh se pikërisht ky institucion i kulturës në kushte jashtëzakonisht të vështira me akte brutale dhe politika sececioniste, që promovon dhunën në llogari të dialogut demokratik dhe kulturor, u përzu prej qytetit të vet dhe prej skenës amë në Prishtinë”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës të Serbisë.

“Kujtojmë se ky teatër është themeluar në vitin 1948 në Prishtinë nga Republika e Serbisë dhe se deri në vitin 1999 ka punuar si institucion multietnik me dramë serbe dhe shqipe, e ku janë shfaqur shfaqje në gjuhën serbe dhe shqipe, por me vendim të Qeverisë së Republikës së Serbisë e përtëriu punën e tij në Kosovë dhe Metohi në vitin 2004 dhe deri më sot ka realizuar një numër të madh shfaqjesh teatrale...”, shkruhet në reagim.

Për autoritetet serbe Neziraj ka bërë akuza të rrezikshme.

“Të quash një institucion të tillë, i cili u shërben nevojave kulturore të komunitetit etnik më të rrezikuar në Evropë, serbëve në Kosovë dhe Metohi, armë e propagandës hegjemoniste serbomadhe është edhe e tmerrshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për sigurinë e serbëve në Kosovë e Metohi, kulturën si dhe të drejtën elementare të punonjësve të kulturës në këtë institucion për punë, ekzistencë dhe shprehje artistike, si dhe ruajtjen e kulturës dhe të gjuhës”, shkruhet në reagim. Krejt në fund, Qeveria e Serbisë fut në lojë edhe ato që i përdor gjithmonë: kishat e manastiret ortodokse në Kosovë.

“Në fund, ju kujtojmë se manastiret dhe kishat serbe në Kosovë dhe Metohi janë shënjuar pothuajse me të njëjtat fjalë në një seri artikujsh pak para pogromit të marsit 2004. A janë tash në radhë institucionet kulturore serbe në Kosovë dhe Metohi?”, përmbyllet reagimi.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i përkthyer në shumë se dhjetë gjuhë, me drama të inskenuara gjithandej, nuk është ndalur fort të portalet.

“Megjithatë, reagimi i sotshëm i Ministrisë së Kulturës së Serbisë ishte i habitshëm. Që një ministri t’i reagojë një shkrimtari e artisti, me atë gjuhë dhe ton kërcënues, në fakt vetëm se i verifikon dhe validiton pohimet e mia, për politikën dhe pushtetin në Serbi, si ngrehinë të autoritarizimit dhe si strehë e një trashëgimie millosheviqiane”, ka thënë Neziraj.

Por Neziraj është mësuar me reagime të tilla. Në qershorin e vjetëm si bashkëproduksion midis Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Italisë e Gjermanisë edhe në Beograd ishte dhënë drama “The Handke Project”. Në këtë shfaqje me regji të Blerta Rrustemi Nezirajt, zhvishet krejtësisht shkrimtari austriak Peter Handke, i cili ka mohuar gjenocidin që shteti serb ka bërë në Bosnjë e Hercegovinë. Përderisa Gjykata Ndërkombëtare Drejtësisë e ka njohur si gjenocid vrasjen e 8 mijë boshnjakëve në Srebrenicë më 1995, nobelisti austriak dhe shteti serb kanë thënë se ishte veç propagandë. E Neziraj si autor i tekstit, e thotë haptas se bëhet fjalë për një shkrimtar që i mungon arsyeja njerëzore dhe bëhet pjesë e propagandës së shtetit serb. Pasi shfaqja është dhënë edhe në teatrin “Bitef” në kryeqytetin e Serbisë, jo pak media serbe ia kanë mësyrë që krejt këtë ta quajnë “provokim midis kryeqytetit”. Një grusht njerëzish atje janë në krah të Nezirajt dhe ata vijnë lirshëm midis Prishtinës edhe për projekte e si bashkorganizator aktivitetesh kulturore. Neziraj e ka të qartë.

Image

“Peizazhi aktual politik në Serbi, me një lider autokrat si Aleksandër Vuçiqi, një ish-shërbëtor i Millosheviqit, nuk lë shumë hapësirë për optimizëm. Zërat kritikë atje vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të dobët dhe gjithnjë e më të pakët. Shoqëria civile sa vjen e tkurret dhe koncepti i ‘mediave të pavarura’ duket krejtësisht i huaj. Edhe më keq qëndron gjendja në skenën kulturore, e cila është nënshtruar pothuajse tërësisht. Ata pak krijues që rezistojnë, kanë ngelur si zëra të vetmuar në shkretëtirë”, shkruan Neziraj në fund të artikullit me të cilin i doli punë Qeverisë së Serbisë. “Të tilla shfaqje si ‘Lift: Slobodan shou’ mbase do të shohim në Serbi edhe në vitet e ardhshme. Madje, nuk do të befasohesha nëse në to Millosheviqi do të përshkruhej si hero, që përpiqet t’i ndalojë luftërat e të 90-ave në ish Jugosllavi”. Sepse për dramaturgun nga Kosova, “ky rajon është mësuar të luajë poker, jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën”.