Mbështetësit e regjimit serb në Francë, në nivele të ndryshme, u mobilizuan rreth çështjes së krimit në Reçak, për ta parapenguar rrjedhën e ngjarjeve në drejtim të një intervenimi në të cilin Franca mund të merrte pjesë. Së këndejmi, ithtarët e këtij orientimi politik do të fokusohen në përdorimin publik të “argumenteve”, të cilat synonin të provojnë se krimi i Reçakut ishte një kurdisje e thjeshtë e mbështetësve të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë
Në muajt mars dhe prill të vitit 1999 në hapësirën publike të Francës u zhvilluan debate e polemika rreth krimit që trupat serbe kryen mbi civilët shqiptarë në fshatin Reçak. Intensifikimi i këtyre polemikave në qarqe të ndryshme politike, intelektuale e mediatike vuri në pah se polarizimi kryesor kishte të bëjë me interpretimin e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe me domethënien e saj në rrjedhën e proceseve politike jo vetëm në Francë, por edhe në nivelin evropian dhe ndërkombëtar. Pesha e kësaj ngjarjeje shpërfaqej si faktor që mund të ndikojë në kristalizimin e vendimit të fuqive perëndimore që, më në fund, pas cikleve të krimeve të regjimit serb në Kosovë, të ndërmerret kundër tij një intervenim ushtarak i Aleancës Veriatlantike. Mbështetësit e regjimit serb në Francë, në nivele të ndryshme, u mobilizuan rreth çështjes së krimit në Reçak, për ta parapenguar rrjedhën e ngjarjeve në drejtim të një intervenimi në të cilin Franca mund të merrte pjesë. Së këndejmi, ithtarët e këtij orientimi politik do të fokusohen në përdorimin publik të “argumenteve”, të cilat synonin të provojnë se krimi i Reçakut ishte një kurdisje e thjeshtë e mbështetësve të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë.
Pierre Vidal-Naquet: Rebelët shqiptarë nuk janë të shenjtë
Brenda këtyre debateve u shqua reagimi i historianit të madh francez, Pierre Vidal-Naquet. Ai ishte i njohur për vepra, në të cilat, gjatë shumë vjetëve, kishte ofruar analiza kritike të politikës koloniale të Francës në Afrikë, e në veçanti në Algjeri (fjala vjen në librin “Tortura gjatë Republikës së pestë”). Në anën tjetër ai kishte botuar vepra të çmuara mbi çështje të ndryshme të kulturës antike greke.
Më 28 prill 1999 ai botoi artikullin në revistën “L’Evenement du jeudi” me titull: “Reçak: një Timisioara e re”. Ai shkruan këtu: “Polemika bën bujë lidhur me masakrën në Reçak, ky fshat i Kosovës, ku u gjetën nja 40 trupa me koka të prera. A është fjala për një Timisioara e re, sipas emrit të këtij qyteti rumun, ku, nga fundi i vitit 1989, u nxorën kufomat nga morgu i një spitali për ta paraqitur sikur të ishte një masakër? Në fakt, nuk mund të përjashtohet mundësia që në Kosovë të ketë pasur një mizanskenë. Rebelët shqiptarë nuk janë të shenjtë. Mbetet fakti që pushteti serb, në kundërshtim me çfarëdo drejtësie, e konsideron Kosovën si një vend serb, ndonëse është e qartë se ai vend është i banuar nga shqiptarët. Sipas disa miqve të mi, mediat nxitojnë shpesh t’i akuzojnë serbët, vetëm serbët, gjithmonë serbët. Nga ana ime mendoj se shpërthimi i Jugosllavisë ishte një katastrofë, viktima të së cilës ishin një numër i madh i jugosllavëve (që u takonin familjeve mikste). Millosheviqin e konsideroj si një kriminel, i cili hapur e ka shkatërruar Federatën, mirëpo, Tudjmani, presidenti kroat nuk është më i mirë. E kemi parë se si veproi ai kur e pushtoi ‘Krajinën’, duke shkaktuar dëbimin e së paku 200.000 serbëve me bashkëfajësinë e kundërshtarit të vet në Beograd. ‘Total-nacionalizmi’ – shprehje kjo e Edgar Morinit – më pak a më shumë i lidhur me mafinë, është një sëmundje e përhapur gjithandej. A do të hapet rruga nesër për një Shqipëri të Madhe, e cila do ta shkatërronte po ashtu edhe Maqedoninë dhe një pjesë të Malit të Zi? Vazhdoj të shpresoj, ndonëse ka pak gjasa, që një zgjidhje e re federative do të paraqitet një ditë në Ballkan. Dimitrov kishte ëndërruar për këtë opsion e kjo shkaktoi një përçarje me Stalinin dhe me Enver Hoxhën. Sido që të jetë, nëse duam ta kuptojmë Shqipërinë, le ta lexojmë atëherë librin e dy vëzhguesve miqësorë, që të dy historianë, Pierre dhe Bruno Cabanes, babai dhe i biri, ‘Pasionet shqiptare: prej Berishës te Kosova’ (botuar nga Odile Jacob). Do të shohim se çka fshihet mbrapa diskurseve më shkencore, përfshirë kur ato kanë të bëjnë me antikitetin më të moçëm”.
