Shtojca për Kulturë

S’na duhet fabrikimi i një gjuhe të re

Nuk mund të hyjmë në Qytetërimin e Perëndimit gjer sa nuk e pasurojmë gjuhën t’onë me shprehjet e kuptimeve mendore dhe letrare të Evropës. Vetëm një mënyrë ka që t’a bëjmë t’onën këtë pasuri të domosdoshme evropiane
 

Pas mëndje sonë, qëllimi i përpjekjes s’onë gjuhësore të paskëtajme nuk duhet t’ jetë fabrikimi i çuditësh i një GJUHË TË RE, por reforma dhe kulturëzimi i gjuhës që kemi sot! Gjuha jonë, duke pësuar shekuj me radhë shtypjet e ndryshme të dialekteve të huaja, fitoi një tok fjalë dhe shprehje të huaja nga të cilat tani më të shumat janë shqipëruar

Tani erdhën në pikën themelore të themës s’onë. Analizuam rjedhjen gjuhësor të qënies s’onë nacionaliste dhe arritëm në përfundimin e nevojës së një misioni mendor krijonjës më të gjerë. Tani më mundemi të ecim përpara me liri më të madhe të dëftojmë udhëzat që do të na shpien në realizimin e idealeve t’ona. Nga theoria shkojmë në veprë. “Grua, teurer Freund, ist alle Theorie, Und grun des Lebens goldmer Baum”, thotë Goethe-ja. (Goethe, “Faust”). Nënë hijet e freshkëta të kësaj “peme të florinjt të jetës”, po çelin lulet e një mendjeje neo-shqiptare. Ai që ndjen në kraharorin e tij sugjerjen e kësaj epoke të freshkëtë, ka ndërgjegje të thellë të përgjegjësisë që ka përsipër: Puna që na pret është e zorshme dhe kolosale...

* * *