Shtojca për Kulturë

Fausti, apo kur pëlcet i thati në shpirt

E dhënë premierë në festivalin “Flaka e Janarit” në Gjilan, “Fausti” nën regji të Fadil Hysajt – produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit dhe Teatrit të Gjilanit – me gjithë procesin e frikshëm në të cilin po provohet fati i njeriut, nuk jep një mesazh porse autori një zgjidhje të mundshme ia lë imagjinatës së spektatorit, siç është mundësia e një ballafaqimi final midis engjëllit dhe djallit

Fausti në betejë me Mefistofelin, në një ambient galimatiaso-kaotik me personazh të dehidruar ndjenjash, shëmbëllejnë dhe dëshmojnë se kjo botë siç do të thoshte Hamleti, “po shthuret”. Në betejën midis djallit dhe engjëllit me Faustin si peshore, Mefistofeli del fitues sepse loja e jetës po luhet me rregullat e tij dhe se libri, dija, dashuria e puna si njësi matëse të njeriut që i përfaqëson Fausti, janë nxjerrë nga regjistri i së vërtetës jetësore.

Duke e ndjekur rrugën e lakmisë, dëshirave dhe mundësive për ta zhvilluar ambicien e sëmurë, njeriu ka ikur prej vetes në kërkim të pavdekësisë, duke e bishtnuar edhe vdekjen e ndershme apo njohjen e rinjohjen e perëndisë si pronar absolut i kohës dhe mundësive të cilat i kemi shpërdoruar që nga kafshimi i parë i mollës e deri më sot.

Shfaqja erdhi si një refleksion mbi pandershmërinë me të cilën po e shpërdorim kohën e çmuar në të cilën po jetojmë në disraport me (pa)vendosmërinë hulumtuese të Faustit për të gjetur lumturinë, përkatësisht kuptimet e jetës.

Fluturimi drejt asgjësë

Dashuria, arti apo puna fushë-dëshmimi i njerëzores në betejën e përhershme të Faustit dhe Mefistofelit në të cilën autori Fadil Hysaj fut nuanca dhe fenomene të tjera zvetënuese që i ka prodhuar si mundësi njeriu i sotëm duke e kontaminuar njerëzoren: e do riparimin e trupit, të organeve vitale, dashurinë si orgji, dhe shpirtin e shet për të blerë mishin e prodhuar me aditiv, trupin mbushur me silikon e mendje të stimuluara për sukses fluturues me çdo kusht, drejt asgjësë. Njeriu po vdes, rroftë Ikarusi i tankuar me kerozinën e ambicies së sëmurë, sikur këlthet shfaqja. Njeriut i ka pëlcitur i thati në shpirt dhe në përpjekje për të prekur suksesin, bën pakt (kontratë) edhe me djallin, aftësia shndërruese e të cilit është infiltruar në vakumin shpirtëror duke instaluar aty mashtrimin si filozofi jete.

Në kërkim të modeleve shpëtimtare Fadili thërret në ndihmë dhe sikur i vë “padrejtësisht” në sprovë Penelopen për besnikërinë dhe Helenën për dashurinë e cila u bë busull për ta shkatërruar Trojën.

Fausti do që të rinohet më, dhe për brishtësinë dhe pafajësinë e Margaritës, e cila në përpjekje për ta nxënë veten të lumtur, e vret pa dashje nënën dhe dashuria përfundimisht ikën prej aty ku shpirti shitet si në tregun e plaçkave. Librat po digjen dhe në flaken e tyre Mefistofeli po farkon fatin e së keqes, pavarësisht se atypari vepron edhe engjëlli krahëthyer...

Mbase shëmbëllimin dashuror të Helenës dhe besnikërinë e Penelopës si mësim i harruar, duke shënjestruar që në gjenezë (mos)papastërtinë e dashurisë nisur nga Adami (Ademi) dhe Eva (Hava), andaj pritja për t’u kthyer nga ku janë përzënë do të jetë e gjatë, në mos e pandodhshme. Sepse kemi ardhur në pikën ku pikërisht ai që bërtet se kush po e prish njerëzimin është po ai që me joshje mashtruese prishi shpirtin të cilin të gjithë duan ta shesin, sepse Zoti i ka harruar, andaj Mefistofeli agjiton (lexo predikon) për një Zot të ri dhe kur e arrin besueshmërinë mashtruese, nis përqeshjen, i vetëdijshëm se Zot tjetër nuk ka.

Fitorja humbëse e Mefistos

Në deliriumin e fitores humbëse të tij për pushtimin përfundimtar të shpirtit të njeriut, Mefistofeli bëhet mësues i fluturimit dhe qeshjes....jeta kllounizohet dhe degradon kur nuk ka empati, dashuri, emocione, ndjenja, libra, e mbi të gjitha kur mungon besimi te vetja, si mungesë e besimit në Zot. Në kërkim të zbulimit të antigravitetit ata i tërheq graviteti i së keqes. Të gjithë lëvizin, por nuk shkojnë askund, përveçse s’e harrojnë se janë njerëz.