Polemika me historianin Vidal-Naquet
Në fillim të muajit maj ia dërgova një reagim javores “L’Evenement du jeudi”, por ata nuk e botuan. Gjeta mundësinë ta botoj reagimin në revistën për çështje të kulturës “Drôle d’époque” (prill, 1999). Redaksia e kësaj reviste e kontaktoi Vidal-Naquetn, ia dërgoi reagimin tim dhe i ofroi atij një mundësi për përgjigje. Në përgjigjen e tij ai u orvat ta paraqesë komentin e vet si keqkuptim dhe deshi të më bindë “se ka simpati për shqiptarët dhe se për këtë mund ta pyesja Kadarenë”.
Në këtë reagim kam shkruar:
“I nderuar zotëri Pierre-Vidal Naquet,
Artikulli i juaj i fundit në ‘L’Evenement du jeudi’ më befasoi mjaft. Në këtë artikull ju e krahasoni masakrën e Reçakut me atë të Timisioarës, duke na rikujtuar se në atë qytet rumun, nga fundi i vitit 1989, ‘u nxorën nga morgu kufoma për ta krijuar përshtypjen se është fjala për një masakër’. Mbi çka e mbështetni ju këtë krahasim? Disa gazetarë francezë patën shfaqur disa dyshime, në një moment, ndaj konstatimit të përfaqësuesve të OSBE-së. Asnjëri nga elementet që evokuan Renaud Girard dhe Cristophe Chatâlot nuk u ka rezistuar argumenteve të hulumtimit, i cili u zhvillua në vendin e ngjarjes nga ekspertët e OSBE-së, si dhe nga dëshmitë e disa gazetarëve të tjerë (të ‘Independent’ dhe të ‘New York Herald Tribune’, bie fjala). Vetë Châtelot solli, disa ditë pas versionit të parë, elemente që vetëm sa konfirmuan pohimet e anëtarëve të OSBE-së dhe ekspertëve amerikanë të trupit diplomatik që kanë zhvilluar hulumtimin e tyre (shih artikullin e Pierre Hazan në gazetën “Libération”, më 27 janar). E megjithatë, një pjesë e mediave, sidomos ato elektronike, gjatë disa ditëve shprehnin kënaqësi me mundësinë e një « “mizanskene”. Raporti i OSBE-së, i cili iu shpërnda gazetarëve në Vjenë më 21 janar, konfirmon se në Reçak ka ndodhur një masakër e 45 civilëve shqiptarë. Sipas këtij raporti, gati gjysma e viktimave janë vrarë nga afërsia. Midis viktimave janë edhe dy fëmijë, një grua dhe disa pleq. U gjet një viktimë me kokë të prerë (e jo 4 siç pohoni ju). Disa nga viktimat janë vrarë duke provuar të ikin, pra në një distancë prej 100 deri në 150 metrash. Disa trupa ishin zhvendosur, ç’është e vërteta, por nga anëtarët e familjeve të tyre që i kanë vendosur në shtëpitë e tyre, sipas dëshmisë së ekspertit amerikan. Shefi i misionit të OSBE-së, gjenerali Wiliam Walker (ai nuk është as gazetar e as një humanitar sentimental), e ka cilësuar në disa raste këtë masakër si një ‘krim kundër njerëzimit’. Sipas versionit të regjimit të Beogradit, personat e vrarë nuk ishin civilë, por luftëtarë të UÇK-së; anëtarët e saj ua kishin hequr uniformat dhe ua kishin veshur teshat e civilëve. Eksperti amerikan pohon se kjo tezë është e paqëndrueshme, sepse fotografitë tregojnë qartazi korrespondimin midis vrimave të teshave dhe goditjeve të plumbave në trupat e tyre. Pasi trupat e tyre ishin goditur nga shumë plumba, ndryshimi i veshjeve nuk ka pasur mundësi të duket i bindshëm. Disa gazeta të Beogradit kanë pohuar (nuk dihet në saje të të cilave të dhëna) se viktimat kanë qenë të vrarë nga vetë shqiptarët.
Mirëpo, nuk e kam të qartë se në ç’mënyrë ju keni arritur ta bëni krahasimin e kësaj situate me Timisioarën. Madje edhe versioni zyrtar i Beogradit nuk e bën të mundur këtë krahasim. Asnjëra nga qeveritë perëndimore nuk e ka akredituar tezën e regjimit të Beogradit mbi Reçakun, ndonëse, zakonisht, ata kanë prirjen që t’i barazojnë mekanikisht përgjegjësitë e aktorëve kosovarë dhe atyre të regjimit serb. Madje edhe Rusia, këtë herë, e dënoi qartazi masakrën dhe i kërkoi regjimit të Beogradit që ta lejojë hetimin e ekspertëve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar. Ka tani një vit, besoj që e dini këtë, se regjimi i Beogradit nuk u lejon ekspertëve të Tribunalit që të zhvillojnë hetime mbi krimet në Kosovë, ndonëse rezoluta e Këshillit të Sigurimit e obligon për këtë. A thua përse?
Kësodore, të njëjtit policë që i kanë vrarë fshatarët e Reçakut, i kanë dërguar në spitalin e Prishtinës dhe qysh në ditën e parë të autopsisë, ‘objektiviteti’ i mjekëve serbë u shfaq me deklaratën, e cila përsërit konstatimin e zyrtarëve të regjimit: viktimat nuk janë vrarë nga afërsia. Një muaj pas ekspertizës së tyre, ata kanë shtuar në komunikatën zyrtare se ‘viktimat nuk janë masakruar, por se me gjasë zogjtë dhe minjtë i kanë prishur fytyrat e tyre’. Ndonëse kufomat kishin qenë të zbuluara disa orë pas krimit.
Ekspertët finlandezë të mjekësisë ligjore, pas autopsisë së 40 kufomave, konstatojnë në raportin e tyre, të publikuar më 16 mars 1999, se ‘viktimat janë civilë që nuk kanë marrë pjesë në luftime’ dhe se ‘ata nuk kanë qenë të gjymtuar post mortem’. Helen Ranta, shefja e kësaj ekipe, e cilëson këtë krim si ‘krim kundër njerëzimit’, duke iu bashkuar kësisoj kualifikimit që kishte bërë OSBE-ja. Më lejoni t’ua kujtoj se sipas komunikatës së Komisariatit të Lartë për Refugjatët (HCR), i publikuar në Gjenevë më 2 shkurt, më se 45.000 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, pas operacioneve të forcave serbe kundër fshatrave të shqiptarëve (të cilësuara si ‘bastione’) gjatë vetëm muajit janar. Veç kësaj, që nga fillimi i operacioneve ushtarake të regjimit të Beogradit, tani e një vit kanë ndodhur shumë krime të ngjashme (në Prekaz, Obri, Lubeniq, Likoc etj.), siç kanë konstatuar organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe disa prej të cilave janë nga Beogradi (Komiteti i Helsinkit i Serbisë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare). Kësisoj, krimi i Reçakut nuk është një përjashtim. Që nga shkurti i vitit 1998, gati gjysma e fshatrave të Kosovës (400 prej 900 fshatrave) janë shkatërruar qoftë tërësisht, qoftë kanë mbetur shumë të rrënuara. Sipas raporteve të FIDH dhe France-Liberté, midis muajve mars dhe shtator 1998, janë kallur shtëpitë e fshatarëve, banorët shqiptarë të të cilëve u dëbuan gjatë bombardimeve.