Autori mendimtar

Fadil Hysaj për të satën herë dëshmohet si dramatist dhe regjisor i cili operon kreativisht me gjuhën teatrore në përdorimin funksional të idiomave teatrore, duke organizuar punkte e kontrapunkte të shumta veprimi me një skenografi funksionale dhe fleksibile në ndërtimin e skenave e mizanskenave të koreografuara nga Robert Nuha, tingujve muzikorë ambientues të temës së shfaqjes.

Një pamje absolute teatrore, ku secili personazh është në lëvizje me një temporitëm që mban peshë tensionin dhe krijon fotografi që afishojnë ide e kuptime që provokojnë pyetje të shumta. Shumëkuptimësi e dimensione të gjera të provokimit të mendjes për të cytur kundërveprimin te spektatori.

Megjithatë, jeta apo çështjet e trajtuara e duan një mundësi qoftë edhe duke ecur në rrugën e frikës për t’u shkëputur nga graviteti i mashtrimit dhe vetëmashtrimit, dhe kjo nuk arrihet dot pa besim. Mollët shpërndahen të dozuara si medikament për të konstatuar lëngun e tharë të dashurisë. Do të doja shfaqja të përfundonte me një grumbull mollash dhe nga lart të binte një gjeth i gjelbër që jeta e kontaminuar të mbushej me oksigjen.

Personazhet dhe aktorët

Personazhet ishin tipizuara me një përvojë të leximit të Faustëve (Gëte, Marllou) nga vjetërsia kohore dhe ishin veshur me probleme të kohës moderne. Karakteristika unike e tyre ishte lakmia si një potencial ku Mefistofeli e mbjell mashtrimin derisa e ka deshifruar kodin e dëshirave të njerëzve, nevojën për ndryshim edhe kur ndryshimi është shpërfytyrim, zvetënim dhe përhumbje. Klouni dhe engjëlli si dy shenja të skajshme që takohen në ide edhe si antipode që përshkojnë momente jete të zhvillimit të njeriut, mëkatit, dashurisë, dijes dhe shndërrimit si një dëshirë pa qëllim, së cilës i referohet dhe e denoncon Hysaj.

Ndoshta Faustit nuk i shkonte figura e Kvazimodos, shih nga kjo edhe mund të mos ishte i kërrusur, por duket se autori ka dashur të ironizojë me dukjen karshi kokëboshësisë dhe se deformiteti fizik i Faustit, krahasuar me Kvazimodon, është për ta fuqizuar shpirtin i cili po shpërbëhet nga vullkani mashtrues i Mefistofelit (Mefistofelëve) pa çka që as Margarita nuk është Esmeralda, andaj shpërfytyrimi në këtë pikë e prek kulmin e kataklizmit njerëzor të cilën e akcenton Hysaj.

Me gjithë procesin e frikshëm në të cilin po provohet fati i njeriut, shfaqja nuk jep një mesazh, porse autori një zgjidhje të mundshme ia lë imagjinatës së spektatorit, siç është mundësia e një ballafaqimi final midis engjëllit dhe djallit (Mefistofeli) për të bërë bilancin e ndikimit të tyre te qenia e quajtur njeri dhe pas katastrofës të lexojmë kutinë e zezë të shpirtit për të dalë disa nga defetizmi dhe pellgu i pamundësisë që jetën ta duam ndryshe. Përfundimi na jep mundësi leximi prolongues, shfaqja nuk e ndërton dot varkën shpëtimtare, përveç që do të duhej të na jepte shenja kaheje, sepse djalli nuk mund të marrë pushtet fizik mbi njerëzit. Ai veç mund t’i shtyjë ata në gabime me joshje, mëkatare, ndërsa jeta do ajrosje që të rimbursohet shpirti në kërkim të lumturisë.

Aktrimi

Loja kolektive dhe preciziteti në realizimin e skenave kolektive që ishin të shumta u interpretuan në harmoni me idenë e shfaqjes. Nga kasta e aktorëve u imponuan me kreacione të mira: Adrian Morina, Shkëlzen Veseli, Auritë Agushi, Sheqerie Buqaj, Xhevdet Doda dhe aktorja Zana Berisha në rolin e Helenës... Vula e shfaqjes ishte Fadil Hysaj si autor i tekstit dhe regjisor i shfaqjes. Gjithsesi se një nga vlerat e shënueshme të këtij spektakli teatror është bashkëpunimi i teatrove si një mundësi e shtuar e të bërit shfaqjeve të mëdha si “Fausti”.