Instanca të ndryshme ndërkombëtare (Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së, Parlamenti Evropian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Kongresi Amerikan etj.) e kanë cilësuar këtë politikë të regjimit të Beogradit si ‘spastrim etnik’, ‘masakra të popullsive civile’, ‘politikë e shkatërrimeve’ etj. Nga 2000 viktimat e kësaj lufte, mbi 80 për qind janë civilë. Më se 300.000 shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë. Human Right Watch citon artikullin e Christophe Châtelot në gazetën “Le Monde” të 29 janarit, sipas të cilit ‘që nga shkurti 1988, më se 50 persona u ekzekutuan nga forcat speciale pas arrestimit të tyre. Tani një vit ka 2000 të burgosur politikë të rinj shqiptarë në burgjet e Serbisë. Shtatë të burgosur politikë kanë vdekur nga torturat: Kjo praktikë është sistematike’, sipas Shoqatës Médecins du monde (cituar nga “Washington Post” i 28 janarit: “Masakra e Reçakut ka qenë e urdhëruar në nivel të lartë nga autoritetet serbe, të cilat pastaj janë orvatur ta maskojnë atë”). Më kujtohet se dikur, ju keni pas shkruar një libër interesant mbi torturën e pushtetit kolonial francez në Algjeri. Përballë terrorit sistematik dhe afatgjatë të regjimit serb (që nga viti 1981), shqiptarët kanë zhvilluar një rezistencë politike dhe paqësore.
Ky është një fenomen i ri në Ballkan, sipas konstatimeve të shumë analistëve perëndimorë që nuk janë doemos proshqiptarë. Rezistenca e armatosur u paraqit 15 vjet më vonë, gjatë të cilave Kosova ishte në mëshirën e regjimit serb: deklaratat dhe rezolutat që e dënonin këtë terror Millosheviqit nuk i dukeshin bindëse. Natyrisht që shqiptarët, jo vetëm ‘rebelët’ siç i quani ju (ndoshta mund të quhen ‘rezistentët ose kryengritësit e armatosur’), por as pacifistët nuk janë ‘të shenjtë’; do të mund të bëheshin kritika të ndryshme, por këto nuk do të mund ta arsyetonin në asnjë mënyrë praktikën politike të regjimit serb. Faktet janë të dukshme, propaganda nuk po arrin t’i derealizojë plotësisht. Një gazetar dhe poet serb, Miodrag Stanisavljeviq, në javoren e Aleancës Qytetare të Serbisë Republika, në artikullin “Bestialiteti dhe pafytyrësia” shkruan: ‘Zëdhënësit e regjimit thonë se madje edhe nëse ka të zhvendosur (që është sipas tyre, një shprehje e keqe, ngase duhet të thuhet ata që përkohësisht i kanë braktisur shtëpitë e tyre) kjo nuk është për shkak të luftëtarëve tanë trima, por për faktin se popullsia shqiptare ik nën presionin e sulmeve të terroristëve shqiptarë. Sipas regjimit, terroristët shqiptarë e ndjekin vetë popullsinë e vet me qëllim që t’i satanizojnë serbët’. Do shtoja po ashtu se as rikujtimi i përgjegjësive të Tudjmanit ndaj serbëve nuk do të mund ta zhbënte realitetin e krimeve të Millosheviçit. Ky regjim, siç dihet, ka bërë përpjekje të mëdha për t’i shoqëruar krimet e veta me arsyetimin e tyre cinik. Ju dhe disa nga miqtë tuaj, mendoni se mediat ‘shumë lehtë akuzojnë serbët, vetëm serbët, gjithmonë serbët’. Megjithëkëtë, mendoj se mund të pohohet me më shumë argumente se mediat, sikurse edhe kancelaritë, shpesh kanë praktikuar skemat apriori, të cilat barazojnë mekanikisht përgjegjësitë e aktorëve në këtë luftë; formula ‘palët ndërluftuese’ shpërfill kësisoj një analizë aposteriori, e cila do të duhej t’i vërë në pah ngjarjet dhe aksionet konkrete të aktorëve. Janë sidomos organizata të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por edhe gazetarët lucidë dhe të guximshëm që kanë ndihmuar që të kuptohet realiteti i ngjarjeve përtej skemave komode, të cilat reduktohen në banalitetin e thënies ‘atje të gjithë janë të këqij’. Sikur të provonim, fjala vjen, të zbatojmë këtë skemë mbi situatën e Luftës së Dytë Botërore, do të na dilte një imazh i çoroditur mbi atë tragjedi. Më duhet të shtoj se nuk e kam të qartë as aludimin tuaj te Shqipëria e Madhe. Doni të thoni se politika e regjimit serb do të mund të interpretohej si një luftë kundër ‘Shqipërisë së Madhe’? Kjo fantazmë, sa në kokat e disa grupeve vendore, po aq edhe në kokat e Perëndimorëve nuk përket me realitetin e ngjarjeve në terren. Problemi qendror, i cili absorbon të gjitha energjitë e shqiptarëve të Kosovës është si të dilet nga një sundim i gjatë dhe i egër. Kërkesa plebishitare e tyre është pavarësia e Kosovës. Kjo kërkesë, sipas shumë hulumtuesve perëndimorë (si Noel Malcolm, Roy Gutman, Paul Garde etj.) është së paku po aq legjitime sa ajo e sllovenëve, kroatëve e boshnjakëve dhe maqedonasve për pavarësinë e vendit të tyre. Kjo kërkesë e kosovarëve është në radhë të parë përgjigje ndaj një terrori total të regjimit serb, terror që republikat e tjera të ish-Jugosllavisë nuk e kanë përjetuar para luftërave. Por edhe për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në njësitë e saj përbërëse, merita kryesore e së cilës i takon, siç e dini, vetë Millosheviqit. Ndonëse kjo nuk është përgjegjësia e tij kryesore: pati edhe shpërbërje të Çekosllovakisë, por kjo nuk u realizua përmes spastrimit etnik dhe krimeve masive kundër popullsive civile dhe ky nuk ishte faji i gazetarëve. Projektet për ndërtimin e shteteve-kombe, në kuptimin që i jepet në Evropën Lindore, ku kufijtë duhej të përputheshin me shumicën apo me të gjithë pjesëtarët e një populli i takojnë historisë politike të Ballkanit. Megjithatë e sidomos tani pas dështimit të projekteve për një Serbi të Madhe, si dhe për një Kroaci të Madhe, asnjë parti politike serioze në Kosovë e në Shqipëri nuk e kultivon këtë synim. Nëse Serbia, me gjithë potencialin e fuqishëm ushtarak dhe mbështetjen ndërkombëtare që kishte, nuk e realizoi këtë projekt, si mund të supozojmë që shqiptarët do ta realizonin atë projekt: ata nuk kanë as fuqinë ushtarake e as nuk mund të shpresojnë se do të mund të kishin ndonjë mbështetje për këtë projekt. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se propaganda e regjimi të Beogradit rregullisht e aktivizon këtë supozim para perëndimorëve për ta diskualifikuar kërkesën e Kosovës për pavarësi. Në anën tjetër, t’jua rikujtoj se përfaqësuesi politik i UÇK-së, z. Adem Demaçi, i burgosur politik gjatë 28 vjetëve, fitues i Çmimit Saharov i Parlamentit Evropian, zhvilloi para dy vjetësh, në një dokument, projektin embrionar të një Konfederate Ballkanike (‘Ballkania’), e përbërë nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, së cilës do të mund t’i bashkoheshin edhe Bosnja dhe Maqedonia. Mirëpo ky projekt nuk pati ndonjë jehonë të rëndësishme.
Ajo që është e çuditshme, është se përballë kësaj politike prej më shumë se një decenie të terrorit sistematik, të aparteidit në Evropë dhe spastrimit etnik të Kosovës nga regjimi serb, ju si historian i madh nuk keni bërë as përpjekjen më të vogël për të reaguar, sa e di unë”.
Fragment nga libri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, Muhamedin Kullashi, 2020.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë